Rreth 800 efektivë policie janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës së sotme të thirrur nga opozita para Parlamentit.
Protesta do të nisë në orën 09:00 me sloganin “O sot, o kurrë”, teksa Kuvendi do të votojë për kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Forca të shumta policie kanë rrethuar Parlamentit, ndërsa janë vendosur kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar protestuesit në rast incidentesh.
Efektivët e angazhuar për protestën janë nga Policia e Tiranës dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare (ish-FNSH).
Masat janë marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në koordinim me DVP Tiranë.
Në perimetrin e parlamentit janë instaluar kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar çdo lëvizje të protestuesve që policia të ketë të gjitha provat e mundshme nëse do të ketë incidente.
Ndërkohë RENEA është në gatishmëri në rast se do të ketë incidente. Po ashtu edhe autobotë me ujë ndodhen në pjesën e pasme të parlamentit nëse do të jetë e nevojshme për të ndërhyrë.
Kuvendi vendos për fatin e Berishës
Kuvendi do të votojë për heqjen e imunitetit të Sali Berishës, që është në pikën e parë të rendit të ditës.
Këshilli i Mandateve ka dorëzuar në Kuvend 2 raporte lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Konkretisht, janë dorëzuar në Kuvend “Raporti rekomandues i deputetëve të shumicës parlamentare, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe Raporti rekomandues i deputetit Enkelejd Alibeaj, anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestim/heqje lirie për Berishën nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.
Këto 2 raporte do të prezantohen në seancën plenare të ditën së nesërme, ku pritet që Kuvendi të votojë për imunitetin e Berishës. Kujtojmë se pak ditë më parë, Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit ka votuar pro dhënies së autorizimit të SPAK për heqjen e lirisë së Sali Berishës në lidhje me çështjen “Partizani”.
Votimi në Këshillin e Mandateve
Në një mbledhje maratonë, prej më shumë se 4 orësh, Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit vendosi këtë të hënë me 6 vota pro, miratimin e kërkesës së SPAK për t’i dhënë leje për arrestimin e Sali Berishës. Pas 5 votave të socialistëve dhe 1 e Enkelejd Alibeajt, kjo kërkesë do të kalojë për votim ditën e enjte në Kuvend, ku do të jetë edhe akti i fundit në këtë institucion për ashpërsimin e masës së sigurisë së Berishës, nga detyrim paraqitje në arrest me burg ose arrest shtëpie.
Për raportin që doli nga Këshilli që autorizon Kuvendin të lejojë arrestimin e ish-kryeministrit, duhen të paktën 71 vota. Mazhoranca qeverisëse i ka e vetme këto vota, pasi në zgjedhjet e fundit të 25 prillit 2021 arriti të siguronte 74 mandate.
Tashmë, duket se SPAK e ka rrugën e hapur për t’iu drejtuar GJKKO-së për të caktuar njërën nga masat e sigurisë, atë të arrestit me burg apo të arrestit në shtëpi. Ndonëse për shkak të moshës, Berisha mund të përjashtohet nga arresti me burg, prokurori i çështjes Arben Kraja bëri të ditur në mbledhjen e Këshillit se gjykatës do i drejtohen për të dyja masat e më pas do të jetë në dorën e kësaj të fundit se çfarë do të vendosë.
Gjykata duhet ta shqyrtojë brenda 5 ditësh nga e premtja. Berisha akuzohet për favorizim të familjarëve të tij në privatizimin e ish-kompleksit Partizani, gjatë kohës që ai ka qenë në qeveri. Padia kundër Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi u depozitua disa vite më parë nga Taulant Balla. Për Malltezin, pas qëndrimit në qeli, gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest shtëpie.