Intervistë me Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave
Nëse ekziston një vullnet për të ulur euroizimin e ekonomisë, kjo duhet bërë nga të gjitha institucionet e përfshira.
Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë për “Monitor” se nuk ka kuptim që kjo strategji të vazhdohet vetëm nga Banka e Shqipërisë, duke krijuar kosto për segmente të veçanta të ekonomisë, siç janë bankat.
Ai shprehet se ulja e euroizimit të ekonomisë mund të arrihet vetëm nëse ndërmerren masa për të fuqizuar monedhën kombëtare.
Si i vlerësoni rezultatet e deritanishme të strategjisë së deeuroizimit në sektorin financiar që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë?
Nuk ka një analizë në nivel makro nga institucionet që u bënë pjesë e marrëveshjes për deeuroizimin, por i vetmi institucion që ka ndërmarrë masa konkrete është Banka e Shqipërisë.
Mendoj se, nëse ka një vullnet për të ulur euroizimin e ekonomisë, kjo duhet bërë nga të gjitha institucionet e përfshira.
Përndryshe, më duket se nuk ka kuptim që kjo strategji të vazhdohet vetëm nga Banka e Shqipërisë, duke krijuar kosto për segmente të veçanta të ekonomisë, siç janë bankat.
Jam dakord që ka kuptim të minimizohet rreziku për kredimarrësit nga kursi i këmbimit, kur kredia është në valutë të ndryshme nga të ardhurat.
Për pjesën tjetër, bankat janë aktorë në nivel mikro. Fakti që depozitat janë të vendosura më shumë në Euro, se në Lek, është problem i nivelit makro dhe mendoj se lidhet me përdorimin e madh të Euros si mjet pagese.
Deri tani, masat për uljen e nivelit të euroizimit janë të kufizuara në sektorin bankar. Besoni se do të ishte e dobishme që Qeveria të kufizonte përdorimin e Euros në transaksionet e brendshme ekonomike?
Deeeuroizimi do të funksionojë në momentin që i japim fuqi monedhës kombëtare. Nëse nuk njohim Lekun në të gjitha transaksionet dhe kontratat që bëhen brenda vendit, nuk do të arrijmë rezultate domethënëse.
Sot kudo që shkon mund të paguash me çfarëdo monedhe që ke në xhep. Fiskalizimi ishte ndoshta një rast i mirë për të vendosur detyrimin e faturimit në Lek.
Ka një mendim tjetër, që lejimi i shumë monedhave në ekonomi sjell diversifikim dhe absorbon disa rreziqe dhe rrit elasticitetin e ekonomisë. Por, nëse pranojmë këtë logjikë, atëherë nuk ka nevojë për strategji deeeuroizimi.
Në vitet e fundit, Leku po shfaq një tendencë graduale mbiçmimi në kursin e këmbimit me Euron, por kjo nuk duket të ketë ulur nivelin e euroizimit të ekonomisë. Pse po ndodh kjo?
Euro mbahet edhe për diversifikim portofoli. Familjet mbajnë euro për ato shpenzime që kryhen në euro, si për shembull udhëtime jashtë, shkollim i fëmijëve, etj.
Por, çështja është që kursimi nuk duhet të kalojë i gjithi në monedhë të huaj.
Besoni se një regjim me kurs të fiksuar të këmbimit valutor mund të jetë një zgjidhje për të shmangur problemet që shkaktojnë luhatjet e kursit në ekonomi?
Personalisht mendoj se zhvillimet e viteve të fundit, me rritjen e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve dhe me mbiçmimin e ndjeshëm të Lekut, mund të shërbejnë si bazë për të shtruar diskutimin nëse mund të ndiqet një model i ndryshëm i kursit të këmbimit.
Për sa kohë që ishim ekonomi pothuajse krejtësisht e varur, kursi i lirë i këmbimit ishte një zgjidhje e arsyeshme.
Tani që duam të jemi një ekonomi më e pavarur dhe të zhvillojmë sektorët eksportues, kursi i fiksuar mund të jetë një alternativë, në modelin e Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, me aq sa kemi kuptuar, as institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare nuk duken të hapura ndaj një alternative të tillë.
Mendoj se pas pandemisë kemi kaluar nga një model i mbështetur kryesisht te remitancat, te një model tjetër, ku janë rritur shumë prurjet nga ekonomia e brendshme, eksportet dhe sidomos shërbimet.
Mbiçmimi i Lekut në këto kushte na shërbeu edhe në përthithjen e presioneve të jashtme inflacioniste.
Ajo që duhet kuptuar është sa do të jetë në gjendje ekonomia të ruajë këto tendenca të rritjes së eksporteve
Disa vende fqinje, me rrethana politike të ndryshme, kanë adoptuar Euron si monedhë të vetme. Besoni se Shqipëria mund të bëjë të njëjtën gjë? Çfarë përfitimesh dhe rreziqesh do të kishte adoptimi i Euros si monedhë e vetme?
Ky është diskutim i tejkaluar. Rastet e vendeve fqinje ndodhën në rrethana të jashtëzakonshme, të lidhura me zhvillime politike. Heqja dorë nga Leku dhe adoptimi i Euros nuk varet nga ne.
Unë këtë nuk e shoh si alternativë.
Kjo do të arrihet vetëm kur të jemi të gatshëm për të qenë pjesë e Eurozonës. Ajo që duhet të bëjmë ne deri në atë moment është të mbështesim dhe të fuqizojmë Lekun.