BallinaTe tjera“M’i hoqën të gjitha rrobat në prani të prindërve dhe burrit”- Dëshmitë...

“M’i hoqën të gjitha rrobat në prani të prindërve dhe burrit”- Dëshmitë tronditëse të grave nga Kosova: Si mbetëm “të vdekura mbi tokë”, pas barbarisë seksuale të ushtarëve serbë

spot_img
spot_img

AFRIM IMAJ/ “Të vdekura mbi tokë”. Kështu e cilësojnë ato fatin e tyre. Në trup kanë provuar barbarinë e shfrenuar dhe vazhdojnë të mbijetojnë. Tragjedia që kanë përjetuar ka qenë e tmerrshme. Ushtarët serbë janë derdhur mbi brishtësinë e tyre dhe i kanë dhunuar në mënyrë monstruoze.

Largimet-ne-Kosove1999

Kur po mbushen gati 10 vjet nga kjo dramë e tmerrshme, ato vazhdojnë të vuajnë në vetminë e madhe plagën e saj. Sa janë? Ende nuk ka një shifër të saktë për numrin e këtyre nënave të lënduara. Sipas statistikave të ndryshme, varësisht nga organizatat e ndryshme që kanë hulumtuar, kanë pohuar shifra të ndryshme. Ato sillen nga dymijë deri në dhjetëra mijëra! Vetëm ne të organizatës “Jeta në Kastriot”, kemi evidentuar 2018 femra të dhunuara për të cilat përveç dëshmive gojore, videoxhirimeve, deklaratave me shkrim dhe fotografive, posedojmë edhe raportet mjekësore. Mosha e tyre fillon nga 14 deri te 40 vjeç. Ndër to, 200 syresh janë në një gjendje shumë të rëndë. Ndërkaq, gjatë punës në terren, përpos femrave të dhunuara dhe të vrara, kemi kostatuar edhe një numër të madh grash të zhdukura. Fatkeqësisht të dhënat flasin se shumica e femrave të vrara së pari janë dhunuar. Po ç’thonë vetë ato, zemërlënduarat fatkeqe, cila është historia e trishtë që përvuajnë brenda vetes. Rrëfimi i tyre të rrëqeth….

S’KAM FUQI TË KTHEHEM NË VENDLINDJE

“Edhe sot e kësaj dite nuk e di se sa ditë kishin kaluar kur policia serbe na hyri brenda. Aq shumë u frikësova, por shpëtova, nuk na ndodhi asgjë. Na i dhanë tre minuta të dilnim nga shtëpia, dhe dolëm. Kur arritëm në Pejë, policia na ndalën përsëri, na kërkuan nga 50 DM për person nëse donim të vazhdonim për në Shqipëri. Ne kishim vetëm 200 DM, e ishim nëntë veta. Kush do të shpëtonte? Cilin do ta ndalnin? Pyesnim në heshtje, ndërkaq babai ua dorëzoi paratë dhe u tregoi se ishim nëntë veta. Na shikuan dhe pasi ia morën nënës dhe mua unazat nga duart, na lëshuan. Në dalje të Pejës, na ndali grupi tjetër i policisë. Edhe ata na kërkuan para dhe nuk do të na lëshonin sikur një familje nga Gllogjani të mos i jepte 200 DM. U nisëm. Disa metra më larg, policia kishte ndalur kolonën që ishte e gjatë deri në kufi. Ata ishin banorë nga fshatrat e Ferizajt, Suharekës, Rahovecit, Prizrenit, Malishevës e të Gjakovës. Policia nuk lëshonte askënd pa e kontrolluar. Nuk kishim as ujë e as bukë. Policia nuk na lejonte as të ktheheshim, por as të vazhdonim, madje as të uleshim. Ashtu në këmbë, të mbështetur në njëri-tjetrin, qëndruam mbi 11 orë. Kishte rënë errësira e parë kur kolona filloi të lëvizë ngadalë. Fëmijët të lodhur filluan të qanin, e policët ishin egërsuar shumë. Si dukej, ata kishin humbur shokët e tyre diku. Kishim edhe dy-tri kilometra për të arritur deri te kufiri, dhe në momentin kur arritëm te vendi ku bëhej pengesa për vazhdimin e rrugës, policët filluan të na kontrollonin sërish. Na preknin trupit, kurse meshkujt i rrihnin dhe i detyronin t’u jepnin para. Ne nuk kishim, edhe herën e fundit na ndihmuan të tjerët. Kur vëllanë tim 12-vjeçar filluan ta rrihnin, unë i ika nga dora e policit që po më kontrollonte dhe u hodha mbi vëllanë. Doja që, së paku, një të rame t’ia marr unë. Eshtë vëllai i vetëm pas nëntë motrave. Polici që po e rrihte, më tërhoqi për flokët e gjata dhe më drejtoi kah kryepolici, i cili në prani të kolonës me majën e thikës filloi të m’i zhvishte rrobat. M’i hoqi të gjitha në prani të babës, nënës, vëllait, burrit dhe fëmijëve të mi. Kryepolici më tërhoqi deri te strehimorja në afërsi të rrugës. Më hodhën mbi tavolinë dhe më lidhën duart. Ndërsa ai nisi të më çnderojë, me kokë i rashë tavolinës, kurse ata qeshnin e flisnin sikur të ishin në spektakël. Tërë këtë e shihnin edhe të afërmit e mi, e shihnin edhe qytetarët e tjerë dhe tërë kolona e gjatë që po lëvizte andej. Si në ëndërr më kujtohet kur i urdhëruan familjarët e mi të ecin. Edhe sot më tingëllon në kokë zëri i nënës sime, e cila nuk kishte dashur të vazhdojë pa mua. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku është. Më kujtohet se përveç dhunimit, më goditën disa herë me kondak në kokë. Nuk më kujtohet si, dhe kush më ka dërguar deri në Kukës, por e di se aty kam dëgjuar edhe shumë klithma, dhe shumë gjëmë, shumë thirrje për ndihmë nga shumë femra të tjera që i dhunuan. Në spitalin e Tiranës qëndrova e shtrirë 19 ditë. Gjashtë ditë me radhë më kishte qëndruar burri te koka, e unë nuk e njihja. Nga goditja në kokë kisha harruar çdo gjë. Vetëm zëri i bijës sime 5-vjeçare që më thërriste e qante pse nuk i flisja, më nxori nga ajo komë që edhe mjekët u befasuan. Sot nuk kam fuqi të shkoj e të jetoj në vendin ku kam jetuar më herët me burrin dhe fëmijët. Më vjen turp për atë që më ka ndodhur. Unë kam pasur fatin të më kuptojë burri, por jetoj me dy plagë që nuk do të më shërohen kurrë. Jetoj me plagën që ma morën nënën, dhe me plagën e dhunimit, që është më e rëndë se vdekja”, theksoi, në fund të rrëfimit, D.R., nga një fshat i Pejës.

barbaria serbe kosove

“JU LUTEM, ME LINI TE VDES!”

Kur ushtarët e sollën H.N., në Spitalin Ushtarak, ajo ishte në mes jetës dhe vdekjes. Ndonëse mjekët nuk dinin si ta ndihmonin, pasi ajo ishte e dhunuar, ata ftuan një mjeke femër që ishte në zonën tjetër. E tëra ç’po bënìn ata ishte se po i jepnin gjak, ndonëse gjaku nga plagët vazhdonte t’i rridhte. Mjekët donin ta shpëtonin me çdo kusht. Kur erdhi mjekja, ndonëse gjinekologe e padiplomuar, vendosi që, edhe në ato kushte që ishin, ta bënte ndërhyrjen kirurgjikale. Mjekja tjetër ndërkaq, gjinekologe e diplomuar, kur i pa plagët e vajzës, i tha: “Mos e mundo, lërë të vdesë. E sheh se kanë filluar t’i dalin organet jashtë?!”. Kolegia tjetër, më e re në moshë dhe profesion, e shqetësuar, fshiu djersët dhe iu drejtua asaj: “Do t’më ndihmosh apo jo?!”.

“Unë mendoj se është rrezik, ajo mund të vdesë”, foli prapë mjekja tjetër që përkundëe dëshirës së vet filloi të përgatitet. “Ajo edhe ashtu do të vdesë, nëse nuk qepet shumë shpejt, prandaj, të lutëm më ndihmo, mos të humbim kohë”, foli mjekja e re, e cila kërkoi ndihmën nga infermieret. Minutat ishin të gjata, jo vetëm për H.N., por edhe për mjeken, edhe për ndihmësit… Situata u bë edhe më e rëndë kur nisën granatimet. Tani mund të vinte ndonjë i plagosur! Salla e vetme ndërkaq, ishte e zënë. Dy granata ranë në afërsi të spitalit. Mjekja e re për një moment u tremb, por prapë vazhdoi punën. Çdo sekondë ishte luftë në shumë fronte. Ajo pa se mitra e vajzës ishte e shqyer dhe se në organet gjenitale i kishin futur rërë, andaj vështirë e kishte ta qepte, pa e pastruar mirë çdo pjesë të plagës. Kur e përfundoi qepjen e brendshme, asaj iu duk se puna përfundoi, por po aq u shqetësua kur pa se edhe në stomak kishte një plagë tjetër. Ndonëse e tronditur, përfundoi punën me sukses, duke vazhduar t’i qëndrojë të koka edhe pas operacionit.

Pasi e vështroi disa minuta, mjekja e re prapë e zbuloi trupin e saj dhe filloi t’ia pastronte plagët e tjera. Ajo filloi nga këmbët e gërvishtura, pastaj u ndal në gjoks, ku në mes të dy gjinjve kishte të vizatuar, me majë thikë, kryqin serb, dhe kur po pastronte aty, vërejti një copë xhami. E hoqi me kujdes, e pastroi mirë dhe i vuri sipër një fashë. Pastaj prapë ia mbuloi trupin. Dhe, kur në ditarin e saj filloi të shkruante diçka, H.N., me gjithë zërin e humbur, filloi të gjëmonte. “Mos lëviz, të lutem, je e operuar!”, i tha ajo që nuk e ndante shikimin e trishtuar nga sytë e saj të zverdhur. “Pse?”, pyeti e lënduara dhe dy lot i ranë nga sytë. “Ke qenë në rrezik, por tani gjithçka ka përfunduar. Të duhet forca, ndaj të lutem, mos u mundo t’i kujtosh gjërat që të kanë lënduar, tani vetëm mbylli sytë dhe përpiqu të pushosh”, i foli mjekja, duke menduar se ajo nuk e dinte që ishte operuar. “Pse ma bëre këtë, pse më shpëtove? Të lutëm më lër të vdes! Të lutem, ma bëj këtë shërbim! Të lutem…”, i tha ajo dhe lotët vazhdonin t’i binin në flokë, e buza i dridhej pandërprerë. Dëgjo, mos mendo por vetëm pusho tani! E qetësonte mjekja, ndërsa ajo, duke kafshuar buzën tundi kokën në shenjë mohimi.

“E VETMJA GJË QË MË KA MBETUR JANË FËMIJËT”

Disa ditë, pasi filluan bombardimet burri im më tha: “Grua, njerëzit po vijnë nga të gjitha pjesët e Kosovës dhe po shkojnë në Maqedoni e ne po rrimë këtu. Po, sikur të na zënë të gjallë policët?”. E shikoja dhe sikur e parandieja fatkeqësinë që do vinte. Jeta më dukej si diçka e përfunduar dhe e shkuar. I tërë trupi filloi të më dridhej. I përgatita fëmijët, mora ca ushqime me vete dhe, kur po dilnim nga dera e oborrit shikova edhe një herë nga shtëpia dhe i thashë burrit: “Diçka më të vështirë nuk kam përjetuar, a do të mund të kthehemi prapë në këtë shtëpi, t’i kthehemi jetës sonë?”. Ai më shikoi, por nuk m’u përgjigj, ndërsa unë qaja në heshtje që të mos i shqetësoja fëmijët. Pak metra para se t’i bashkëngjitemi kolonës që vinte nga mesi i Kosovës, na ndaloi ushtria e policia serbe dhe e nxorën burrin nga vetura, duke e goditur me kondak të pushkës. Fëmijët filluan të qajnë, qaja edhe unë. Por, kur m’u afruan mua e më nxorën nga vetura, fëmijët filluan të qajnë edhe më shumë. Mua nuk më goditnin, por më vështronin dhe silleshin vërdallë rreth meje. Pas pak e thirrën dikë nga larg që të vinte. “E ke një peshk”, i thanë. Nuk vonoi as dy minuta dhe erdhi një me mjekër të gjatë dhe me sy të skuqur, të cilit, që nga larg i vinte era raki. Ai, duke e folur një shqipe të bastarduar, më tha: “Ti je shqiptarja më e bukur që kam parë, dhe do të jesh shqiptarja më e bukur që do ta kem në shtrat”. Unë fillova t’i lutem, qaja dhe nuk i ndaja sytë nga burri, ai ishte para meje. Aty i kisha edhe fëmijët. “I dua ditët kur më luten e më përulen shqiptarët, më vjen çdo gjë si ëmbëlsirë. Ti më je ëmbëlsira më e ëmbël që kam pasur nga shqiptarët”. “Kjo është mësuese, ndaj ta shohim çka i mëson shqiptarët”, i foli një tjetër. “Aq më mirë. Merre kamerën se më nuk mund të pres. Dua ta kem menjëherë”, foli ai me mjekër dhe filloi t’i zhveshë pantallonat. Dy nga ata m’i mbanin duart, kurse ai filloi të më zhveshë.

“Do të jap para dhe ar, vetëm këtë mos e bëni”, u thashë unë dhe njëri ma lëshoi dorën. “Shko dhe sillmi”, tha, e unë shkova nga vetura t’i sjell. I mora dhe ua dhashë, por qëndrimi i tyre nuk ndryshoi. As nuk ma lëshuan burrin e as mua. Ai që e mori kamerën iu tha të startonin. Burri dridhej i tëri. Njëri prej tyre filloi të më zhveshë e të tjerët qeshnin rreth meje. Kur ai filloi të më çnderojë, burri provoi t’u ikë e t’më ndihmojë, por një tjetër që kishte qenë pas shpine me automatik shkrepi në trupin e tij tërë karikatorin e automatikut. Aq shumë klitha, klithën edhe fëmijët, provova të iki, të bëj diçka, por ata vetëm argëtoheshin me përpjekjen time. Nga vetura dolën edhe fëmijët. Ata u hodhën mbi trupin e përgjakur të babait të tyre, e mua më çnderonin vetëm disa metra më tej. Disa minuta më vonë, ai që mbante kamerën e drejtoi kah fëmijët mbi babanë e vrarë, për t’i regjistruar lotët e vajin e tyre aty. “Edhe kjo na duhet, do të jetë skenë e mrekullueshme për stimulim të të rinjve”, fliste njëri.

Më vonë, fëmijët i futën në veturën e dikujt, kurse veturën tonë e morën në oborrin ku ishin strehuar. Me mua lozën edhe disa të tjerë dhe së fundi më mbyllën në bodrumin e një shtëpie aty afër. Aty më mbajtën disa ditë, e kisha humbur edhe drejtëpeshimin, edhe fuqinë. Nuk gjasoja në një njeri normal, më çnderuan prapë, nuk më kujtohet sa, por një gjë që e di është se kur më kanë hedhur në rrugë më mori një familje, e cila më ndihmoi shumë. Kurrë nuk ia harroj gruas që m’i lante plagët, kur unë flisja për dhunimin, ajo më ngushëllonte. Ajo më ngushëllonte edhe për fëmijët, më premtonte se do t’i gjente, edhe kur nuk dihej a i kisha fëmijët gjallë. Ajo familje nga Ferizaj më ka përkrahur e më ka ndihmuar shumë. Ata më ndihmuan edhe kur i gjeta fëmijët, edhe kur u nisëm për në Kosovë. Në oborr gjeta vetëm rrënojat, dhe tani jam edhe pa burrë, edhe pa shtëpi, edhe e çnderuar. Në jetë më mbajnë vetëm fëmijët”, u shpreh me lot në sy mësuesja nga rrethi i Kaçanikut.

JETA E SAJ U MBYLL NE VALET E ADRIATIKUT

Ditën që ishin dëbuar nga shtëpia, ajo kishte qarë aq shumë, sa të gjithë të pranishmit kishin thënë se do t’i pëlciste zemra.

“A do t’i takoj më vëllezërit, a do bëhemi bashkë ndonjëherë në tokën e Kosovës”, kishte pyetur ajo dhjetëra herë. Kur iu kishin afruar kufirit maqedon, e kishte ndalur veturën dhe iu kishte bashkangjitur kolonës. Edhe kur të gjithë po flinin në veturë, ajo rrinte zgjuar dhe herë pas here dilte të tymoste cigare. Të nesërmen e ëma e kishte qortuar pse dilte jashtë e vetmuar dhe ajo vetëm e kishte shikuar, pastaj me zërin e qetë i kishte thënë:

“Moj nënë, kjo ikje po më duket si vdekje, andaj s’është gjë edhe po të më marrë ndonjë plumb”. I ati, që ishte i plagosur, i thoshte:

“Bija ime, unë nuk do të qëndroj edhe gjatë. Ti duhet të kujdesesh për familjen. Mos rri jashtë shumë, se po të panë shkijet, vaj halli. Do të të marrin”. Edhe ditën e dytë prapë H.S., nuk futi gjë në gojë. Ishte buzëmbrëmje. Policët serbë filluan t’ua grabisin veturat shqiptarëve. H.S., nuk brengosej për veturën, por për babanë e plagosur. Kur asaj i erdhi radha t’i nxirrte njerëzit jashtë, sikur u trimërua. “Nuk e jap veturën, kam njeriun e sëmurë brenda”, tha ajo. Kurse njëri nga policët urdhëroi: “Merreni bashkë me veturë”. E kotë ishte tani përpjekja e saj që të dilte jashtë. Aty hynë dy policë që ia nxorën familjarët jashtë. Derisa familjarët mbetën jashtë, atë e dërguan në një shtëpi në Kaçanik, dhe ia lidhën duart e këmbët. Të nesërmen në mëngjes ajo pa si i vranë dy të rinjtë m’u në atë oborr.

“Së paku, nuk do të përfundoj në duart e tyre”, fliste me vete, duke menduar se do ta vrasin. Nuk vonoi shumë dhe i erdhën po ata të dy që e morën me veturë. “Do të lindësh fëmijë serbë, moj shqiptare”, i kishte thënë njëri nga policët. Ndërsa tjetri filloi t’ia prekë flokët që iu kishin shprishur në atë dhomë të ftohtë. Ajo deshi t’i ikë, por dora e tij e fortë e tërhoqi për flokësh afër vetes dhe, si gjarpër i ftohtë filloi t’ia prekë trupin e njomë. Kot u përpoq t’i bëjë rezistencë. Ata ishin dy, ndërsa kjo duart i kishte të lidhura me pranga. Ata e çnderuan derisa u ngopën, kurse ajo fytyrën e kishte të përgjakur, sepse e kishin grushtuar disa herë në kokë dhe nga hundët i rridhte gjak. Kur policët po dilnin nga dhoma, ajo i pështyu, por njëri nga ata e tërhoqi zvarrë dhe i tha: “Kështu do ta kesh çdo natë, derisa të ma lindësh fëmijën. Mos provo të bësh diçka, se familjen tënde e kam në dorë, a e ke harruar këtë”. Ishte dita e pestë që ajo s’kishte futur asgjë në gojë dhe shpresonte të vdiste sa më shpejt. Kur po errësohej, barbarët i erdhën prapë. Ajo e luste zotin të vdiste. Ata prapë e dhunuan. Dhe sërish, para se të dilnin, i thanë se do të lindë fëmijën e serbit. “Ndoshta edhe do ta lind, por ai do t’më ngjajë mua, e do t’ju vrasë juve”, u kishte thënë ajo.

Njëri nga ata ishte kthyer me rrëmbim dhe thikën e tij ia kishte futur në bark. Asaj i kishte humbur vetëdija, por nuk kishte vdekur. Më vonë e hetoi se ishte e zhveshur dhe e mbështjellë me një batanije. Vetëm pasi i hapi sytë disa herë, dikush i tha se ishin në autobus dhe se udhëtonin për në Shqipëri. Kur kishin hyrë në Shqipëri, me helikopter e kishin dërguar në Spitalin e Tiranës. Pasi e kishte të lënduar shumë pjesën e barkut, ku ia kishin ngulur thikën, ajo duhej të dërgohej për shërim në Itali. Atë natë kur e dërguan në Durrës prej nga duhej të nisej për në Itali, nuk fjeti. Të nesërmen e gjetën të vdekur në valët e Adriatikut.

Po të dëshmojnë në Hagë këto nëna fatkeqe…

Po të dëshmojnë në Hagë gratë dhe vajzat e dhunuara nga barbarët serbë, pa dyshim që do të hapet një faqe e re në dosjen e genocidit në Kosovë. Pas gati 10 vjetësh nga tragjedia që përjetuan qindra syresh gjatë konfliktit të shpërbërjes së Jugosllavisë, ende kriminelët shëtitin të lirë. Për motive që parakuptohen, ka heshtur për këtë pala shqiptare, po kanë heshtur edhe ndërkombëtarët që operojnë aty me misionin e hartimit të aktakuzës përkatëse. Ndërkaq, “armata” e grave të përdhunuara vazhdon të jetojë në “ozain” e vetmisë e të fatit të keq, braktisur nga mjedisi shoqëror e mjaft herë edhe nga familja. Vazhdon të vuajë sikundër ajo 14- vjeçarja nga Prishtina, që 10 vjet pas përdhunimit ka mbetur në goditje psikike. Vazhdon të vuajnë si ajo vajza nga Peja që ende nuk pajtohet me braktisjen e të fejuarit vetëm pse u dhunua në sy të fshatit. Vazhdon të vuajnë si ajo nëna e re, e cila pas përjetimit të tmerrshëm ka dështuar së linduri dhe nuk do të mund të bëhet kurrë nënë. Si ajo gruaja shtatzënë, e cila nuk mund të kthehet te fëmijët e vet, sepse u dhunua në sytë e tyre dhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes…

E vetmja që ka depërtuar në këtë realitet tronditës, është një vajzë e re, me profesionin e psikologes, e cila për vite me radhë vazhdon të mbajë të pandërprerë kontaktin me këto gra të traumatizuara. Luljeta Selimi është ndoshta e para dorë e ngrohtë në shoqërinë e tyre, në shërim të plagës së tyre. Rrëfimet e saj nga kjo lëngatë e tmerrshme, janë të vetmet dëshmi nga kjo dramë disi e harruar. Gjithsesi, duke sjellë një pjesë të tyre në faqet e gazetës “Panorama”, përveç mbështetjes për kolegen nga Prishtina, ofrojmë kontributin tonë për zbardhjen dhe denoncimin e kësaj tragjedie rrëqethëse, viktimë e së cilës kanë mbetur me qindra vajza dhe gra shqiptare nga Kosova. Sepse, siç pohon Luljeta Selimi, dhimbja e tyre është pjesë e çmimit të lartë të lirisë së Kosovës. Ndaj tingëllon njerëzor apeli i saj se kush shkel mbi varret e tyre, mbi plagët, lotët dhe tragjedinë e tyre, ka shkelur mbi pjesën më të dhembshme të lirisë së Kosovës… Po të shkojnë në Hagë këto gra fatkeqe, padyshim që do të zbulojnë ndoshta tragjedinë më tronditëse të kohëve moderne. Atëherë, do të marrë fund edhe heshtja e tyre, heshtja e këtyre grave që i kanë prekur e provuar të gjitha tmerret e kësaj jete. Paqja dhe qetësia do të vijë pas kësaj, në jetën përtej dhunimit, përtej skëterrës që kanë përjetuar në sy të njerëzve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular