Të gjithë e dinë që nuk mund të ketë një qeveri të korruptuar dhe një kryeministër të ndershëm.
Nuk mund të ketë ministra dhe zyrtarë të rëndësishëm në hetim për korrupsion dhe kryeministër jashtë procesit të hetimeve.
Është jo logjike dhe e papranueshme të dënohet vartësi dhe të shpëtojë eprori.
Këtë e dinë ndërkombëtarët, e dinë shqiptarët, madje këtë e di dhe vetë Edi Rama.
Në kushtet e një tronditjeje të thellë nga hetimet e gjithanshme të të gjithë projekteve të mëdha qeveritare, Rama synon të largojë vëmendjen nëpërmjet dy lëvizjeve taktike.
Së pari, mbedhjet e qeverive në qytete të ndryshme të vendit, janë parë një herë në krye të mandatit të parë qeverisës.
Nëse atëherë kishte, së paku, efektin e show-it, sot ripërsëritja e kësaj strategjie nuk prodhon asgjë, për shkak se është film i parë, pa efekte konkrete.
Jo vetëm kaq, por tregon se kësaj mazhorance i ka shteruar kreativiteti për të dhënë shfaqje, si të vetmin talent që duhet t’ia njohim.
Së dyti, Edi Rama ka njoftuar krijimin e një ministrie të re, ku do të përfshijë ekonominë, kulturën dhe inovacionin dhe në krye të saj ka propozuar një mikun e tij të hershëm, B. Gonxhen.
Duke qenë se SPAK-u ka goditur ish-ministrin e Ekonomisë, A. Ahmetajn, dhe ish-mikun ministër të Shëndetësisë, I. Beqajn, Rama synon që nëpërmjet miqve besnikë që i kanë ngel jashtë të krijojë një qeverisje të qëndrueshme dhe besnike ndaj tij, përsa i përket një përballjeje të mundshme nesër me drejtësinë.
Gonxhe nuk është emër rastësor dhe, ndonëse për një kohë të gjatë ka mbajtur një post të rëndësishëm shtetëror, dikur në bashkinë e Tiranës të drejtuar nga Rama, ai ishte i njohur për shtrirjen e duarve të tij të gjata në buxhetin e kryeqytetit.
Le të shpresojmë që kësaj radhe Gonxhe të mos hajë kumbulla pas kurrizit të mikut-shef të tij, duke i thyer kështu besimin e dhënë, siç ka ndodhur me të mëparshmit.
Është e qartë se një qeverisje thellësisht e korruptuar dhe lehtësisht e goditshme nga sistemi i drejtësisë si kjo e Edi Ramës, vijon të qëndrojë në këmbë për shkak të inercisë dhe për shkak të problemeve të mëdha që ka kampi përballë.
Në kushtet e një opozite që nuk lufton dhe shkatërron gjithçka për të mbrojtur veten nga burgu, por për të futur në burg, për shkak të korrupsionit të madh, krejt qeverinë, Edi Rama do të kishte qenë, tashmë, një histori e së shkuarës.