BallinaRajoniUshtria serbe propozon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, zbulohet arsyeja

Ushtria serbe propozon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, zbulohet arsyeja

spot_img
spot_img

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë nisi një iniciativë dhe i propozoi presidentit Aleksandar Vuçiç rikthimin e detyrimit për të shërbyer në ushtri deri në katër muaj, njoftoi Ministria e Mbrojtjes më 4 janar.

Kjo, siç thuhet, është bërë “me qëllim të rritjes së aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura të Serbisë, përmes përtëritjes dhe përmirësimit të stërvitjes së forcave aktive dhe rezervë”.

“Propozimi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë vjen pas një shqyrtimi të detajuar të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral, i cili imponoi nevojën e përshtatjes së modelit të plotësimit të ushtrisë që do të mundësonte forcimin e potencialit të përgjithshëm, rekrutim dhe trajnim të një numri më të madh të qytetarëve për mbrojtjen e vendit tonë”, thuhet në njoftim.

Paraprakisht, ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç ka paralajmëruar fillimin e procedurës parlamentare për vendimin e anuluar për pezullimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe rishikimin e ligjit që rregullon këtë detyrim.

Më 4 janar, Vuçeviç i tha televizionit Happy se nisma po fillon në bazë të një vlerësimi të situatës së sigurisë në vend dhe se shumë vende evropiane po riaktivizojnë detyrimin për të shërbyer në ushtri.

Ai deklaroi se nuk ka pasur shërbim të detyrueshëm ushtarak për 13 vjet dhe se ushtria “tash ka nevojë të plotësojë kuadrin rezervë”.

“Kemi 13 gjenerata ku nuk ka pasur shërbim të detyrueshëm ushtarak, 13 gjenerata kanë lënë rezervën e Forcave të Armatosura të Serbisë. Nevojat tona të mbrojtjes dhe sigurisë janë që të kemi rekrutë të rinj dhe një skuadër të re, e cila është gjithmonë e gatshme të mbrojë vendin. Nuk do të thotë se po përgatitemi për konflikte apo se disa luftëra janë në horizont”, tha Vuçeviç.

Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri.

Tema e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak nuk është e re në deklaratat e zyrtarëve.

Në vitin 2022 për këtë ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa një vit më parë edhe ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç.

Në deklaratat e tyre, zyrtarët serbë theksojnë se Serbia nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë qëllim për t’u anëtarësuar në NATO.

Në rast se qeveria aktuale vendos të kthejë shërbimin ushtarak në kuadrin e rregullt, Serbia do të jetë ndër vendet e pakta në Evropë, si Suedia, Lituania apo Gjeorgjia, të cilat e hoqën këtë detyrim dhe më pas e rivendosen atë.

Vendet evropiane që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Greqia dhe Qipro./REL

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular