Nga Namir Lapardhaja
Më 13 janar 2012, një ditë përpara vendimit të Gjykatës së Lartë për video-përgjimin Meta-Prifti, Sali Berisha, në mënyrë demonstrative dhe hapur shantazhuese ndaj sistemit të drejtësisë, i shkoi për darkë në shtëpi mikut të tij të koalicionit.
Presioni i dha efektet e pritura, kur të nesërmen me një votim skandaloz 5 me 0, trupa e gjyqtarëve certefikoi se ajo që kishin parë të gjithë shqiptarët me zë dhe figurë nuk ishte ashtu siç e kishin parë ata, por ashtu siç e kishte parë Ilir Meta.
Këtë darkë të shijshme me gatimet e Monikës dhe verë të përzgjedhur nga Iliri, amerikanët ia mbajtën shënim Berishës, dhe në epitafin e tij politik, veç të tjerash, i gdhëndën edhe shantazhimin ndaj drejtësisë në mbrojtjen e partnerëve të tij politik.
Si për të mos i mjaftuar kjo, Berisha, në mënyrë skandaloze, apolitike, antiligjore, alogjike, të paparë dhe të padëgjuar deri më sot, ka thirrur një protestë përpara Gjykatës së Lartë pikërisht në ditën kur kjo pritet të shprehet për çështjen e Partisë Demokratike.
Paradoksalisht, në të njëjtën ditë, pritet të shprehet edhe Gjykata e Posaçme lidhur me masën e arrestit ndaj tij.
Mirëpo, protesta nuk është thirrur përpara GJKKO-së, por përpara Gjykatës së Lartë, si për të dëshmuar lidhjen e pashqitshme të Berishës me karrigen e kryetarit të PD-së dhe të opozitës.
Fatmirësisht, siç është dëshmuar edhe në thirrjet e mëparshme, shqiptarët dhe veçanërisht demokratët, e kanë bojkotuar dhe e kanë të qartë se, në agoninë e tij politike, Sali Berishën nuk mund ta ndihmojnë dot, sepse, edhe sikur të donin, nuk kanë asnjë mundësi.
Protesta e thirrur përpara Gjykatës së Lartë është akt dëshpërimi dhe vetëdorëzimi.
Në dallim nga sjellja e mëparshme prej të forti, Berisha ka zgjedhur këto ditë të vetëviktimizohet sikur po i bëhet ndonjë padrejtësi e madhe, mirëpo e vetmja padrejtësi që është bërë në këtë periudhë, është e gjithë katrahura haxhiqamiliste e tij, e mbështetur nga qeveria, oligarkë, media dhe analistë të blerë, për të shpartalluar opozitën dhe për ta sjell në këtë gjendje.
Pyetja që ngrihet është, a do ta mbajë këtë radhë Gjykata e Lartë presionin e Sali Berishës siç nuk arriti dot të bënte në vitin 2012, apo edhe kësaj radhe do shkruajë se i vetmi vendim i arsyetueshëm është ai i A. Zhukrit, të vetmit gjykatës dhe gjykatë që njeh Sali Berisha në historinë e tij politike?