Biden, i cili po kalon Krishtlindjen në Kamp David në Marilend, u njoftua për sulmin nga këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan. Pak pas sulmit të së hënës, presidenti amerikan urdhëroi Pentagonin dhe këshilltarët e tjerë të sigurisë kombëtare që të përgatisin opsione për përgjigje ndaj sulmit në një bazë ajrore që përdoret nga trupat amerikane në Erbil.
Pasi zyrtarët e lartë të mbrojtjes dhe këshilltarët e sigurisë kombëtare u konsultuan për opsionet, disa orë më pas, Biden zhvilloi një bisedë me ekipin e tij të sigurisë kombëtare. Biden vendosi që ushtria amerikane të sulmonte tri lokacione të përdorura nga Kataib Hezbollah dhe grupet e lidhura me të, tha një zyrtar që është në dijeni për çështjen, por i cili foli në kushte anonimiteti, raporton AP. Sulmet ajrore amerikane u kryen në orën 04:45 të martën në Irak, më pas se 13 orë pas sulmit ndaj personelit amerikan. Sipas Komandës Qendrore amerikane, sulmet hakmarrëse në tri lokacione “shkatërruan ndërtesat e shënjestruara dhe ka të ngjarë që kanë vrarë një numër të militantëve të Kataib Hezbollahut”.
“Presidenti vendosi prioritet mbrojtjen e personelit amerikan”, tha zëdhënësja Watson. “SHBA-ja do të veprojë me kohë dhe mënyrën që zgjedh nëse sulme të tilla vazhdojnë”. Sulmi i fundit vjen pas muajsh të përshkallëzimit të kërcënimeve dhe veprimeve ndaj trupave amerikane në rajon, që kur Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – kreu sulme në Izrael më 7 tetor, duke nxitur luftën shkatërruese në Gazë.
Që nga 7 tetori, milicitë e mbështetura nga Irani, kanë kryer dhjetëra sulme ndaj bazave amerikane në Irak dhe Siri. Muajin e kaluar, një avion luftarak amerikan goditi një qendër komanduese të Kataib Hezbollahut, pasi forcat amerikane kishin kryer një sulm me raketa balistike në bazën Al-Assad në perëndim të Irakut. Milicitë e mbështetura nga Irani kishin kryer një sulm me dron në po të njëjtën bazë në tetor. SHBA-ja po ashtu ka fajësuar Iranin, që financon dhe trajnon Hamasin, për sulmet e rebelëve Huthi të Jemenit kundër anijeve komerciale dhe ushtarake në Detin e Kuq.