Në emisionin “Diagnozë” ne A2 CNN nga Freskida Miloti eshte diskutuar për sëmundjet e veshkave dhe ndikimin që mund të kenë sëmundjet kronike në dëmtimin e funksionit të veshkave. E ftuar në studio, Marsida Duli, mjeke pranë shërbimit të nefrologjisë dhe dializës në QSUT, tregon se një nga shkaktarët kryesorë të dëmtimit të funksionit të veshkave është nefropatia diabetike, apo sëmundja e veshkës e shkaktuar nga diabeti melitus.
“Pra, është një sërë pacientësh të cilët vuajnë nga diabeti dhe me kalimin e kohës, me kalimin e viteve pavarësisht trajtimit të diabetit që marrin për sëmundjen bazë në një stad të caktuar mund të shfaqet dhe nefropatia diabetike,” shpjegon Duli.
Shkaktarë të tjerë, në vendin e dytë e zënë disa sëmundje të cilat shkaktohen nga hipertensioni arterial ose vlerat e shtuara të presionit të gjakut dhe që lidhen gjithashtu dhe me sëmundje kardiovaskulare, të sistemi kardiovaskular.
“Sëmundje të cilat kanë qenë më përpara, më pas janë komplikuar deri në insuficencë kardiake dhe më pas degradojnë dhe funksionin e veshkës”.
Por si t’i dallojmë simptomat që shkaktojnë problemet me veshkat?
“Pakësimi i sasisë së urinimit, është një shenjë që duhet të shqetësojë qytetarët, apo dhe shtimi në sasi më të shumtë se normalisht, shfaqja e enjteve të këmbëve, zgjimet në mëngjes me sy të ënjtur, apo dhe luhatjet e presionit arterial, qoftë në uljen e tensionit apo dhe në arritjen e shifrave më të larta se sa zakonisht, por nuk duhen anashkaluar dhe shenjat e tjera siç janë nauzea, mungesa e oreksit, të vjellat,” tregon mjekia nefrologe.
Sëmundjet e veshkave ndikojnë edhe në shëndetin e përgjithshëm të pacientëve. Nefrologia Duli shpjegon se janë një sërë shenjash të cilat e bashkëshoqërojnë gjatë gjithë rrugëtimit pacientin.
Këtu përfshihet anemia, që është një ndër shenjat që shfaqet sidomos në stadin e 3-4, janë dëmtimet e sistemit ostoartikular si pasojë e metabolizmit të kalciumit dhe fosforit të organizmit të ndryshuar si pasojë e instalimit të sëmundjes renale kronike.
Njëkohësisht dhe një ulje e imunitetit të këtyre pacientëve, pra gjithë pacientët që vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkës kanë një ulje të imunitetit të krahasuar me popullatën tjetër dhe rrjedhimisht janë më të prediposuar për të pasur infeksione.