Gjykata e Elbasanit do të zhvillojë ditën e sotme seancën për caktimin e masave të sigurisë ndaj të dënuarit përjetë Sokol Mjacaj, drejtorit të burgut të Peqinit, shefit të regjimit të brendshëm dhe personave të tjerë të arrestuar pas vrasjes në qeli të Arben Lleshit më 15 dhjetor. Burimet nga gjykata njoftuan se megjithëse njoftimi i masave ishte planifikuar për ditën e hënë, të akuzuarit do të dalin para gjykatës të martën në orën 10.00.
Përveç autorit të ngjarjes Sokol Mjacaj, prokuroria ka kërkuar burg edhe për ish-drejtorin e burgut të Peqinit Kamber Hoxha, shefin e regjimit të brendshëm të burgut, Qani Muça si dhe 10 punonjës mes tyre edhe ish-shefi i policisë së burgut, Nikolin Gjonpali. Ata akuzohen se kanë shkelur rregullat e sigurisë në burg, që nga moskryerja e kontrolleve ndaj të dënuarit Mjacaj, i cili lëvizte prej të paktën 20 ditësh me armë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.
Hetimi paraprak i prokurorisë ka gjetur se aty nuk kishin funksionuar skanerët e kontrollit në hyrje të burgut, që ishin riparuar së fundmi dhe një pjesë e kamerave të sigurisë për vëzhgimin dhe dokumentimin e ngjarjeve. I dënuari Sokol Mjacaj dyshohet se e vrau me porosi Arben Lleshin për hakmarrje dhe plagosi shokun e tij të qelisë, Indrit Shaqja.