Bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë as gjatë këtij viti nuk ka shënuar ndonjë progres. Shkëmbimi tregtar mes dy shteteve thuajse ka mbetur në shifra të njëjta. Marrëveshje të reja nuk ka pasur. Kurse raportet politike mes Edi Ramës e Albin Kurtit mbeten të acaruara.
Nga Prishtina, Fatos Shala
Shqipëria dhe Kosova, edhe për vitin 2023, janë shpallur “kampione” të varfërisë në Europë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka vlerësuar Kosovën dhe Shqipërinë si shtetet më të varfra të Europës në vitin 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi.
Shqipëria renditet e parafundit në Europë me të ardhurat për frymë prej 19 mijë dollarë ndërkombëtarë ( e matur sipas standardit të fuqisë blerëse).
Pas Shqipërisë renditet Kosova, që e ka këtë tregues edhe më të ulët, në 15.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.
Importi dhe eksporti në shifra
Por, si kampionë të varfërisë, dy shtetet “motra”, Kosova dhe Shqipëria edhe vitin 2023 po e mbyllin me bashkëpunim të varfër mes vete.
Shqipëria vijon të dominojë në tregtinë me Kosovën, duke dërguar më shumë mallra, sesa ajo merr nga Kosova.
Nga Shqipëria në Kosovë, në periudhën janar-shtator të këtij viti, kanë hyrë rreth 55 milionë euro produkte më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, me rritje prej rreth 30%. Vlera e importeve në këta muaj ka tejkaluar shumën prej 238.9 milionë eurosh, ndërsa në vitin 2022, ka qenë mbi 183 milionë euro.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës flasin për rritje të dobët të eksporteve nga Kosova në Shqipëri – nga 77 milionë euro sa ishin në periudhën janar-shtator të vitit 2022, në 82 milionë euro gjatë së njëjtës periudhë të këtij viti, me zgjerim prej vetëm 6.5%.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kishin planifikuar të zhvillonin mbledhjen e nëntë të përbashkët në muajin qershor, por ajo dështoi.
Në mbledhjen e nëntë mes dy qeverive pritej të nënshkruheshin 13 marrëveshje në fusha të ndryshme: drejtësi, arsim, shëndetësi, bujqësi, kulturë, ndërmarrësi dhe mbrojtje. Në mesin e tyre ishte edhe një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e sigurisë.
Qeveria e Kosovës ka thënë paraprakisht se nga 41 marrëveshje të nënshkruara në dy mbledhjet pararendëse, 39 prej tyre janë zbatuar plotësisht e dy tjera janë në fazën finale të zbatimit.
Rriten investimet nga të dyja kahet
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë sivjet kanë arritur në nivelin më të lartë ndonjëherë.
Në një postim, ai ka shkruar se investimet e Shqipërisë në Kosovë gjithashtu janë më të lartat ndonjëherë dhe se në vitin 2019, ato ishin 15.2 milionë euro, derisa në vitin 2022 u pesëfishuan duke arritur në 79.7 milionë euro.
“Sivjet shkëmbimet tona tregtare janë më të lartat ndonjëherë, teksa ka edhe tre muaj të tjerë deri në përfundim të vitit financiar. Investimet e Shqipërisë në Kosovë gjithashtu janë më të lartat ndonjëherë.
Në vitin 2019, ato ishin vetëm 15.2 milionë euro, kurse në vitin 2022, u pesëfishuan duke arritur vlerën 79.7 milionë euro”.
Të dhënat e tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se janë rritur dhe investimet e huaja të Kosovës në Shqipëri, duke arritur në 52 milionë euro në 2022-n, me rritje 53% në krahasim me vitin e mëparshëm, ndonëse mbeten shumë të ulëta në raport me totalin e investimeve që tërhoqi Shqipëria, me vetëm 3.8%.
Kurti ka thënë se janë nënshkruar 58 marrëveshje që kanë lehtësuar jetën e qytetarëve.
“Dy republika, një komb. Dy vite e gjysmë, 58 marrëveshje dypalëshe, me një qëllim: më shumë përfitime për qytetarët, më shumë për ekonominë. Për më shumë se 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar mundësuam lëvizje e lirë, duke bërë funksionale 26 vendkalime të veçanta.
Kurse për të gjithë, mundësuam kalimin e lirë e pa kontrolle të kufijve gjatë muajve të verës, fundjavave dhe ditëve të pushimeve zyrtare.
Aktualisht, jemi afër jetësimit të kalimit të lirë e pa kontrolle çdo ditë të vitit. Krahas lëvizjes nga njëri shtet në tjetrin, lehtësuam edhe qëndrimin te njëri dhe tjetri shtet, sepse thjeshtuam procedurat për pajisjen me leje qëndrimi, me afat 5-vjeçar. Hoqëm edhe detyrimin për apostilim të dokumenteve administrative”.
Shefi i Qeverisë së Kosovës ka përmendur edhe marrëveshjet që janë bërë për Portin e Durrësit.
“Me dy zyra doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, fituam qasje në det. Aty bëhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.
Kjo ka ndihmuar drejtpërdrejt bizneset tona që tashmë kanë kursyer 9 milionë euro, në të njëjtën kohë që edhe ekonomia e Shqipërisë ka përfituar nga rritje me 50% e dërgesave të Kosovës përmes Portit të Durrësit”.
Kemi nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, që është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe kombëtar.
Ajo do ta lidhë Kosovën me korridoret, që kalojnë pranë nesh, por nuk janë të lidhura me ne.
Do t’i bashkojë edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona”.
Ekonomistët shprehen kritikë për raportet ndërshtetërore
Skënder Krasniqi, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, mendon se problemi për mosbashkëpunim ekonomik qëndron te politikat ekonomike që ndiqen.
“Ka përmirësime në krahasim me vitet e kaluara. Falë bashkëpunimit mes dhomave të tregtisë dhe institucioneve, është arritur që të eliminohen një pjesë e madhe e sfidave.
Por, duhet rritur bashkëpunimi, pasi mundësitë janë të jashtëzakonshme për rritjen e shkëmbimit tregtar. Ka edhe disbalancë mes importit dhe eksportit, që Kosova e ka me të gjitha shtetet, por duhet ngushtuar kjo në lidhje me Shqipërinë”.
Ai thotë se tani për tani nuk ka shumë barriera, por mungon strategjia reale kombëtare e zhvillimit ekonomik.
“Barrierat nuk janë të mëdha, por mungon strategjia kombëtare. Kosova nuk ka strategji reale kombëtare të zhvillimit ekonomik, që të krijojë produkte për të konkurruar në tregje të tjera.
Të gjitha prodhimet serbe që vijnë në Kosovë janë të subvencionuara dhe vijnë me kosto të ulët.
Kosova nuk e subvencionon dhe nuk e fuqizon eksportin. Ka edhe mungesë bashkëpunimi me Tiranën, që ne të mos jemi konkurrentë me produkte të njëjta”.
Edhe gazetari dhe njohësi i ekonomisë, Zekirja Shabani, tregon se raportet mes dy shteteve nuk janë të mira, sipas tij ato janë më shumë në nivelin e dëshirave.
“Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të kenë dëshirë për bashkëpunim dhe shkëmbim më të madh ekonomik, por krahasuar me partnerët e tjerë tregtarë të të dyja vendeve, bashkëpunimi Kosovë Shqipëri është më i vogël.
Pavarësisht numrit të madh të marrëveshjeve të nënshkruara dhe lidhjeve shpirtërore, qeveritë e të dyja vendeve nuk kanë bërë mjaftueshëm për lehtësimin e shkëmbimit tregtar dhe bashkëpunimit ekonomik.
Kjo dëshmohet në pasqyrat e bilancit tregtar ku Kosova ka partner më të mirë tregtar Serbinë se Shqipërinë”, ka thënë ai.
Por, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, në një deklarim për media, pati thënë se nga statistikat shihet se janë rritur importet e mallrave sidomos nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas Rafunës, produktet që nuk janë importuar nga Serbia, kanë filluar të zëvendësohen nga shtetet fqinje.
“Ndalimi, i cili synon Serbinë dhe produktet e importuara nga ky shtet, në fakt ndikojnë në masë të madhe në kompanitë ndërkombëtare.
Shumë prej këtyre bizneseve, janë në pronësi të kompanive nga shtetet partnere, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qenë shtylla kyçe në mbështetjen e trajektores së rritjes së Kosovës”.
Shqipëria dhe Kosova kanë lidhur në 3 vitet e fundit rreth 184 marrëveshje, por vetëm 58 janë arritur ndërmjet dy republikave tona ose thënë ndryshe, gati 1/3 e tyre. Ndër to është dhe hekurudha Shqipëri-Kosovë, rreth 130 km, e cila pritet të nisë punimet në vitin 2024.
Ekspertët e përmbajnë optimizmin mbi ndikimin që do të ketë në tregtinë e mallrave.
Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, me seli në Prishtinë, ka bërë një sërë hulumtimesh për këtë çështje. Ai ka gjetur se bizneset kosovare paguajnë rreth 2 milionë euro në vit vetëm për skanimin e mallit, përpara se të hyjnë në Shqipëri.
Bizneset janë për një sërë barrierash – nga pritjet e gjata në kufi deri te skanimi i produkteve.