Flasin miqtë e policit amerikan që vrau gruan shqiptare dhe dy djemtë: Blenë shtëpinë 600 mijë $
Një ngjarje e rëndë ndodhi të shtunën e 30 dhjetorit 2023 në Nju Jork ku forcat e policisë gjetën një kolegun e tyre të vetëvrarë në banesën e tij. 49-vjeçari Watson Morgan kishte vrarë më herët me armën e tij të shërbimit bashkëshorten me origjinë shqiptare Ornela Morgan (Rori), 43-vjeçe me origjinë nga Korça dhe dy djemtë e tij, të moshave 10 dhe 12 vjeç.
Oficerët e policisë shkuan të kryenin një kontroll të banesës pasi Watson nuk u paraqit në punë. Ediat amerikane shkruajnë se ai ishte një oficer i skuadrës së trajnimit të të rinjve dhe pritej të dilte në pension në muajin mars. Të katër anëtarët e familjes janë gjetur të vdekur me plagë me armë zjarri.
“Në këtë fazë të hetimit besohet se Watson vrau gruan dhe dy fëmijët e tij, përpara se të vriste veten me një plagë të vetëshkaktuar me armë zjarri”, – tha policia. Në vendngjarje u sekuestrua një pistoletë.
Kenyatta Jones-Ariette, mike e familjes Morgan bëri një dedikim në Facebook për ngjarjen. “Zemrat tona janë super të rënduara sot. Lutemi për paqe. RIP Ornela, Watson, Gabe dhe Liam. Ndonjëherë ndodhin gjëra që janë të vështira për t’u kuptuar. Ti pyet veten nëse kishte ndonjë gjë që mund të kishe bërë për të ndryshuar rezultatin. A ka diçka që mund të kisha thënë për të ndryshuar trajektoren? Ne të gjithë kemi udhëtimet tona individuale edhe pse e zëmë këtë hapësirë që e quajmë tokë të përbashkët. Asnjëherë nuk e di se çfarë ndodh brenda kokës së dikujt”, – shkroi Jones-Ariette.
Policia e Bronxville tha se Watson nuk u paraqit në turnin e tij të mbrëmjes të premten, kështu që ata kontaktuan policinë e Clarkstown për të bërë kontrollin e banesës. Familja Morgan e kishte blerë shtëpinë në New City në 2016-ën për 577 mijë dollarë. 43-vjeçarja shqiptare ishte mësuese në sistemin shkollor publik të qytetit të Nju Jorkut. ©LAPSI.al