BallinaOP EDZelanda e Re dhe konflikti në Ukrainë

Zelanda e Re dhe konflikti në Ukrainë

spot_img
spot_img

ARDIT GJINALI

Zelanda e Re është një aktor me fuqi politike thelbësore në formësimin e një aleance të konsoliduar politike perëndimore në dritën e zhvillimeve të reja gjeopolitike, ku dhe Rajoni i Indo-Paqësorit nuk mbetet jashtë të tillave.

Një realitet i ri politik i shenjuar nga sulmi famëkeq i Rusisë mbi integritetin territorial të Ukrainës, ka ndikuar në formësimin e marrëdhënieve të reja politike ndërshtetërore, ku e drejta ndërkombëtare dhe ruajtja e rendit aktual botëror, ka prevaluar mbi secilën marrëveshje, që buron nga avantazhi ekonomik që e njëjta mund të përftojë.
Konflikti në Ukrainë mbetet momenti politik që e rreshtoi Zelandën e Re kah shteteve që kundërshtuan fuqimisht sulmin Rus, në të njëjtën kohë vendi miratoi ndihma në forma të ndryshme , të tillat financiare apo logjistike në mbështetje të përpjekjes së Ukrainës për të ndaluar përparimin ushtarak Rus dhe për të kontrolluar sërish territoret e uzurpura ushtarakisht.
Kryeministrja Laburiste e kohës Jacinda ARDERN do të dënonte sulmin Rus ndaj Ukrainës dhe do të theksonte qartësisht si më poshtë;-“Sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës janë sulm i hapur ndaj jetëve të pafajshëm dhe sovranitetit të një vendi tjetër. Përgjigjja jonë nuk ka përfshirë vetëm dënimin e veprimeve të Rusisë, por mbështetjen praktike për Ukrainën”. Në të njëjtën kohë, Kryeministrja e kohës ARDERN do të deklaronte ;-“ Ne po kontribuojmë me 4.5 milionë dollarë të tjerë nëpërmjet Fondit të Mirëbesimit të NATO-s për furnizime ushtarake prioritare jovdekjeprurëse që përfshin artikuj si kutitë e ndihmës së parë ushtarake, karburantet, pajisjet e komunikimit dhe racionet.

Kjo është mbi 4.24 milionë dollarë për fondin e NATO-s të shpallur në mars”. Shifra totale e ndihmës së Zelandës së Re ndaj Ukrainës gjatë vitit 2022 numëron rreth 33 milion dollarë dhe u bashkua vendeve që morën vendimin për sanksionet ekonomike dhe tregtare ndaj Rusisë. Zelanda e Re është një aktor politik në Paqësor që ka thelluar bashkëpunimin përkatësisht me SHBA, Mbretëri e Bashkuar dhe Bashkim Europian ku kryeministrja ARDERN ka miratuar kornizën e “Indo-Paqësorit”, një nisëm politike angazhuese e SHBA ndaj Rajonit;- në të njëjtën kohë, Zelanda e Re ka blerë pajisje ushtarake amerikane dhe ka refuzuar ndihmën Kineze përmes sistemit “Huawei” për përmirësimin e sistemit “5G” duke dënuar tendencën në rritje të sulmeve kibernetike të frymëzuara nga Kina.

Fillim viti 2023 njohu zhvillime politike dinamike në Partinë Laburiste dhe kryeministri i ri, me përkatësi të njëjtë politike me paraardhësen ARDERN, u votëbesua Chris HIPKINS. HIPKINS vijoi në të njëjtin drejtim në politikën e Jashtme përtej një pozicionimi më të moderuar ndaj Kinës, krahasuar me qasjen e fortë pro-aktive të Australisë në aleancën që kjo e fundit ndërton me “SHBA-Mbretëri e Bashkuar”. Në të njëjtën kohë HIPKINS, përtej linjës së moderuar që buron nga një qasje e vazhduar e së quajturës “strategji politike e pavarësisë” në politikën e Jashtme , përvijoi një qëndrim të qartë politik në bashkërendim me aleancën Euro-Atlantike ku përfaqësoi vendin në samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Vilnius, një vijimësi e pranisë së Kryeministres paraardhëse në samitet e mëparshme të Aleancës së Atlantikut të Veriut;- ky moment politik mbetet një dëshmi e qartë e këtij qëndrimi që e ka fillesën në nënshkrimin e partneritetit mes Zelandës së Re dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut në vitin 2012.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin nismëtarët e aleancës ushtarake të Mbrojtjes “ AUKUS” ku përfshihen SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia;- një aleancë e ndërtuar me qëllim thelbësor të frenimit të ndikimit ushtarak, politik dhe ekonomik të Kinës. Qeverisja Laburiste e dy Kryeministrave “ ARDERN-HIPKINS” u shfaq retorikisht pozitive për pjesëmarrjen e mundshme në “AUKUS”, por munguan veprimet konkrete politike për anëtarësim varësisht vullnetit të qartë të shprehur nga Sekretari Amerikan i Shtetit BLINKEN gjatë vizitës zyrtare të zhvilluar në vend ku krah Kryeministrit HIPKINS do të theksonte;-“ Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përkushtuara për të vënë në jetë vizionin tonë të përbashkët për një Indo-Paqësor të lirë, të hapur, të begatë, dhe të sigurt. Kjo nënkupton një rajon ku vendet janë të lira të zgjedhin rrugën dhe partnerët e tyre, ku problemet trajtohen hapur, ku rregullat hartohen në mënyrë transparente dhe zbatohen në mënyrë të drejtë, ku njerëzit, idetë dhe tregtia të gëzojnë liri dhe të mbrohen nga ligji”.

Një raport i Shërbimeve Inteligjente të vendit , i pasqyruar në Gusht të vitit 2023, përcillte shqetësimin mbi ndërhyrjen e vendeve përkatëse si Kina, Rusia dhe Irani ku theksohet që qëllimi i ndjekjes Iraniane kishte si fokus raportimin e komuniteteve Iraniane në vend apo dhe ndërhyrja Kineze për të ndikuar mbi komunitetet e së njëjtës kombësi. Nga ana tjetër, raporti nënvizon që ndikimi Rus shpërfaqet në forma të ndryshme përtej faktit që “ fushatat e dezinformimit ndërkombëtar të Rusisë kanë patur ndikim në opinionin publik, edhe pse ato nuk synojnë në mënyrë specifike Zelandën e Re”.

Nëntori 2023 shënon përfundimin e plotë të ecurisë së marrëveshjes së tregtisë së lirë mes Bashkimit Europian dhe Zelandës së Re, ku pas Miratimit të Parlamentit Europian u hap rrugë ratifikimit të marrëveshjes që parashikon përkatësisht shkurtimin e detyrimeve të kompanive Europiane në shifrat e 140 milion eurove në vit, pritshmëri në rritje të nivelit të tregtisë dy palëshe në 30 përqind , rritje të eksporteve të Bashkimit Europian në nivelin e 4.5 miliardë euro në vit dhe rritje të investimeve Europiane në Zelandën e Re me 80 përqind. Marrëveshja parashikon respektimin e angazhimeve mbi Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe të të drejtave të punëtorëve, gjithashtu.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula VON DER LEYEN do ta theksonte marrëveshjen të një rëndësie të veçantë duke theksuar;-“ Zelanda e Re është një partner thelbësor për BE në rajonin Indo-Paqësor dhe kjo marrëveshje e tregtisë së lirë do të na sjellë më afër së bashku. Marrëveshja do të sjellë përfitime të rëndësishme për jo vetëm për kompanitë Europiane ku përkatësisht eksportet pritet të rriten deri në 4.5 bilion euro çdo vit, por gjithashtu si shkak i angazhimeve mbi mbrojtjen e klimës dhe konsumatorit, mjedisi dhe qytetarët do të përfitojnë nga marrëveshja. Kjo është mënyra që Bashkimi Europian arrin rezultate pozitive në nivel botëror duke punuar në bashkëpunim me partnerët”.

Zgjedhjet parlamentare të mes-Tetorit 2023 shënuan ndryshimin politik ku Partia Kombëtare, në përkatësi politike të së djathtës arriti të fitonte shumicën e vendeve në Parlament duke u përfaqësuar me Kryeministrin e ri të mandatuar Christopher LUXON. Pritshmëritë mbeten pozitive në një konsolidim të mëtejshëm të aleancës politike ndërkombëtare të Zelandës së Re me aleancën Euro-Atlantike dhe aktorë të tjerë si Japonia, gjithashtu. Qeveria e votëbesuar nga shumica parlamentare është një e tillë koalicioni ku një aktor thelbësor është Partia “Zelanda e Re e Para” e drejtuar nga një politikan me eksperiencë, pjesëmarrës në koalicione të ndryshme qeverisë përfshirë dhe të njëjtët me Laburistët e Majtë, Winston PETERS, Zëvendës/Kryeministër dhe i besuar sërish si Ministër i Jashtëm në kabinetin e Kryeministrit LUXON.

Në fjalimin e tij të parë si Ministër i Jashtëm i Zelandës së Re, PETERS do të nënvizonte domosdoshmërinë e rritjes së angazhimit Amerikan duke nënvizuar si më poshtë;-“ Ne kemi qëllim të rrisim shkallën e angazhimit me SHBA në sfidat e sigurisë, angazhim i bazuar në interesat e përbashkëta për një rajon të Indo-Paqësorit, të sigurtë, në paqe dhe prosperitet, gjithashtu. Në vijim të qëndrimit të tij, zoti PETERS do të nënvizonte -“vlerat e përbashkëta që bashkojnë të dy vendet përkatësisht në vlerat demokratike, liria e fjalës, tregtia e lirë, fuqia e së drejtës dhe ligjit”;-këto vlera të përbashkëta që konsolidojnë sistemin politik demokratik si një hapësirë e përbashkët bashkëndarëse vlerash të ndërsjellta.

Fitorja e Konservatorëve të Djathtë në vend mund të përcjellë një qasje të re në politikën e Jashtme duke u përpjekur të largojnë “statusin e një aktori të pavarur në politikën e Jashtme” dhe anëtarësimi në “AUKUS” do të shënonte një drejtim të ri politik në politikën e Jashtme dhe një pozicionim përtej përkatësisë së deklaruar deri tani kah Aleancës politike perëndimore.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular