BallinaTe tjeraShpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra në Libohovë! Historia tragjike e konteshës...

Shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra në Libohovë! Historia tragjike e konteshës daneze, u dashurua me firmëtarin e pavarësisë

spot_img
spot_img

Historia e rrallë e gruas daneze, e rritur në mondanitetin parisien, e dashuruar në Stamboll me shqiptarin Myfit Libohova, ish-ministrin e Brendshëm të qeverisë së parë shqiptare të Ismail Qemalit, përfundon në Shqipëri, e përndjekur nga persekutimi, internimi brez pas brezi.

Olga Schweizer, edhe pas vdekjes së të shoqit, nuk braktis Libohovën, fshati ku u vendos të jetonte duke ngritur një prej ngjarjeve të rralla, si shpëtoi 100 burra nga pushkatimi gjerman në vitin 1944. Nëse ka një histori, që duhej të rrëmbente nervin e ndonjë shkrimtari këtu, pa dyshim do të ishte ajo e gruas së lindur në Danimarkë, me emrin Olga Schweizer.

Një vajzë e re, e rritur në mondanitetin e Parisit, por që fati e solli rrotull: nga Stambolli në Tiranë, në këtë të fundit, duke prehur eshtrat përgjithmonë me një sakrificë sublime, më shumë se histori dashurie.

******

Ollga Schweizer

Olga Schweizer, nga Stambolli në Libohove

Ollga e re, një vajzë e talentuar në piano, dashurohet me shqiptarin Myfit Libohova, një nga firmëtarët e pavarësisë së Shqipërisë. Është e rrallë kjo histori. Gjatë studimeve në Stamboll, Ollga takon shqiptarin dhe dashuria për të e bëri të vinte në Shqipëri, në vitin 1909. Myfit Libohova, u emërua në qeverinë e parë të Ismail Qemalit, si ministër i Brendshëm dhe më vonë ministër i Jashtëm dhe i Financave. Edhe pse Libohova, “e ndërpreu” historinë e dashurisë më 1927-ën, vit kur ndahet nga jeta, Ollga nuk u largua nga Shqipëria. Ajo qëndroi në Libohovë, ku u nderua dhe u respektua nga i gjithë fshati.

Ndërsa pas kësaj gruaje, Fatbardha Saraçi në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, – ku janë të mbledhura jetët e grave që vuajtën dhe si i rezistuan ato torturave të diktaturës, – na rrëfen një episod të panjohur, të rrallë për nga vetëmohimi. Ne i kushtojmë një dedikim të veçantë, për të rizgjuar jo thjesht ndjeshmëritë e grave të huaja, si zonja të dashuruara me burrat e tyre apo, që shpesh atribuohen kujtimet si zonja të edukuara e mondane, – ky lloj impresioni përmbys ngjarjet, kur historia vjen e pamëshirshme në cilëndo anë qoftë.

Kjo histori lidhet me vitin 1944, kur gjermanët rrethuan fshatin Libohovë dhe tërhoqën për të pushkatuar plot 100 burra. Ollga, tashmë një libohovite, hyn midis tyre, të cilët gjermanët donin t’i pushkatonin tek rrapi i madh, në qendër të fshatit. Ajo e kërcënoi oficerin, se nëse do t’i vriste burrat, më parë do t’i duhej të qëllonte mbi të.

“Si pasojë e ndërhyrjes së danezes, që i foli gjermanisht, u shpëtuan nga vdekja 100 burra, ndërsa dënimi pse kishin strehuar partizanë, ishte djegia e fshatit, por konsideruar më e rëndësishme jeta”, – shkruan Saraçi në këtë memorie. Më pas, me vendosjen e regjimit të komunizmit, për Ollgën dhe familjen e saj, në paradoks të historisë, nis kalvari i vuajtjeve, dënimeve e persekutimit, deri në vitin 1990, kur pinjolli i fundit, Myfiti i ri, tregon se si nuk pushoi së përndjekuri nga Sigurimi i Shtetit.

Rrëfimi i Fatbardha Saraçit, për historinë dhe kalvarin e familjes Libohova

“Sa herë udhëtoja në linjën Shkodër – Tiranë, kur autobusi i afrohej fshatit Zejmen (Lezhë), buzë rrugës automobilistike, në varrezat e fshatit, shihej një varr, me bazament katror, i punuar me çimento, aty prehej një e huaj, që kishte qenë e internuar në këtë zonë. Çdo pranverë lulëzonte kumbulla, me trung të shtrembër, që i ndodhej tek koka dhe lulet e bardha të pemës, të zgjonin kujtime, për një jetë plot vuajtje, për një të huaj. Ajo quhej Olga Schweizer-Libohova, kishte lindur në Danimarkë. I ati i saj ishte ushtarak, jetonin në Paris. Ollga, si vajzë e re, ishte e dhënë pas artit, vazhdoi studimet për piano dhe i ati e dërgoi në Stamboll. Në Turqi, u dashurua me shqiptarin Myfit Libohova, dashuria e madhe për të, e bëri të vinte në Shqipëri, në vitin 1909.

Kjo zonjë e nderuar ,ishte gruaja e z. Myfit Libohova, e ish- ministrit të Brendshëm, të qeverisë së parë shqiptare, të Ismail Qemalit, dhe mbajti më vonë postin e ministrit të Jashtëm dhe atë Financave. Kishin një djalë që e quajtën Elmaz. Historia e dashurisë, u ndërpre me vdekjen e të shoqit në vitin 1927. Ajo s’u largua nga Shqipëria, por qëndroi në Libohovë dhe të gjithë fshatarët e donin, e nderonin dhe e quanin pjesëtare të fshatit të tyre. Në vitin 1944, në Operacionin gjerman të Qershorit, ajo u tregua trimëreshë, hyri midis njëqind burrave, që gjermanët donin t’i pushkatonin tek rrapi i madh, në qendër të fshatit. Ajo e kërcënoi oficerin, se nëse ai do të vriste burrat, më parë do t’i duhej të qëllonte mbi të. Si pasojë e ndërhyrjes së danezes, që i foli gjermanisht, u shpëtuan nga vdekja 100 burra, ndërsa dënimi pse kishin strehuar partizanë, ishte djegia e fshatit, por e rëndësishme ishin jetët njerëzore, më e çmuara në jetë, jeta.

Por në vitin 1945, me urdhër të ushtarakut madhor, Petrit Dume, familja Libohova u nxor nga shtëpia, iu grabit çdo gjë, ndërsa librat e bibliotekës me 2.500 volume dhe shumë dokumente historikë, u dogjën në mes të fshatit. Ollgën e vendosën të jetonte në një stallë lopësh. Po në këtë vit, e internojnë në Shijak. U kthye nga Italia, djali i saj, Elmazi, që vazhdonte studimet atje, duke shpresuar në përmirësimin e situatës, por e arrestuan me tre akuza të pabaza: “tentativë për arratisje, agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe formim i grupit armiqësor”. E dënojnë me njëmbëdhjetë vjet burg, (heqje lirie), mbasi provoi torturat në hetuesi. Në vitin 1949, e internuan në fshatin Tresh të Lezhës, e vetme, pas asnjë të ardhur jetike. Punoi në fermë dhe kudo e ndiqte vetmia, vetmia në komunizëm.

Jetonte në fshatin Tresh, në një kasolle, përbri rrugës, karshi me stallën e derrave. Djali i saj, provoi burgjet komuniste dhe kampet e punës, kur u lirua u bashkua në internim, me nënën e tij të dashur, pas njëmbëdhjetë vitesh ndarjeje…! Punonte i biri i Ollgës në arë, me tension e gjakut 28, ndërsa në dhjetorin e vitit 1963, danezja shqiptare, në këtë fund viti, i mbylli sytë për jetë, atje në mërgim. Edhe djalit të nëna Ollgës, i shkoi jeta në internim, ku jetonte me gruan e tij, Myzaferen, e cila ishte një shoqe e mrekullueshme, që e shoqëroi në ato vite vuajtje e dhimbjeje. Nga kjo martesë, lindën në internim tre djem: Enveri, Qemali dhe Myfiti (i riu) që lindën e u rritën me damkën “fëmijë të deklasuarish”, “armiq” dhe “tradhtarë”.

Në sistemin komunist, fatkeqësia do e ndiqte kudo këtë familje. E arrestojnë nënën e tre fëmijëve, Myzafere Libohovën, se gjoja ka folur, ka bërë agjitacion e propagandë, me dëshmitarë falsë, me të pavërteta, me gënjeshtra, e dënojnë me pesë vjet burg, heqje lirie.

Mbeti familja pa të zonjën e shtëpisë, ndërsa Elmazi, nga puna e rëndë dhe tronditja që pësoi nga mbajtja e gruas në hetuesi dhe dënimi i saj, ndërroi jetë, vdiq në atë periudhë që u dënua nëna e fëmijëve të tij. Në funeralin e tij ishin vetëm dy kushërinjtë Ihsan e Servet Libohova. Persekutimi vazhdoi edhe tek fëmijët, që nuk ishin të barabartë me fëmijët e tjerë, ishin të damkosur që nga lindja e tyre me epitetet “të deklasuar”, “armiq”…!

Myfiti (i riu) tregon: “Nga viti 1985-1987, jam ndaluar dy herë nga Sigurimi i Shtetit. Në vitin 1990, arriti dhe pika kulminante. U arrestova nga Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zef Loka, i cili për një muaj më ndoqi kudo me vartësit dhe njerëzit e tij. Nuk e dija çdo të bëhej me mua? Dëgjova vetëm se e kishin me ne, me atë shtresë që për pushtetin e atëhershëm paraqiste probleme. Nuk e di se si kam shpëtuar nga ajo “valle” e vdekjes. Sa herë kujtoj atë kohë, nuk më hiqet nga mendja era e keqe, atje në internim…! Me gruan u martova të premten, ndryshe nga zakoni ynë, ndërsa të hënën, i hipa avionit për në Austri, u largova përgjithmonë nga Atdheu…”! I riu, Myfiti, u rikthye në Shqipëri në vitin 2001, bëri tërheqjen e eshtrave të gjyshes Ollga e të babait, Elmazit, nga Zejmeni i Lezhës, për në kodrat e Tufinës në Tiranë. Tashti pushojnë në paqe pa telat me gjemba të kampeve të internimit të Shqipërisë socialiste.

Pas luksit dhe salloneve mondane, jeta e konteshës së lindur në Danimarkë do të merrte kthesë të papritur pas martesës me ish-ministrin e Brendshëm, Myfit bej Libohova. Internimi në një stallë derrash dhe vendimi për të mos e braktisur Shqipërinë, edhe pas vdekjes së të shoqit… Një histori dashurie dhe besnikërie e pashoq e lidhur ngushtësisht me vendin tonë. Eshtrat e madam Ollgës prehen ende sot në Varrezat e Tufinëst

Për të, banorët e zonës tregojnë histori, që u ngjajnë gojëdhënave. Histori që të kujtojnë subjektet e romaneve të Ismail Kadaresë. Të vjen ndër mend “Darka e gabuar”, pengjet e shpëtuar, por kësaj here nga një grua daneze. Bëhet fjalë për konteshën Ollga Schweizer, e martuar në Shqipëri me ish-ministrin e Brendshëm, Myfit bej Libohova. Gruaja e hijshme, e cila do të mbetej e ve pas 19 vjetësh, do të pësonte vite të tëra internimi dhe persekutimi familjar. Do të nxirrej forcërisht nga shtëpia me urdhër të Petrit Dumes, për të jetuar në një kasolle pranë një stalle lopësh në Shijak. Punët që iu caktuan ishin nga më të rëndomtat, nga fushat e misrit te pastrimi i stallave. Më pas, jeta e vështirë e në skamje, së bashku me të birin e vetëm të lindur nga kjo martesë, do ta ndiqte edhe në internimin e dytë, në fshatin Tresh të Lezhës, aty ku ajo mbylli sytë, për t’u varrosur në vitin 1963.

Një nga dëshmitaret që e ka njohur nga afër, Fatbardha Saraçi Mulleti, tregon për takimin e befasishëm me konteshën, e cila rrinte në derën e kasolles, duke zënë hundët me dorë, për shkak të erërave të forta të stallës pranë, ndërsa i biri, i kthyer nga studimet në Itali, bënte punë krahu në bujqësi e, jo vetëm. Fshatarët e zonës përreth, e tregojnë një grua bujare, e cila, edhe pse në skamje, i ndante ato pak gjëra me familjet aty pranë. Ollga Libohova, u shqiptarizua deri në varr, duke mos e braktisur për asnjë ditë vendin me të cilin lidhi nyje ndjenjat, bashkë me jetën e saj. Vetëm pak vite më parë, nipi i familjes i zhvarrosi eshtrat e gjyshe Ollgës, për t’i afruar në Varrezat e Tufinës, vend ku prehen edhe sot e kësaj dite…!

Zonja Fatbardha, ç’ju lidh ju me konteshën daneze Ollga Schweizer?

Është histori tejet mbresëlënëse ajo e konteshës daneze, Ollga Schewizer, e cila mori mbiemrin Libohova, pasi u martua me personalitetin e politikës dhe shtetit shqiptar, Myfit Bej Libohova. Jam njohur në detaje me jetën e saj, jo vetëm për efekt studimor, por edhe për faktin se, e kam takuar nga afër, e kam njohur personalisht, dhe më vonë, më së shumti përmes nipit, Myfit Beu i Ri. Duke qenë se ishte bijë e një familjeje të pasur, i ati ushtarak i lartë, ndërsa e ëma nga shtresat e aristokracisë daneze, çdo dëshirë e Ollgës, ishte urdhër për prindërit e saj. Ndaj, pas pëlqimeve për artin e muzikën në përgjithësi, i ati e dërgon për studime të specializuara për instrumentin e pianos, në Turqi, vendi ku edhe do të njihej me shqiptarin Myfit bej Libohova, me të cilin u dashurua marrëzisht, deri sa vendosi të martohej dhe të lidhej përjetësisht me Shqipërinë.

Në ç’kushte e keni njohur atë?

Ka qenë viti 1959…! Edhe pse isha e dëbuar familjarisht, si mbesa e Qazim Mulletit, nevoja për mësues bënte që, edhe pse të persekutuar, të caktoheshim në vende të ndryshme, për të dhënë mësim, natyrisht ato që kishin përfunduar shkollën e mesme, si në rastin tim. Dhe atë vit mua më caktojnë në fshatin Tresh të Lezhës, ku edhe punova përreth 17 vjet. Isha mësuese biologjie dhe atë ditë, kishim shkuar bashkë me nxënësit, për të parë nga afër disa ferma, stalla të lopëve e derrave të zonës aty, me synimin për të parë si rriteshin ato, ushqimi, etj. Menjëherë më bëri shumë përshtypje kasollja ngjitur me stallat, në derën e së cilës m’u shfaq një grua shtatlartë, e hirshme, së cilës i dhashë dorën. Nuk kam për ta harruar portretin dhe zënien e hundëve herë pas here për shkak të aromave të rënda dhe të forta që kanë stallat e derrave. Nuk jetonte në luks, e megjithatë buzëqeshjen nuk e hiqte nga fytyra.

Ç’pamje kishte kontesha?

Ishte grua simpatike, e cila edhe pse në moshë, nuk i kishte humbur sjelljet aristokrate. E rregullt dhe e dashur me fshatarët e zonës, me të cilët ajo tregohej shumë bamirëse. U falte ushqime e veshje nga të sajat e të të birit dhe këtë detaj ma rrëfyen më vonë edhe disa familje që kishin bashkëjetuar më të, deri ditën që ajo vdiq. Natyrisht që atë ditë, nuk është se shkëmbyem biseda të gjata, thjesht mora vesh emrin e saj, pasi fliste shqip dhe shkarazi disa fakte, se pse ajo ndodhej në atë kasolle, e vetme, pasi të birin, ia kishin dënuar me 11 vite heqje lirie. E vuante vdekjen e të shoqit, në moshë fare të re, pasi beu nga Libohova, kishte ndërruar jetë në vitin 1927, vetëm 19 vite pas martesës së tyre. Ollga, ishte gruaja e dytë e tij, pasi e para kishte vdekur.

Ajo nuk u largua, pas vdekjes së të shoqit?!

Edhe pse i shoqi ndërroi jetë në moshë të re, ajo nuk e braktisi Shqipërinë. Fillimisht jetoi në fshatin e të shoqit, në Libohovë, ku të gjithë e thërrisnin “Madam Ollga” dhe ruanin respekt të veçantë për atë grua. Nuk ishte e fisme vetëm në genet e saj, por edhe në karakter, në mënyrën si i bënte njerëzit për vete, me fjalët e ëmbla, me zërin e pakët, me dashamirësinë që dëshmonte, duke u falur jo lëmoshë, por sende, veshmbathje dhe ushqime, nga shtëpia e saj. Më në detaje, jetën e vërtetë dhe ngjarjet që pasuan për Ollgën, e kam njohur më vonë, pas takimit më të nipin, Myfit Beun e Ri, i cili vuajti në kurriz, një kalvar të vërtetë persekutimi familjar.

Historitë që lidhen me jetën e kësaj gruaje, gati-gati u ngjajnë legjendave…?!

Është një histori, e cila rrëfehet pothuajse si legjendë, edhe pse ka shumë vite që ka ndodhur. Tamam si ato gojëdhënat që tregojnë gjyshet, por që në rastin e konteshës daneze ka vërtetësi absolute dhe këtë fakt ma ka treguar i nipi. Ka qenë viti 1944 dhe në Operacionin e Qershorit, forcat pushtuese gjermane, kishin shkruar në fshatin Libohovë për të pushkatuar rreth 100 burra. Forcat gjermane kishin hyrë në fshat për të kontrolluar për partizanë, dhe duke qenë se Ollga njihte gjuhën gjermane, doli garant tek oficerët se; në fshat nuk kishte më këmbë partizani rrotull.

Por ata nuk u bindën dhe rreshtuan tek rrapi 100 burra. Ollga iu drejtua oficerëve se, në rast se do të qëllonin mbi ata burra, më parë duhet të vrisnin atë…! Dhe kështu, ata shpëtuan nga pushkatimi. Dikush tjetër nga libohovitët, kishte spiunuar se në një shtëpi të fshatit, kishte disa partizanë që mbaheshin me bukë e ujë nga familjet dhe, të nesërmen, forcat gjermane u kthyen dhe u vunë zjarrin shtëpive të fshatit.

Çfarë ndodhi më pas me familjen e konteshës?

Ajo që pasoi, ishte skëterra e vërtetë e vuajtjeve të aristokrates. Në vitin 1945, me urdhër direkt të Petrit Dumes, familja Libohova, u nxor me forcë nga shtëpia, duke iu konfiskuar çdo pasuri, një prej këtyre ishte biblioteka e familjes, për të cilën ishte dhënë urdhër që të gjithë librat të nxirreshin në fushë dhe të përdoreshin për të ndihmuar djegien e drurëve të zjarrit, ndërsa gratë e fshatit, zienin kazanët me rroba për t’u larë. Ollga me të birin, u internuan në Shijak, i vendosën në një stallë lopësh, ku qëndruan për më shumë se pesë muaj. Mes skamjes, Ollga ishte e detyruar që të bënte çdo punë krahu që i caktohej, dhe një e tillë, ishte si pastrimi i stallave, ashtu edhe mbledhja e misrit në arë.

Po nuk ankohej asnjëherë, për lodhje apo mundime, tregonte i biri. Nuk i trembej punës dhe çdo ditë dilte pa përtesë në punë, ashtu si edhe gratë e tjera, që kishin fat të ngjashëm me të. Djersët i kullonin çurg dhe mundohej në punë të rënda, të cilat me siguri as nuk i kishte çuar nëpër mend, që mund t’i bënte ndonjëherë, duke ditur rrënjët e saj aristokratike. Ishte jetesë e vështirë, me të birin i cili e kishte të zorshme të ambientohej, me aromat e forta të lopëve, të stallave. Por, ajo sërish kujdesej për vendin ku jetonte, e pastronte, e rregullonte këndshëm, edhe pse qëndronte në kushte varfërie ekstreme.

Po i biri?

I biri, Elmazi, i cili ishte me studime në Itali, disa vite më vonë, me të përfunduar studimet, në vitin 1949 kthehet në Shqipëri, me idenë se gjërat mund të kishin ndryshuar sadopak ose të ishin përmirësuar disi. Që ditën e dytë të qëndrimit në hotel, e arrestojnë me akuzën e arratisjes dhe agjitacion e propagandë. E dënojnë me 11 vite heqje lirie. Në po të njëjtin vit, Ollga internohet në fshatin Tresh të Lezhës, e vetme dhe në skamje të jashtëzakonshme. Sërish, fati kishte lozur keqas me të, dhe kontesha e djeshme caktohet që të jetojë në një kasolle afër një stalle, ku rriteshin derrat. Ndërsa puna e detyruar ishte ajo në bujqësi dhe pastrim të stallave. Ollga nuk e pa më të birin, deri ditën që ai përfundoi dënimin, plot 11 vite.

Kur e mësuat se çkishte ndohur me zonjën Ollga?

Është e çuditshme mënyra si unë u ritakova me historinë e konteshës daneze…! Sa herë që udhëtoja në linjën Shkodër -Tiranë, kur autobusi u afrohej varrezave të Lezhës, buzë rrugës automobilistike, gjendej një varr madhështor, i mbuluar i gjithi me lule. Banorët i thoshin “Varri i Madamës”, e disa të tjerë “Varri i konteshës së huaj…”! Ajo që më bënte më shumë përshtypje se gjatë verës, lulet e bardha të kumbullës që rrethonin varrin e saj, çelnin gjithnjë dhe e mbulonin me hijeshi varrin prej çimentoje. Me sa duket, ishin fshatarë të zonës aty pranë, që e kishin njohur historinë ose të paktën kishin bashkëjetuar me të në internim në Lezhë, që kujdeseshin t’ia ujitnin. Kurioziteti më mbeti i pashuar, deri ditën që iu afrova varrit, ishte ai konteshës që kisha takuar para disa viteve…! Ollga Libohova, e cila kishte mbyllur sytë në mjerim në vitin 1963.

A ka mbetur tashmë ndonjë pinjoll nga familja Libohova?

Elmazi, djali i vetëm i çiftit, u martua me një zonjë me emrin Myzafere. Nga martesa me të lindën tre djem. Elmazi, për shkak të vuajtjeve në burg dhe në hetuesi, ndërroi jetë vetëm disa muaj pasi vdiq e ëma. Pak kohë më pas, arrestojnë të shoqen, Myzaferen, me akuzën e agjitacionit e propagandës. Ajo, për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike që iu shkaktua, vdiq në burg. Djemtë e familjes Libohova, janë tanimë të shpërndarë në emigrim, ndërsa disa vite më parë, Myfit Bej Libohova(i ri) erdhi në Shqipëri për të zhvarrosur eshtrat e gjyshes Ollga, e për t’i rivarrosur ato në Varrezat e Tufinës, vend ku prehen sot e kësaj dite. /Memorie.al Nga Ermira Isufaj

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular