Shtëpia e Bardhë ka propozuar sërish David Kostelancik si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Ky riporpozim vjen pasi në fillim të janarit, Senati në SHBA nuk e miratoi emërimin e David Kostelancik si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri.
Senati i kërkoi Presidentit të SHBA, Joe Biden, që të miratojë një kandidat të ri për këtë pozicion.
Por emri i David Kostelancik i është dërguar sërish Senatit amerikan për miratim.
“David J. Kostelancik, nga Illinois, Anëtar Karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, Klasa Ministër-Këshilltar, nominohet për të qenë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Diplomati i karrierës Kostelancik, u emërua për postin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri në janar të vitit të kaluar. Zoti Kostelancik dëshmoi për përparësitë e tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë në mars të vitit të kaluar. Në prill, Komisioni votoi pro konfirmimit të tij, por votimi i plotë i Senatit nuk u bë.
Çfare ndodh nëse riderkohet e njëjta kandidaturë?
Nëse ridërgon të njejtën kandidaturë, procesi në senat fillon nga e para, por komisioni përkatës që shqyrton kandidaturën ka kompetenca të gjera dhe mund ta thërrasë sërish për dëshmi ose jo. Në të kaluarën, për shumicën e riemërimeve, komisionet nuk i rithërrasin kandidaturat për dëshmi.