BallinaKryesoreRoli i mbretit Zog dhe kujt ia besoi firmëtari Lef Nosi ruajtjen...

Roli i mbretit Zog dhe kujt ia besoi firmëtari Lef Nosi ruajtjen e dokumentit të Pavarësisë! Zbulohet imazhi origjinal

NGA DR. VASFI BARUTI/ Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i kërkuar shumë në 100-vjetorin e Pavarësisë, mbeti mister vendndodhja e tij dhe në këtë jubile 123-vjetor zbulohet imazhi origjinal në ruajtje nga firmëtari Lef Nosi dhe imazhi origjinal që nga Ismail Qemali i dërgohej Portës së Lartë të Perandorisë Osmane, me ruajtje në Arkivi turk, e pabesueshme ama e vërtetë, e pamëshirë!

Akti i Pavarësisë për shumë vjet në vëmendje e kërkim i shumëanshëm deri në pikën e mbërritjes: “Vendimi i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, origjinali dhe kriminalizimi komunist e poskomunist. Studim burimor/arkivor”. Me 38 imazhe faximile, foto e burime dhe për “Panorama” selektuar disa nyje historike të investigimit.

Gazeta “Përlindja e Shqipnisë”, organ për me mbrojtur të drejtat kombëtare”, me drejtor Dhimitër Berati, në nr. X, 1913 boton herë të parë procesverbalet e shtatë mbledhjeve të Kuvendit të Vlorës, por mbesin të panjohura vendimi i shpalljes së Pavarësisë, emrat e firmëtarëve të Pavarësisë dhe imazhi i dokumentit të Pavarësisë. Nën titullin “Vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlonës”, me të cilin nis cikli i botimit të procesverbaleve, bëhet një paraqitje e shkurtër e vijojnë emrat e delegatëve krahinorë.

Njëmbëdhjetë vjet nga Shpallja e Pavarësisë, firmëtari Lef Nosi, i besuari i Ismail Qemalit për ruajtjen e Aktit të Pavarësisë, më 1924, nr. 6 i serisë me 12 broshura (autor) me dokumente të historisë së Shqipërisë (1910- 1917), boton “Vendimi i shpalljes s’Independencës” me identitetin e 40 firmëtarëve të Pavarësisë, punë tepër e vështirë, por sërish firmëtari la të panjohur imazhin e Aktit të Pavarësisë.

Do të kalojnë 13 vjet të tjera kur firmëtari Lef Nosi dokumentin e shpalljes së Pavarësisë ia besoi Parashqevi Kyrias, kryetare e Komisionit, për festimet e 25-vjetorit të Pavarësisë, me 12 antarë ndër të shquarit e kohës, si skulptori Odise Paskali, poeti Lasgush Poradeci, arkitekti Qemal Butka etj. Në Shkollën “Harry Fulltz” hapej ekspozita “Rilindja Kombëtare” dhe albumi “Marubi” (2012) ka plot imazhe nga ekspozita, në Sallën e Historisë shihen Flamuri kombëtar i Kuvendit të Vlorës (i gjetur ato ditë), polifoto e firmëtarëve dhe Akti origjinal i Pavarësisë (në kornizë të hijshme) që meriton vemendje, por hapësira s’lejon, si edhe qindra dokumente, memorie, foto, libra etj.

Ekspozeja e Aktit të Pavarësisë ishte vërtet në konflikt interesi me veprën jubilare “Shqipëria më 1937”, e përuruar atë kohë festimi. E përse në konflikt? Në Akti i Pavarësisë mungon emri i mbretit delegat firmëtar i Pavarësisë përkundër ç’lexohet në faqen 11 të librit mbretëror jubilar se Ahmet Zogu ishte delegat në Kuvendin e Vlorës, kur ishte thjesht i ftuar si 50-60 të tjerë nga pleqëqsitë krahinore të vendit, ulur në stola nga pas delegatëve si në memorie të firmëtarit Ferid Vokopola. E për të dalë nga “konflikti” gjendej solucioni:

Nga Akti i Pavarësisë në pjesën fundore palosej një shirit i ngushtë me firmëtarë e kësisoj mbesin “murrosur”, si edhe sot, gjashtë firmëtarë: Mustafa Kruja, Ferid Vokopola, Xhemaludin Deliallisi, Ymer Deliallisi, Nebi Sefa Lushja, Zyhdi Ohria dhe, përfundi Aktit vendosej nje shirit letre (i palexueshmë) sajesë përse mungon emri i Mbretit, porse konflikti mbeti madje bëhet më i thekshëm: pse firmëtari Lef Nosi përkundër censurës së Aktit me patriotizëm intelektual të epërm boton Aktin e Pavarësisë të plotë, me 40 firmëtarë, paçka se ishte me rrezik të bëhej kësi karshillëk me Mbretin.

Akti i Pavarësisë i ekspozuar, më 30 nëntor kur mbyllej ekspozita “Rilindja Kombëtare”, s’ishte më pronë e firmëtarit Lef Nosi, që e kishte lënë në besë të kryetares së Komisionit, por ligjërisht bëhej pronë shtetërore pse i tillë ishte, për më tepër Mbreti kishte ndjesi të fortë pse ishte dëshmitar i asaj ngjarjeje të shenjtë dhe pas shumë vitesh, bëhej pronë e AQSH i krijuar më 1949 me drejtor Zef Mala. Në komunizëm vihej dorë në Akti i Pavarësisë, kur Arkivi “Marubi” bëhej pronë e Komunales së Shkodrës. Është Akti i Pavarësisë i përftuar nga censura e 6 firmëtarëve e të pangjashme me origjinalin e ekspozuar që fitoj të drejtën si zbulesë e “origjinalit” me meritë të kryqëzohet, nga viti 1963 botohet në tekste, vepra, libra me autorë akademikë, profesorë e doktorë historie.

Në simetri me punën e Komisionit të festimit për ekspozitën “Rilindja Kombëtare” edhe fimëtari Lef Nosi punoi për përgatitjen dhe botimin e Fletëpalosjes me katër faqe: e para, emërtesa e Fletëpalosjes (Dokumenti i shpalljes s’Independencës Kombëtare në Vlonë më 28 Nanduer). “E botoi Lef Nosi. Ribotimi është i rezervuem; faqe e dytë, Flamuri me shqiponjën me dy krerë, përfundi polifoto e delegatëve të Kuvendit; faqe e tretë, Akti i shpalljes së Pavarësisë. Fletëpalosja është në dy formate: njëri me ngjyra e tjetri bardhë e zi. Në formatin me ngjyra Akti i Pavarësisë është në goditje nga lagështia e i pushtuar nga myku (s’dihen rrethanat) për fat i padëmtuar teksti i vendimit e nënëshkrimet e delegatëve dhe mbi origjinalin shihet i mbivendosur negativi i origjinalit.

Në formati bardhë e zi, në faqen e tretë botohet jo origjinali por negativi i origjinalit të Aktit të Pavarësisë. Me sistemin e programimit origjinali i Aktit të Pavarësisë hap pas hapi pastrohet nga negativi i origjinalit me shkronja të zeza, si edhe nga njolla të shumta myku. Në përfundim përftohet imazhi i origjinalit të Aktit të Pavarësisë, i 28 nëntorit 1912, me dallime cilësore nga Akti në formatin e dytë, për nga: formati 22x32cm (jo fletë e vogël bloku xhepi), boja organike e shkrimit, tonaliteti i bojës në tekst e nënëshkrime të delegatëve si edhe tre myhyrë (jo njolla boje).

Vendimi i shpalljes së pavarësisë është shqip dhe dy rreshta osmanisht pse Akti i dërgohej Portës së Lartë Osmane. Publicisti i njohur, Branko Merxhani, në revistën e tij “Përpjekja shqiptare” (nëntor ’38) boton Aktin e Pavarësisë, i cili ka dy detaje më shumë se i botuari nga Lef Nosi: një pikë e zezë e madhe ndan vendimin në shqip nga ai në osmanisht; mbiemri i firmëtarit Ferid Vokopla i shkruar saktë përndryshe me pasaktësi në origjinali që njohim sot. Akti ka shënimin në kuadrat: “Dokumenti i Shpalljes s’Independencës Kombëtare. Botohet me lejën e Zotit Lef Nosi”.

Alanologu shqiptaro-turk Necip [Nexhip] P. Alpan, nga fshati Zhulat i Tepelenës, autor i më shumë se 17 librave në turisht, mes tyre e në shqip (Të meta të Abetarit shqip) dhe në interesin e lexuesit është libri i tij “Ismail Qemali shpalli pavarësinë e Shqipërisë”, Izmir 1982. Më shumë se gjysmën e ballores së librit e mbulon akti i Pavarësisë i kërkuar dhe gjetur në arkiva turke. Për “Panorama” vjen Dokumenti i Pavarësisë, riprodhohet i kuruar e përftohet imazhi origjinal i Aktit të Pavarësisë që i dërgohej Portës së Lartë Osmane, i cili saktësisht është i njëjtë me botimin i cituar në “Përpjekja Shqiptare.” Tek e fundit merr zgjidhje debati e kërkesa për origjinalin e Aktit të Pavarësisë e flaket në kosh “zbulesa” e fotografisë origjinale që kanë për zemër akademikë, profesorë etj.

Në 100-vjetorin e Pavarësisë është kërkuar shumë origjinali i Dokumentit të Pavarësisë, veçanërisht drejtoresha e AQSH, Nevila Hoxha, me përfundim se në Arkiv s’ka asnjë gjurmë Akti origjinal, përveçse fletëpalosja bardhezi me negativin e origjinalit nga firmëtari Lef Nosi, botuar në fletëpalosje, më 28 nëntor 1937. Tolsoi në novla “Jeta ime le edhe një maksimë”: Çdo gjë e humbur/ zhdukur sigurisht le gjurmë, kësisoj me Dokumentin e humbur të Pavarësisë: gjurma e parë e qënies së Dokumentit është viti 1957, gjurma e dytë nëntori 1962, gjurma e tretë viti 1963, e katërt me rëndësi viti 1966 në botimi i Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, me drejtore Nexhmije Hoxha, argument-prova janë në “arkivin” e autorit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular