Në praninë e qindra qytetarëve, familjarëve, por edhe zyrtarëve të pushtetit, të hënën është bërë rivarrimi i Liridona Ademajt në fshatin Rracaj të Gjakovës.
Më kërkesë të familjarëve, ajo është zhvarrosur nga varrezat e fshatit Cërmjan, në vendlindjen e bashkëshortit, pasi u zbulua se ky dyshohet se e organizoi vrasjen.
Në ceremoninë e rivarrimit merrnin pjesë dhe zëvendëskryeministrja e ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla; ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla; ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu; ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari; deputetet Mimoza Kusari-Lila dhe Saranda Bogujevci – të gjithë këta nga partia në pushtet – Vetëvendosje. Nga opozita i pranishëm ishte Hajdar Beqa, deputet i PDK-së, i cili vjen nga Gjakova
Në ceremoninë e rivarrimit të saj, u kërkua drejtësi. Nxënës kishin veshur fanella me fotografinë e të ndjerës dhe me mbishkrimin “Drejtësi për Liridonën”.
Mësuesja e Liridonës, Teuta Haxhiu, gjatë rivarrimit të Liridonës, tha se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për të.
“Ende jemi të trishtuar nga vdekja mizore e saj kaq të hershme e porositur nga njeriu i kthyer në përbindësh, nga një frikacak e i pa burrë që askush nuk do ta kishte besuare më së paku ju që vitet më të mira rinore i ndatë me të.
Jemi krenar që të patëm bijë kaq të dashur, nxënëse të shkëlqyer, vajzë të devotshme dhe nënë kaq të përkushtuar siç ishe ti, por njëkohësisht shprehim vendosmërinë tonë që të shprehim drejtësi për ty Liridon dhe për të gjitha nënat, gratë dhe vajzat tona të bekuara që në një formë apo tjetër u bën formë e dhunës së egër duke humbur jetën tragjikisht.
Nuk do të ndalemi prej asnjë pengese tjetër për ta quar në vend drejtësinë, mbase edhe si ngushëllim për humbjen e pakombensueshme dhe mesazhin që kjo shoqëri ka nevojë“, tha ajo.
Për vrasjen e Liridona Ademajt janë arrestuar tre persona ndaj të cilëve është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili dyshohet se ka orkestruar vrasjen e bashkëshortes së tij.
Naim Murseli për shkak të veprës penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, Granit Plavës për veprën penale, vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, dhe Kreshnik Kokallës për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.
Liridona Ademaj u vra në Bërnicë të Prishtinës, më 29 nëntor./Ekonomiaonline