BallinaKryesoreBirn: Të paplota dhe të pabesueshme: Shqipëria dështon në matjen e cilësisë...

Birn: Të paplota dhe të pabesueshme: Shqipëria dështon në matjen e cilësisë së ajrit

spot_img
spot_img

Ajri i ndotur akuzohet si shkaktar i mijëra vdekjeve të parakohshme në Shqipëri, por institucionet përgjegjëse dështojnë prej vitesh që të kryejnë monitorime të sakta dhe të besueshme si dhe të informojnë publikun për ndikimin në shëndetin publik.

Ajri i ndotur është një vrasës i padukshëm i shëndetit tonë. Agjencia Europiane e Mjedisit vlerëson se ndotja e ajrit shkaktoi vdekjen e parakohshme të mbi 5 mijë qytetarëve shqiptarë në një analizë për vitet 2017-2021. Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë apelon ulje të nivelit të ndotjes për të reduktuar goditjet në tru, sëmundjet e zemrës apo kancerin e mushkërive.

Ndotësit kryesorë të ajrit janë grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5, oksidet e azotit, NOx, monoksidi i karbonit, CO dhe dioksidi i squfurit, SO2.

“Grimcat PM 10 dhe 2.5 duhet të maten, pasi lidhen direkt me dëmtimin e dy organeve jetike, mushkëria dhe sistemi i qarkullimit të gjakut,” thotë Mihallaq Qirjo, drejtor i organizatës mjedisore REC Albania. “Edhe gazrat e tjerë janë si një trup i huaj që shkakton dëme direkte të shëndetit,” shtoi ai.

Shqipëria detyrohet nga direktiva 2008/50 EC e Bashkimit Europian dhe legjislacioni i brendshëm që të monitorojë cilësinë e ajrit si dhe ndikimin e ndotjes në shëndetin e popullatës.

E megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi dhe raporteve të auditimit tregojnë se vendi dështon prej vitesh që të prodhojë të dhëna të plota, të sakta dhe të besueshme për cilësinë e ajrit.

Paaftësia për të matur dhe publikuar të dhëna të sakta për ndotjen e ajrit lidhet sipas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit me neglizhencën e Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për të siguruar fondet e nevojshme për mirëmbajtjen e rrjetit ekzistues të stacioneve të monitorimit të ajrit.

Ndërkohë, për shkak të problemeve me kontratat e mirëmbajtjes dhe kalibrimit, stacionet e monitorimit të dhuruara një dekadë më parë nga Bashkimi Europian u lanë të degradohen të paktën gjatë viteve 2019-2022.

Enkelejda Shkurta, përgjegjëse për inventarin e të dhënave në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit i tha BIRN se matja e cilësisë së ajrit ishte bërë “në varësi të buxhetit”.

“Një panoramë gjithsesi na e japin,” tha Shkurta mbi statistikat, duke shtuar se kjo ishte “më mirë se sa pa fare”.

Edhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, AKM, Arta Dollani pranoi se matjet gjatë viteve të fundit nuk kishin qenë periodike, por shtoi se problemi kishte marrë tashmë zgjidhje.

“Aktualisht, stacionet e monitorimit të ajrit janë të gjitha në funksion të plotë për të gjithë parametrat e kërkuar nga direktivat e BE,” tha Dollani.

Shqetësim për BE

Monitorimi i cilësisë së ajrit është një çështje mjedisore me ndikim në shëndetin publik, por është gjithashtu një detyrim që nevojitet të plotësohet në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Sipas raportit të progresit për vitin 2023, Shqipëria nuk është ende e aftë që të prodhojë statistika mjedisore plotësisht të përputhshme me kuadrin ligjor të BE-së.

“Nevojiten më shumë përpjekje për të përafruar me acquis e BE për cilësinë e ajrit, duke përfshirë zgjerimin dhe përmirësimin e sistemit të monitorimit të ajrit,” thuhet në raport.

Mangësitë mbeten të tilla edhe pasi Bashkimi Europian ka shpenzuar qindramijëra dollarë për ta mbështetur vendin në konsolidimin e sistemit të monitorimit mjedisor, përshirë edhe cilësinë e ajrit.

Në vitin 2011, BE financoi me 530 mijë euro blerjen e katër stacioneve automatike të monitorimit të ndotjes së ajrit në Vlorë, Korçë, Durrës dhe Shkodër, dy pajisje kalibrimi si dhe pajisje të tjera ndihmëse, të cilat ia dhuroi asokohe Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave.

Më herët në vitin 2006, BE kishte mundësuar gjithashtu blerjen e dy stacioneve të monitorimit për Elbasanin dhe Tiranën si dhe një stacion të lëvizshëm – asetet e vetme të Shqipërisë për monitorimin e ndotjes së ajrit edhe një dekadë më pas.

Por gjatë një monitorimi të kryer nga BE në vitin 2022 u konstatua se stacionet ishin jashtë funksionit dhe matjet e cilësisë së ajrit ishin ndërprerë.

“EUD ka shprehur shqetësimet e saj për statusin e stacioneve të cilësisë së ajrit në vitin 2022 në takimet dypalëve me institucionet përkatëse të qeverisë së Shqipërisë,” tha delegacioni i BE-së në Tiranë në një përgjigje për BIRN.

“Qeveria Shqiptare ka komunikuar se në vitin 2023 ka nisur tashmë një kontratë për mirëmbajtjen dhe riparimin e stacioneve të cilësisë së ajrit,” shtoi Delegacioni.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një raporti auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se stacionet e monitorimit të ajrit kishin degraduar për shkak të problemeve me kontratat periodike të mirëmbajtjes dhe kalibirit, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit kishte qenë e paaftë të kryente monitorime të plota dhe të besueshme të paktën që nga viti 2019.

Në raportet vjetore të Gjendjes në Mjedis për vitet 2019-2021, AKM publikon të dhëna të pjesshme ku normat janë përgjithësisht brenda vlerave të lejuara të BE-së, por KLSH i vë seriozisht në pikëpyetje këto rezultate.

Direktiva e BE-së përcakton që të dhënat të jenë të besueshme, duhet që monitorimi të kryhet në 90% të vitit me pajisje të mirëmbajtura dhe të kalibruara.

“Agjencia Kombëtare e Mjedisit për periudhën objekt auditimi nuk ka realizuar plotësisht shërbimin e mirëmbajtjes dhe kalibrimit në rang vendi,” thuhet në raport, ku shtohet se kjo ka ndikuar si në gjendjen e stacioneve, ashtu edhe në cilësinë e të dhënave të prodhuara.

Rasti më tipik, sipas KLSH-së është mungesa totale e monitorimit të cilësisë së ajrit për vitin 2021 në qytetin e Tiranës – ku është e përqendruar thuajse 1/3 e popullsisë së vendit.

Sipas KLSH, shkaku kryesor i mosrealizimit të mirëmbajtjes së stacioneve ka qenë mungesa e vënies në dispozicion të fondeve nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Përgjatë viteve 2019-2022, Agjencia Kombëtare e Mjedisit planifikoi 56 milionë lekë në total  për shërbimet e mirëmbajtjes së stacioneve të ajrit, por arriti të shpenzojë vetëm 5.2 milionë lekë ose më pak se 10% të vlerës së nevojshme për këtë shërbim.

Ndërkohë, tendera me vlerë totale prej 96.6 milionë lekësh u prokuruan në mënyrë direkte nga Ministria e Mjedisit gjatë viteve 2018-2023; të cilat shkuan për blerjen e një pajisjeje monitorimi si dhe për shërbime mirëmbajtjeje dhe riparimi.

Drejtoresha e AKM, Arta Dollani fajëson gjithashtu mungesën e fondeve për problemet me stacionet e monitorimit.

“Stacionet e ajrit kanë nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme vjetore. Për shkak të procedurave dhe buxhetit jo të plotë, por edhe për shkak të situatës së krijuar nga tërmeti dhe pandemia, mirëmbajtja nuk arriti të realizohej në kohë dhe rrjedhimisht solli mosfunksionimin e stacioneve të ajrit,” tha Dollani.

Sipas Dollanit, problemi mori zgjidhje në vitin 2022 pas bashkëpunimit mes Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe ministrisë.

“Që nga momenti që është marrë detyra nga ana ime, janë marrë të gjitha masat që stacionet të funksionojnë normalisht dhe të jenë në eficensë të plotë,” shtoi ajo.

Pikëpyetjet mbi tenderat e mirëmbajtjes

Në shtator 2023, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, zbarkuan në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit në kuadër të një hetimi të nisur për veprat penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera dhe shpërdorimit të detyrës.

“Hetuesit qëndruan pak minuta në institucion. Sekuestruan celularët dhe u larguan. Të gjithë janë të shqetësuar në lidhje me hetimin që po kryhet,” tha një punonjës i AKM për BIRN në kushtet e anonimatit.

Një muaj, më vonë hetuesit e BKH-së, u rikthyen në AKM dhe sekuestruan praktikat e disa tenderave dhe dokumenta të tjera. Ndonëse objekti konkret i hetimit është pjesë e sekretit hetimor, problemet me tenderat në AKM nuk janë një çështje edhe aq sekrete.

Në një raport paraprak auditim ligjshmërie në AKM, që BIRN disponon, KLSH konstaton shkelje të ligjit të “Prokurimeve Publike” në hartimin e kritereve të pjesëmarrjes në këto tendera si dhe kufizim të konkurrencës.

Dy prej tenderave të audituar nga KLSH lidheshin me shërbimet e mirëmbajtjes së stacioneve të monitorimit të ajrit për vitet 2020 dhe 2021, të fituara nga kompanitë Krijon dhe ECCAT.

Sipas KLSH, kriteret e të dy tenderave kanë kufizuar konkurrencën mes operatorëve në garë, “duke shkaktuar një trajtim të pabarabartë dhe diskriminues për operatorët ekonomikë”.

Gjithashtu, KLSH vëren se kompania ECCAT nuk e realizoi shërbimin e mirëmbajtjes së stacioneve dhe dorëzoi një faturë tatimore në 7% të vlerës së kontratës prej 7.1 milionë lekësh, por nuk u përball me sanksione për punën e parealizuar.

ECCAT është një kompani konsulence në fushën mjedisore, e cila zotërohet në 50% të aksioneve nga Indrit Daja, kunati i një specialisti të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit të quajtur Beqir Pepa.

Sipas raportit të KLSH, Pepa ishte pjesë e grupit të hartuesve të dokumenteve për tenderin si dhe njëri prej anëtarëve të komisionit për marrjen në dorëzim të kontratës, duke ngritur kështu pikëpyetje edhe për konflikt interesi.

I pyetur nga BIRN për konfliktin e mundshëm të interesit, Pepa preferoi të mos komentonte duke thënë se përgjigjen do ta merrnim nga Agjencia. Drejtoresha e AKM-së, Arta Dollani e përjashtoi atë nga përgjegjësia me argumentin se nuk kishte qenë pjesë e Njësisë së Prokurimit dhe e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ndërsa shtoi se tenderi nuk ishte realizuar.

“Jo, nuk kam dijeni që punonjësit të kenë konflikt interesi. Secili punonjës ka firmosur kontratën e punës ku citohet qartë shmangja e konfliktit të interesit,” tha Dollani.

Pasoja të panjohura në shëndetin publik

Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk është institucioni i vetëm që dështon të realizojë detyrimet për monitorimin periodik të cilësisë së ajrit. Prej një dekade, nuk ka gjithashtu asnjë studim të publikuar për pasojat e ndotjes së ajrit në shëndetin qytetarëve shqiptarë– një detyrë e Institutit të Shëndetit Publik.

Instituti i Shëndetit Publik nuk iu përgjigj një kërkese për informacion të BIRN për të vënë në dispozicion studime apo të dhëna mbi sëmundshmërinë e shkaktuar nga ndotja e ajrit apo probleme të tjera mjedisore në vend.

Por ekspertët mjedisorë ngrenë dyshime se mungesa e monitorimeve mjedisore nuk është e rastësishme.

Sipas ekspertit Rodion Gjoka, kreu i Departamentit të Mjedisit në Institutin Co -Plan, ekziston një vullnet politik për të mos e monitoruar mjedisin, pasi sipas tij do dilte në pah “realiteti dhe puna e dobët në raport me shëndetin publik”.

“Këto të dhëna duhet të jenë publike që qytetarët të kuptojnë se ka rritje të sëmundshmërisë në qytete si Elbasani, Tirana, Fieri, etj., dhe për rrjedhojë të marrin masa që të mos ekspozohen,” tha Gjoka.

“Informacioni është aty, qëllimisht nuk publikohet sepse nuk duan që qytetarët të vetëdijësohen që ka një problem shumë të madh me të cilin do të duhet të përballen,” shtoi ai.

Ish-deputeti Besnik Bare, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës shprehet gjithashtu i shqetësuar pas një monitorimi të kryer prej tij në Tiranë të grimcave PM2.5, të cilat i rezultuan disa herë mbi normën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Tirana rezulton me ajrin më të ndotur për shkak të fluksit të madh të makinave,” tha Bare, duke e cilësuar ndotjen në nivele shqetësuese.

Ai tha gjithashtu se nevojitet një monitorim i vazhdueshëm vjetor me përfshirjen edhe të institucioneve shkencore.

Edhe Mihallaq Qirjo, drejtor i organizatës mjedisore REC Albania e quan të domosdoshme matjen e cilësisë së ajrit dhe pasojave që ndotja shkakton mbi shëndetin e njeriut.

“ISHP dhe institucionet spitalore sipas profilit, duhet të bëjnë studime të tilla, edukimin shëndetësor të popullsisë dhe sensibilizimin e organeve shtetërore,” tha Qirjo.

“Ndotja e ajrit duhet të jetë një problem i prekshëm nga publiku dhe jo një problem teorik,” përfundoi ai./BIRN

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular