Nga Namir Lapardhaja
Nuk mund të ketë ndryshim në jetën tonë politike pa ndodhur më parë në mënyrën tonë të të menduarit.
Nëse politika na vjedh, duhet të pyesim veten se, mes të ndershmit dhe të korruptuarit, kë do të zgjedhim?
Nëse në jetën e përditshme na bëhet padrejtësi, po ne kë do të zgjidhnim mes të drejtit dhe hipokritit?
Nëse shohim politikanë dallkaukë dhe injorantë, duhet të pyesim veten se përse të diturit nuk kanë mundësi të zgjidhen?
Nëse jemi ngopur nga arroganca, përse urtësinë e njerëzve duhet ta marrim për dobësi?
Nëse brutaliteti na ka ardhur në majë të hundës, përse duhet ta konsiderojmë maturinë si mefshtësi?
Nëse do të admirojmë “të fortin”, përse duhet të ankohemi kur na shkelmojnë si të dobët?
Nëse ëndërrojmë të pasurohemi shpejt, pavarësisht burimit dhe rrugëve, përse duhet të ankohemi kur të tjetër pasurohen (edhe) në kurrizin tonë?
Nëse modeli ynë është i korruptuari, jeta luksoze, luksi i shfrenuar, përse të mos i pëlqejmë modelet që na servir vitrina e hedhurinave partiake?
Nëse duam më shumë atë që na gënjen se atë që na thotë të vërtetën, përse të mos i votojmë ata që kanë aftësi për të na gënjyer më bukur?
Ndaj, që ndryshimi të ndodhë, ai duhet të fillojë më parë në vetet tona, në mënyrën e të menduarit dhe të arsyetuarit.