BallinaTe tjera“Na hyri frika, e dinim ç’na priste nga një hetuesi e këtij...

“Na hyri frika, e dinim ç’na priste nga një hetuesi e këtij lloji”- Dëshmia e ish-oficerit të Marinës: Në kampin e Ballshit na erdhi kunati i Kadri Hazbiut dhe na tha se…

spot_img
spot_img

Nga Maksim Rakipaj

Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu  tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976,  i ati u përjashtua nga partia.

Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015),  ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.

Fundi i përrallës?

Në ditët në vazhdim, Bashkimi tregon edhe bëma të tjera të Izet P., si u takua ky me Frankon, si e pispillosën me kostum të shtrenjtë, këpucë të hatashme, pallto, kapele republikë, paratë vu, sa shpejt i hyri në zemër Frankos. Mbeti pa mend Franko, nga erudicioni i I…! Në ç’gjuhë bisedonin?! Në italisht?! Por ne, që e dimë tashmë nivelin e italishtes së tij, vrasim mendjen se ku e kanë hallin ustallarët e Izetit, çfarë duan të arrijnë me këto profka?! Mendja na shkon se lart, po i bëjnë gropën Hysni Kapos. Po ç’punë kanë me ne?! Bashkimi thotë në fillim se I., kishte porosi t’i rrëfente diçka nga bëmat e tij, vetëm Aladin Kapos dhe Aladini është djali i vëllait të madh të Hysniut. Aladini u prezantua me I., ashtu si e bëmë plan bashkë. I tha I., se me mua shoqërohet nga halli dhe se nuk më hapet për asgjë.

Nga bisedat Aladinin, – I. kuptohej që pas I., ishte dora dhe mendimi i hetuesve tanë, sidomos i n/kryetarit të Degës së Brendshme të Durrësit K. Sh. dhe i hetuesit tonë S. S…! Ne e dinim që K. Sh., ishte kunati i Kadri Hazbiut. Na hyri frika. Nga bisedat me të dënuar të rangjeve të larta, kemi mësuar se ç’të pret nga një hetuesi e këtij lloji. Nën torturat e kasapëve të Enverit, njeriu është gati të pohojë çdo gjë, një lloj përvoje e patëm provuar edhe vetë. Le pastaj torturat psikologjike, kërcënimet që bëjnë, për trajtimin që i pret familjet tona. Po sikur t’i japim një mësim të mirë këtij I. P.? Mundësitë i kemi, kemi plot miq këtu, që janë të gatshëm për këtë. E lemë mënjanë këtë mundësi.

I. P., është arrestuar në kufi, bashkë me të shoqen, kur po tentonte të arratisej, është dënuar 25 vjet ai dhe 15 e shoqja. Kushedi se çfarë i kanë premtuar…?! Sa për takimin me z/v ministrin Agron Tafa, e kemi të qartë tani, që është krejtësisht i sajuar, si gjithë të tjerat. Si t’ia bëjmë?! Të presim deri sa xhuxhi me emrin I. P., të sajojë ndonjë gjë kundër nesh, tek krimineli K. Sh?! Aladini i bie shkurt. Një ditë më thotë:

– “Dëgjo, nisa disa letra lart, për këtë histori. I shkrova Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Rrapi Minos dhe Abaz Bratajt, që janë Prokurori dhe zv/Prokurori i Përgjithshëm. Nuk të thashë gjë ty, kisha frikë mos më pengoje. E preka cektaz historinë e I. P., me dy fjalë. Shkrova që të na lenë të kryejmë dënimin që na kanë dhënë, sado i rëndë e i pamerituar, është ky dënim. Shkrova që dikush, po luan në kurrizin tonë, që… Si thua, bëra gabim?!

– “Gabim a drejt, nuk di të të them, Aladin. Sidoqoftë, s’kishe ç’bëje tjetër. Me atë letër ua prishe planet K. Sh. me shokë, por i pari që do ta pësojë, do të jem unë. Ty, si nip të Hysniut, nuk besoj të të ngacmojnë më. Mos e vra mendjen, ke vepruar drejt. Po ta zvarrisnim edhe më, rrezik të na përlanin edhe ne, të na shtronin në dru dhe kishim për të pranuar, që paskemi qenë edhe agjentë japonezë në Luftën II-të Botërore…”!

…Pa kaluar dhjetë ditë, më afrohet pa u ndjerë, tellalli i kampit të Ballshit dhe më pëshpërit në vesh, se dikush kërkon të më takojë: “Shpejt, kështu si je, hajde me mua”! Kam kohë sa t’i them Aladinit, që më kërkojnë. Aladini u pre në fytyrë. Shkoj pas tellallit. Na hapin derën e vogël te porta e kampit dhe aty më pret një polic: “Hajde me mua”! Bëjmë nja dhjetë metra dhe troket në një derë. Hapet dera. Në një zyrë të madhe, ku është vetëm një tryezë me telefon sipër dhe tri-katër karrige, më pret buzagaz, krimineli Kapllan Shehu…”!

– “Eja Maksim. Me shëndet si je? Nga familja të kanë ardhur në takim? Ulu, ulu aty në karrige”, – ndërsa vetë, ulet ndonjë metër më larg.

– “Mirë, faleminderit zoti Kapllan. Po, më kanë ardhur nga familja dhe janë mirë”.

– “Më bëhet qejfi. Më bëhet qejfi që edhe me shëndet të shoh mirë. Hë, ç’na thua? Je ambientuar këtu në Ballsh? Se ka edhe Spaç, ka edhe Burrel, ë, e di apo jo? Ka edhe internim për familjet tuaja. Ke dëgjuar për një fshat, që i thonë Luf, andej nga Puka? O nëne, nëne, të keqen e Spaçit…! Por ne mendojmë, se sado që ju gabuat, nuk duhet t’ju hedhim poshtë, prandaj edhe nuk ju dërguam në Spaç a në Burrel, sepse partia, ju quan bijtë e saj. Por ju, duhet ta meritoni besimin e partisë, Maksim. Me ty dua të flas hapur, pa doreza. A do ti, Maksim Rakipaj, të punosh për Sigurimin e Shtetit? E dua shkoqur, po ose jo, si burrat”?!

– “Jam shumë i emocionuar zoti Kapllan, nuk më besohet. Vërtet e keni”?! – hyj në rol menjëherë, duke m’u dridhur zëri…!

– “Mos më thuaj zotni. Këtej e tutje do jemi kolegë, shoku Maksim. Pra, je dakord domethënë”?!

– “Sigurisht që jam dakord, shoku Kapllan! Më thuaj vetëm kur do të filloj, si do dal nga burgu, kur, çfarë duhet të bëj, ku do të shkoj? T’u them nga shtëpia që do lirohem”?

– “Avash, avash…! Kush tha që do lirohesh ti tak-fak?! Prit njëherë, vetëm një vit e ca ke bërë. Ohuu, ka dava Janina! Nuk e di a më kuptove, apo tall bythën me mua?! Po ta sqaroj edhe një herë, që të kuptohemi. Sigurimi i Shtetit, i ka njerëzit e tij kudo. Edhe jashtë shtetit, edhe nëpër ndërmarrje, edhe në ushtri, kudo. Edhe në burg. Me që më the që je dakord të punosh me ne, hajde fillo, që tani. Më thuaj, çfarë të shqetëson ty?! Po Aladinin? Po të tjerët? Ke plot për të thënë. Hajde, jepi, se po të dëgjoj”.

– “Tani fole hapur zoti Kapllan. Domethënë, ti do që unë të bëhem një copë spiuni jot, si filani dhe filani, apo si ai haleja, që më lajmëroi të vija këtu…?! Harroje që unë mund të bëhem si ata, unë të tradhtoj shokët e miqtë e mi të vuajtjeve dhe ti me shokë, të merrni dekorata. Përgjigja ime është: JO. A mund të largohem tani”?

– “Si ta kesh qejfin. Nga anët tona thonë: ‘Shëndoshë manastiri, se kallogjerë ka plot’. Vetëm…mos kujto se mbyllet me kaq. Do bëhesh pishman që ke lindur, po të them. S’ke faj ti, s’ke parë ç’do të thotë hetuesi, nga ajo specialja…! Po do ta kem merak vetë këtë gjë, do ta provosh shumë shpejt edhe ti. Dhe kur të dalësh, po dole gjallë ndonjëherë nga burgjet, ku do gjesh tët’atë, nuk do gjesh tët’ëmë, ku do gjesh një motër, s’ke për të gjetur vëllanë, mbaje mend mirë! Mbushu”!

Ngrihem nga vendi dhe kap dorezën e derës. Ul dorezën dhe, para se të dal, i them:

– “Pres çdo gjë prej jush. E di se ç’të bëni ju. Kështu e vratë xhaxhanë tim, Hysenin. Me mua bëni ç’të doni. Deri tani kam jetuar, si më ka dashur qejfi, punë e madhe po më vratë, keni vrarë edhe më të rinj se unë. Vetëm mbaje mend! Po cënove njerëzit e mi, mjerë ti! Do të të rrjep me duart e mia dhe po të kesh vdekur, do të vi të të dhjes mbi varr”!

E lashë të shtangur dhe dola. Nuk shihja nga sytë, më dridhej trupi nga nervat. Polici, që rri te dera më foli:

– “Ku vete, andej është lavanderia. Këtu, nga e djathta ec”!

Hyra në kamp. Aladini më priste gjithë merak.

– “E? Kush ishte”?!

– “Ai muti, Kapllani ishte”.

– “Ika Makso, tani po më pret mua. Më prit këtu, se vetëm një minutë punë kam dhe erdha”.

Edhe Aladinin, e pret me atë maskë buzagazi: “Hë, si je? Top qenke me shëndet, mos u qaj”.

– “Pa më thuaj njëherë ti, Kapllan Shehu, pse më ke thirrur?! Nuk besoj se të plasi bytha, të më shohësh si jam me shëndet. Tani ik andej nga ke ardhur dhe sa të jesh gjallë ti dhe kush të ka urdhëruar që të vish këtu, prisni hakmarrjen time. Në burg e keni vendin ju dhe jo unë me shokët e mi. Kaq kisha dhe mos të ta shoh më surratin”.

Pas një jave më transferuan në Spaç. Ishte korriku i vitit 1979. Me Aladinin u ritakova në Qaf-Bar, në dhjetor ’82.

INTERMEXO II

Të burgosurit e dashurisë

1 – L’amour

Kam njohur disa bashkëvuajtës, të cilët kishin përfunduar në burg, për shkak të dashurisë. Pikërisht. Për dashurinë! Dikush donte të arratisej, për të shkuar mbas gruas në Rusi, a gjetkë…e dënuan 25 vjet. Një vajzë e re u dashurua pas tij, në sallën e gjyqit. Vëllezërit i kishte anëtarë partie. E përzunë nga shtëpia. Vuri kurorë në burg, me të dashurin e saj. E priti jo pak, por plot 25 vjet. E persekutuar, e internuar, e përfolur dhe e braktisur nga të gjithë. Kur u lirova, i gjeta të dy bashkë, nuk ishin më të rinj si para 25 vjetësh, por më ngjanin aq të bukur që të dy…! Në vitin ’92 i takova përsëri, sapo ishin kthyer nga Moska. Kishin shkuar që të dy, për të takuar gruan e parë të tij, rusen e bukur, bashkëshorten e dikurshme…!

Në Spaç u njoha me A.R., dibran. Kish mbaruar në Sorbonë, për letërsi. Shkëlqyer, medalje ari, nga të rrallët student, që e meritonin. Temë diplome, pat zgjedhur një studim për Migjenin, juria franceze mbeti gojëhapur. A., kishte jetuar disa vjet në Paris dhe ishte integruar plotësisht, në jetën pariziene. Kishte zënë edhe një të dashur franceze, po e quajmë Irenë. E bukur dhe e pasur Irena.

Daja i saj, pronar i një rrjeti televiziv me emër, pat bërë edhe ndonjë emision për letërsinë shqipe, ku i ftuar kryesor, ishte shqiptari i talentuar…! “Më thoshte gjithnjë daja i Irenës: – Sa të mbarosh, e ke të garantuar punën në TV”! Por nuk qe e lehtë. Sado që A. ruhej të mos e merrte vesh asnjë student tjetër shqiptar, ambasada kishte rrjetin e saj të informatorëve, midis studentëve. Një herë në javë, të gjithë studentët shqiptarë, ishin të detyruar të mblidheshin në ambasadë. A., pat mbaruar shkëlqyeshëm studimet dhe priste të tërhiqte edhe medaljen e artë, që pat fituar.

Por kishte bërë një gabim të rëndë: “…i qenë errësuar sytë nga shkëlqimi i rremë i borgjezisë franceze”! (Kjo ishte akuza për A.) dhe kishte bërë martesë zyrtare me Irenën. Studentët spiunë, e patën bërë punën e tyre. Ambasadori lajmëroi qendrën: “Armiku po na merr djemtë”! Dy ditë para se të merrte diplomën, A., merr një telegram urgjent nga Shqipëria: “Babai shumë rëndë, stop nisu urgjent, që ta gjesh gjall,ë stop”. Para se të nisej u takua me Irenën. Duke dyshuar për ndonjë kurth të mundshëm, i tha: “Nëse nuk kthehem më dhe nëse nuk lidhemi dot me telefon, dije se jam në burg, ose i vdekur”! E donte shumë babën e vet dhe nuk mund të mos i përgjigjej, thirrjes nga familja.

Në Rinas, për çudi, e priste vetë babai. Turivarur i thotë: “Të nisi partia në Francë, për të studiuar dhe jo për të shkërdhyer kurvat e Francës, edepsëz! Na nxive faqen, para partisë! Turp të kesh”!

“Po unë studiova, baba, mora medalje ari”!

“Fshi bejthën me diplomën, tani”!

Të gjitha tentativat për të folur me Francën, ishin të kota. Ishte viti 1974. Miqtë e babait, i siguruan një takim me Ramiz Alinë. Pyetjes së Ramizit; “Pse u martove në Francë”?! A. iu përgjigj, me naivitet: “Kushtetuta, nuk e ndalon martesën e shqiptarëve me shtetas të huaj, shoku Ramiz. Si student e nderova vendin, me medalje ari. Si djalë i ri, u dashurova me Irenën… Nuk e kuptoj, ku është faji që kam bërë unë”?!

Familja e Irenës, kishte miq të fuqishëm në Paris. Ata ndërhynë deri te presidenti francez i asaj kohe, z. Valeri Giscard d’Estaing. Presidenti francez, i dërgon një letër miqësore, homologut të tij shqiptar, Haxhi Lleshit…! Xhikja i shkretë, që partia e detyroi të divorcohej në pleqëri, merrte rrogën kot si president. Letrës së presidentit francez, ata që drejtonin dhe komandonin çdo gjë, madje edhe jetën private të cilitdo, i kthyen këtë përgjigje: “Z. d’Estaing, ju informojmë z. President se A., ish student në Sorbonë, është një Don Zhuan. Ai tani bën të njëjtën gjë edhe në Shqipëri, si njeri i pamoralshëm që është. Madje, refuzon të vijë në Paris, për të tërhequr diplomën… etj., etj.”!

Rezultat i menjëhershëm i asaj letre, ishte arrestimi dhe dënimi tetë vjet burg, për agjitacion e propagandë. Sot A., jeton në Francë, kam shumë vite pa e parë…!

2 – Dashuri dhe tradhti…!

Nga miqtë e parë që zura në Spaç, ka qenë Zydi Morava, prej tij njoha edhe Hiqmet Myzyrin, Islam Spahiun, e plot të tjerë. Janë shumë. Njoha edhe G. H., një ish kampion i njohur boksi në Durrës, në vitet ’60-të. Kur ishte i ri, e mbaja mend turbull, një djalë më tepër se simpatik, i fuqishëm, për 8 vjet rresht kampion kombëtar, në sportin e tij dhe më pas trajneri në një ekip sporti të rëndë, në rrethin e Durrësit. Shkëlqeu edhe atje. Një ekip i padëgjuar dhe në kategoritë e ulta, në sajë të punës së tij, doli në kategorinë e parë dhe shumë shpejt, edhe kampion i vendit.

Ishte i zoti G., veç sportit merrej edhe me punime private në dru, mobilieri, etj. Fitonte mirë. Ra në dashuri dhe u martua me një vajzë bukuroshe, që i dha dy vajza. G. e adhuronte të shoqen dhe vajzat. Me gruan sillej gjithnjë, edhe pas disa vitesh martese, si në ditët e para të dashurisë. Nuk linte që t’i mungonte gjë asaj, kurrë nuk e kish ngritur zërin, i fliste gjithnjë vetëm me përkëdheli. Një qëllim kishte: ajo dhe vajzat e tyre duhej të ishin përherë të lumtura. I lumtur ishte dhe vetë G., nuk i mungonte asgjë.

Gjendja ekonomike e tyre ishte më se e mirë, dy vajza si yll dhe një grua e bukur që e dashuronte çmendurisht. Ç’duhet më tepër, për të qenë i lumtur?! Shëndeti, paratë, dashuria… të gjitha i kishte me të tepërt…! “I lutesha zotit, vetëm jetë të na jepte, që ta jetonim sa më gjatë ëndrrën tonë të bukur, o Maks”, më thoshte i miri, i paharruari G…! Por nuk qe e thënë. Një ditë, u kthye para kohe në shtëpi, 3 orë para orarit të zakonshëm. Hapi derën… dhe gjeti gruan e tij, në shtrat me një tjetër.

Nuk foli asnjë fjalë, nuk bëri asnjë gjest. Mbylli derën dhe doli për të mos u kthyer më atje. Gjeti një vend tjetër, për të fjetur. Divorci u bë shpejt, G. nuk pati asnjë kërkesë a pretendim, ndaj ish-bashkëshortes. Nuk e akuzoi për shkelje kurore, thjesht; “mospërputhje karakteresh”. Filloi alkoolin, që e pat quajtur gjithmonë; armik të vetin. Dehej çdo ditë, që në mëngjes. Netëve, mezi gjente rrugën, për t’u kthyer në kthinën e tij. Kur dehej, vetëm këndonte, këngë ruse dhe italiane… dhe qeshte e bënte shaka, me të gjithë. Nuk zihej kurrë. Jo pse ia kishin frikën grushtit të tij me nam edhe jashtë vendit, por sepse, të gjithë e donin dhe e respektonin…! “Më thoshin të gjithë: mos pi se do shkatërrosh veten…! e si të mos pi?! Kur vetëm i dehur jetoj dhe mund të këndoj… dhe mund të bëj dashuri? Ë? Ik pirdhuni të gjithë, iu thosha, ju s’merrni vesh nga jeta”!

Një ditë të bukur ndodhej në bufe “Ylli”. Sapo i erdhi në tavolinë një dopio raki që porositi, i afrohet një civil dhe i thotë në vesh: “Dil një minutë jashtë, se të pret një shok”! Jashtë e priste makina e Degës, për ta arrestuar… “më mbeti merak, ika pa e pi edhe atë dreq dopio dhe e pata parapaguar”! Trupi gjykues, kërkoi 4 vjet burg. “Po çfarë trupi gjykues jeni ju, more? Si e dënoni tjetrin pa faj? Bëtë llo-llo-llo, dy sahat, dhe nuk vërtetuat asnjë akuzë! Ju jeni TRAPI gjykues, jo trupi gjykues”!!

Për fyerje të trapit, më falni, trupit gjykues, i shtuan edhe dy vjet të tjerë. E dënuan 6 vjet. E dërguan në Spaç, për të vuajtur dënimin. Atje u sëmur, njëra këmbë filloi t’i atrofizohej dhe filloi të çalonte. Fitoi një raport paaftësie, për nëntokë. Ndihmat që i dërgonte e ëma, nga Tirana, nga pensioni i saj, ishin të pakta. Nuk mund t’ia lejonte vetes, t’u lypte cigare të tjerëve…! Kërkoi me ngulm, të punonte nëntokë dhe e lejuan. Ka punuar gjithmonë me lopatë nëntokë, gjithmonë në grup, me Llambi Gjideden. Dhe ashtu, duke tërhequr një këmbë zvarrë, punonte si kalë. Merrte gjithmonë, mbi 1500 lekë të vjetra, çdo muaj. Muajt e fundit, para se të lirohej, mori një të ftohur. Nuk mund të punonte më nëntokë. Bashkë me Visarin, e morëm që të hanim bashkë, me ndihmat që na dërgonin familjet tona. I shërbenim me radhë, duke i çuar në shtrat, ndonjë kafe, kakao, apo çaj të nxehtë, deri sa u bë mirë dhe e mori veten plotësisht.

U lirua me amnistinë e vitit ’82. E porosita, të shkonte të takonte familjen time. Shkoi, u përqafua me prindërit e mi dhe nuk pranoi të pinte, asnjë gotë raki…! “Kjo më futi brenda mua”. Kur u lirova unë, në vitin ’84, u takuam me mall. Ishte bashkuar me gruan e dytë, me të cilën kishte një djalë, që ishte kopje e vet atij. Nuk them dot, se shkonin mirë burrë e grua. Punonte në një ndërmarrje, në Shkozet. U alkolizua përsëri. E la dhe e filloi disa herë alkolin, mori edhe një kurë për këtë. Më në fund e la pijen, por u mbyll në vetvete. U shmangej të gjithëve. Në ndërmarrje, kërkoi ta dërgonin në një kantier sa më larg Durrësit. E dërguan në rrethinat e Shkodrës. Aty vrau veten; u helmua duke pirë një litër koçifoz, aty rreth vitit ’86. Para se të kryente vetëvrasjen, shkroi një letër, ku shpjegonte përsenë e këtij veprimi. Letrën ia dërgoi një shokut tonë të Spaçit, Fadil Hykës.

Edhe Llambi Gjidede vdiq i vetmuar, i braktisur, pa arritur të merrte asnjë këst, të dëmshpërblimit, që do t’i kishte mjaftuar të mbyllte jetën si njeri. Dhe vdiq ashtu si jetoi, quajeni si të doni, por jo si njeri. Në një kthinë 2 x 2 m., pranë varrezave të Durrësit….! “Që t’më ken afër, kur të më shtijnë në dhe, Makso”! Memorie.al 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular