BallinaOP EDPISA 2022, të korrësh atë që ke mbjellë

PISA 2022, të korrësh atë që ke mbjellë

spot_img
spot_img

PROF. BARDHYL MUSAI

Katër vjet më parë, më 15 dhjetor 2019, botova në gazetën “Panorama” shkrimin “PISA 2018, tronditje që duhet të na shkundë”. Që prej asaj kohe e deri tani, as tronditje dhe as shkundje nuk ndodhën, madje as edhe një diskutim nuk u bë e jo më të ndërmerrej analizë. Kjo është arsyeja që rezultatet e publikuara rishtazi nuk përbëjnë befasi. PISA përmendet për pak ditë, një herë në tre a katër vjet dhe më pas situata vazhdon si më parë, asgjë thelbësore nuk ndërmerret për cilësinë, por nisma improvizuese që pa u tharë boja në letër e njërës, ndërmerret tjetra, siç thotë populli, “korr e mos lidh”. Që arsimi ynë ndodhet në këtë gjendje, ku PISA është një nga radiografitë më të mira për sistemin, ndikojnë faktorë të shumtë e kompleksë; arsimorë, ekonomikë, politikë etj.. Analiza e plotë ende nuk mund të bëhet tani, pasi janë botuar vetëm dy vëllime të raportit dhe së shpejti botohen edhe tre të tjerët. Atëherë tabloja do të jetë tërësisht e qartë, e plotë dhe meriton të trajtohet seriozisht nga grupe ekspertësh, por jo vetëm. Nisur nga dy raportet e para, shifrat janë të mjaftueshme për të informuar publikun e interesuar dhe taksapagues. Rezultatet e testimit klasifikohen në 6 nivele. Në nivelet 5-6 të PISA-s, nxënësit tanë të shkëlqyer variojnë nga 0,1% në 0,7% të pjesëmarrësve. E shprehur në shifra, kjo do të thotë se në 1000 nxënës, 1 në lexim, 2 në shkencë dhe 7 në matematikë prej tyre në shkollat tona janë të shkëlqyeshëm. Nxënësit tanë në nivelin 1 (a,b,c), që është më i ulëti, përbëjnë 67 deri 77% të pjesëmarrësve. E shprehur në shifra kjo do të thotë se në 4 nxënës, 3 prej tyre në shkollat tona janë të dobët dhe shumë të dobët. Rezultatet në këtë nivel dëshmojnë se dijet e nxënësve nuk janë funksionale për jetën reale, ata nuk mund ta kuptojnë, ta përpunojnë, ta përdorin, ta vlerësojnë, të reflektojnë dhe ta integrojnë informacionin, nuk janë në gjendje ta përfaqësojnë matematikisht një situatë të thjeshtë nga jeta e përditshme a të identifikojnë e të shpjegojnë saktë një dukuri shkencore. Krahasimi i rezultateve të dy niveleve të skajshme, 1 dhe 5-6, dëshmon se në sistem është në rritje numri i nxënësve të dobët dhe shumë të dobët. Ata që në testimin e vitit 2012 u etiketuan 57% analfabetë funksionalë, pas dhjetë vjetësh u shtuan me 20%. Ekselentët janë pothuaj inekzistentë. Ata pak nxënës të tillë nuk janë rezultat i sistemit, por i dhuntive dhe talentit të tyre, të motivuar e të nxitur nga familjet. Duke krahasuar arritjet e nxënësve tanë në të tri fushat; lexim, matematikë dhe shkencë me mestaren e vendeve të OECD-së, ku një diferencë prej gati 40 pikë është një vit mësimor, atëherë dallimi ndërmjet nxënësve të Shqipërisë dhe atyre nga vendet e OECD-së është dy vjet e gjysmë në matematikë dhe tre vjet në lexim e shkencë. Më thjeshtë, niveli i nxënësve tanë të klasës së 9-të është sa niveli i nxënësve të klasës së 6-të të atyre europianë. Për ta bërë më të kuptueshëm këtë shkrim për publikun e gjerë, më dukëtë shkrim për publikun e gjerë, më duhet të sqaroj:

ÇFARË ËSHTË PISA?

PISA (Project for International Student Assessment) u ngrit si testim për të vlerësuar performancën e nxënësve nga vende të ndryshme të botës, si dhe për të parë sa janë të përgatitur për të ardhmen nxënësit e këtyre vendeve. Vendet e OECD-së që iniciuan PISA-n, e bëjnë atë ndryshe nga vlerësimet tradicionale e për më tepër, në mënyra të tjera. Në një botë që i shpërblen individët gjithnjë e më shumë jo vetëm për ato që dinë, por për atë që mund të bëjnë me atë që dinë. PISA synon që shkollat t’i mësojnë nxënësit se si të mësojnë e, në këtë mënyrë, ata mund të shkojnë kudo që dëshirojnë në tregun global të punës. PISA u ka shërbyer shumë vendeve për të analizuar situatën arsimore ku ndodhen dhe përmes rezultateve, të bëjnë ndërhyrjet e duhura në sistem, jo vetëm në kurrikula. E thënë më shkurt, PISA është një instrument i vlefshëm për politikën arsimore.

GJENDJA SOCIAL-EKONOMIKE DHE KULTURORE E FAMILJEVE

Përtej shifrave sipas niveleve të perfomancës, shqetësuese mbetet edhe pabarazia në rezultate ndërmjet zonave urbane dhe rurale, e cila ka një dallim prej më shumë se dy vjetësh midis nxënësve të këtyre zonave. Pse ky dallim? Familja me statusin e saj shoqëror dhe ekonomik është parathënësi më i rëndësishëm për të ardhmen e një fëmije dhe suksesit të tij në shkollë. Rezultatet e PISA-s konfirmojnë se hendeku midis të favorizuarve dhe të pafavorizuarve është i lartë, ku midis faktorëve të ndryshëm, rol parësor kanë treguesit social-ekonomikë. Statusi social-ekonomik dhe kulturor i një nxënësi vlerësohet nga një indeks i ndërtuar prej PISA-s, i cili kombinon në një të vetme burimet financiare, sociale, kulturore dhe njerëzore të kapitalit në dispozicion të tyre, që grupohen në tre përbërës: arsimimi i prindërve, profesioni i tyre dhe një tregues për disa sende që mund të merren si efekte në pasurinë materiale a kapitalin kulturor, të tilla si: ekzistenca e një dhome për të punuar, qasja në internet, numri i librave dhe i burimeve të tjera arsimore në dispozicion në shtëpi.

NJË SHQETËSIM PËRTEJ SHIFRAVE

Testimi nuk është marrë si angazhim serioz i strukturave arsimore, rezultatet e të cilit të orientojnë politikën për të përmirësuar cilësinë në arsim. Në raportin për Shqipërinë përmendet kjo fjali: “Nxënësit raportuan se kishin shpenzuar dukshëm më pak përpjekje për PISA në 2022 në krahasim me 2018 dhe ka indikacione të qarta që ata nuk u angazhuan seriozisht gjatë gjithë testit dhe pyetësorit”. Pasojë e kësaj është raporti i cunguar për Shqipërinë, i cili përmban një strukturë të ndryshme nga vendet e tjera, sidomos krahasuar me Ballkanin Perëndimor, që vjen si rezultat i mungesës së seriozitetit në testim. Pretendimet për ndikimin e pandemisë nuk qëndrojnë, pasi ajo ishte mbarëbotërore dhe ka ndikuar në shumicën e vendeve, por jo në këtë shkallë kaq të ulët sa tek ne. Ndërsa ai i tërmetit ishte i rajonizuar dhe ndikimi nuk ka qenë aq i madh sa paraqitet. Justifikimet janë gjethe fiku për të mbuluar lakuriqësinë e sistemit.

PSE KEMI ARRITUR KËTU?

Arsyet janë të shumta, por më po përmend kryesoret. Së pari, sistemi arsimor nuk mund të reformohet për t’iu përgjigjur kërkesave të shekullit të 21-të, duke bërë arnime, shtojca e modifikime të pjesshme, shpesh të pambështetura nga teoria dhe gjetjet shkencore dhe rezultatet e besueshme te vlerësimeve, e që në vend të bëjë përpara, bën hapa mbrapa.

Së dyti, ndryshimet që kanë ndodhur në këto vite, të emërtuara ‘reforma’, kanë qenë të pjesshme, të pamenduara, të nxituara, populiste e si të tilla nuk garantojnë rezultat. Politikat dhe strategjitë e reformës lipset të ndërmerren në shkallë të gjerë, tërësore.

Së treti, përgatitja e brezave në epokën digjitale kërkon rikonceptim të tërë sistemit, ku dija ndërtohet dhe krijohet për t’u zbatuar në jetën reale. Që shkolla të largohet nga modeli riprodhues i njohurive kërkon rikonceptim të tërë strukturave, komponentëve dhe përmbajtjes së saj, duke filluar nga standardet, kurrikulat, metodologjia e mësimdhënies dhe të nxënit, modelin e vlerësimit, përgatitjen fillestare dhe në vazhdim të mësuesve etj.. Të gjitha çfarë premtohen për arsimin, nuk mund të merren seriozisht, pasi zhvlerësohen nga shifrat e ulëta të buxhetit, shumë përtej asaj që kërkohet për të arritur cilësinë. Nëse flitet për cilësi, por nuk investohet, atëherë “shut up”.

PARAKUSHTE PËR TË PËRMIRËSUAR SITUATËN

Përmirësimi i gjendjes në arsim kërkon të plotësohen disa kushte fillestare, të nevojshme dhe më pas ato të domosdoshme. Sot gjendemi në një situatë, që për shkak të shpopullimit hemorragjik dhe uljes së lindshmërisë, numri i nxënësve po bie ndjeshëm, janë mbyllur disa shkolla, të tjera po pasojnë e në të tjera ka numër mjaft të paktë nxënësish. Lipset të rigrupohen shkollat, të kenë numër të mjaftueshëm nxënësish për socializim dhe kjo kërkon transport, ushqim të shëndetshëm që të rritet numri i orëve të qëndrimit në shkollë. Më pas kërkohet edhe përmirësimi i kushteve të infrastrukturës për mësim normal. Nga ana tjetër është e domosdoshme të investohet në përmirësimin e gjendjes sociale ekonomike e kulturore të familjeve, për të zhdukur dallimet midis zonave rurale dhe atyre urbane. Më pas bëhet e realizueshme ndërhyrja tërësore e komplekse në kurrikula, tekste, teknologji etj. dhe mbi të gjitha në investimin e kapitalit njerëzor, mësuesit, që të jenë të aftë të përballojnë kërkesat e kohës.

NË VEND TË MBYLLJES

Në premtimet elektorale të vitit 2013, një deputete më 2 prill deklaronte: “Testi tjetër i PISA-s, që do ta gjejë Shqipërinë në fund të mandatit të qeverisjes sonë, do t’i rendisë nxënësit tanë shumë më afër Europës dhe larg nga ky fund i botës ku gjenden sot”. Kanë kaluar dhjetë vjet dhe realiteti në PISA është i kundërt me këtë deklaratë, jemi më larg Europës dhe më afër fundit të botës. Në testimet e ardhshme në vitet 2025 dhe 2028 nuk priten rezultate më të mira, përkundrazi, por nëse sot bëhen ndërhyrje serioze e tërësore, mund të shpresojmë që rezultatet të jenë më të mira të paktën, në skenarin më optimist, në vitin 2031. Po atë vit cila mazhorancë do të qeverisë vendin? Deputetët sapo fitojnë zgjedhjet (më saktë: i rrëmbejnë ato) të nesërmen fillojnë fushatën elektorale. Shqipëria nuk ka nevojë për politikanë që mendojnë për mandatin e radhës, por për burrështetas që të punojnë për të ardhmen e kombit, kur arsimi të jetë në krye të prioriteteve. Do të vijë vallë ajo ditë?

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular