BIRN: Zgjedhja e anëtarëve të rinj në KLGJ dhe KLP, tejkalohen afatet ligjore

0
196
Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami dhe Inspektori i larte i drejtesise, Artur Metani gjate mbledhjes se pergjithshem te Gjyqtareve te Republikes te te gjithave shkalleve per te zgjedhur perfaqesuesit e rinj te Keshillit te Larte Gjyqesore. Ata do te zevendesojne tre prej anetarët qe iu perfundon mandati, Brikena Ukperaj nga Gjykata e Apelit dhe Dritan Hallunaj e Marcela Shehu nga Shkalla e Pare./r/n/r/nThe Chairperson of the HJC, Naureda Llagami and the High Inspector of Justice, Artur Metani before the general meeting of the judges of the Republic of all levels to elect the new representatives of the High Judicial Council. They will replace three of the members whose mandate ended, Brikena Ukperaj from the Court of Appeal and Dritan Hallunaj and Marcela Shehu from the First Instance.

Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për 6 vende vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGJ dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, KLP, nuk do të përmbyllet sipas afatit ligjor nga Avokati i Popullit dhe zgjedhja e tyre nga Kuvendi pritet të shtyhet në sesionin e ardhshëm parlamentar.

Komisioni i ngritur nga Avokati i Popullit ka përmbyllur fazën e parë të përzgjedhjes së kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore, duke kualifikuar 4 kandidatë për 2 vende vakante nga radhët e shoqërisë civile dhe 13 kandidatë për 4 vende vakante nga radhët e avokatisë.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca i tha BIRN të martën se procesi i plotë pritet të përfundojë brenda këtij viti. Sipas Ballancës, vonesa e përmbylljes lidhej me procesin e hetimit dhe verifikimit që ky institucion bën për integritetin e figurës së kandidatëve që kanë aplikuar.

“Ka qenë një punë voluminoze hetimi i plotë nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet e tjera,” tha Ballanca ndërsa shtoi se procesi do të marrë kohën e nevojshme për t’u bërë sipas kritereve ligjore.

 

 

E pyetur se çfarë ndodhte në rast të tejkalimit të afatit ligjor, ajo tha se do zgjatet mandati i anëtarëve që janë deri në zgjedhjen e të rinjve.

“Procesi është kompleks,” shtoi Ballanca dhe sipas saj “nuk mund të mbyllej brenda 45 ditëve”.

Aplikimi për vendet vakante u shpall nga Kuvendi në 20 korrik dhe puna për përzgjedhjen e tyre nisi në gusht. Sipas Ballancës, faza aktuale është ajo e intervistimit të kandidatëve që kanë kaluar fazën e parë dhe renditja e tyre sipas pikëzimit në listën përfundimtare që i dorëzohet Kuvendit.

Kandidatët që kaluan fazën e parë të përzgjedhjes nga shoqëria civile janë Altin Hazizaj, Erjon Fejzulla, Juelda Lamçe dhe Violanda Theodhori.

Nga radhët e avokatësisë të përzgjedhurit janë; Alban Alimema, Albana Tushe, Albens Tabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri (Boshnjaku), Entela Shehaj (Memishaj), Erind Gërmenji, Erind Merkuri, Eris Hysi, Fatos Lazimi, Klodian Gjermeni, Përparim Kalo dhe Saimir Visha.

Në praktikën e ndjekur për procesin, Avokati i Popullit ka publikuar letërkëmbime me institucione si Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Autoriteti i Dosjeve të Ish-Sigurimit, etj., ku kërkon verifikimin e kandidatëve sipas ligjit për dekriminalizimin, lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit apo për probleme të tjera me figurën.

Sipas përcaktimeve ligjore, Kuvendi do të zgjedhë nga listat e filtruara të Avokatit të Popullit, 2 anëtarë midis kandidatëve nga avokatia dhe 1 anëtar nga shoqëria civile për secilin këshill. Në qoftë se Kuvendi nuk e arrin shumicën prej 2/3, kandidatët e renditur më lart në vlerësimin e organeve që bëjnë përzgjedhjen e kandidatëve konsiderohen të emëruar.

KLGJ dhe KLP përbëhen nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve vijnë nga radhët e magjistratëve, dy nga avokatia, dy nga akademia dhe një nga radhët e shoqërisë civile./BIRN