BallinaAktualitetLidershipi në mjedisin e sigurisë/Gjeneralmajor Manushaqe Shehu prezanton studimin e saj...

Lidershipi në mjedisin e sigurisë/Gjeneralmajor Manushaqe Shehu prezanton studimin e saj në 111 vjetori i FA

spot_img
spot_img

111 vjetori i FA – Gjeneralmajor dr. Manushaqe Shehu – Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm prezanton studimin e saj disavjeçar

Halil RAMA

Ish Presidenti i RSH Alfred Moisiu: “Ky libër për lidershipin në fushën e sigurisë vjen në këtë 111 vjetor të FA në një dimension të ri, i cili do t’u shërbejë brezave të tashëm dhe të ardhshëm ushtarakë për të thelluar më tej dijet për drejtues të mjedisit të sigurisë dhe të ushtrisë”

Në 111 vjetorin e Forcave tona të Armatosura, Dr. Manushaqe Shehu, e para gjeneralmajore shqiptare dhe zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të FA të RSH vjen me kurorëzimin e studimit të saj disavjeçar për lidershipin në mjedisin e sigurisë. Monografia me këtë titull, që u prezantua të dielën më 3 Dhjetor 2023 në sallën e madhe të Akademisë së Shkencave në Tiranë, me praninë e qindra akademikëve e personaliteteve civile, trajton ndryshimet pozitive të ndodhura si dhe sfidat e forcave të armatosura shqiptare.

Në këtë event të moderuar me mjeshtri të rrallë artistike nga Mjeshtri i Madh Defrim methasani, mes ushtarakëve  e qindra civilëve ishte edhe ish  – presidenti i Republikës Alfred Moisiu që shpreu vlerësime për botimin dhe autoren.

Ashtu si në parathënie edhe në fjalën e tij përshëndetëse Moisiu vlerësoi monografinë e gjeneralmajore Shehut, jo vetëm si një kontribut, por edhe si një rast të veçantë të trajtimit të problemit të drejtimit ushtarak. Kjo sipas tij për faktin se gjenerale Manushqe Shehu, ka përshkruar me hollësi, jo si diçka të pamundur, lidershipin në menaxhimin e sigurisë në kodin etik dhe të rëndësisë së tij.

Qoftë dhe nga një vështrim i përgjithshëm i kësaj monografie, gjithkush do të konkludonte se autorja Shehu sjell një punim të plotë që analizon një informacion të gjerë duke arritur në përfundime me vlera njohëse, bazuar në historinë botërore dhe shqiptare, ku njihen plot shembuj liderësh të suksesshëm.

E kompozuar në pesë kapituj: “Lidershipi dhe menaxhimi i sigurisë”; “Kodi etik dhe rëndësia e tij”; “konsensusi, kryefjala e liderit në pakt me sigurinë”; “roli udhëheqës politik në fushën e sigurisë”, dhe “Ballkani, ndryshimet euroatlantike dhe roli i Shqipërisë”, monografia e gjeneralmajor M.Shehut hedh dritë në përmbushjen sa më mirë të misionit dhe të rolit të forcave të armatosura shqiptare në të gjithë historinë 111 vjeçare të shtetit, për të kontribuar në sigurinë kombëtare të vendit. Në të reflektohet më së miri përvoja e saj në krye të korpusit të oficerëve të lartë si numri dy i Forcave tona të Aramatosura.

Që në hyrje të studimit të saj skrupuloz ajo argumenton se të drejtosh do të thotë të kesh vizion të qartë për sa i përket synimeve dhe arritjeve dhe se udhëheqja është para së gjithash një përkushtim sublim për t’i shërbyer me përgjegjësi interesave kombëtare.

Në këtë optikë, nisur nga koncepti i përgjithshëm për figurën e liderit ajo shkruan se: “…është pikërisht lidershipi i nivelit strategjik, që kapërcen vështirësitë, duke orkestruar ngjarjet e brendëshme, në bashkërendim me ndikimin personal të organizatës në mjedisin e jashtëm, me qëllim arritjen e vizionit të organizatës” (fq.22). Me tej ajo argumenton më së miri se si dinamikat e proceseve të buxhetimit të shtetit ndikojnë fuqimisht në vendimmarrjen në nivel strategjik.

Përsa i përket rëndësisë së Kodit Etik, autorja e kësaj monografie shumëvlerëshe e konsideron atë një “armë të fuqishme” në duart e drejtuesit, i cili duhet ta përdorë në funksion të krijimit të një mjedisi të këndshëm dhe një klime të favorshme komandimi. (fq.57).

Më së miri, këto koncepte i sqaruan në kumtimet e tyre Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj dhe Prof. asoc. Dr.  Zaho Golemi.

QASJE E RE NË MODELIN E LIDERSHIPIT

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj, pasi analizon sentencën e pesë kapitujve arrin në përfundimin se monografia  “Lidershipi në mjedisin e sigurisë” përbën një kontribut të rëndësishëm dhe një qasje të re në modelin e lidershipit në kohën e sotme.  Kjo sipas tij për faktin se  punimi kap dhe çështje të karakterit strategjik duke ndikuar në vizionin e fuqisë kombëtare, si një kontribut për zbatimin e kërkesave të strategjisë së sigurisë dhe të strategjisë ushtarake.

“Me përfundimet e saj gjeneralmajore Shehu arrin të sensibilizojë qasje të përbashkëta të njohjes, analizës dhe përballimit të sfidave të kërcënimeve dhe rreziqeve të tashme e të ardhshme në rajonin e tonë, ku për lidershipin, janë baza të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe rritjes së besimit reciprok, nëpërmjet pjesëmarrjes dhe kontributeve në kuadër të marrëveshjeve rajonale në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të vendeve”, konkludon prof. Zotaj.

Ai e vlerëson librin “Lidershipi në mjedisin e sigurisë” një trajtesë të plotë të lidershipit në mjedisin e ri të sigurisë. Në prezantimin e kësaj monografie në vigjilje të 111 vketorit të FA të RSH, Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj tha se “Autorja trajton me kopentencë filozofinë e rolit të lidershipit në fushën e mbrojtjes e të sigurisë, ndikimin e tyre për mbështetjen dhe zhvillimin e proceseve demokratike e integruese etj. Monografia plotëson edhe një boshllëk që egziston në trajtesën e lidershipit në fushën e sigurisë, si në rrafshin teknik, ashtu dhe në atë praktik të njohjes e të zbatimit të tij”. Ai vlerësoi gjithashtu përvojën e gjeneralmajore Shehut në FA, si dhe angazhimin në institucione elitare brenda vendit, por dhe në veprimtari ndërkombëtare, karrierën e saj ushtarake, me shkrime, studime e kualifikime cilësore të kryera, shfrytëzimin e një literature bashkohore etj. çka na mundëson njohjen me qëllimet, misionet, objektivat dhe shtyllat e lidershipit dhe ndikimi të tij në menaxhimin e mjedisit të sigurisë.

REFERENCË E PËRZGJEDHUR PËR DREJTUESIT NË TË GJITHA NIVELET

Destinacioni i librit “Lidershipi në mjedisin e sigurisë” i Gjeneralmajore Dr. Manushaqe Shehut është i paracaktuar për formimin kulturor e profesional, në përmbushjen e detyrave misionare për profesionistët e Mbrojtjes dhe të Sigurisë, në të gjitha nivelet e lidershipit. Parë nga ky këndvështrim Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi e vlerëson këtë monografi për faktin se sjell standard për liderat, për cilësitë morale, besueshmërinë, kurajën, ndershmërinë, profesionalizmin, sigurimin menaxherial, ushtrimin e autoritetit brenda ligjit etj.

Në trajtesën e tij gjatë prezantimit të këtij libri, prof.Golemi e vlerësoi atë si  vlerë e kulturë për sot dhe për të ardhmen, referencë e përzgjedhur për drejtuesit në të gjitha nivelet e drejtimit ushtarak, një kontribut i shkruar dhe dokumentuar pas një përvoje e eksperience të gjatë pune në strukturat e Mbrojtjes dhe Sigurisë shqiptare.

“Libri sjell reflektim mbi përvojat e drejtimit të lidershipit, menaxhimin e çështjeve esenciale të strategjisë në mjedisin aktual dhe në fokusin e së ardhmes në çështjet e sigurisë, në konceptimin e figurës e lidershipit në fushën e sigurisë e mbrojtjes, të parë në këndshikimin e gjerë dhe të ndërthurur me institucionet ligjzbatuese të sigurisë në Shqipëri”,- tha ndër të tjera Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi.

Kjo sipas tij edhe për faktin se autorja e monografisë gjeneralmajore Manushaqe Shehu ka shfrytëzuar një literaturë në gjuhë të huaj prej 55 librash, 34 libra në gjuhën shqipe ose të përkthyera në gjuhën shqipe nga literatura më e përzgjedhur botërorer në fushën e lidershipit, si dhe mjaft punime të profesorëve të Akademisë së Forcave të Armatosura, si “Morali dhe etika e ushtarakut në Forcat e Armatosura”, “Etika, Komunikimi dhe Lidershipi” etj. Për të realizuar këtë punim të mirëfilltë shkencor ajo ka shfrytëzuar disa nga publikimet më të spikatura të fushës së lidershipit dhe mjedisit të sigurisë, gazeta e revista nga personalitete të botës dhe shqiptare sikurse është ajo në gazetën “Kombi”, Alfred Moisiu: “Politika e mbrojtjes t’u shërbejë interesave kombëtare”, publikime të tjera si: “Shqipëria, koncepti i ri i sigurisë”, publikime të revistës “Mbrojtja”, gazetës “Ushtria”, Revista ushtarake, Studime të Historisë Ushtarake”, burime të spikatura nga interneti etj. Prof.Golemi tha se libri “Lidershipi në mjedisin e sigurisë” në mënyrë të përzgjedhur ka synuar dhe ja ka arrtitur të ketë një aparat të pasur shkencor edhe përmes 188 referencash të fushës së lidershipit.

Botuesja e librit, Irena Toçi e shtëpisë botuese prestigjioze “TOENA” ndër të tjera shprehu krenarinë, kënaqësinë por edhe përgjegjësinë që arriti t’i sjellë lexuesit këtë vepër me firmën e gjeneralmajor dr.Manushaqe Shehut. Ajo tha se “Lidershipi në mjedisin e sigurisë është një libër që mund të lexohet nga kushdo, që lidershipi të mos shkëputet nga kultura kombëtare. Është me fat Shqipëria që ka  njerëz kaq të përgjegjshëm si gjeneralmajore Manushaqe Shehu”.

Dhe siç vlerëson ish-Presidenti Moisiu: “Ky libër për lidershipin në fushën e sigurisë vjen në këtë 111 vjetor të FA në një dimension të ri, i cili do t’u shërbejë brezave të tashëm dhe të ardhshëm ushtarakë për të thelluar më tej dijet për drejtues të mjedisit të sigurisë dhe të ushtrisë”. Autori eshte – Mjeshtër i Madh

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular