Vëllai i Liridona Ademajt, ka folur për News24, në lidhje me vrasjen mizore të motrës së tij, nisjen e dyshimeve tek Naim Murseli dhe arsyen se pse ky i fundit bëri një gjë të tillë, duke lënë dhe dy fëmijët jetimë.
Sipas Leonard Ademajt, edhe pse ende nuk e kanë të sigurtë, dyshimet kryesore qëndrojnë tek sigurimi i majmë financiar që kishte Liridona në Suedi, aty ku edhe jetonte prej shumë vitesh me familjen.
Ai po ashtu ka rrëfyer, se vrasës i Liridonës dhe personi që e ka ndihmuar vrasësin, nuk janë persona të panjohur për familjen e tij, madje Kushtrim Kokalla, pjesëtari i FSK-së, sipas tyij ka ngrënë bukë dhe ka qëndruar në banesën e familjes Ademaj.
Pjesë nga intervista:
Leonard Ademaj: Pasi mbërritëm në shtëpinë tonë këtu, babai tha se nuk duhet të shkojmë atje. Babai tha se nëse Naimi do ishte burrë do e kishte mbrojtur Liridonën. Pas pak minutash doli në lajme se Naim Murseli ishte arrestuar.
Kishin 13 vjet martesë. Në Suedi Liridona ka kryer një shkollë, më pas ka punuar me të moshuarit deri sa hapën biznesin e tyre të pastrimit. Liridona ka qenë shumë e lumtur, nuk ka pasur diçka në këto vite martesë. Nuk kemi dijeni që ka pasur një proces divorci mes tyre, nuk është e vërtetë.
Cili mendoni se ka qenë motivi i Naimit për këtë akt të rëndë?
Leonard Ademaj: Tani mund të kemi shumë mendime se përse e ka bërë atë akt Naimi. Mendimet tona janë se Naimi që kur është kthyer ka pasur shpenzime dhe motra jonë kishte një siguracion të madh në Suedi dhe mos ndoshta ai ka menduar ta vriste dhe të merrte një shumë të konsiderueshme të parave. Mendojmë se ai ka qenë qëllimi kryesor dhe pse mund të ketë pasur qëllime të tjera.
A i njihni vrasësit e Liridonës?
Leonard Ademaj: Vrasësin e njohim pak, nuk kemi pasur biseda me të, ndërsa personin bashkëpunëtor e njohim personalisht. Ka qenë tek ne disa herë, ka ngrënë bukë në shtëpinë tonë dhe ka fjetur në shtëpinë tonë. E njohim shumë mirë.
Ku ndodhen fëmijët e Liridonës në këto momente?
Leonard Ademaj:Fëmijët e Liridonës janë në shtëpinë e gjyshërve të tyre, prindërve të Naimit. Atje po kujdesen për ta.