Vendet në zhvillim, ku është klasifikuar edhe Shqipëria mund të rrisin të ardhurat buxhetore edhe me 9 % të PBB-së deri në vitin 2030, nëse zbatojnë disa reforma që kanë të bëjnë me uljen e korrupsionit, luftën ndaj informalitetit, zbatimin e reformave dhe forcimin e institucioneve thotë një studim i FMN “Vendet mund të shfrytëzojnë potencialin tatimor për të financuar objektivat e zhvillimit”.
“Që nga viti 1990 disa vende kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshme në rritjen e të ardhurave, si Shqipëria, Argjentina, Armenia, Brazili, Kolumbia dhe Gjeorgjia të cilat të gjitha mobilizuan më shumë se 5 pikë përqindje të PBB-së, po kjo rritje ndodhi përpara krizës financiare globale të vitit 2008. Më pas përparimi ka qenë i vështirë dhe i brishtë”, referojnë ekspertët e Fondit.
Të ardhurat buxhetorë në vlerë në vendin tonë janë rritur, por ato nuk e kanë përmirësuar raportin me PBB-së që nga viti 2008. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në vitin 2022 të ardhurat buxhetore arritën në 26.8% të PBB-së në nivel më të ulët se në vitin 2008 ku treguesi 28.9% e PBB-së.
Ekspertët e FMN-së zbulojnë se vendet në zhvillim ku përfshihet edhe Shqipëria kanë potencialin për të rritur raportet e tyre të taksave ndaj PBB-së deri në 9 pikë përqindjeje përmes reformës tatimore dhe forcimit të institucioneve publike. Hapësira e re e pataksuar mund ti sigurojë vendit tonë burime financiare të mjaftueshme për të arritur objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm deri në vitin 20230.
Shfrytëzimi i këtij potenciali do të kontribuonte gjithashtu në zhvillimin financiar dhe sipërmarrjen e sektorit privat.
Raporti mesatar i taksave ndaj PBB-së në tregjet në zhvillim është rritur me rreth 3deri në 5 pikë përqindje që nga fillimi i viteve 1990, i nxitur kryesisht nga taksat mbi konsumin, si vlera e shtuar dhe akciza.
Për më tepër, progresi në rritjen e të ardhurave që nga fillimi i viteve 1990 ka ndryshuar shumë në vende të ndryshme. Gjysma e ekonomive të tregut në zhvillim dhe dy të tretat e vendeve me të ardhura të ulëta kishin një raport taksash ndaj PBB-së në vitin 2020 që ishte më i ulët se 15 për qind – një pikë kthese mbi të cilën është gjetur se rritja është përshpejtuar.
Përmirësimi i institucioneve publike në ekonomitë në zhvillim ku bën pjesë Shqipëria, duke përfshirë reduktimin e korrupsionit, do të rezultonte në një rritje shtesë prej 5 pikë % e të ardhurave në raport me PBB-së.
Për të ndërtuar kapacitetin tatimor qeveritë do të duhet të zbatojnë reforma gjithëpërfshirëse institucionale, e cila fokusohet në politikën e brendshme fiskale.
FMN sugjeron si ndërhyrje themelore në përmirësimin, hartimin dhe administrimin e taksave të tilla si TVSH-ja, akcizat, taksat mbi të ardhurat personale dhe taksat mbi të ardhurat e korporatave.
Gjithashtu zbatimi i planeve të guximshme të reformave në zgjerimin e bazës tatimore përmes taksimit më neutral të të ardhurave kapitale dhe përdorimit më të mirë të taksave mbi pronën do të ishte një mundësi.
Përmirësimi i institucioneve që drejtojnë sistemin tatimor dhe menaxhojnë reformën tatimore konsiderohet një element tjetër kyç. Kjo kërkon staf adekuat për të parashikuar dhe analizuar ndikimin e politikave tatimore në ekonomi, profesionalizim të lartë të zyrtarëve publikë që punojnë në hartimin dhe zbatimin e politikës fiskale dhe përdorim më i mirë të teknologjive dixhitale sugjeron më tej studimi i FMN./B.Hoxha