BallinaEkonomiINTERVISTA/Flet Bora Feri, Drejtore Operacionale e MPay: Vetëm vullneti i institucioneve mund...

INTERVISTA/Flet Bora Feri, Drejtore Operacionale e MPay: Vetëm vullneti i institucioneve mund të sjellë shkëputje të shpejtë nga përdorimi i parasë cash”

spot_img
spot_img

“Vetëm vullneti i institucioneve mund të sjellë shkëputje të shpejtë nga përdorimi i parasë cash”

Intervistë me Bora Feri, Drejtore Operacionale e MPay

Vetëm nismat e vendosura nga institucionet ligjzbatuese mund të ndryshojnë në një kohë të shpejtë dominimin e parasë cash, si instrument pagesash në ekonominë shqiptare.

Bora Feri, Drejtore Operacionale e institucionit të pagesave MPay, thotë se për sa kohë që transaksionet cash janë të pranuara dhe të përdorura masivisht, niveli i transaksioneve elektronike do të jetë i cunguar dhe do të njohë vetëm rritje organike, të krijuar nga nevoja, dhe jo rritje që shkund në mënyrë radikale shtyllat ekzistuese.

Ajo mendon se këto janë procese transformuese që kërkojnë ndryshim sistemik në qasje, mentalitet dhe edukim dhe si të tilla, duan kohën e tyre. Sipas saj, ligji i ri për shërbimet e pagesave zgjeron hapësirat konkurruese për institucionet fintech, por, sidoqoftë sektori bankar do të ketë të paktën në të ardhmen e parashikueshme, avantazhin e të qenët aktor ekzistues në treg, me reputacionin, sigurinë që garanton dhe gamën më të gjerë të shërbimeve që ofron.

Si e vlerësoni zbatimin e deritanishëm të përcaktimeve të ligjit të ri për shërbimet e pagesave dhe a vlerësoni se kuadri ligjor dhe rregullator sot mundëson konkurrencë të barabartë me sektorin bankar për institucionet financiare të pagesave?

Çmoj se çdo nismë ligjore dhe rregullatore që ka për efekt nxitjen e konkurrencës në treg është për t’u përgëzuar. Ligji i ri për shërbimet e pagesave nuk ka filluar ende të zbatohet stricto sensu.

Licencat e subjekteve financiare jobanka të licencuara me kuadrin rregullator të shfuqizuar nuk janë transformuar ende në institucionet e parashikuara nga ligji i ri i pagesave. Licenca të reja nuk janë dhënë që prej hyrjes në fuqi. Ndaj në këtë prizëm, nuk mund të flasim ende për efektet e zbatimit të tij.

Nga pikëpamja e konkurrencës, efektin e ligjit të ri e shoh në dy aspekte: i pari, që është absolutisht më i rëndësishmi, është nga këndvështrimi i klientit.

Qëllimi i ligjit në vetvete është mundësimi i dhënies së aksesit në të dhënat financiare dhe instrumentet e pagesës së klientit, duke liberalizuar dhe duke shtuar alternativat e kanaleve të aksesit, të cilat deri më sot ishin ekskluzivitet i institucionit bankar apo financiar, që mban dhe emeton këto instrumente. Aspekti i dytë është ai institucional, pra i garës midis bankave dhe institucioneve të reja.

Personalisht, nuk besoj në konkurrencë të barabartë, pasi mendoj se është realitet utopik i paarritshëm në rrethanat e një tregu dinamik. Por besoj se një fushë veprimi me rregulla të barabarta është e arritshme (pas shumë mundimesh të palëve të interesuara në treg). Thënë kjo, sektori bankar do të ketë të paktën në të ardhmen e parashikueshme, avantazhin e të qenët aktor ekzistues në treg, me reputacionin, sigurinë që garanton, gamën më të gjerë të shërbimeve që ofron etj.

Çfarë pritshmërish keni nga aplikimi i bankingut të hapur?

Siç thashë dhe më sipër, mendoj se qëllimi kryesor i bankingut të hapur është liberalizimi i aksesit për konsumatorin në instrumentet e veta financiare.

Konsumatori pagues do të ketë mundësinë e zgjedhjes, me barriera më të reduktuara. Kjo do të sjellë pashmangshmërisht në afat të shkurtër dhe afat të mesëm, edukimin financiar të tij.

Dhe natyrshëm do të vijë më pas zhvillimi dhe maturimi i tregut të pagesave me aktorë racionalë, që kuptojnë se çfarë janë duke bërë dhe pse dhe si e përdorin një alternativë transaksioni mbi një tjetër.

Ndërgjegjësimi i rritur i konsumatorit do ta bëjë këtë të fundit që të ketë më shumë respekt për veten dhe do ta bëjë më kërkues ndaj ofruesve të kësi shërbimesh, gjë që do të sjellë natyrshëm rritjen e cilësisë dhe zhvillimin e tregut.

Si i vlerësoni potencialet e pagesave elektronike në tregun shqiptar, duke vlerësuar një shkallë ende të lartë të informalitetit dhe përdorimit të parasë cash për transaksionet ekonomike?

Pagesat elektronike kanë pasur një evolucion shumë pozitiv në këto 10 vitet e fundit. Kanë ardhur nga hiçi, për të zënë sidoqoftë vend në realitetin e përditshëm të konsumatorit shqiptar. Kështu që duhet t’ia njohim këto merita.

Ndërsa për sa i përket cash-it, përdorimi i gjerë i tij mund të reduktohet me sukses vetëm me nisma top-down, që vijnë nga qeveria dhe institucionet ligjzbatuese.

Për sa kohë që transaksionet cash janë të pranuara dhe të përdorura masivisht, niveli i transaksioneve elektronike do të jetë i cunguar dhe do të njohë vetëm rritje organike, e krijuar nga nevoja, dhe jo rritje disruptive që shkund shtyllat ekzistuese. Por përfundimisht, këto janë procese transformative që kërkojnë ndryshim sistemik në qasje, mentalitet dhe edukim dhe, si të tilla, duan kohën e tyre. Por nuk janë të pamundura.

Cilat mund të jenë avantazhet e mundshme konkurruese të institucioneve financiare të pagesave ndaj bankave?

Shpejtësia dhe fleksibiliteti i proceseve, produkteve dhe shërbimeve që ofrohen prej tyre, në krahasim me bankat. Do guxoja të thosha edhe tarifat më të ulëta, por duke qenë se nuk kam shembuj konkretë, nuk mund ta them me autoritet të plotë.

Sepse për të mbajtur shërbimin fleksibël, të shpejtë dhe user-friendly, makineria që e mbështet nga pas është shumë e kushtueshme. Ndaj nuk e di nëse shërbimet dhe produktet që do të hidhen në treg nga institucionet alternative të bankave do të kenë avantazh konkurrues në këtë aspekt.

Cilat segmente të tregut të pagesave shihni më shumë potenciale për depërtimin e institucioneve fintech?

Globalisht, gurët kilometrikë të zhvillimit dhe depërtimit të pagesave alternative dhe/ose elektronike janë pak a shumë të njëjta në të gjitha shoqëritë konsumatore. Segmenti i parë i tregut që i përqafon lidhet me pagesat periodike, qofshin këto fatura mujore, utilitare, taksa, etj.

Më pas vijnë transaksionet peer-to-peer (P2P), që janë transfertat midis individëve. Flasim këtu për shuma të vogla, jo remitanca. Skenarë të tillë janë prindër që u dërgojnë para xhepi fëmijëve, kolegë që ndajnë të përditshmen, me ndonjë konsum kafeje, dreke, apo dhurata të përbashkëta, e të tjera të ngjashme, pra komunitete që kanë nevojë të marrin dhe dërgojnë para midis njëri-tjetrit.

Dhe një herë që kjo sjellje është bërë pjesë e së përditshmes, zgjerohet në pagesa të tjera në supermarket, farmaci, restorante e të tjera me radhë.

Duke pasur parasysh karakteristikat dhe madhësinë e tregut shqiptar, mendoj se depërtimi i pagesave alternative të ofruara nga FinTechs që pritet të operojnë në treg, do të jetë gradual. Sigurisht, mirëpres çdo surprizë pozitive, por tregu ynë i konsumit mbetet shumë konservator dhe skeptik në qasjen ndaj instrumenteve të reja financiare. Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular