BallinaEkonomiProf. Asoc. Dr. Vesel Hoxha: Shqipëria me hartë të rrezatimit radioaktiv natyror

Prof. Asoc. Dr. Vesel Hoxha: Shqipëria me hartë të rrezatimit radioaktiv natyror

spot_img
spot_img

Mineralizimet e uranit nuk duken me sysiç dallohen mineralet e kromit, bakrit etj

 Teknikisht, studimet e sotme dhe masat zgjidhëse nuk “penalizojnë” ndërtuesit privat apo shtetërorë dhe kur sheshi rezulton me rrezikshmëri të lartë radioaktiviteti

-Sot në vendet e zhvilluara studimet për radioaktivitetin, konsiderohet një indikator përcaktues në ndërtime

– Një punë dhjetravjeçare e profesor Safet Dogjanit-

Nga Prof. Asoc. Dr. Vesel Hoxha

/Telegaf.al/ Realizimi i Hartës së Rrezatimit Radioaktiv Natyror të Shqipërisënë Shkallë 1: 200 000 dhe monografisë shoqëruese të saj, është rezultat i një pune voluminoze dhe këmbëngulëse që ka udhëhequr për shumë dekada, profesori i asociuar i gjeofizikës Safet Dogjani, gjatë punës në Institutin e Gjeoshkencave dhe Shërbimin Gjeologjik Shqiptar.

Unë pata fatin ta lexoj dhe redaktoj punimin, që nxori në dritë hartën në fjalë të Shqipërisë, falë dhe faktit që në trevën e qarkut Dibër bashkëpunova në terren me autorin, në shërbim të përpilimit të saj. Duke e vlerësuar këtë punim shkencor si të nevojshëm për t’u njohur, mendova që një përmbledhje të shkurtër t’ia bëjë me dije dhe publikut të gjërë, me shqetësimin se rrezatimi radioaktiv natyror është i lidhur drejtpërdrejt me jetët njerëzore, me cilësinë dhe sigurinë e jetës tonë. Në hartë dhe në monografi është pasqyruar niveli i njohjes së radioaktivitetit natyror të Shqipërisë, i rrezatimit total gamma, i shprehur në njësinë mikrorëngen për orë, µR/h.

Botimi i kësaj harte realizohet për herë të parë në vendin tonë, dhe ndonëse autori ka qenë punonjës i Institutit të Gjeoshkencave pranë UPT, finalizimi i hartës u financua nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, pasi këtu, pas daljes në pension, ai realizon dhe përmbylljen e kësaj pune titanike, duke qenë se drejtuesit e institucionit të mëparshëm, e nxorën në pension. Duke mos qenë gjeolog, si drejtuesi i Institutit të Gjeoshkencave ashtu dhe rektori, nuk e kuptonin gabimin që po bënin si dhe rëndësinë e kësaj sipërmarrje që duhej kurorëzuar, që të mos “vdiste puna titanike”. Kur shkenca është në mëshirën e fatit dhe në dorën e drejtuesve pa merak për shkencën, përherë do të kemi gjëra të tilla. Zgjatja e daljes në pension bëhet vetëm për ato që preferon drejtuesi i institucionitKjo është fatkeqësi e madhe e intitucioneve tona kërkimore-shkencore.

Në hartë dhe në tekstin sqarues, janë përgjithësuar arritjet në studimet, kërkimet dhe rilevimet radiometrike të realizuara kryesisht pas vitit 1969 si dhe, studimet e kryera në kuadrin e përgatitjes së kësaj harte. Kryesisht deri në fundin e viteve 1990, në të gjitha vendet si dhe në vendin tonë, studimet e radioaktivitetit natyror kanë qënë të orientuara në kërkimin dhe zbulimin e mineralizimeve radioaktive dhe të bashkëshoqëruesve të tyre. Mineralizimet e uranit nuk duken me sy, siç dallohen mineralet e kromit, bakrit etj. Rrjedhimisht ato nuk krijojnë veçime, që të dallohen me metodat klasike gjeologjike.

Duke u nisur nga ky fakt, ligjësitë gjeologjike të përhapjes dhe të lokalizimit të këtyre mineraleve studiohen vetëm me matje radiometrike, nëpërmjet të cilave përcaktohet intensiteti i rrezatimit, që ato provokojnë. Në vazhdim është kryer bashkë-interpretimi i ngushtë i parametrave që karakterizojnë radioaktivitetin me faktorët gjeologjikë. Me rezultatet e këtyre të dhënave është arritur të ndërtohen kollonat radio-lito-stratigrafike, të cilat jepen në studimet kryesore të realizuara deri në vitin 1990. Në këto studime, ku veçojmë temën qeveritare të vitit 1981 (me drejtues prof. Llambi Langore etj.), u realizua një studim përgjithësues, me objektiv thellimin e studimeve të kryera për mineralizimet radioaktive deri në vitin 1980, mbështetur në reperët radioaktive të fiksuar gjatë një pune 20-vjeçare, nga viti 1960 e deri në vitin 1980, si dhe në anomalit radioaktive të takuara nga kryerja e punimeve në ato vite. Objektivi kryesor i tyre ishte studimi kompleks radiormetrikë, me synim studimin e karakterit të shpërndarjes së radioaktivitetit për zbulimin e ligjësive të përqëndrirnit të mineraleve radioaktive. Në ato vite u përcaktuan disa përfaqësi forrnacionale, “karakteristike” me intensitet më të lartë të radioaktivitetit natyror. Marre nga gazeta Telegraf

FINANCUAR NGA SHERBIMI GJEOLOGJIK SHQIPTAR
REALIZUAR NGA GEOPHYSICAL CENTER
S. DOGJANI
DIXHITALIZIMI DHE NDËRTIMI
NË ARCGISU KRYE NGA
GEOPHYSICAL CENTER TIRANA
SHKALLA 1: 200 000
VITI 2018

Këto përfaqësi të emërtuara në vazhdim “reperë radiometrikë”, përmbajnë në vetvehte disa mundësi si:

-Gjetjen apo lokalizimin e përqëndrimeve industriale brenda saj, së dyti ato nëpërmjet proceseve fiziko kimike dhe në vartësi të faktorëve gjeologjikë formues transportohen në distancë duke shërbyer si burim ushqyes që provokon nivele të ngritura rrezatimi e deri në formimin e shtratimeve të reja të ridepozituara.

Në studimet e sotme të vlerësimit kompleks mjedisor, dhe mbi të gjitha të përcaktimit të rrezikut gjeologo- radiometrik, këto faktorë diktojnë në mjedis nivele të ngritura të rrezatimit natyror, rrjedhimisht doza të caktuara rrezatimi ndaj popullatës.

Harta e përgatitur, ka përdorim shumë-planësh dhe ky është një nga drejtimet që duhet shfrytëzuar nga specialistët që merren me studimet e radioaktivitetit në përgjithësi dhe fenomenit Radon në veçanti.

Mendojmë se ka ardhur koha që bazuar në këtë informacion të bollshëm të truallit shqiptar, grumbulluar në shumë vite, të shfrytëzohet si një studim mjedisor për përdorimin e tokës dhe të planifikimit urban. Kjo është arsyeja që duke u mbështetur në eksperiencën 45 vjeçare të autorit, për një periudhë të shtrirë në 3 vite, të arrihej në përgatitjen e një harte në nivel kombëtar, siç është botimi i hartës në fjalë, duke krijuar mundësi për një botim cilësor, të shpejtë dhe me kosto të lirë. Analiza dhe përpunimi i rezultateve për çdo zonë dhe nënzonë është mbështetur në formacionet përfaqësuese shkëmbore, që ndërtojnë zonat dhe nënzonat tektonike të Shqipërisë, sipas tekstit sqarues të Gjeologjisë së Shqipërisë, botim i vitit 2002 (Ribotim në vitin 2011) të drejtuar nga grupi kordinues i përbërë nga specialistët e shquar të gjeologjisë shqiptare: Abedin Xhomo, Alaudin Kodra, Zydi Xhafa, Minella Shallo etj.

Teksti sqarues i hartës në fjale jepet në 200 faqe, e ndarë në 9 kapituj, ku trajtohen me hollësi: Historiku i studimeve të radioaktivitetit natyror në Shqipëri; Analiza e rezultateve për të gjitha zonat e nënzonat tektonike që ndërtojnë truallin gjeologjik të Shqipërisë; Gjendja e studimeve të radioaktivitetit natyror në vendin tonë deri në fillimin e studimit; Metodologjia komplekse e studimit; Niveli i Radionuklideve Natyrore; Analiza e rezultateve të matjeve të rrezatimit kozmik; Besueshmëria e të  dhënave dhe Konkluzionet kryesore. Teksti shoqërohet me materialin e duhur grafikë, në varësi të analizës shkencore të studimit dhe literaturës të përdorur, duke inkluduar edhe shumë artikuj kryesorë të botuar në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Studimi është realizuar nga “Geophysical Center” Tirana, NIPT L81620003C, me drejtues profesorin e asociuar doktor, Safet Dogjanin. Reçensa e: “Tekstit Sqarues dhe Hartës së rrezatimit radioaktiv natyrorë të Shqipërisë”, u krye nga ekspertët: Akademik, prof. dr. inxhinier gjeofizik  Salvador Bushati nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe dr. Rustem Paci, drejtues i Zyrës së Radio-mbrojtjes të Shqipërisë, ekspert i IAEA.

-Aspekte nga puna gjatë matjeve fushore në shërbim të përpilimit të hartës në fjalë-

Ndër konkluzionet kryesore të këtij studimi mund të cilësojmë paraqitjen për herë të parë të shpërndarjes së radioaktivitetit natyror në të gjithë mjedisin e Republikës së Shqipërisë. Për çdo zonë e nënzonë që ndërtojnë truallin gjeologjik shqiptar pasqyrohen të dhënat e grup intensiteteve të radioaktivitetit natyror me konkluzione të përgjithshme përkatëse.

Karakteristikë e përbashkët e anomalive të radioaktivitetit natyror, në zonat tektonike Alpe Shqiptare – Kraste – Cukali (kontakti i tyre) dhe në zonën Korabi (verior e jugor), në të cilat ndodhen rreth 95% e anomalive të vendit tone është: prania e anomalive në të njëjtin nivel radio-litostratigrafik, specifik sipas zonave tektonike. Krijon përshtypjen e zhvillimit të “pandërprerë” të anomalive, duke marrë formën e një zinxhiri me vazhdimësi. Anomalitë janë me dimensione përgjithësisht të vogla, shumë të vogla e deri pikore. Intensiteti mesatar i rrezatimit radioaktiv natyror i Shqipërisë është teorikisht 8.44 μR/h. Nivelet natyrore të radioaktivitetit deri në 8 μR/h, sa është në Shqipëri, konsiderohen të ulta. Përgjithësimi i shpërndarjes së matjeve sipas grup-intensiteteve për të gjithë teritorin e Republikës së Shqipërisë, rezulton se nivelet me intensitet rrezatimi të ulët 2-8 μR/h zënë 54.9% të territorit të vendit tonë. Nivelet me intensitet rrezatimi nga 8 μR/h e deri në 18 μR/h zënë 44.6l %, të teritorit të vendit tonë, konsiderohen nivele mesatare. Nivelet me intensitet më të lartë nga 20 e deri në 32 μR/h, zënë vetëm 0.49% të territorit të vendit tonë. Shkencave tona fondamentale u shtohet një hartë e re me titull: “Harta e Rrezatimit të Radioaktivitetit Natyrorë të Shqipërisë”, Shkalla 1:200 000. Komuniteti shkencor i fushave mjedisore, organet e pushtetit lokal, bashkitë e vendit tone etj., do të kenë në dorë një botim me vlerë, të cilin do ta shfrytëzojnë për interesat e tyre studimore, në kuadrin e planizimeve urbane, përdorimit të tokës dhe studimeve të detajuara mjedisore. Studimi do të jetë një vlerë e shtuar me rëndësi e gjeologjisë bazë të truallit gjeologjik shqiptar. Hartografimi radiometrik do të jetë një e dhënë e re për territorin tone, i cili në kompleks me hartografimet e tjera në fushën e gjeologjisë, do të jetë në shërbim të organizmave përkatëse, të cilat merren me administrimin dhe planifikimin e territorit. Të dhënat e tij do të shërbejnë për studime më të thelluara shkencore për gjeologjinë dhe metalogjeninë e vendit tonë duke shfrytëzuar të dhënat sasiore të përmbajtjes së radionuklideve natyrore.

Përdorimi i të dhënave të kësaj harte bën të mundur përgatitjen e studimeve të tjera gjeofizike e gjeokimike në shkallë më të detajuara në çdo pjesë të territorit tonë. Sot në vendet e zhvilluara studimet gjeologjike komplekse për mjedisin dhe monitorimin e tij, në funksion të planifikimit e të administrimit të territorit, Radioaktiviteti Natyror, konsiderohet një indikator përcaktues. Studimi do të shfrytëzohet edhe nga organizmat shqiptare që merren me studimet e efekteve me impakt shëndetësor. Fatkeqësisht studimet që kryhen në vendin tonë të karakterit gjeologo-inxhinierike, mbi rreziqet gjeologjike, ligjërisht nuk e kanë të inkluduar studimin e radioaktivitetit, me të cilin kuptohet tematika e rrezikut Radon me të tre komponentët e tij Tokë – Ujë dhe AjërKjo është me shumë rëndësi të kuptohet  dhe të zbatohet në praktikë.

Objektivat e mësipërme janë lehtësisht të derivueshme veçanërisht në përcaktimin e kufijve kritikë të cilësisë mjedisore, përmirësimin e strategjive për të parandaluar dhe minimizuar rreziqet natyrore, që lidhen me ndërtimin e truallit gjeologjik, informimin e vendimmarrësve dhe politikbërësve për problemet mjedisore që lidhen me fushën studimore të radioaktivitetit natyror. Studimi shpresoj të shërbejë për specialistët e ardhshëm dhe të rinj në fushën e gjeoshkencave, në kuadrin e kualifikimit akademik dhe kërkimit të thelluar shkencor.

-Çfarë janë hartat e radioaktivitetit natyror-?

Hartat Radiometrike japin shpërndarjen e nivelit të rrezatimit, i provokuar, nga prania e Radionuklideve Natyrore (RN) (U-238, Th-232 dhe K-40) në mjedis. Rrezatimi i tokës, është komponentja më e rëndësishme e burimeve të rrezatimit natyrorl, që provokohet nga radionuklidet natyrore në shkëmbinjtë dhe mbulesat e sipërfaqes së tokës, pra në të gjithë sipërfaqen e truallit gjeolologjik. Radioaktiviteti i mjedisit përcaktohet kryesisht nga niveli i rrezatimit gamma i shprehur në mikro roentgen për orë (μR/h). Nga studimet e shumta të shkencave të Tokës të dedikuara problemeve mjedisore ka rezultuar se mjedisi shqiptar paraqet një problematikë në drejtim të kualitetit të mjedisit dhe lidhjes së tij me shëndetin e popullatës, në aspektin e cilësisë së jetesës në përgjithësi. Studimet e ndryshme të kryera direkt për mjedisin, pasurohen edhe nga studime të fushave të ndryshme të shkencave të tokës, të cilat në vazhdimësi japin informacione shtesë në lidhje me mjedisin. Një indikator i rrezikshëm mjedisor, me shumë rëndësi, në dy dekadat e fundit në nivel botëror, është problemi i radioaktivitetit natyror. Kjo për faktin se, radioaktiviteti në organizmin e njeriut vepron ngadalë, dhe pas një periudhe të caktuar evidentohen shenjat e sëmundjes së rëndë, të pashërueshme, siç është kanceri (ËHO, EPA etj.). Provokues është faktori gjeologjik, pra radioaktiviteti i truallit mbi të cilin kryhen ndërtimet, i materialeve që përdoren për ndërtim dhe i ujit të pijshëm që i furnizon ato. Por ky rrezik, është i eleminueshëm ose zvogëlon në maksimum dozën e rrezatimit të popullatës, n.q.s. në zonat e ndërtimit të planizuara, marrin parasysh studimin e radioaktivitetit të truallit të ndërtimit dhe të materialeve të ndërtimit. Teknikisht, studimet e sotme dhe masat zgjidhëse nuk “penalizojnë” ndërtuesit privat apo shtetërorë dhe kur sheshi rezulton me rrezikshmëri të lartë radioaktiviteti. Radioaktiviteti që provokon Radoni dhe, veçanërisht produktet e tij të zbërthimit, konsiderohet indikator i dytë (pasi i parë është duhani), që shkakton sëmundjen e pashërueshme. Studimet e EPA-s (Agjensia Amerikane e Mjedisit), por edhe të organizatave të tjera si WHO (Organizata Botërore e Shëndetësisë) etj., kanë vërtetuar se veçanërisht, kur bashkohen të dy faktorët (duhanpirja dhe radoni), rreziku dhjetëfishohet. Hartat Radiometrike janë të zbatueshme për studime themelore gjeologo-gjeofizike, përcaktimin e premisave të hartave të rrezikut Radon, vlerësimin e radioaktivitetit të mjedisit dhe ndotjen e tij nga veprimtaria industriale e njeriut, përdorimin e materialeve të papërpunuara për fushën e ndërtimeve, llogaritjen e dozës së rrezatimit që merr popullata në nivel lokal dhe kombëtar. 

-Studimi do të jetë një vlerë e shtuar me rëndësi e gjeologjisë bazë të truallit tonë. Hartografimi radiometrik do të jetë një e dhënë e re për territorin tonë, i cili në kompleks me hartografimet e tjera në fushën e gjeologjisë do të jetë në shërbim të organizmave përkatëse, të cilat merren me administrimin dhe planifikimin e territorit.

-Të dhënat e tij do të shërbejnë për studime më të thelluara shkencore për gjeologjinë dhe metalogjeninë duke shfrytëzuar të dhënat sasiore të përmbajtjes së radionuklideve natyrore.

-Sot, në vendet e zhvilluara, studimet gjeologjike komplekse për mjedisin dhe monitorimin e tij, në funksion të planifikimit e të administrimit të territorit, radioaktiviteti natyror është një parametër përcaktues.

-Jepet përherë të parë një studim i plotë mbi shpërndarjen e radioaktivitetit në mjedisin shqiptar.

-Studimi do të shfrytëzohet edhe nga organizmat shqiptare që merren me studimet e efekteve me karakter shëndetësor në vendin tonë.

Objektivat e m.sipërme janë të derivueshme dhe të realizueshme, ku veçojmë: 

-Përcaktimi i kufijve kritike të cilësisë mjedisore;

-Përmirësimi i strategjive për të parandaluar rrezikun natyror, që lidhen me fushën e gjeologjisë.

-Informimin e vendimmarrësve dhe politikbërësve për problemet mjedisore, që lidhen me fushën studimore të radioaktivitetit natyror.

-Komuniteti shkencor i fushave mjedisore, organet e pushtetit lokal, bashkitë e vendit tonë do të kenë në dorë një botim me shumë vlerë, i cili do të shfrytëzohet për interesat e tyre studimore, në kuadrin e planizimeve urbane, përdorimit të tokës dhe studimeve të detajuara mjedisore.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular