Xhemal Loka, 45- vjeçari nga Dibra, që u vu në pranga për shkak se dyshohet se shtyu bashkëshorten në vetëvrasje, i ka mohuar akuzat e Policisë dhe të Prokurorisë.
Por kundër tij janë tri video që ka regjistruar djali i vogël i çiftit, kur ai ushtron dhunë ndaj Bedries. Në fakt, policia ka sekuestruar edhe një celular, që është gjendur në duart e motrës së Xhemalit, nga i cili është konstatuar se nga jashtë vendi ku ai qëndronte, e ka kërcënuar bashkëshorten e tij. Por policia ka dyshime se telefoni është pastruar përgjatë tri ditëve që ngjarja është lënë thjesht në vetëvrasje pa u hetuar asnjë dyshim.
Përgjatë dy ditëve të fundit janë zbuluar një mori detajesh që vijnë kryesisht nga familja e së ndjerës, ku në fakt vërehet se konflikti mes çiftit është i hershëm dhe madje në mes janë jo vetëm persona të tjerë, por edhe shkaqe të tjera, përpos asaj adrese false me emrin e saj në “Tik Tok”. Prokuroria dhe policia e Durrësit kanë ngritur një grup të posaçëm hetimor, ku në ndihmë të tyre tashmë kanë shkuar edhe ekspertët e Krimit Kibernetik, të cilët duhet të verifikojnë përveç personave që fshihen pas denigrimit të saj në rrjete sociale, edhe materialet që janë në telefonat përkatës të familjarëve të Xhemal Lokës, që njihet edhe me emrin Ervis, pasi ai ka ndryshuar emër, duke qenë se është arrestuar për çështje trafiqesh në një vend të Bashkimit Europian.
Dje është mësuar edhe një konflikt i hershëm mes familjes Loka, ku dyshohet se kanë ekzistuar zënka të rënda mes tyre për çështjen e një shtëpie, ndërkohë që të afërm të viktimës kanë treguar për mediat lokale edhe se Bedries në banesën e vet iu kanë vjedhur rreth 40 mijë euro. Xhemal Loka pritet të dalë sot para Gjykatës së Durrësit, ku do të njihet me masën e sigurisë për dy akuza, atë të shtyrjes në vetëvrasje të bashkëshortes si dhe mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve.
KONFLIKTI PËR SHTËPINË
Ditën e djeshme gazetarja Klodiana Haxhia ka sjellë edhe detaje të reja në lidhje me hetimin si dhe mbi një konflikt të hershëm pasurie që ka lindur mes vjehrrës dhe Bedries. Mësohet se në datën 3 janar, kur 41-vjeçarja ndërroi jetë në spital ka pasur një konflikt mes vëllezërve të saj dhe bashkëshortit, Xhemal Loka. Konflikti ka ndodhur jashtë ambienteve të morgut të QSUTsë, ku mësohet se vëllezërit donin ta merrnin trupin e të ndjerës dhe ta varrosnin vetë, pasi që në momentet e para ata dyshonin se përgjegjës që e çoi të motrën e tyre drejt vetëvrasjes ishte Xhemal Loka.
Madje, konflikti verbal u përshkallëzua drejt përplasjes fizike, por edhe pas gjithë këtij sherri, Bedria u varros nga familja e burrit të saj. Vëllezërit e Bedries shkuan në varrimin e së motrës, por nuk u futën në banesën e Xhemal Lokës për të pritur njerëz për ngushëllime pas varrimit. Por, dy ditë pas ngjarjes, vëllezërit e Bedries shkuan në polici dhe deklaruan se e motra e tyre nuk ka vdekur nga historia e “TikTok”-ut dhe se ajo është vrarë nga dhuna fizike dhe psikologjike e bashkëshortit dhe familjarëve të tij duke e çuar në vetëvrasje. Konfliktet në familjen Loka dhe dhuna ndaj Bedries ishin të hershme dhe kishin vijuar sistematikisht për shumë arsye.
Familja e Sanije Lokës nga Peshkopia (vjehrra e Bedries), nënë e 5 fëmijëve, ku një prej fëmijëve ishte edhe Xhemal Loka, u shpërngulën nga Peshkopia në fshatin Vardardhë në Sukth shumë vite më parë. Bedria dhe bashkëshorti i saj Xhemal Loka, ndërtuan një shtëpi 2-katëshe, ndërsa Sanija me djalin tjetër dolën me qira në fshatin Kodër. Vjehrra e Bedries insistonte që katin e dytë të shtëpisë ta merrnin ajo me fëmijët e djalit tjetër, të cilët i kishte braktisur e ëma.
Një kërkesë e tillë kishte shtuar edhe fjalët e nënës ndaj të birit, kundër nuses dhe sa herë që Xhemali kthehej nga kurbeti niste sherri e debati në familje deri në dhunë fizike. Madje, deri edhe në ofendimet për nder. Pavarësisht këtyre sakrificave ndaj Bedries nuk munguan sulmet, pasi jetonte e vetme me fëmijët. Po ashtu burime bëjnë me dije se Bedries i vodhën edhe para në banesë, rreth 40 mijë euro, por ende nuk është zbardhur se kush i mori paratë në shtëpinë e Bedrie Lokës.
DËSHMIA E XHEMAL LOKËS NË POLICI
Xhemal Loka ka mohuar akuzat para efektivëve të policisë se ka qenë ai shkaktar që ka çuar bashkëshorten e tij, Bedrien drejt vetëvrasjes. Ai është shprehur se madje ka tentuar ta shpëtojë 41- vjeçaren duke e dërguar menjëherë në spital, ndërsa thekson se ngjarja ka ndodhur për shkak të postimeve denigruese që bëheshin në drejtim të të ndjerës në një faqe të rrjetit social “Tik Tok”.
“Nuk e kam dhunuar gruan. Bashkëshorten e kisha për shtëpi, nuk e çova drejt vetëvrasjes. Vetëvrasja e saj erdhi si pasojë e postimeve të ‘Tik Tok’-ut. Kemi pasur konflikte si çdo familje, por gruan e doja. E kam dashur si nënën e fëmijëve të mi. Në mëngjes kam parë që kishte pirë helm dhe e kam çuar me shpejtësi drejt spitalit të Durrësit për ta shpëtuar. Gruan time e dua dhe nuk e kam dhunuar. Kam shpresuar deri në momentin e fundit që ajo të bëhet mirë. Kemi qenë të martuar për 23 vite”, – ka deklaruar Xhemal Loka, bashkëshorti i 41-vjeçares, e cila i dha fund jetës duke pirë fostoksinë.
Ndërkohë dëshmia e tij bie ndesh me deklarimet e djalit të madh të çiftit, D., i cili mban edhe emrin e gjyshit të tij, që u ka thënë oficerëve të Policisë Gjyqësore se babai e dhunonte nënën fizikisht dhe psikologjikisht gjatë gjithë kohës dhe se e ofendonte atë me fjalët më të rënda: “Babai në mënyrë sistematike ka dhunuar nënën fizikisht dhe psikologjikisht. Babai e ofendonte nënën me fjalët më të rënda të mundshme. Sipas tij, ofendimet e babait ishin shumë të rënda për nënën”, – ka deklaruar ai.
Kujtojmë se një deklaratë e tillë ishte dhënë edhe nga vajza e çiftit.
“Babai dhunonte dhe shantazhonte vazhdimisht nënën”, – mësohet të jetë shprehur e bija e viktimës para grupit hetimor. Ndërkohë që gjatë këqyrjes së telefonit të 45-vjeçarit, të cilat ia kishte dhënë për t’i fshehur motrës së tij, janë zbuluar mesazhe kërcënuese dhe video që ai i kishte dërguar gruas së tij të ndjerë. Ndërkohë, ekspertët e IT-së po zbulojnë se kush e hapi adresën e “Tik Tok”-ut.
Rezulton se 45- vjeçari ka qenë i dënuar për drogë në Francë, më pas është dëbuar nga ky shtet dhe ka emigruar ilegalisht në Greqi.
VIDEOT E DJALIT QË FUNDOSËN TË ATIN
Nuk është vetëm një video amatore që provon kërcënimet, dhunën dhe kanosjet për vrasje të 41- vjeçares, Bedrie Loka, por janë 3 të tilla. Të tria videot mësohet se janë realizuar nga aparati telefonik i djalit të Bedries, i cili në tri episode dhune ndaj nënës së tij, ka filmuar me telefon babanë e tij Xhemal Loka, teksa dhunon, kërcënon me vrasje gruan e tij.
Tri videot janë prova kryesore që thuhet se ka administruar prokuroria dhe policia e Durrësit, ndërsa oficerët kanë marrë në pyetje edhe djalin e çiftit Loka, i cili ka treguar gjithçka që ndodhte brenda mureve të shtëpisë kur ka ardhur i ati në Shqipëri. Është mësuar se në njërën prej videove, Xhemal Loka e kap në pjesën e kokës bashkëshorten e tij, duke e ofenduar me fjalë fyese, kërcënon dhe e godet me sende të forta. Ndërsa skena me kanosje me thikë dhe kërcënime kanë dy videot e tjera, të cilat janë regjistruar nga i njëjti telefon, aparat që gjendet në duart e policisë.
Përmbajtjen e këtyre videove, i arrestuari Xhemal Loka gjatë marrjes në pyetje i ka konsideruar si pjesë normale të jetës në çift të ndikuara dhe nga fyerjet ndaj saj në rrjetin social, por edhe nga distanca.
DENIGRIMI NË “TIK TOK”
Një material që mban emrin e Bedrie Lokës është shpërndarë prej dhjetorit të vitit 2022 në “Tik Tok”. Materiali denigrues është shpërndarë edhe në media sociale dhe duket se ka vijuar për një kohë të gjatë. Gruaja e denoncoi adresën në polici, por policia nuk reagoi për të ndërhyrë në bllokimin e materialeve, ndërsa në deklaratën e datës 5 janar së këtij viti tregoi se i kishte referuar materialet në Prokurorinë e Durrësit.
Kjo e fundit nuk është shprehur publikisht nëse ka hetuar, apo e ka pushuar çështjen, ndërkohë që gjithçka u përmbys me arrestimin e bashkëshortit të së ndjerës, i cili u kthye pranë familjes më 27 dhjetor të vitit që lamë pas.
Ai ka dëshmuar me datën 2 janar, ditën kur Bedria shkoi në spital me pak shenja jete se më datë 1 janar ajo nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim dhe se ia kishin kaluar mirë për festën e ndërrimit të viteve, por dëshmitë e fëmijëve tregojnë tjetër version. Tashmë i takon grupit hetimor të hedhë dritë mbi të gjitha konfliktet që e çuan drejt vdekjes nënë e 4 fëmijëve.