Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se i është thënë nga ushtria izraelite se duhet të heqë furnizimet nga dy depo mjekësore në jug të Gazës, sepse “operacionet tokësore do t’i nxjerrin ato jashtë përdorimit”.
Kreu i OBSH-së, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një postim në platformën X, i bëri thirrje Izraelit që të “tërheqë urdhrin”.
Ai i kërkoi asaj që “të marrë çdo masë të mundshme për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën civile, duke përfshirë spitalet dhe objektet humanitare”.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së ka lëshuar një deklaratë këtë mbrëmje, duke thënë se është “jashtëzakonisht i alarmuar” nga rifillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit.
António Guterres i bëri thirrje ushtrisë izraelite që “të shmangë veprimet e mëtejshme që do të përkeqësonin situatën tashmë katastrofike humanitare në Gaza”.
“Për njerëzit e urdhëruar të evakuohen, nuk ka asnjë vend të sigurt për të shkuar dhe shumë pak mundësi për të mbijetuar,” tha ai, pas raporteve se më shumë forca izraelite po shkelin në pjesë të Gazës jugore.
Guterres tha se është “shumë i shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës” në Bregun Perëndimor, duke përfshirë “operacionet e intensifikuara të sigurisë izraelite” dhe “sulmet ndaj izraelitëve nga palestinezët”.
Gjithashtu ai përsërit thirrjen e tij për një armëpushim të qëndrueshëm humanitar në Gaza dhe lirimin e pakushtëzuar dhe të menjëhershëm të të gjithë pengjeve të mbetura.