Nga Preç Zogaj
Momenti i përballjes së politikanëve dhe ish politikanëve të lartë me hetimin penal dhe drejtësinë “lexon” në vetvete shkallën e sundimit të ligjit në vend. Njëherësh, botëkuptimin e tyre për ndarjen e pushteteve në shoqërinë demokratike.
“Askush mbi ligjin”, si postulat i shtetit të së drejtës, ka parasysh parasëgjithash pikërisht një fashë të fuqishmish që janë të tunduar ta shohin veten jashtë çdo hetimi, akuze penale, gjykimi dhe dënimi për krimet e provuara.
Vendet demokratike e kanë normalizuar me kohë kalimin në skanerin e drejtësisë të zyrtarëve të lartë kur ndaj tyre ndërmerren hetime dhe ngrihen akuza. Vetë këta ndërtojnë mbrojtjen që ua garanton ligji, por as e çojnë nëpër mend të shmangin drejtësinë. Nuk munden, edhe po të duan. Pengimi i drejtësisë u kushton edhe më shtrenjtë.
Në vendin tonë, për një kohë të gjatë kastat politike e vunë veten mbi ligjin, mbi drejtësinë, mbi llogaridhënien institucionale. Duke sfiduar me arrogancë edhe ato pak përpjekje të organeve të drejtësisë për të zbardhur afera të ndryshme. Kjo sjellje e mundësuar nga solidariteti de fakto i kastës plurale për ta mbajtur drejtësinë jashtë godinave të pushtetit prodhoi dy pasoja shumë të rënda për demokracinë tonë: pandëshkueshmërinë në sferat e larta dhe invalidimin e vetë drejtësisë. Sfidanti kampion në këtë rrafsh mbetet Sali Berisha. Për çfarë edhe është cilësuar pengues i drejtësisë në pikën e tretë të shpalljes së tij non grata nga Departamenti i Shtetit amerikan.
Me ndryshimet që kanë ndodhin e po ndodhin këto dy vitet e fundit hetimi dhe gjykimi i ministrave, ish ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nuk është më një tabu. Shpresa se pandëshkushmërisë po i vjen fundi është në rritje. Sipas sondazheve në televizionin Euronews Albania, SPAK është ndër institucionet me besueshmërinë me të lartë në publik.
E mira do të ishte që pikërisht ata që i kanë më shumë borxhe drejtësisë të jepnin shembullin e respektimit të institucioneve të saj. Duke e sfiduar ballë-për-ballë, në organin e akuzës apo në sallën e gjyqit, prokurorët e gjyqtarët. Ky është rregulli.
E kanë zbatuar Andreoti, Berluskoni, Shirak, Sarkozi, Tramp… Lista e presidentëve dhe ish Presidentëve të hetuar apo edhe të dënuar është e gjatë.
E ka zbatuar në Shqipëri ish kryeministri Fatos Nano në vitin 1993 dhe gjatë gjithë procesit farsë që çoi në dënimin e tij, ku së fundi mori pafajësinë dhe rilindi politikisht si i dënuar politik nga pushteti. E zbatojnë aktualisht ministrat Mediu, Beqja dhe të tjerë.
Për të gjitha ata që nuk mendojnë të fshihen, përballja për akuzat në aulën e drejtësisë nuk ka alternativë tjetër. Paraqitja në prokurori a në gjykata ditën kur i thërrasin rrezaton përulësinë e shtetarit dhe vlerën e shembullit të mirë për të tjerët.
Ndërgjegja demokratike dhe njerëzore e konsideron virtyt reagimin kundër shkeljes së të drejtave të personit në hetim a nën akuzë. Bota demokratike ka plot organizata që reagojnë menjëherë kundër proceseve politike. Reagojnë qeveritë, shtetet. Në rastin e burgosjes se Nanos ka patur pafund deklarata të tilla. E njëjta gjë do të ndodhë përsëri nëse shihet se Berishës apo zyrtarëve e ish zyrtarëve të tjerë të lartë do t’u bëhen procese të natyrës së gjuetisë së shtrigave.
Por nuk ndodh dhe nuk ka arsye të ngrihen alarme sepse SPAK po kërkon të marrë në pyetje ish kryeministrin. SPAK është organi i akuzës. Drejtësinë e jep gjykata. Sot, në një sistem gjykimi të hapur me disa shkallë, nuk ka shanse të dënohesh me vendim të formës së prerë me akuza të montuara. Në të kundërtën, kur subjekt hetimi janë njerëz të fuqishëm, rreziku më i madh është që i akuzuari t’ja hedhë pa u lagur për ato që ka bërë.
Ne nuk kemi patur e nuk kemi një drejtësi që e ka tepruar me zellin e saj sektar. Për shumë kohë kemi patur një drejtësi të nënshtruar ndaj politikës. Me SPAK-un, me prokurorët kurajozë dhe profesionistë të këtij institucioni, me gjyqtarët në lartësinë e misionit, me mbështetjen e madhe amerikane dhe europiane për drejtësinë e re, historia po kthen fletën, drejtësia po konsolidohet. Pavarësisht shigjetave që lëshon herë-pas-herë drejt SPAK kryeministri Rama, apo sulmeve të përditshme denigruese të ish kryeministrit Berisha.
Kjo është një sfidë për një të ardhme vërtetë të re. Është ndërkaq një betejë e një rrafshi të gjerë me pjesëmarrjen e shumë segmenteve politike, mediatikë dhe ekonomike.
Në një anë është përpjekja për të “normalizuar” sanksionimet non-grata deri duke dashur t’i bëjë qesharakë si akte. Në anën tjetër përpjekja për të normalizuar drejtësinë e munguar për dekada në sferat e larta.
Normalizimi i sanksionimeve na çon në izolim nga perëndimi. Normalizimi i hetimeve çon në normalizimin e rendit demokratik.