BallinaOP EDNjë propozim për një opozitë fituese me frymë të re dhe kontratë...

Një propozim për një opozitë fituese me frymë të re dhe kontratë të re!

spot_img
spot_img

NGA ARIAN GALDINI 

Pak para festave të fundvitit publikova në rrjetet e mia sociale një mesazh drejtuar Sali Berishës, në të cilin nuk kishte asnjë sharje, asnjë fyerje, asnjë etiketim për të. Ishte thjesht një mesazh ndryshe. Duke qenë se unë jam besimtar, ndodh që në periudha festive, besimtarëve e njerëzve në tërësi t’u krijohet një atmosferë e tillë mendore, shpirtërore dhe emocionale, prej nga ku mund të bëhen apo kërkohen gjeste a ngjarje krejt të pazakonta.

Nuk jam aspak naiv. Të kuptohemi drejt. Asnjë naivitet nuk kishte në mesazhin tim. As shpresoja, as prisja e as imagjinoja se ai mesazh do të shkonte në veshë që e dëgjojnë e as në mendje e ndërgjegje që e përpunojnë. Tek e fundit, bëra diçka që e ndjeva spontanisht dhe as e mendoja fare se ai mesazh do të merrte atë përmasë ndjekshmërie virale. Pothuajse në të gjitha rrjetet e mia sociale, në “Tik Tok”, “Facebook” dhe “Youtube”, ai mesazh ka tejkaluar qindra-mijëra shikime e reagime.

Çfarë mua më ka befasuar pas atij mesazhi, ka qenë duhma e vrerit, negativitetit, mallkimeve e sharjeve pafund e pa kufij banaliteti, vulgariteti, pacipësie e ligësie. Hordhi të pafundme “papaqësh virtualë” e “tartabiqesh virtuale” janë turrur prej 3 javësh e vjellin vrer e kërcënime të parreshtura mbi mua. Pse i quaj “papaqë virtualë”? Sepse këta “të porositurit virtualë” për të sharë këdo e ngado në rrjetet sociale, janë si ata papaqët me të cilat na vijnë picat.

Njëlloj si papaqët e picave, të cilët hyjnë rrugë e parrugë, me semaforë e pa semaforë, me rregulla e pa rregulla për të na sjellë picën në kohë, edhe këta “korrierët e vrerit”, lundrojnë në rrjetet sociale kudo e ngado vetëm për të sjellë dozën e helmit e sharjeve që u kanë porositur shefat. Ndërsa “tartabiqet virtuale” janë militantët e vetëmotivuar për të sharë e linçuar këdo që ata perceptojnë si të padëshiruarin apo armikun e “Udhëheqësit” apo “Partisë”. E pra, çfarë kam lexuar unë këto 3 javë nga e nëpër mesazhet e komentet e pandalura të “papaqëve virtualë” dhe “tartabiqeve virtuale”?

Së pari, kam vënë re se asnjëri prej tyre nuk e ka dëgjuar mesazhin tim. Ngase të gjithë më thonë: Pse e shan Berishën? Por unë nuk e kam sharë Berishën.

Së dyti, më shkruajnë: O këlysh i Edi Ramës, o patronazhist, o Soroist, o i shituri tek Edi Rama dhe Erion Veliaj etj., etj., etj… Dmth., më kanë shpallur armik. Por unë nuk jam as armiku i tyre e as kundërshtari i tyre. Unë jam thjesht ndryshe nga ata, e mendoj ndryshe nga lideri i tyre. Kaq!

Së treti, më shkruajnë: Tani u kujtove ti? Ku ishe ti deri sot? Pse s’ke folur më parë? O hienë që kërkon të ikë Berisha e të vish ti etj., etj., etj..

Unë kam së paku prej 2009-ës që çfarë kam thënë në këtë mesazhin e fundit që u bë viral, e kam thënë e shkruar aq shpesh e aq zëshëm sa mund të gjeni dhjetëra shkrime në gazetat e përditshme, në portale, në rrjetet e mia sociale e në mundësitë televizive që më janë dhënë për t’u shprehur. E mbi të gjitha, unë kurrë nuk jam shprehur e madje e kam refuzuar logjikën se duhet të ikë Berisha apo kushdo tjetër që të vij unë. Jo!

Çfarë kam thënë e shkruar ngaherë e përsëritur vazhdimisht është se unë po eci ngadalë me hapat e milingonës që të ndërtoj udhën time, shtegun tim, me mundin tim, me sakrificat e mia, me durimin e energjitë e mia, që nëse arrij, arrij duke ecur në korsinë time e veç nëse e meritoj, e nëse është plani i Zotit e në kohën e Zotit. Pra, unë nuk kam ndërmend të vij pse ikin të tjerët.

Nëse ia dal, unë dua e punoj të vij prej mundit e sakrificave të mia e veç me meritë. Nëse vij, dua të vij me të miat. Kaq! Atëherë, çfarë më kanë shërbyer këto 3 javë për të kuptuar. Kam kuptuar atë që sipas meje është edhe thembra e Akilit e opozitës dhe neve opozitarëve. Lufta për dominim brenda kampit opozitar është shndërruar në luftë brutale për asimilim. Nëse e majta dhe klika Rama e kanë vendosur nën thundër të gjithë të majtën nga ajo enveriste tek ajo ramiziste, nga nanoiste tek ajo metiste, nga marsksiste deri tek ajo albiniste, e djathta mbetet një realitet i ashpër vargmalor, ku asnjë lider sado historik, legjendar apo i madh a i fortë nuk mundet të ndërtojë një bashkësi që funksionon si entitet i harmonizuar dhe i njëfrekuencuar.

Sidomos, kur shohim sesi është katandisur opozitarizmi pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, e më keq akoma pas 9 shtatorit 2021. Sali Berisha pa diskutim që ka grupin kompakt më të madh opozitar. Lulzim Basha vjen fill pas tij me copëzën e tij të PD-së, të cilën e ka vijëzuar edhe me vulën e logon e partisë më të madhe opozitare. Të gjitha grupimet e tjera janë aty si anomali ose si simptoma keqfunksionimi a mosfunksionimi. E kemi edhe përpjekje të tjera për risi. PL e Ilir Metës nuk ka diskutim që është parti opozitare, ama nuk është as parti e djathtë e as e qendrës.

Propozuesit e Federatës Opozitare me Fatmir Mediun në krye janë parti që ekzistojnë si dekor plotësues i një formacioni, ku lokomotiva e PD-së ka edhe disa vagonë me vete. E vërteta është se askush nuk e kupton dot se përse ekzistojnë këta vagonë, cila është doktrina e tyre, çfarë vlere të shtuar ideore apo programatike i japin si pasurim konceptit opozitarist dhe të djathtës këto parti mbi çerekshekullore.

Kemi edhe partitë e reja opozitare nga ku Nisma Thurje është e vetëdeklaruar si e majtë socialdemokrate, Lëvizja Bashkë është qartësisht e pozicionuar në të majtën marksiste dhe kemi edhe “Shqipëria Bëhet”, e cila herë shfaqet si parti politike e herë si OJF. Gjithashtu kemi edhe LRE – Lëvizja e Re, e cila vjen si parti e së djathtë humane dhe nuk e shfaq veten as si parti e re, as si parti e vjetër, por si frymë e re dhe mision politik opozitar. Nën këtë realitet, a ka realisht gjasa të flitet për fitore të opozitës? Absolutisht jo. Revolucioni për të cilin flet çdo ditë nga Sali Berisha nuk rrëzon dot as Lulzim Bashën e jo më Edi Ramën.

Edhe më keq akoma, revolucioni i Sali Berishës nuk rrëzon dot as Fatmir Mediun dhe federalistët, as Nismën Thurje, as Arlind Qorrin e Lëvizjes Bashkë, as krijesën hemafrodite që shfaqet herë si parti e herë si OJF me emrin “Shqipëria Bëhet”, e as LRE-në e Arian Galdinit. Sa më shumë të përpiqet Sali Berisha dhe të tijtë të rrëzojnë Edi Ramën me revolucionin e tyre, aq më shumë shqiptarët do të binden se opozita shqiptare ka aq fuqi sa të pushtojë rrugën “Muatafa Matohiti” bashkë me lokalet përreth, por asgjë më tej. Edi Rama nuk ka asnjë dert nga revolucioni fitimtar në rrugën “Mustafa Matohiti”. As Lulzim Basha nuk bie nga revolucioni “Matohiti”.

As Fatmir Mediu nuk bie, as federalistët, as Nisma Thurje, as Lëvizja Bashkë, as “Shqipëria Bëhet”. Nuk bie as Arian Galdini dhe LRE nga revolucioni “Matohiti”. Fitorja e revolucionit mbi rrugën “Matohiti” as e bashkon e as e asimilon dot “vargmalin opozitar”. Kjo është e vërteta. E sa më shpejt të kuptohet kjo, aq më mirë është për të gjithë ne opozitarët. Po vazhduam me revolucion anti-Rama, që qëllimin e ka të na rrëzojë neve të tjerëve që mendojmë e jemi ndryshe nga Sali Berisha e të tijtë, i vetmi flamur fitoreje që do ngremë është Flamur Noka mbi “Mustafa Matohitin”.

Le të më shajnë e mallkojnë sa të duan mua, unë e kam detyrim t’u them të vërtetën. Sa më parë ta themi e kuptojmë të vërtetën, aq më shpejt do ta nisim edhe reflektimin e ndryshimin e mbi të gjitha transformimin e kulturës dhe vetëdijësimit si të djathtë dhe opozitarë. Shpallja e njëri-tjetrit si armiq, sorosiste, këlyshë a shërbëtorë të Xhorxh Sorosit, Edi Ramës e Erion Veliajt nuk na jep fitore tjetër, përveçse asaj që e kemi të garantuar tashmë, pra triumfin e Flamur Nokës mbi “Mustafa Matohitin”. Në qoftë se e djathta sot ka objektiv të rrëzojë një dëshmor të majtë si Mustafa Matohiti për të ngritur një hero të djathtë si Flamur Noka duke ia marrë emrin e rrugës, atëherë këtë e kemi arritur, ndaj le të shkojnë të flenë të qetë të gjithë revolucionarët se ia kanë arritur kësaj dite me të tillë fitore.

Përndryshe, tani, sot, menjëherë duhet të vendosim të gjithë bashkë të ndryshojmë logjikë, mendësi, kulturë, arsyetim e të nisim të mendojmë për një strategji të re me objektiva madhore për të djathtën, opozitën, shoqërinë dhe kombin. Unë i kam disa ide sesi ne mund të dalim nga rrugicëzimi revolucionar, për të mbërritur te bashkësia opozitare. Vetëm bashkësia opozitare na kthen në alternativë fituese.

Duhet frymë e re, mendësi e re, kulturë e re dhe kontratë e re për të djathtën dhe opozitarizmin. Pa një kontratë morale, nuk e ndërtojmë dot një bashkësi politike. Do të shkruaj e flas pa pushim derisa të gjej veshë e mendje që të fillojnë të dëgjojnë e përpunojnë racionalisht. Mund të më shajnë e mallkojnë sa të duan pse them e shkruaj të vërtetën, por nuk ka mallkim më rëndë sesa ta dish të vërtetën e të mos e shpallësh atë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular