Hapi siparin ditën e sotme “Festivali i Aftësive, Karrierës dhe Punës 2023”, panairi i cili fokusohet te një nga problematikat më të mëdha që aktualisht kanë bizneset: punësimi dhe mungesa e fuqisë punëtore.
Expocity Albana çel dyert për këtë event 3 ditë radhazi, në datat 13-15 dhjetor 2023.
Në ceremoninë hapëse, Drejtoresha Ekzekutive e Expocity Albania znj. Aulona Hoxha, tha se duhet që të rinjtë të rrisin aftësitë e tyre, pavarësisht të pasurit të një diplome. Sipas saj, iniciativa të tilla duhet mbështetur dhe ky është edicioni i parë i organizuar në këtë sektor. Ajo shtoi gjithashtu se, të paturit e një force punëtore me aftësi dhe mjeshtëri profesionale, që janë shumë të kërkuara nga tregu i punës, kontribuon në rritjen e qëndrueshme të vendit, duke çuar në më shumë risi dhe duke përmirësuar konkurrencën mes bizneseve.
Zv.kryetari i Bashkisë Tiranë, Arben Seferi tha se ky panair i parë është mirëpritur duke marrë në konsideratë rëndësinë që ka. “Çdo gjë lidhet me aftësitë. Shikoj që çdo profesion që promovoni, ka rëndësinë e tij. Do ti krahasoja aftësitë me qelizat, janë embrioni i çdo profesioni dhe duhet ti dimë, mësojmë dhe trashëgojmë vlerat e çdo profesioni që përfaqësojmë. Duke mos lënë pas edhe sektorin e teknologjisë. Bashkia Tiranë po i jep vëmendje të veçantë pikërisht aftësive teknologjike të të rinjve”- tha z. Seferi, duke ftuar në fund të rinjtë e pranishëm që të vlerësojnë eventin dhe të marrin njohuritë e lidhjet që i duhen për karrierën e tyre të ardhshme.
Znj. Ana Zacharian, Bashkë themeluese dhe Drejtore Ekzekutive “Aftësi Shqiptare – Shoqata Kombëtare për Konkurset e Aftësive” u shpreh se nevoja për të nxitur e rritur aftësitë tek të rinjtë është e domosdoshme. “Kemi vite që organizojmë konkurse në mesin e të rinjve. Por ky organizim është i pari për ne dhe kur vjen si edicion i parë, ka sfida për ta zhvilluar dhe mbajtur ndër vite. Ne do të promovojmë përmes konkurseve tona shumë aftësi, në shumë fusha, me të rinjtë. Arsimi profesional dhe punësimi duhet të vijnë ngushtë me njëri-tjetrin. Nevoja është e madhe për ta shndërruar në një detyrim ligjor për çdo nëpunës shteti që të angazhohet në promovomin e vlerave të aftësive të të rinjve. Pse konkurse? Sepse një shoqëri pa meritokraco, nuk besoj të shkojë larg”- tha znj. Zacharian. Në fund, ajo shtoi se aftësitë nuk kanë barriera gjini apo nacionaliteti dhe iu referua kështu pranisë ndërkombëtare në panair.
Në këtë panair, pritet që punëkërkuesit takohen me përfaqësues të kompanive dhe marrin akses në një sërë shërbimesh, si bazat e të dhënave, këshillimi për punësimin ose menaxhimi i burimeve njerëzore, informacion mbi ofertat e trajnimit dhe mbi të gjitha, informacion për vendet e lira të punës. Sipas informacioneve të marra në këtë event, përgjatë tri ditëve, do të mundësohet një shkëmbim i madh informacioni midis punëkërkuesve dhe punëdhënësve të mundshëm, në një vend të vetëm, duke ulur ndjeshëm koston e kërkimit të punës dhe rekrutimit. Festivali gjithashtu do të nxjerrë në pah se investimi në aftësitë e duhura, është çelësi për rritjen e ekonomisë.
Nëpërmjet rritjes së aftësive dhe rikualifikimit, dyert e mundësive për arsim, trajnim dhe zhvillim profesional, mund të hapen gjerësisht, duke çuar drejt një punësimi më të sigurt.
Gjatë 3 ditëve të Panairit, do të zhvillohen disa konkurse nga “Aftësi Shqiptare – Shoqata Kombëtare për Konkurset e Aftësive” në zona të dedikuara për secilin drejtim profesional.
Konkurset për të rinjtë nga 16-25 vjec
- Konkursi i Sipërmarrjes dhe zhvillimit të biznesit
- Konkursi i Kuzhinës
- Konkursi i Dizajnit Grafik
- Konkursi i Fotografisë
- Konkursi i Zhvillimit të Software
- Konkursi i Zhvillimit të Web
Konkurset për të diplomuarit në shkolla profesionale drejtimi Hoteleri-Turizem mundësuar nga Projekti Erasmus+ VET TO VET ALBANIA
- Konkursi i Kuzhinës