Komisioni Europian ka akorduar 62 milionë euro grant për ndërtimin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII. Lajmin e ka bërë të ditur me anë të një postimi në rrjetin facebook ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku.
“62 milionë euro grant për Shqipërinë nga Komisioni Europian, të cilat do të përdoren për ndërtimin e hekurudhësDurrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit të VIII. Edhe një herë mbështetja e Bashkimit Europian për vendin tonë është e hapur duke financuar një tjetër projekt të rëndësishëm, për Shqipërinë, por edhe rajonin”, shkruan Balluku.
Vlera totale e këtij investimi të rëndësishëm infrastrukturor ështrë parashikuar të jetë 120.5 milion euro.
Segmenti hekurudhor Durrës-Rrogozhinë është pjesë e linjës hekurudhore Durrës – Pogradec, e cila parashikohet të lidhet me Maqedoninë e Veriut (në fshatin Lin). Projekti përfshin zgjerimin e trasesë nga Shkozeti në Rrogozhinë, në një gjatësi prej 33.1 km, si dhe ndërtimin e urave të reja në përputhje me standardet europiane dhe kushtet gjeologjike-inxhinierike e sizmologjike të zonës së projektit.
Përveç të qenit pjesë e Korridorit VIII, ky segment përbën gjithashtu lidhjen e vetme hekurudhore midis pjesës Perëndimore, Lindore, Qafë Thanës dhe Pogradecit dhe asaj Jugore të Shqipërisë, pra me qytetet Vlorë dhe Ballsh.
Zona e projektit përfshin tre bashki: atë të Durrësit, Kavajës dhe Rrogozhinës dhe për secilën prej tyre ka përfunduar vlerësim i ndikimit në mjedis dhe plani i shpronësimeve. Linja hekurudhore e projektit të reabilitimit ndjek atë ekzistuese dhe pas përfundimit të punimeve parashikohet që trenat të kenë një shpejtësi 120 kilometra/orë.
SCAN