ARDIT GJINALI
Australia është një aktor politik pro-aktiv në marrëdhënien mes Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe Rajonit të Indo-Paqësorit, një rol i vazhdueshëm përtej rrethanave gjeopolitike apo ngjarjeve tronditëse ndaj rendit botëror përkatësisht me konfliktin e shkaktuar nga sulmi Rus, mbi tërrësinë territoriale të Ukrainës.
Vendi ishte pjesëmarrës në nismën e re, të bashkëpunimit në fushën e sigurisë e quajtur “AUKUS”, nismë e ndërmarrë në vitin 2021 përkatësisht nga Kryeministri Britanik i kohës JOHNSON, Presidenti i SHBA Joe BIDEN dhe Kryeministri Australian i kohës, Scott MORRISON;- nisma e mësipërme vijon varësisht ndryshimeve politike në shtetet përkatëse.
Në periudhën e mëhershme kohore, Australia u angazhua në aleancën e quajtur “QUAD”, aleancë mes SHBA, Japoni, Indi dhe Australisë, një aleancë që ka në fokus sigurinë dhe ka synim politik përkatësisht kufizimin e ambicieve të Kinës në Indo-Paqësor.
Qasja politike e vendit, mbështetëse ndaj aleancës perëndimore ka vijuar në nivel të njëjtë, varësisht përkatësisë politike të qeverive përkatëse, një drejtim kombëtar i politikës së Jashtme, inkurajues dhe përfshirës për vendet e tjera të rajonit të Indo-Paqësorit, gjithashtu.
Sulmi Rus mbi Ukrainë vendosi Australinë në rradhën e vendeve që jo vetëm dënuan politikisht sulmin, por gjithashtu ndihmuan Ukrainën në dimensione të ndryshme, të tillat logjistike, ushtarake dhe financiare.
Mars 2022 shënonte periudhën e fillimit të konfliktit dhe mbështetja ndaj Ukrainës shënoi fillesat në qeverisjen e mëparshme të konservatorit Scott MORRISON përkatësisht në vlerën 105 milionë dollarë, prej Marsit 2022 dhe në një qëndrim të qartë dhe mbi mbështetjen përmes dërgimit të ndihmës ushtarake duke nënvizuar ;-“ Ne do të ofrojmë 70 milionë dollarë ndihmë ushtarake dhe vijoi “Unë nuk kam në plan të informoj qeverinë ruse për atë që do t’i dalë përpara”.
Maj 2022, ishte muaji politik që shënoi zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta Parlamentare në Australi, që shënuan ndërrimin e drejtimit politik të qeverisjes, nga Konservatorët tek Laburistët.
Ndryshimi politik i drejtimit të qeverisjes nuk përkoi me kurrfarë ndryshimi mbi mbështetjen e Australisë ndaj Ukrainës. Kryeministri i ri i zgjedhur pas proçesit zgjedhor të Maj 2022, laburisti Anthony ALBANESE, vijoi mbështetjen e qartë ndaj Ukrainës, në faza të ndryshme, por në rend rritës dhe vëmendje të shtuar në koherencë dhe me kohëzgjatjen e konfliktit.
Qershor 2022, ishte muaji i mbajtjes së Samitit të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Madrid, ku Australia mori pjesë, e përfaqësuar nga Kryeministri ALBANESE, që do të theksonte rrezikun e qasjes zgjeruese Kineze dhe presionin tregtar të ushtruar nga e njëjta. Një pjesë e deklaratës së tij, është si vijon; “ Australia ka qenë subjekt i shtrëngimit ekonomik Kinez dhe forcimi i marrëdhënieve midis Pekinit dhe Moskës përbën një rrezik për të gjitha kombet demokratike”. Më tej do të vijonte që “ ashtu si Rusia kërkon të ri-krijojë një perandori ruse ose sovjetike, edhe qeveria kineze po kërkon miq, qoftë përmes mbështetjes ekonomike për të ndërtuar aleanca dhe për të minuar atë që historikisht ka qenë aleanca perëndimore në vende si Indo-Paqësori”.
Nga ana tjetër, Kryeministri do të kërkonte nga përfaqësuesit e vendeve të Aleancës Perëndimore që të hulumtojnë hapësira të reja tregtare për të kufizuar secilën formë të efektit të shtrëngesave apo të nevojave që mund të kërkojnë angazhimin e mundshëm të Kinës.
Korrik 2022, shembull i vëmendjes është vizita zyrtare e të njëjtit në Kiev ku përcolli mesazh të qartë mbështetjeje dhe deklarimin mbi ndalimin e hyrjes në Australi për 16 ministra dhe oligarkë të tjerë Rus duke shënuar 843 shtetar Rusë që u ndalohet hyrja; theksoi ndalimin e importit të arit Rus dhe përcolli përmes shifrave ndihmën e re ndaj Ukrainës që numërohej rreth 100 milionë dollarë dhe dronë dhe 34 automjete të blinduara; ndihma deri në Korrik 2022 ishte në vlerën totale të 390 milion dollarëve.
Tetor 2022, shënon vijimin e mbështetjes së deklaruar nga Australia ku përtej ndihmës financiare dhe ushtarake, mbetet të theksohet dhe mbështetja përmes trajnimeve ndaj trupave Ukrainase. Kryeministri i vendit, Anthony ALBANESE do të deklaronte si vijon “ Australia ka ofruar një mbështetje të fuqishme ndaj Ukrainës , një mbështetje dypartiake dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për lirinë dhe demokracinë. Kjo mbështetje nuk është thjeshtë për pavarësinë e Ukrainës, por në mbrojtje të ligjeve, rregullave dhe normave ndërkombëtare”.
Në të njëjtën frymë diskutimi është deklarata e Zëvendës Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes MARLES që do të deklaronte dhe përmes shifrave mbështetjen deri më Tetor 2022 ;” Ushtarët tanë do të jenë pjesë e një programi të gjerë trajnues në Mbretërinë e Bashkuar në ndihmë të kolegëve të tyre Ukrainas. Ndihma ushtarake mbetet në thelb të mbështetjes ndaj Ukrainës me një vlerë totale 475 milionë dollarë”.
Dhjetor 2022 është një muaj shumë i rëndësishëm politik për Australinë ku u mbajtën bisedimet politike dypalëshe mes SHBA dhe Australisë në nivel hierarkik të Ministrave të Mbrojtjes dhe të Jashtëm, gjithashtu. Rezultati politik i këtyre bisedimeve të rëndësishme ishte një rritje e pranisë ushtarake Amerikane në Australi dhe një konfirmim i vizionit të përbashkët mbi paqen, por një vizion i cënuar si shkak i tendencave politike të Kinës. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Lloyd AUSTIN do të theksonte si vijon;” Shtetet e Bashkuara dhe Australia ndajnë një vizion të një rajoni ku vendet mund të përcaktojnë të ardhmen e tyre. Për fat të keq, ai vizion po sfidohet sot.
Veprimet e rrezikshme dhe shtrënguese të Kinës në të gjithë Indo-Paqësorin, duke përfshirë rreth Tajvanit, dhe drejt vendeve të ishullit të Paqësorit dhe në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore, kërcënojnë paqen dhe stabilitetin rajonal“. Më tej, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes do të vijonte qëndrimin e tij. -“ Sot, ne ramë dakord të thellojmë bashkëpunimin tonë të mbrojtjes në disa mënyra të rëndësishme. Bazuar në bisedimet e sotme, ne do të rrisim praninë rrotulluese të forcave amerikane në Australi. Kjo përfshin rotacionet e grupeve të punës së bombarduesve, luftëtarëve dhe rotacionet e ardhshme të aftësive të Marinës dhe Ushtrisë Amerikane”.
Në të njëjtën linjë mendimi politik dhe diplomatik, në frymën e objektit të bisedimeve dhe rezultatit përfundimtar të të njëjtave, vijoi deklarata e Ministrit të Mbrojtjes së Australisë MARLES që do të shprehte;” Marrëveshjet shikonin një nivel të rritur aktiviteti midis dy vendeve tona në të gjitha fusha dhe ata po shikonin gjithashtu rritjen e bashkëpunimit për të rritur kapacitetin e objekteve në Australi. Është vërtetë e rëndësishme që ne po e bëjmë këtë nga pikëpamja e sigurimit të ekuilibrit brenda rajonit tonë dhe përfshirjes së vendeve të tjera brenda rajonit tonë”.
Janar 2023, është një moment politik dëshmues i vullnetit pozitiv të Australisë për të konsoliduar bashkëpunime me aktorë të rëndësishëm të Aleancës Perëndimore, përkatësisht ridimensionimi i marrëdhënieve me Francën, të tillat të cënuara prej vitit 2021. Ridimensionimi i marrëdhënieve me Francën u shfaq në marrëveshjen shtetërore dypalëshe mbi angazhimin e përbashkët të industrive të mbrojtjes në ndihmë të Ukrainës për përballimin e agresionit Rus.
ZëvendësKryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes së Australisë Richard MARLES do të konsideronte marrëveshjen si një bashkëpunim të ri dhe do të theksonte si vijon; “ Ne donim të vepronim së bashku si një deklaratë se sa e rëndësishme e konsiderojnë Australia dhe Franca mbështetjen e Ukrainës në konfliktin aktual. Ne donim ta bënim vërtet të qartë se Australia dhe Franca qëndrojnë së bashku në mbështetje të Ukrainës përballë agresionit nga Rusia”.
Maj 2023, do të shënonte një angazhim të thelluar të Australisë në paktin e quajtur “ AUKUS” i themeluar në vitin 2021 bashkë me SHBA dhe Mbretëri e Bashkuar. Angazhimi dëshmohet në projektin e përbashkët të të tre vendeve anëtare të Paktit mbi “projektin e nëndetëseve bërthamore” ku Australia do të pajiset me nëndetëse bërthamore nga SHBA, të paktën tre të tilla dhe në vitin 2027 parashikohet ndërtimi i një trupe të re nëndetësesh nga të tri vendet përkatëse, pjesë e AUKUS. Qëllimi kryesor i krijimit të Paktit “AUKUS” dhe thellimi i angazhimit në kuadër të të njëjtit mbetet përgatitja dhe përcjellja e mesazheve ndaj secilës formë të tendencës së Kinës në të ardhmen politike, përtej faktit që Kina mbetet ende bashkëpunëtori kryesor tregtar i Australisë dhe ka kundërshtuar hapur paktin përkatës.
Qershor 2023, shënon paketën e re të ndihmës të deklaruar nga Kryeministri ALBANESE, ndihmë që përfshin 70 automjete ushtarake dhe një vlerë prej 74 milion dollarë, pa llogaritur dhe shifrën e 6.7 milion dollarëve përmes Organizatës së Kombeve të Bashkuara; vlera totale e ndihmës së Australisë ndaj Ukrainës deri më Qershor 2023 shënon 527 milion dollarë.
Korrik 2023, Samiti i Aleancës së Atlantikut të Veriut u mbajt dhe Australia përsëriti praninë e saj në samit përmes Kryeministrit ALBANESE, një mesazh i rëndësishëm politik dëshmues i një bashkëpunimi të shtuar mes Australisë dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në një deklaratë të përbashkët mes Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut STOLTENBERG dhe Kryeministrit Australian ALBANESE, STOLTENBERG do të përgëzonte Australinë për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe do të inkurajonte vijimin e bashkëpunimit si një mesazh i qartë i konsolidimit të aleancës NATO-IndoPaqësor ku spikat roli aktiv i Australisë në këtë kontekst.
Sërish më Korrik 2023, në të njëjtin muaj me mbajtjen e Samitit të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Vilnius, Australia mori pjesë në stërvitjen e përbashkët ushtarake me SHBA, e tilla më e madhe e zhvilluar ndonjëherë ku secili prej përfaqësuesve përkatës të të dy vendeve , përkatësisht Carlos del TORO, Sekretari i Marinës së SHBA dhe Ministri i Mbrojtjes së Australisë do të theksonin frymën e bashkëpunimit që buron nga vlerat e përbashkëta.
Ministri i Mbrojtjes së Australisë do të theksonte që “Stërvitjet demonstrojnë angazhimin e Australisë për të punuar me partnerët tanë ndërkombëtarë për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë” , nga ana tjetër Sekretari i Marinës së SHBA theksoi faktin që stërvitja është një mesazh politike për Kinën dhe do të nënvizonte si vijon ; “ Mesazhi më i rëndësishëm që Kina mund të marrë nga stërvitja, dhe nga gjithçka që aleatët dhe partnerët tanë bëjnë së bashku, është se ne jemi të lidhur me vlerat thelbësore të përbashkëta nga vendet tona”.
Fund- Gusht 2023 shënon një tjetër moment të rëndësishëm të mesazheve politike, të përcjella përmes stërvitjeve të përbashkëta ku SHBA, Australia dhe Japonia ndërmorrën stërvitje të përbashkëta në Detin e Kinës Jugore, një tjetër moment i rëndësishëm dëshmues i pro-aktivitetit të Australisë në konsolidimin e aleancës politike Perëndimore, tej përcaktimit Gjeografik.
Nëntor 2023 shënoi një raport të shërbimeve të Inteligjencës Australiane ku pasqyrohet rreziku i vazhdueshëm i sulmeve Kibernetike Kineze dhe Ruse ku vendi ka qenë i ekspozuar ndaj vitit të fundit, përkatësisht në sistemet e ujësjellësave, energjitike dhe portualë, gjithashtu. Ministri i Mbrojtjes së Australisë MARLES do të komentonte mbi gjetjet e raportit dhe do te theksonte si vijon;” Kina, partneri kryesor tregtar i Australisë, është një burim shqetësimi për sigurinë e vendit tonë”.
Australia është një aktor politik i rëndësisë së veçantë përtej konceptit gjeografik, një aktor gjeopolitik që do të konsolidojë formësimin e mëtejshëm të aleancës NATO-IndoPaqësor, në kuadër të angazhimeve dhe vlerave të përbashkëta, që bashkëndan secili prej anëtarëve të aleancës. Qëndrimi i Australisë në politikën e Jashtme është i pandryshueshëm, varësisht zhvillimeve në skenën e brendshme politike, ky qëndrim është parathënia e veprimit politik pro-aktiv të sotëm dhe të nesërm, gjithashtu.