INTERVISTA/Flet Stela Shkodrani, Drejtore e Përgjithshme e IutePay: Integrimi me sistemet e bankave, i ngadaltë dhe i vështirë
Intervistë me Stela Shkodrani, Drejtore e Përgjithshme e IutePay
Pagesat elektronike në tregun shqiptar kanë një potencial shumë të lartë zhvillimi. Stela Shkodrani, Drejtore e Përgjithshme e IutePay, vë në dukje se klienti shqiptar në një përqindje të lartë, ndërvepron shumë rrallë me llogarinë bankare, por ndërvepron në bazë të vazhdueshme ditore me telefonin.
Sipas saj, nëse klienti prezantohet dhe edukohet me metoda të sigurta, të shpejta, të pagesave në kohë reale, duke ndërvepruar me llogarinë personale të tij direkt nga telefoni celular, atëherë kjo do të sjellë një eksperiencë pozitive dhe rritje të përdorimit të këtyre pagesave nga publiku shqiptar.
Rritja e sektorit fintech, sipas saj, do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në përfshirjen financiare të masës dhe të uljes së përdorimit cash.
Aktualisht një nga vështirësitë më sfiduese në fushën e operimit të parasë elektronike dhe fintechs, sipas znj. Shkodrani, është pranimi i projektit të integrimit nga ana e entit bankar dhe nëse pranohet, kohëzgjatja e lartë e projekteve të integrimit që nuk ecin në të njëjtën dinamikë me zhvillimet e shpejta në Institucionet fintech si IutePay.
Si e vlerësoni zbatimin e deritanishëm të përcaktimeve të ligjit të ri për shërbimet e pagesave dhe a vlerësoni se kuadri ligjor dhe rregullator sot mundëson konkurrencë të barabartë me sektorin bankar për institucionet financiare të pagesave?
Me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të Shërbimeve të Pagesave (PSD2) në Janar 2021, pritshmëria kryesore ishte vendosja e një gjuhe të përbashkët e të standardizuar të operimit të lojtarëve të ndryshëm në tregun shqiptar, në lidhje me ofrimin e shërbimeve të pagesave në Shqipëri.
Në këtë mënyrë, ligji i ri ka ftuar lojtarë të ndryshëm të tregut financiar, përfshirë këtu institucione bankare dhe jobankare, për të hyrë në konkurrencë direkte me njëri-tjetrin, duke ruajtur transparencën maksimale drejt klientit të shërbimit të pagesës.
Ligji i ri ka mundësuar një saktësim të mëtejshëm të veçorive të çdo Institucioni Financiar, duke parashtrirë për çdo kategori kriteret e licencimit, por edhe avantazhet në ofrimin e secilit prej shërbimeve.
Edhe pse Ligji i ri ka sqaruar dhe standardizuar një pjesë të madhe të kërkesave të operimit të çdo lojtari financiar në fushën e ofrimit të pagesave, ka ende nevojë për disa evoluime të mëtejshme në implementim, në mënyrë që të garantohet konkurrencë e barabartë me institucionet që ofrojnë shërbimet e pagesave, institucionet e parasë elektronike siç është edhe IutePay dhe institucionet bankare.
Praktikisht, Ligji i ri i kërkon çdo banke të ofrojë mundësinë e integrimit direkt me ente financiare jobankë për të mundësuar ndërlidhjen e llogarive në kohë reale, që klienti mund të ketë në të dy entet përkatëse.
Aktualisht, një nga vështirësitë më sfiduese në fushën e operimit të parasë elektronike dhe fintechs është pranimi i projektit të integrimit nga enti bankar, dhe nëse pranohet, kohëzgjatja e lartë e projekteve të integrimit që nuk ecin në të njëjtën dinamikë me zhvillimet e shpejta në Institucionet fintech si IutePay.
Rregulloret e nxjerra në zbatim të Ligjit të Ri të sistemit të Pagesave, si p.sh.
Rregullorja “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit” dhe rregullorja “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit” priten të fillojnë implementim të plotë, duke nisur nga 1 Janar 2024 dhe gjatë 2023 entet që ofrojnë shërbime pagesash, janë duke vijuar që të marrin masat dhe të krijojnë kushtet e nevojshme për zbatimin e kërkesave të kësaj rregulloreje.
Përveç implementimit të “bankingut të hapur”, siç edhe njihet ndryshe, zbatimi i rregulloreve të sipërpërmendura në janar 2024, gjithashtu pritet që në 2024 të dalë dhe direktiva e tretë e Sistemeve të Pagesave.
Direktiva, që do të sqarojë edhe më tepër diferencën ndërmjet një enti pagese dhe një enti paraje elektronike, pritet të sjellë rregulla mbi efikasitetin dhe sigurinë e pagesave elektronike e dixhitale dhe shërbimeve financiare, si dhe synon të përmirësojë konkurrencën dhe inovacionin në industrinë financiare.
Çfarë pritshmërish keni nga aplikimi i bankingut të hapur?
Nëpërmjet implementimit të bankingut të hapur, të gjithë entet financiare në treg do të kenë mundësinë të lehtësojnë shërbimet ndaj klientëve të tyre, pasi nuk do të jetë më e nevojshme që klienti të ndërveprojë me disa aplikacione financiare për kryerjen e një shërbimi të vetëm të dëshiruar.
Praktikisht, bankingu i hapur do t’i ofrojë mundësinë çdo klienti të përdorë një aplikacion financiar që ai klient e shikon me vlerë të shtuar, të rimbushë llogarinë financiare në kohë reale direkt nga llogaria bankare dhe të kryejë një pagesë të menjëhershme.
Në kuptimin e ofrimit të shërbimeve të bankingut të hapur, potenciali i shërbimit dixhital nga fillimi në fund dhe eksperienca e klientit e përmirësuar kanë pritshmërinë më të lartë.
Për vitin 2024, pritshmëritë janë se të gjithë entet do të jenë në fazat e fillimit të zbatueshmërisë dhe përshtatjes me kërkesat dhe kriteret e realizimit të një bankingu të hapur, si dhe edukimi i klientit për të realizuar një shërbim pagese, duke lejuar ndërveprimin e llogarive të tij të ndryshme financiare nëpërmjet një aplikacioni të vetëm.
Te fusha e edukimit ndaj metodave të reja të ofrimit të pagesave, vlerësoj se entet fintech, siç jemi edhe ne, po luajnë një rol tepër të rëndësishëm në edukimin e klientit shqiptar.
Si i vlerësoni potencialet e pagesave elektronike në tregun shqiptar, duke vlerësuar një shkallë ende të lartë të informalitetit dhe përdorimit të parasë cash për transaksionet ekonomike?
Potenciali i pagesave elektronike në tregun shqiptar është tepër i lartë dhe kjo vihet re në baza ditore nga ana jonë gjatë procesit të analizës së kërkesave të shërbimit që ka klienti shqiptar.
Klienti shqiptar, në një përqindje të lartë, ndërvepron shumë rrallë me llogarinë bankare, një herë në muaj për tërheqjen e pagës, por ndërvepron në bazë të vazhdueshme ditore me telefonin celular dhe në veçanti me telefona celularë të kategorisë ‘smart’.
Nëse klienti prezantohet dhe edukohet me metoda të sigurta, të shpejta, të pagesave në kohë reale, duke ndërvepruar me llogarinë personale të tij direkt nga telefoni celular, atëherë përvoja e klientit është edhe më pozitive, pasi ai arrin të realizojë një transaksion në kohë reale në mënyrë të plotë, transparente dhe të monitorueshme në mënyrë dixhitale. Institucionet fintech të parasë elektronike si ne, mundohen në bazë ditore të edukojnë klientin se sa më e lehtë dhe se sa më e sigurt është të regjistrohesh me një llogari paraje elektronike tërësisht online dhe të nënshkruash në mënyrë dixhitale me metoda të certifikuara.
Në Iute, ne jo vetëm regjistrojmë dhe nënshkruajmë elektronikisht, por ne ofrojmë mundësinë e pagesës në kohë reale online me para elektronike, apo marrjen e një kredie online për të financuar transaksionin (Paguaj tani apo Paguaj më vonë).
Duke qenë se jo shumë klientë shqiptarë e përdorin llogarinë bankare apo vizitojnë bankën, entet e parasë elektronike e ofrojnë të njëjtin shërbim të inkorporuar brenda mjetit më masiv të përdorimit nga klienti shqiptar: një aplikacion i thjeshtë për t’u përdorur dhe i sigurt direkt nga telefoni celular. Në këtë mënyrë, ne luajmë një rol tepër të rëndësishëm në përfshirjen financiare të masës dhe të uljes së përdorimit cash.
Cilat mund të jenë avantazhet e mundshme konkurruese të institucioneve të parasë elektronike ndaj bankave?
Avantazhet kryesore që e diferencojnë një institucion të parasë elektronike kundrejt bankave është dinamizmi që i karakterizon për të qenë të parët në ofrimin e metodave alternative të pagesave dhe të transfertave, duke investuar në teknologjitë më të fundit të ndërtimit të platformave të parasë elektronike dhe të pagesave të sigurta në kohë reale.
Bazat kryesore të ofrimit të shërbimeve nga portofolat elektronikë si Myiute janë kryerja e veprimeve pa prani fizike të klientit, fshirja e detyrimit në kohë reale direkt pas kryerjes së pagesës, ofrimi i transparencës maksimale ndaj klientit për çdo transaksion të kryer apo komision të përfshirë.
Gjithashtu një avantazh i enteve të parasë elektronike është ndërveprimi në mënyrë të pavarur direkt nga telefoni celular, pa përfshirjen e një llogarie bankare, duke ofruar metoda të ndryshme rimbushjeje, apo shkarkimi të llogarisë tërësisht në ndërveprim dixhital, si p.sh., në ATM apo nëpërmjet kreditimit dixhital direkt në llogari të parasë elektronike.
Fokusi kryesor i një Institucioni Paraje Elektronike është ruajtja e një marrëdhënie dixhitale me klientin, duke eliminuar sa më tepër radhët, letrat fizike dhe firmosjet fizike, duke mundësuar kështu një shërbim të shpejtë, transparent dhe të sigurt.
Në cilat segmente të tregut të pagesave shihni më shumë potenciale për depërtimin e institucioneve fintech?
Potencialin për t’u përfshirë si mundësi pagese brenda një Aplikacioni fintech e ka çdo lloj pagese që do të përbënte një mbyllje të ciklit të kërkesës së klientit në një Aplikacion të vetëm celular.
Ajo që nënkuptojmë te kjo pjesë është se dëshira jonë si Fintech është t’i ofrojmë klientit mundësinë e rimbushjes së llogarisë së parasë elektronike, në mënyrë dixhitale, që ai të realizojë një pagesë utilitare si ujë, drita, internet, parkim, gjobë, rimbushje telefonike, por të ketë mundësinë të paguajë gjithashtu edhe për një produkt pranë një Tregtari, ose të blejë një kafe, apo të marrë ose dërgojë një transfertë paraje dhe nëse nuk ka balancë të mjaftueshme, të aplikojë direkt për një kredi në mënyrë dixhitale për të financuar transaksionin. Segmenti ku ne fokusohemi janë pagesa në vlera të vogla, por të shpeshta, të realizuara me teknologji të leximit të kodeve QR – Skano dhe Paguaj.