BallinaAktualitetHoxha Hasan Muglica, mësues e atdhetar i madh

Hoxha Hasan Muglica, mësues e atdhetar i madh

spot_img
spot_img

Nga Nazmi Koçi

Në plejadën e mësuesve të shquar që dolën nga gjiri i popullit dhe që tërë jetën e tyre punuan me mish e me shpirt për ndriçimin e mendjes së popullit shqiptar, si dhe për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj dhe ruajtjen e territoreve të tij, ishte edhe biri i Okshtunit të Dibrës, Hasan Muglica.

I paepur në rrugën e tij si mësues, i papërkulur përpara armiqve të atdheut të cilët nuk iu ndanë gjithë jetën, duke e kërcënuar e duke i djegur shtëpinë, shkollën e bibliotekën, duke u përpjekur ta poshtëronin në njëqind e një mënyra, duke e torturuar egërsisht, sa e detyruan të hapte varrin vetë… Hasan Muglica nuk i tradhtoi idetë e tij atdhetare, por qëndroi para bajonetave të pushtuesve serbë duke thirrur: “Rroftë Shqypnia!” dhe aty në vendin e quajtur “Ara e Shermetit” në Okshtun, ku lindi dhe kaloi jetën e tij, me 15 qershor 1915 e ekzekutuan. Ishin po ata armiq që vranë tradhtisht burrat e shquar të Shqipërisë si Dedë Gjo Luli, Çerciz Topulli, Isa Boletini, Hasan Prishtina etj., me idenë e mbrapshtë se, duke vrarë prijësit e kryengritjes, ata do të vinin nën zgjedhë popullin.

Hasan Muglica ka lindur në vitin 1854 në fshatin Muglicë të Okshtunit. Që në moshë të re u brumos me ndjenja atdhetare. Ishte i biri i Sul Shermetit, që pat ardhur nga Dibra e Madhe dhe u vendos në Muglicë.  U shkollua në Stamboll, ku studioi  për inxhinieri, më pas mori titullin Hoxhë Muglica. (1,2,3)

Dibra, si e gjithë Shqipëria, ishte vend i luftërave të pareshtura . Kur pushtuesit osmanë nuk arritën të shuajnë shpirtin liridashës të popullit, vetëm një shkëndijë e vogël të ndizej diku në ndonjë krahinë, merrte flakë e tërë Shqipëria. E tillë ishte gjendja në vitin 1878, kur fuqitë e mëdha vendosën në Berlin copëtimin e Shqipërisë. Në Prizrenin historik u mblodh Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila i doli zot vatanit me armë në dorë. Hasan Muglica, i cili kishte dy vjet që, nën petkun fetar të imamit, zhvillonte veprimtari atdhetare  dhe shtëpinë e tij e bëri qendër të patriotëve të Lidhjes Shqiptare. Ai priti e përcolli shumë luftëtarë, që shkonin në Prizren e ndër këta edhe patriotin e shquar Abdyl Frashërin, me të cilin Hasan Muglica “bisedon me të rreth dy orë rresht në shtëpinë tij mbi ardhmërinë e vendit, tue lidh besë me vazhdue udhën e vështirë të zgjimit kombëtar”. (1,3,4)

Duke qenë anëtar i degës së Lidhjes për Dibrën, ai organizon forcat vullnetare nga një për shtëpi për mbrojtjen e territorit shqiptar. Në krye të këtyre forcave Hasan Muglica luftoi kundër ushtrisë osmane të komanduara nga Dervish Pasha.

Vitet e Lidhjes së Prizrenit ishin si për të gjithë atdhetarët edhe për Hasan Muglicën një shkollë e madhe.

Hasan Muglica tashmë qe plotësisht i bindur dhe këtë mësim e kishte diskutuar edhe me Abdyl Frashërin, se duhet mbjellë fara e diturisë, si hap i parë drejt çlirimit kombëtar. Duke përdorur petkun e fetarit, ai e ktheu objektin e kultit në një shkollë ku i mësonte vocërrakët e Okshtunit në gjuhën amtare dhe i ushqente me ndjenjën e atdhedashurisë. Në asnjë rast ai nuk i hoqi armët nga dora. Vetë Dibra ishte bërë një shesh luftërash të vazhdueshme.

Hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë në vitin 1887nxiti patriotët anekënd vendit për të hapur edhe ata shkolla shqipe, ndonëse në kushte shume të vështira. Said Najdeni, që kishte hapur një shkollë shqipe në Dibër të Madhe që në vitin 1888 “bëri përpjekje për të shtrirë aktivitetin politik e kulturor edhe në malësi, si në Okshtun pranë Hoxhë Hasan Muglicës”. (1,2,4)

Nga 20 000 abetare që kishte shtypur “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”, 6000 erdhën te Said Najdeni në Dibër dhe një pjesë e tyre përfunduan në Okshtun . (Në një dokument tjetër thuhet se ato i transportoi nga Stambolli Hasan Muglica në thasët e sheqerit dhe i ruante në Okshtun te “Shkëmbi i Patës”. (1,2,4). Që para vitit 1900 ai hapi shkollë shqipe te Valanica e Suljet në zallin e Sebishtit.

I ndezur nga atdhedashuria, Hasan Muglica ngre në shtëpinë e tij të parën shkollë shqipe në krahinën e Okshtunit në vitin 1904. Shtëpinë e tij me 28 dhoma e ktheu në shkollë dhe bibliotekë të pasur me libra shqip. (1,2) E jo vetëm kaq, por me t’u mësuar shkrim e këndim okshtunasve, ai bënte kujdes t’i shpërndante nxënësit  e tij në fshatrat e tjerë, duke u bërë edhe ata mësues të gjuhës shqipe dhe njëri nga këta ishte i biri, Osman Muglica, të cilin e dërgoi mësues disa vjet rresht në Sopot të Zerqanit dhe në Zdrajsh të Çermenikës. (1,2,6,7) Shtëpinë bibliotekë të Hoxhë Muglicës e dogjën në shenjë hakmarrjeje forcat e Durgut Pashës dhe ai, vërtetojnë dokumentet e kohës, nuk u shqetësua për shtëpinë, por për bibliotekën shqipe u mërzit tepër. (1,2) Edhe serbët ia dogjën shtëpinë së bashku me 15 shtëpi të tjera të fshatit.

Hasan Muglica bashkëpunoi me Komitetin e fshehtë të Manastirit, që drejtohej nga Bajo Topulli, me të cilin mbante lidhje direkte dhe merrte udhëzime për ngritjen e çetave kryengritëse. Veprimtaria e tij atdhetare e bëri që të lidhej me figura të tilla si Luigj Gurakuqi, Dervish Hima, Vehbi Dibra, Aqif Pashë Elbasani. (2,4) etj.

Hapjen e shkollës Normale të Elbasanit më 1908 jo vetëm që e përshëndeti, ai kishte qenë delegat në Kongresin e Elbasanit), por bëhet një nga përkrahësit më të flaktë të saj. Në kohën kur patrioti i shquar Hasan Prishtina dërgonte nga Kosova djelmosha për në Normalen e Elbasanit, Hasan Muglica dërgon atje kontigjente nxënësish nga Golloborda dhe Okshtunin e mes tyre edhe të birin. (Në dokumentet e asaj shkolle është e dokumentuar se nga Kosova u regjistruan në Normale për herë të parë 4 nxënës. Hasan Muglica dërgoi atje 7 nxënës nga Okshtuni, prej të cilëve 3 nga shtëpia e vet (Osmani, Hazizi dhe Qazimi). (3,4,6,9)

Hasan Muglica merr pjesë si i ftuar në Kongresin e Manastirit, më pas në Kongresin e Dibrës. Për t’u bërë jehonë në popull vendimeve të marra në Kongresin e Manastirit, me iniciativën e tij ai mbledh popullin e Gollobordës në vendin e quajtur Fusha e Klenjës. Në këtë kuvend ai flet për rëndësinë e gjuhës shqipe, të alfabetit, të Normales së Elbasanit dhe u bën thirrje që të dërgojnë djemtë në këtë shkollë. Mbledhja që pati jehonë të madhe u shpërnda e entuziazmuar me të shtëna armesh, siç e ka përshkruar atë Haki Stërmilli. (1, 3,4,6)

Mori pjesë në të gjithë Kongreset e Dibrës që organizoi dega e Lidhjes këtu si dhe në Kongresin e Elbasanit. (1,2,6)

Pushtuesi osmanë, me të marrë vesh ngjarjen, dërgojnë fuqi ushtarake për arrestimin  e tij. Me të shkelur në këtë krahinë, pushtuesit u pritën me pushkë nga atdhetarë të organizuar në çeta, të cilët pas 4 orë luftimesh i zmbrapsën, madje edhe fuqi të tjera të armatosura me topa e mitraloza u kthyen me turp.

Rëndësia e kësaj ngjarjeje, shpjegon shkrimtari Haki Stërmilli, është jo vetëm se kjo krahinë mbeti e lirë për zhvillimin  e idealit kombëtar, por edhe pse ndezi zjarr zemrat e njerëzve, duke bërë jehonë të madhe në popull. (3)

Veç mësimeve që jepte në shtëpinë e tij, Hasan Muglica hapi shkollë edhe në vendin e quajtur “Ara e Martinit”, e cila tre herë u dogj e u rrënua nga pushtuesit, por tre herë u rindërtua nga okshtunasit me dëshirën për arsimin në gjuhën shqipe dhe etjen për dije, që nuk ishte gjë tjetër veç etje për liri e pavarësi kombëtare.

Vitet 1910-1912 ishin vite  kryengritjesh të mëdha e luftërash heroike. Politika e dhunës dhe e terrorit të ndjekur nga xhonturqit jo vetëm që nuk ia arriti qëllimit për çarmatimin e popullsisë dhe qetësimin e gjendjes në Shqipëri, për të cilën u nis me aq pompozitet  gjenerali Shefqet Durgut Pasha i shkollës ushtarake prusiane, përkundrazi gjendja u acarua më shumë. As ardhja e sulltanit në Kosovë, as dërgimi i hordhive të reja nuk solli dobi. Shoqëritë patriotike brenda dhe jashtë vendit, shtypi, opinioni dhe vetë kryengritësit  ishin të bindur se ashtu siç thoshte edhe Hasan Prishtina: “E vetmja rrugë për shpëtimin e Shqipërisë ishte që i gjithë vendi të ngrihej e të ftohej në një kryengritje të përgjithshme”. (4)

Në këto vite vendimtare për jetën e kombit, kur vendi ndodhej përpara alternatives: “Ja pavarësi, ja copëtim dhe humbje!”, Hasan Muglica, duke ditur detyrën si mësues e atdhetar, bën thirrje për forcimin e çetave të armatosura për mbrojtjen e vendit. Te vend i quajtur “Plepi i egër” në Maqellarë, në kuvendin e krerëve të Dibrës për organizimin e luftës së armatosur ai thotë: “Të shtojmë forcat duke luftuar për jetë a vdekje. Ne malësorët e krahinës së Gollobordës e të Okshtunit do t’i përgjigjemi vendimit që do të marrë ky kuvend, për këto troje të të parëve tanë”. (1,2,4)

Ai organizoi jo vetëm forcat e krahinës, por me fjalën e tij të zjarrtë bindi shumë oficerë dhe ushtarë që të braktisnin ushtrinë turke për t’u bashkuar me çetat e Dibrës, duke shtuar kështu radhët e luftëtarëve.

Në fillim të vitit 1912, kur shkonte të takohej me disa krerë kryengritës, kapet befasisht prej  autoriteteve pushtuese dhe burgoset. E torturuan tre muaj me radhe, me qëllim që ta mposhtnin dhe ta detyronin që të largohej nga rruga patriotike, por ai qëndroi burrërisht, madje pas daljes nga burgu ai merr rrugën për te çetat e armatosura  në malësitë e Dibrës.

Kur në Vlorë ndodhet bashkëluftëtari i tij Vehbi Dibra, si përfaqësues i Dibrës, për të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar të drejtuar nga Ismail Qemali që do të ngrinte flamurin me 28 nëntor 1912, në Okshtun të Dibrës Hasan Muglica mbledh bashkëfshatarët dhe ngre flamurin mbi çati të shtëpisë së vet, nën krismat e pushkëve.

Një rrezik i madh po i  kanosej Shqipërisë, sepse Shpallja e Pavarësisë së saj shtoi lakmitë dhe rreziqet që vinin nga shovinistët fqinjë që dëshironin copëtimin dhe aneksimin e trojeve shqiptare.

Politikës paqedashëse me fqinjët dhe deklaratave të qeverisë së Ismail Qemalit, fuqitë ballkanike iu përgjigjën duke futur ushtritë e tyre në tokat shqiptare, nën pretekstin e luftës me forcat osmane, duke pushtuar territore të gjera.

Populli iu përgjigj me luftë. Në një telegram që Aqif Pasha i dërgonte Ismail Qemalit në nëntor 1912, i thoshte se: “Populli i Lumës dhe i malësisë së Dibrës … të ndezur nga hyrja e serbëve në Lumë me vrasje e djegie shtëpish, i kanë ndjenjat kundër. E ramja e serbëve në qafë në këtë mënyrë, një populli që nuk don me qenë në luftë me ta, asht kundër detyrës njerëzore e të drejtës ndërkombëtare”. (4)

Hasan Muglica, përpara këtij rreziku të madh që po i  kanosej vendit, heq petkun fetar dhe në krye të burrave të krahinës së tij del tek Ura e Spiles mbi lumin Drin përballë pushtuesve të rinj serbë.  Në këto luftime të rrepta, ku armiqtë lanë të vrarë të panumërt, dhanë jetën edhe qindra luftëtarë shqiptarë në mbrojtje të trojeve të veta e ndër ta ishin plot 80 bashkëluftëtarë të tij nga krahina. (3,4)

Pushtuesit e rinj ndoqën politikën e pushtuesve të vjetër, atë të dhunesë, terrorit, të djegies e të shkatërrimit dhe të masakrave mbi popullsinë e pafajshme. I ndodhur  në kushte të vështira  ai shkon në Elbasan, por dhe atje e pret burgu, torturat dhe mundimet nga forcat reaksionare sadiste, të cilët  s’lanë gjë pa bërë për ta poshtëruar. Arratiset nga burgu dhe kthehet fshehtas në vendlindje, që mbahej e pushtuar nga serbët, të cilët, me ta marrë vesh se në Okshtun kishte ardhur Hasan Muglica, e kërkojnë lagje më lagje si armik të betuar të tyre dhe të mikut të tyre Esat Toptanit. Proklamatës së tyre në të cilën shkruanin se: “Juve shqiptarët as nuk mundeni, as nuk keni ku të largoheni prej nesh”, Hasan Muglica ia kishte dhënë përgjigjen kohë më parë, kur një oficer i lartë i ofroi takim e bisedime: “Unë nuk pranoj të takohem me ty, se kurrë nuk e kam zakon të bie në ujdi me pushtuesit e Shqipërisë”.

Serbomëdhenjtë nuk do t’ia falnin këtë fjalë e këtë qëndrim Hasan Muglicës, ndaj bënë ç’është e mundur ta shtien në dorë dhe ia arritën qëllimit tradhtisht në qershor të viti 1915. E torturuan tre ditë më radhë, por nuk e përkulën. Pushtuesit serbë i kërkuan Hoxhës që të firmoste një dokument sipas të cilit tokat nga Qafa e Pravallit, Fusha e Kolgrekut, në Kaptinë, në Vervjak, Qafë Buall, Qaf Murrë e deri në Lurë ishin toka serbe. Por Hoxha u ishte përgjigjur: “Mos m’i lidhni sytë se dua të shoh malet e mia”. (1,2,4,8) Atyre që u përpoqën të ndërhyjnë për lirimin e tij komandantit pushtues ju përgjigj: “Sikur të peshohet me flori Hoxhë Muglica nuk lirohet”. (3,4) E çuan te vend i ekzekutimit, bashkë me patriotin dhe mikun e tij okshunas Avdi Sallaku, që sa herë e kishte strehuar, i detyruan të hapin varrin vetë. Përsëri patrioti nuk u ligsht.                                                                                     Shaminë kuq e zi që ia kishte sjellë familja me ushqime në burg, ai e lidhi pas shkopit dhe e ngriti lart si flamur. Fjalët e tij të fundit: “Rroftë Shqypnia!” nuk “u vranë” dot nga plumbat e pushtuesve as aty te “Ara e Shermetit ” dhe as në zemrat e okshtunasve, që e ruajtën të shtrenjtë kujtimin e bashkëfshatarit të tyre, mësuesit të parë të Okshtunit, luftëtarit të papërkulur, emrin e të cilit mban shkolla e fshatit. Fjalët e tij të fundit dhe amaneti i tij  ishin: “Në kët vend ku unë po bi /  Ka qenë, asht e do t’jetë Shqipni”! (1,2,4,6)

Me 31 tetor 1915, një diplomat austriak që kaloi në Okshtun, i gjeti bashkëfshatarët e tij duke e rivarrosur Hoxhë Muglicën. Ai bëri nga Durrësi për Vjenën një telegram: “Në Okshtun, një nga hoxhët e vendit sapo e çonin në varr. Unë urdhërova që ta zgjidhnin çarçafin dhe pashë te kufoma e tij e prishur, në kokë, në tëmthin e majtë një plagë plumbi”. (1, 2,3,4,5.6)

Për meritat e tij në luftërat dhe përpjekjet e popullit për pavarësi, liri e përparim, Presidium i Kuvendit Popullor e ka dekorua Hasan Muglicën “Për veprimtari patriotike të Klasit të Parë” me rastin e 50 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë në nëntor 1962. Ai ndodhet në një dekret së bashku me patriotë të tjerë si: Ismail Qemali, Abdyl, Sami e Naim Frashëri, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Petro Nini Luarasi, Bajo e Çerciz Topulli, Elez Isufi, Isuf Xhelili, Dom Nikoll Kacori dhe të tjerë (2,4).

Gazeta “Dibra”, pas një ankete mbarëpopullore që zhvilloi në vitin 2000, e ka shpallur Hoxhë Hasan Muglicën “Dibrani i shek. XX”. (2,10)

Shtator 2023

Bibliografi:

  1. Eliott Muglica, “Burri i madh Hasan Moglica 1854 – 1915), Botimet M&B, Tiranë, 2012
  2. Valbona Ramçi, “Hoxhë Hasan Moglica, klerik dhe luftëtar i shquar për lirinë dhe gjuhën shqipe”, botuar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, Geer, Tiranë 2012.
  3. Haki Stërmilli, “Dibra në prag të historisë”, dorëshkrim, 1940, f.53).
  4. Xhemal Koçi, Kolec Trabohini, “Hasan Muglica, mësues e atdhetar i papërkulur”, gazeta “Ushtima e Maleve”, Peshkopi, qershor 1987.
  5. AQSH, Telegram i dërguar Vjenës nga Durrësi me 31.10. 1915 (marrë nga monografia e Valbona Ramçit “Hoxhë Hasan Moglica, klerik dhe luftëtar i shquar për lirinë dhe gjuhën shqipe”).
  6. Nazmi Koçi, “Tablo përmbledhëse e historikut të arsimit në Okshtun të Dibrës”, gazeta “Rruga e Arbërit”, nr.4 (156) 2019.
  7. Xhemal Domi, “Dibra në hulli të historisë”, Botimet M&B, f.210, Tiranë 2012.
  8. Gazeta “Zani i Naltë”, Nr.11, viti 1937.
  9. Ymer Stojku, “Okshtuni”, gazeta “Rruga e Arbërit”, Nr.6, 2012.
  10. Gazeta “Dibra”, koleksion i vitit 2000 (që e ka shpallur Hoxhë Muglicën “Dibrani i shek.XX”) .
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular