Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj, i cili u arrestua të premten nga autoritetet serbe në Merdarë, është transferuar në qendrën kryesore të paraburgimit në Beograd.
Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij, Xhevdet Smakiqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Informatat e fundit për rastin e arrestimit e Hasan Dakajt që i kam marrë janë se tashmë Hasan Dakaj është dërguar nga Qendra e Ndalimit në Kurshumli në qendrën kryesore të paraburgimit në Beograd në rrugën “Baçvanska””, shkroi ai.
Sipas tij, Prokuroria e Serbisë pretendon se ai në vitin 1999 ka kryer krime lufte.
“Pjesëtari i UÇK-së Hasan Dakaj pretendohet nga Prokuroria serbe se kinse ai në vitin 1999 ka kryer krime lufte si 19 vjeçar. Sipas detyrës zyrtare Hasan Dakaj i është caktuar një avokat nga Serbia, ku në intervistimin para prokurorit serb Hasan Dakaj është deklaruar i pafajshëm edhe për faktin se fare nuk ka qenë në ato lokacione sipas dyshimeve te prokurorisë së Serbisë dhe se është ngatërruar në identitet me di kënd tjetër”, u shpreh Smakiqi.