Nga Petrit Nika
Martesa është një ceremoni e vjetër, e cila shoqëron bashkimin e dy individëve për të jetuar bashkë sipas disa kodeve të përcaktuara dhe premtuara para martesës dhe gjatë martesës. T’i pyesësh njerëzit sot në rrugët e një qytetit se ç’është martesa, shumica do ta lidhin me disa përgatitje e detyrime paraprake si: përzgjedhja e të ftuarve për dasëm, zgjedhja e veshjeve, e dekorimeve të sallës së dasmës, zgjedhja e recetave të gatimit si dhe gjetja e dy dëshmitarëve të përgjegjshëm për kurorëzimin. Pjesa e parë e martesës edhe në ditët tona shihet më shumë si argëtim dhe kënaqësi. Martesa zyrtarisht dhe sot vazhdon të jetë një kontratë e ritualizuar që krijon një partneritet ligjor midis dy individëve. Kjo kontratë përcakton të drejtat dhe detyrimet e secilit partner.
Në aspektin social, martesa merr karakteristika etnike dhe krahinore, por edhe fetare, sipas rastit dhe shpërndarjes gjeografike – gjithësesi në thelb – gjithkund martesa nënkupton bashkimin e dy partnerëve dhe përkushtimin e plotë e besnikërinë e përjetshme midis tyre.
Nëse flasim për origjinën e martesës, mund të themi se besohet se institucioni i martesës e ka zanafillën që në botën lashtë – si një mënyrë për ruajtjen e pushtetit, ruajtjen e aleancave, trashëgimin e tokës dhe pasurisë si dhe sigurimin e trashëgimtarëve të ligjshëm. Pra duket se martesa ka filluar me patriarkatin, i cili krijoi konceptin e pronës dhe trashëgimisë. Ajo gjithashtu shihet si një mënyrë e organizimit të familjes, dhe si shumica e institucioneve të tjera shoqërore, tradita e saj ka evoluar gjatë shekujve. Por nga dolën rregullat e lashta të martesës dhe cili ishte thelbi i tyre?
Provat më të hershme që dokumentojnë martesën si një kontratë me rregulla te përcaktuara, datojnë të paktën rreth 4000 vjet më parë në ligjin sumerian, shkruar me kueinform në Kodin e Hamurabit. Ky kod i lashtë ligjor përmban tridhjetë e tri urdhëresa specifike që përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e çifteve të martuara. Aty ceken tema që kishin të bënin me natyrën e martesave në shoqërinë e lashtë, si: çmimi i nuses, divorci, detyrimi martesor, inçesti dhe shkelja e kurorës. Konceptet e mirëmenduara që dokumentohen në këtë tekst 4000 vjeçar, tregojnë qartë se rregullat që shoqërojnë një lidhje martesore kanë një të kaluar shumë më të lashtë se vetë Kodi i Hamurabit. Sa më shumë të shtyhemi në thellësitë e errëta të historisë, aq më shumë gjejmë fakte bindëse mbi rëndësinë që i është dhënë institucionit të martesës në të gjitha kohët, në të gjitha vendet dhe në të gjitha kulturat e botës.
Eksploruesit e hershëm, ndërsa udhëtuan nëpër botë për të zbuluar e studiuar kulturat, që ne fillim mblodhën informacione befasuese në lidhje me martesën. Ata zbuluan se edhe etnitë më të humbura, në dukje primitive, me të cilat komunikuan, kishin gjithashtu sisteme të përcaktuara mirë që rregullonin martesën.
Nëse shikojmë primatin më të afërt me njeriun, shimpanzenë, koncepti i çiftëzimit monogam nuk ekziston te kjo specie. Nuk ekziston sepse nuk është pjesë përbërëse e kodit të tyre gjenetik koncepti i saj. Shimpanzetë nuk zotërojnë një shtytje të brendshme që t’i nxisë partnerët meshkuj dhe femra të lidhen besnikërisht midis tyre. Në vend që të krijojnë një lidhje të tillë martesore të pandarë, predispozicioni i tyre është të çiftëzohen rastësisht dhe me shumë partnerë.
Nëse detyrimi për t’u lidhur me bashkëshortin tonë nuk është pjesë e materies sonë gjenetike, atëherë vallë a është koncept që e kemi krijuar vetë ne raca njerëzore, si pjesë të evolucionit të vetëdijes shoqërore? Antropologu britanik, Ashley Montague vëren se “nuk ka shoqëri njerëzore ku martesa nuk ekziston”. Sipas tij, gjithashtu, nëse martesa do të zhvillohej në mënyrë të rastësishme, apo evolucionare, kësisoj martesa do të ekzistonte vetëm në disa kultura, por jo në të tjerat. Sistemet e lashta të ligjeve martesore që ai zbuloi nëpër botë ishin jashtëzakonisht të qëndrueshme, aq të qëndrueshme sa pionierët e hershëm të antropologjisë konkluduan se kjo traditë mban vulën e një “organizimi të qëllimshëm”.
Grupet e popujve nativë që u anketuan, gjatë këtyre hulumtimeve, zbuluan një sistem të kontrollit shoqëror, për të cilin ata besonin se ekzistonte shumë përpara ligjeve tona moderne dhe sanksioneve të tjera të nënkuptuara nga instancat juridike e shtetërore. Ata besojnë se këto rregulla fillestare, ose “tabu”, evoluan nga rregulla e kode të thjeshta grupimesh shoqërore, derisa u kodifikuan në urdhërime fetare, apo ligje laike, shumë prej të cilave kanë mbijetuar deri më sot.
Martesa që në fillesat e veta rrethohej nga tabutë. Fjala “tabu” rrjedh nga gjuha polineziane dhe nënkupton një gjë rreptësisht të ndaluar. Dy nga tabutë më të lashta, më të gjata dhe më të qëndrueshme në histori, të ndeshura në gjithë botën, të cilat sanksionojnë martesën, ndalojnë marrëdhënien seksuale me një grua të martuar (në tradhti bashkëshortore) dhe martesën apo marrëdhënien seksuale me persona brenda fisit (inçestin).
Shumë kultura ende sot e konsiderojnë tradhëtinë bashkëshortore një krim shumë të rëndë. Në disa vende, madje edhe në disa shtete të SHBA-ve ekzistojnë dhe sot ligje që parashikojnë ndëshkime të caktuara për “thyerjen e kurorës”, të cilat variojnë nga dënimet me gjoba deri tek privimi i lirisë me burgim.
Tradhëtia bashkëshortore ishte një vepër shumë më e rëndë në antikitet. Në Bibël, për shembull, një nga dhjetë urdhërimet thotë: “Mos shkel kurorën e shenjtë”. Kurora martesore nga kisha katolike ende sot konsiderohet sakrament, pra e shenjtë. Në kohë të lashta individët e kapur në situata kompromentuese dënoheshin me vdekje. Në Kodin e Hamurabit, nëse një grua e martuar akuzohej se shkonte me një burrë tjetër, ajo ndiqej penalisht dhe dënimi ishte me vdekje. Ligje dhe dënime të ngjashme janë dhe në kulturat native. Në Polinezi, dënohesh me vdekje edhe sot të prekësh një grua të martuar. Në Zimbabve, dënimi për tradhti bashkëshortore është gjithashtu me vdekje edhe sot. Romakët e lashtë, kurorëshkelësit i dëbonin në një ishull larg familjes dhe qytetërimit. Në kulturat indigjene të Amerikës, gruas së pabesë i gjymtohej trupi, ndërsa aztekët për tradhëti fajtorin, apo fajtorët, i vrisnin me gurë. Pothuajse në të gjitha kulturat e botës tradhëtia bashkëshortore është e denueshme. Por dënimet më të mëdha, në të gjitha kohët e në të gjitha vendet, parashikohen të bien mbi gruan, ndoshta sepse kultura e rendit patriarkal atë e shikon si përgjegjëse për ruajtjen e pastërtisë së kodit gjenetik.
Në të gjitha kulturat e lashta duket se ligjet, detyrimet, sanksionet dhe tabutë që lidhen me martesën përshkruhet se vijnë gjithmonë nga i njëjti burim – zemërimi hyjnor. Tekstet biblike nxjerrin përfundime se vetë Zoti i ka caktuar ligjet që duhet të respektojmë në jetën tokësore. Një referencë e ngjashme qiellore gjendet dhe në sistemin ligjor të Kodit të Hamurabit. Në kulturat indigjene gjithashtu ekziston frika nga ndëshkimi hyjnor, nëse thyhen rregullat e përcaktuara prej tyre.
Atëherë, nëse është gjithmonë një fuqi e epërme ajo që i solli në tokë ligjet e martesës dhe të moralit, siç sugjerojnë tekstet dhe traditat e hershme, cili ishte motivi thelbësor për ta bërë këtë? Për ata që i largohen pranimit të origjinës hyjnore, vitet e fundit kanë dalë disa teori ku hidhet ideja e inxhinierisë gjenetike. Sipas kësaj teorie disa jashtëtokësorë kanë zbritur në tokë në të kaluarën tonë shumë të largët. Ithtarët e kësaj teorie pretendojnë se këto qenie të botës tjetër ndërhynë në evolucionin e jetës në tokë, duke krijuar një specie njerëzore përmes inxhinierisë gjenetike. Kjo linjë mendimi, edhe pse e hedhur poshtë deri tani, ka një numër të konsiderueshëm provash për t’i mbështetur pretendimet e veta rreth kësaj teze. Nëse pohimet e tyre janë të sakta, cilat janë implikimet e këtij procesi të shumimit dhe vazhdimësisë? Së pari, nëse janë bërë modifikime në përbërjen gjenetike njerëzore, kjo nënkupton që një grup njerëzish hibridë të modifikuar gjenetikisht është futur në popujt ekzistues autoktonë. Nëse kjo specie e sapo krijuar do të lejohej të çiftëzohej rastësisht, shanset për përhapjen e materialit të tyre gjenetik të rinovuar mund të ishin të kufizuara.
A thua e parashikuan këta “inxhinierë” të hershëm jashtëtokësorë një problem të tillë? A ishte kjo arsyeja pse ata krijuan një sistem rregullash që do t’i siguronin njerëzit e tyre nga ndryshimi gjenetik? Është fakt i njohur në gjithë botën se ligjet e lashta të martesës i detyronin individët të martoheshin me partnerë nga grupe të ndryshme, sa më larg farefisnisë së tyre. Kjo praktikë miratohet edhe sot nga shkenca gjenetike.
Në këtë pikë bashkohen traditat e lashta, kodet shoqërore, teologjike dhe shkencore. Pra thelbi i dy tabuve që lidhen me martesën që në kohë të lashta mbeten të lidhura pazgjidhshmërisht me kodin gjenetik, së pari për ta ruajtur nga ndërhyrjet e jashtme (tradhëtia bashkëshortore) dhe së dyti për ta ruajtur nga mutacionet e brendshme (inçesti).
Nënvelftësimi, apo shfuqizimi i këtyre dy kodeve që lidhen pazgjidhshmërisht me martesën, nënkupton prishjen përfundimtare të këtij rendi njerëzor që kemi sot dhe fundin e epokës së patriarkatit.