BallinaKryesoreBirn: Korrupsion sh.a: Një histori e shkurtër e vitit 2023

Birn: Korrupsion sh.a: Një histori e shkurtër e vitit 2023

Një ish-kryeministër u shpall person nën hetim. Një ish-zëvendëskryeministër është në arrati, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Ndërsa një ish-ministër është dënuar. Dy ish-kryebashkiakë të fuqishëm janë në burg në pritje të gjykimit, ndërsa zbërthimi i aplikacioneve Sky nga policia franceze solli zbërthimin e disa grupeve kriminale që konsideroheshin deri së fundmi, të paprekshme dhe me lidhje të shumëfishta politike.

Procesi kyç i vetingut të zyrtarëve të sistemit të drejtësisë po i afrohet fundit pas një maratone pesëvjeçare. Një gjeneratë e re zyrtarësh të drejtësisë po emërohet me urgjencë për të mbushur hapësirat e stërmëdha të krijuara nga rrëzimi i pjesës më të madhe të kastës së zyrtarëve të mëparshëm në veting, përmes shkarkimit apo dorëheqjes.

Pas gati dy dekadash në të cilat zyrtarët dhe politikanët shijuan interpretime ligjore shumë dorëgjera nga sistemi i drejtësisë për shkeljet e dyshuara prej tyre, drejtësia e re po rihap disa dosje të vjetra dhe po jep vendime që sfidojnë në thelb interpretimet e mëparshme të llojit: “nuk ka përgjegjësi penale për vendime kolektive”.

Megjithatë, hetimet e SPAK kundër korrupsionit gjatë këtij viti mund të vlerësohet se kanë një cilësi të luhatshme.

Disa hetime duket se nuk kanë vajtur përtej procedurave të mbledhjes së dokumenteve zyrtare dhe interpretimeve ngushtësisht ligjore; disa të tjera kanë përfshirë bastisje dhe konfiskime dokumentesh në zyra shtetërore apo private, me rezultate domethënëse në provimin e krimeve të dyshuara.

Paralelisht me zhvillimet në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit, Shqipëria përjetoi gjatë vitit 2023 një rekord të ri të kursit të këmbimit të monedhës kombëtare lek përkundrejt euros, çmime marramendëse të pronave të patundshme të reklamuara nga agjencitë e ndërmjetësimit, një palë zgjedhjesh vendore të cilat u fituan në mënyrë plebishitare nga maxhoranca socialiste, në mes të akuzave për abuzime masive me pushtetin, blerje votash dhe korrupsion, përballë një opozite të përçarë.

Dosja “Ahmetaj” vendos standardin

Një hetim mbi ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj në lidhje me përfitimet e dyshuara të paligjshme prej tij nga dy biznesmenë kontroversë aktualisht në arrati, duket se mund të kthehet në një pikë reference se çfarë është hetimi serioz kundër korrupsionit dhe, çfarë jo.

Ishte ky hetim që zbuloi se, në fakt, në një botë të qeverisur nga mikroçipi, është praktikisht e vështirë të bësh korrupsion pa lënë gjurmë, të cilat, një hetim i ka të lehta t’i zbulojë.

Një telefon i vjetër i harruar diku në shtëpi mbart komunikime të vjetra, të cilat vërtetojnë lidhje dhe ngrenë pikëpyetje për akte korruptive të para pesëmbëdhjetë apo njëzet vjetëve, ndërsa të dhënat e transaksioneve të rëndomta të kryera me një kartë krediti, të ruajtura në arkivat e një banke private, hedhin dritë për përfitime të paligjshme, nëse një shkresë e thjeshtë e prokurorëve urdhëron bankën përkatëse që t’i dorëzojë. Edhe praktika e të përdorurit të parasë cash në punë të pista duket se nuk arrin të shpëtojë keqbërësit e dyshuar nga dara e drejtësisë, në një botë të ndërlidhur si kjo e jona.

Hetimi ndaj Ahmetajt zbuloi se si një zyrtar shteti paguante mijëra euro fatura hoteli cash në Rumani, falë një  kërkese për ndihmë të ndërsjellët juridike, e cila shtyu autoritetet rumune të merrnin në pyetje administratën e një hoteli për të zbuluar se kush pagoi dhe si, shërbime të caktuara, shumë vite më parë.

Dhe ndërsa të dhënat e ruajtura në servera dhe mikroçipe duket se i mundësojnë prokurorëve të zbardhin edhe të fshehta të errëta shumëvjeçare, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i tërhoqi vërejtjen dy herë prokurorëve për hetime të mangëta në lidhje me skandalin shumëvjeçar të kontratës së koncesionit të sterilizimit, një kontratë për të cilën, prokurorët thonë se u realizua pasi çmimet e shërbimit u frynë shumëfish dhe pastaj pronari i koncesionit transferoi paratë te një kompani tjetër e tij, në dukje, për të krijuar përshtypjen e fitimeve jo aq të larta.

Dosjet hetimore të prokurorisë hedhin dritë jo vetëm mbi korrupsionin politik, por në shumë drejtime, përbëjnë një panoramë më të gjerë të shoqërisë shqiptare. Një numër jashtëzakonisht i lartë qytetarësh, nga biznesmenë në njerëz shumë të zakonshëm duket se kanë ndihmuar këtë apo atë politikan që të fshehë paratë e korrupsionit apo t’i qarkullojë ato.

Në veçanti, dosja “Ahmetaj” tregon se si taksapaguesit shqiptarë përfunduan të paguajnë jetën e tij të dyfishtë, apo se si kompani të ndryshme kryejnë punime pa pagesë për zyrtarët e qeverisë, ndërsa marrin nga ana tjetër tenderë publikë.

Partia në pushtet zgjeron kufijtë

Ndërsa socialistët në pushtet u përballën me skandale të shumta që përfshinin disa figura të larta në radhët e tyre, ata u përballën gjithashtu me një opozitë të diskredituar dhe nuk e patën problem të shkonin përtej asaj që mund të ishte e pranueshme në një sistem demokratik.

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për këtë vit, një raport i kritikuar shpesh për mungesën e kritikave, nuk mund të shmangte këtë vit se mazhoranca socialiste kishte refuzuar kërkesat e opozitës për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për disa skandale korrupsioni.

Komisioni vuri në dukje se e drejta e opozitës për këtë garantohet nga Kushtetuta – por ky përfundim nuk u bëri shumë përshtypje socialistëve në pushtet. Në dhjetor, ata propozuan ndryshime në ligjin që rregullon komisionet hetimore parlamentare, të cilat u konsideruan “alarmante” nga disa vëzhgues dhe si një përpjekje për t’i mohuar në mënyrë efektive opozitës një mjet vendimtar të nevojshëm për të mbajtur qeverinë përgjegjëse.

Në mënyrë të ngjashme, socialistët kanë bllokuar procedurën e urdhëruar nga Gjykata Kushtetuese për të gjykuar nga Gjykata mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka.

Opozita e ka akuzuar deputeten se ka marrë tokë publike falas në të ashtuquajturin “investim strategjik” të bashkëshortit të saj. Kushtetuta i ndalon deputetët të kenë përfitime të tilla dhe në të kaluarën, disa deputetë humbën mandatet e tyre në raste të ngjashme. Por socialistët këtë herë po refuzojnë haptazi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, dy legjenda urbane kanë qarkulluar gjatë muajve të fundit që mund të tregojnë një moment përcaktues në historinë e vendit: njëra sugjeron se një suficit jashtëzakonisht i lartë i buxhetit të shtetit këtë vit u shkaktua nga refuzimi i zyrtarëve shtetërorë për të marrë pjesë në komisionet e prokurimeve publike për frika e ndjekjes penale për shpërdorim detyre. Në fund të tetorit, buxheti i shtetit tregoi një suficit prej 450 milionë eurosh në vend të një deficiti prej 500 milionë eurosh.

Spekulimi tjetër është se tregu i pasurive të paluajtshme po përballet së fundmi me mungesë blerësish dhe se edhe kjo mund të jetë rezultat i frikës nga ndjekja penale mes zyrtarëve të korruptuar dhe tregtarëve të drogës.

Të dyja hipotezat vështirë se mund të mbështeten me fakte, por ekzistenca e tyre tregon përmasat e ndryshimit në vend.

Gjysmë milionë euro në shtëpinë e pastrueses

Viti 2023 nisi me një telenovelë, pjesët e para të së cilës u luajtën në fund të vitit 2022. Në telenovelë, e cila mbërtheu fantazinë e publikut dhe të medias, një pastruese shtëpie u akuzua se kishte vjedhur një shumë parash në shtëpinë e zonjës në të cilën shërbente, e cila ishte zyrtare e qeverisë “Rama”.

Një ngjarje që normalisht do të kalonte pa u vënë re, u bë temë e përditshme debati që vijoi për javë të tëra në pothuajse çdo shtëpi apo tryezë kafeneje në Shqipëri për shkak se pastrueses së Alda Klosit, një zyrtare qeverie me poste të ndryshme administrative, iu gjet një shumë prej mbi gjysmë milioni euro, fshehur në tubin e një aspiratori kuzhine.

Gjysmë milioni euro janë një shumë që ëndërrohet me të drejtë nga gjithkush. Një personi të punësuar me pagë minimale 300 euro në muaj, i nevojiten 139 vite punë për t’i fituar, nëse supozojmë se nuk ka nevojë të shpenzojë as edhe një qindarkë prej tyre për të jetuar. Por historia e zyrtares Alda Klosi ishte larg të qenit një rast i kufizuar.

Në tetor të këtij viti, SPAK arrestoi Jamarbër Malltezin, dhëndër i ish-kryeministrit Sali Berisha, si person i dyshuar se ka përfituar miliona euro në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë, në kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha. Ndërsa viti 2023 po mbaron, SPAK kërkoi heqjen e imunitetit dhe masë sigurie arrest shtëpie për vetë Berishën, dyshuar gjithashtu për korrupsion. Sipas SPAK, Malltezi përfitoi si aksioner hije i një kompanie që ndërtoi shumë pallate në një tokë, pronësia e së cilës u përfitua përmes privatizimit si ish-pronar falë një ligji të ndryshuar nga Berisha. Malltezi i mohon akuzat dhe pretendon se ka zhvilluar pronën e trashëguar. Ai pretendon gjithashtu se po përndiqet politikisht.

Në qershor, zyrtarja më e lartë e Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro u arrestua për korrupsion. Ajo u akuzua se kishte marrë një zarf me shumën 330 mijë lekë, në një procedurë prokurimi që normalisht konsiderohet e rëndomtë, një tender për supervizimin e punimeve në rindërtimin e një qendre shëndetësore. Ajo që tërhoqi vëmendjen, më shumë se sa shuma në fjalë, ishte përqindja. Tenderi në fjalë ishte me ofertë fituese 672 mijë lekë, ndërsa shuma e ryshfetit, duket se përbën 50% të shumës së prokuruar. Zarfi me paratë e dyshuara të ryshfetit u sekuestrua dhe pritet që në përfundim të gjykimit, shuma prej 330 mijë lekësh, t’i kthehet taksapaguesve.

Vetëm se taksapaguesit duket se nuk po dalin kaq me fat nga një aferë tjetër korruptive, ku shumat e qarkulluara nuk janë në rendin e disa qindramijëra lekëve, por në rendin e disa dhjetëramilionë eurove.

Në vitin 2023, SPAK duket se lëvizi, fillimisht me shumë drojë kundër kontratave koncesionare të incineratorëve, të cilat i kanë kushtuar taksapaguesve deri tani, së paku 150 milionë euro. Vetë kreu i SPAK Altin Dumani, i cili kreu hetimin pasuror kundër Arben Ahmetajt, deklaroi në maj në parlament në maj se për kontratën më të madhe, atë të incineratorit të Tiranës, ai nuk kishte gjetur ende vepër penale, ndërsa qytetarët dhe politikanët e opozitës ngrinin pyetjen se si shpjegohet që një aferë dukshëm korruptive, vijon punën si zakonisht. Vetëm dy muaj më vonë, SPAK ndryshoi qëndrim duke urdhëruar sekuestrimin e kompanisë së kontratës së Tiranës pasi zbuloi se në fund të një zinxhiri kompanish nën pronësi fasadë, fshiheshin Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto si pronarët realë të kontratës. Problemi është se ndërkohë, dhjetëramiliona euro të paguara nga taksapaguesit për shërbimin e menaxhimit fundor të mbeturinave, janë zhdukur në drejtim të paditur.

Hetimi i SPAK mbi këtë çështje vijon, por mbetet për t’u parë nëse prokurorët do të jenë në gjendje që, përveç ndalimit të vjedhjes së qytetarëve, të kryejnë funksionin tjetër të drejtësisë, rekuperimin e shumave monetare, të cilat u janë zhvatur taksapaguesve. I pyetur nga BIRN për mbi 40 milionë euro të zhdukura nga incineratori i Tiranës më 14 dhjetor, kryeministri Edi Rama shmangu përgjegjësinë. “Unë nuk jam llogaritar,” tha ai.

Krim, biznes dhe politikë

Shqipëria nuk ka përjetuar ndonjë bum ekonomik gjatë viteve të fundit, por Tirana dukshëm po përjeton një bum marramendës ndërtimesh shumëkatëshe, gjë që ka ngritur pikëpyetje të shumta se nga po vijnë paratë.

Në nëntor 2023, SPAK njoftoi se falë një operacioni ndërkombëtar që përfshiu agjencitë ligjzbatuese hollandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, një organizatë e madhe krimi u zbërthye. Ata ishin përgjegjës për së paku katër raste të identifikuara të trafikimit të kokainës, për një total kokaine të sekuestruar prej 931 kilogramësh. Kokaina është një lloj droge që shitet me çmim pakice për 100 euro për gram dhe sasia e konfiskuar ka një vlerë totale potenciale prej 93 milionë eurove.

Media në Shqipëri nuk e pati të vështirë të vërente se mes personave të shpallur në kërkim për këtë grup kriminal është edhe Ervin Mata, i ati i të cilit është pronari i një kompanie ndërtimi që po ndërton një nga kullat e reja të Tiranës. Gjithsesi, ky nuk është rasti i vetëm i zbulimit të kontrollit të krimit mbi ekonominë shqiptare.

Trafikantë droge në sektorin e ndërtimit, ky nuk është tamam lajm i ri për Shqipërinë, por përmasat duket se tashmë janë në nivel krejt tjetër.

Në korrik të këtij viti, një operacion tjetër i SPAK mbi krimin e organizuar solli arrestimin e Pëllumb Gjokës, një biznesmen kontrovers, i cili, kishte arritur të siguronte nga qeveria e kryeministrit Edi Rama statusin e Investitorit Strategjik. Ai e pati fituar këtë status për një projekt investimi me vlerë 51 milionë euro. Prokurorët thonë se, ndërsa autoritetet shqiptare ishin duke e trajtuar atë si një biznesmen, investimi i të cilit mbart rëndësi strategjike për ekonominë kombëtare, Gjoka ishte duke urdhëruar vrasje. Gjoka është deklaruar i pafajshëm përballë akuzave.

Grupet kriminale shqiptare duket se janë në gjendje të transportojnë sasi të stërmëdha kokaine nga Amerika Latine në Evropë, ndërsa mënyra e tyre e operimit, siç zbulohet nga rasti i kartelit Bello, sugjeron se shqiptarët gjenden përgjatë të gjithë asaj që në ekonomi njihet si “zinxhiri i vlerës së shtuar”. Me një fjalë, një shqiptar është ai që organizon transportin nga Amerika Latine në Evropë dhe shqiptarë janë edhe ata që e sheshin me shumicë te shqiptarë të tjerë që e shesin me pakicë te konsumatorët finalë. Dhe i gjithë ky zinxhir duket se e gjen të lehtë që fitimet nga ky aktivitet i paligjshëm t’i transferojë në Shqipëri, ku dyshohet se parkohen më lehtë në tregun e pronave të patundshme.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të pasqyruara në raportin statistikor mbi flukset e investimeve të huaja direkte, zëri Aktivitete të pasurive të paluajtëshme ka njohur rritje dramatike gjatë viteve të fundit, duke nisur nga një nivel i papërfillshëm. Për periudhën 12 mujore deri në qershor të këtij viti, 270 milionë euro investime të huaja raportohen të kenë hyrë në këtë treg. Sa për krahasim, në vitin 2020, ky zë ishte 80 milionë euro, ndërsa më 2019, 111 milionë.

Investime të tilla, pra jorezidentë që blejnë prona në Shqipëri, konsiderohen nga BSH përgjegjës për forcimin e lekut, krahas rritjes së të ardhurave nga turizmi.

Viti 2023 ishte i rrëmujshëm sa i përket lajmeve nga bota e krimit, biznesit dhe politikës. Por nëse ky do të shënohet në histori si vit që ndan periudhën e tranzicionit nga Shqipëria s

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular