Intervistë me Bledar Shella, Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB)
Viti 2024 e ka gjetur sektorin bankar me një pozitë mjaft të shëndoshë financiare dhe me një cilësi të mirë të portofolit të kredive.
Bledar Shella, Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë në një intervistë për “Monitor” se, në pjesën e parë të këtij viti, mund të ketë rritje të mëtejshme të normave të interesit për Lekun.
Megjithatë, ai mendon se tashmë jemi afër pikut të normave të interesit dhe ndoshta, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024, të fillojë ulja e tyre, sidomos në monedhën Euro.
Sipas tij, rritja ekonomike, e mbështetur nga turizmi, ndërtimi, si dhe nga projektet e reja në infrastrukturë, pritet të jetë pozitive dhe kjo do të ndihmojë vazhdimin e rritjes së kredidhënies me ritme të kënaqshme edhe në vitin 2024.
Si e vlerësoni ecurinë e sektorit bankar gjatë vitit 2023 dhe cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme në këndvështrimin tuaj?
Viti 2023 ishte shumë pozitiv për sektorin bankar. Gjatë këtij viti patëm rritje të ndjeshme të inflacionit dhe rritje më të shpejtë të normave të interesit në dekadat e fundit dhe këta dy tregues kanë efekt në kërkesën konsumatore, në investime dhe në stabilitetin financiar.
Pavarësisht këtyre efekteve, kredidhënia vazhdoi me ritme të kënaqshme, madje kredia për individë pritet të ketë rritjen më të madhe të dekadës së fundit.
Bankat i kushtuan rëndësi mirëmbajtjes së portofolit të trashëguar të kredive dhe forcuan kërkesat për kreditë e reja, të detyruara nga ndikimi i ndryshimit të normës së interesit.
Jemi të kënaqur që cilësia e mjeteve të sektorit bankar mbetet e lartë, kreditë me probleme nuk janë përkeqësuar dhe kreditimi i ekonomisë dhe individit nuk është cenuar.
Produkti i kredisë për shtëpi paraqitet me rritje të kënaqshme, kredia për biznesin ka pasur luhatje në muajt e vitit, por në përfundim rezulton rritje pozitive.
Përtej këtyre, bankat vazhduan t’u përgjigjen kërkesave të ekonomisë, sidomos rritjes së numrit të turistëve dhe pagesave me kartë dhe përdorimit të ATM-ve, zgjerimit të shërbimeve dhe produkteve në kanalet online, si dhe përgatitjes për një vit të ri konkurrues në shërbimin e pagesave për shkak të zbatimit të bankingut të hapur.
Dixhitalizimi, edhe pse i gërshetuar me praninë fizike ende të lartë, është një drejtim i pakthyeshëm dhe i pashmangshëm në veprimtarinë bankare.
Ne presim që të harmonizohen më mirë përpjekjet me strukturat shtetërore, për të ndihmuar dhe për të përmirësuar më shumë në fushën e pagesave të shërbimeve publike.
E veçantë e këtij viti duhet theksuar, gjithashtu, është përpjekja e sektorit në fushën e sigurisë kibernetike, ku i është dhënë përparësi forcimit të strukturave brenda bankave, trajnimit të personelit dhe bashkëpunimit midis sektorit dhe autoriteteve.
Si është përballur deri tani sektori bankar me daljen nga periudha e gjatë e normave minimale të interesit dhe si do ta vlerësonit bilancin e deritanishëm të këtij procesi?
Periudha e normave minimale të interesit ishte relaksuese për ekonominë, sepse ato lejonin kualifikimin e më shumë projekteve dhe kërkesave.
Kredia nuk paraqitej e shtrenjtë dhe, në kushtet e normave të interesit në nivelet minimale historike, kërkesa zgjerohej edhe më shumë. Rreziku i periudhave me norma minimale shfaqet më pas, në periudhën e ndryshimit të normave të interesit.
Sepse ndodh që kreditë e disbursuara, në kushtet e reja, të paguajnë më shumë interes dhe kjo kërkon më shumë sakrifica të kredimarrësve nga të ardhurat e tyre.
Të vëmendshëm kundrejt këtij rreziku, bankat u treguan të matura dhe fakti që kreditë me probleme nuk janë përkeqësuar, tregon kujdesin e bankave për të mos krijuar situatë me humbje.
Pra, kalimi nga një situatë me norma të ulëta të interesit, në një situatë me norma të rritura, rezultoi pozitiv.
Klientët kishin marzhin e tyre për të përballuar ripagimin e kredisë, kjo falë analizave më të kujdesshme të bëra gjatë procesit të miratimit të kredisë nga strukturat e bankave.
Edhe forcimi i Lekut kundrejt Euros ka ndihmuar në zbutjen e efektit të rritjes së normave të interesit.
Edhe pse rreth 50% e kredive janë në Euro, ndërkohë që të ardhurat janë kryesisht në Lek, ripagimi i kredive në Euro është ndikuar pozitivisht nga forcimi i Lekut.
Cilat janë pritshmëritë dhe sfidat tuaja kryesore për ecurinë e sektorit bankar gjatë vitit 2024?
Bankat e fillojnë vitin 2024 me një pozitë mjaft të shëndoshë financiare dhe me një cilësi të mirë të portofolit të kredive.
Edhe viti 2024 pritet të karakterizohet nga inflacioni dhe, në varësi të nivelit të tij, mund të kemi edhe ndryshim të normës bazë të interesit në Lek gjatë pjesës së parë të vitit.
Por tashmë besoj se jemi afër pikut të normave të interesit dhe gradualisht, shpresojmë që gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024 të fillojë ulja e tyre, sidomos në Euro.
Rritja ekonomike, e mbështetur nga turizmi, ndërtimi si dhe nga projektet e reja në infrastrukturë, pritet të jetë pozitive dhe kjo do të ndihmojë në vazhdimin e rritjes së kredidhënies me ritme të kënaqshme.
Ne duam të ruajmë dhe të përmirësojmë edhe më tej cilësinë e mjeteve, duke garantuar shëndet ndaj rreziqeve të ndërmarra, kapitalizim sipas kërkesave rregullatore dhe kërkesë të shtuar për kredi.
Këto nuk lënë jashtë vëmendjes projektet e tjera që do të vihen në zbatim, si Open Banking, apo që do të fillojnë të përgatiten, si ligji i ri për bankat, raportimi financiar pranë Bankës së Shqipërisë sipas standardeve ndërkombëtare, instant payment, etj.
Bankat janë në proces të rritjes së mjaftueshmërisë së kapitalit dhe kjo rritje do të sigurohet nga fitimet e realizuara dhe nga detyrime të tjera të pranuara, si marrja borxh në treg për qëllime të rritjes së kapitalit.
Industria bankare mbetet e angazhuar të përballojë sfidat, të cilat edhe nuk i parashikon dot të gjitha. Rreziku më i madh për vitin 2024 është ai gjeopolitik.
Dy zhvillimet e dy viteve të fundit – lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe ajo e Izraelit në Gaza – ishin të paparashikueshme. Urojmë që të jenë të fundit dhe bota të bashkëpunojë e gjitha në përpjekjet e saj për më shumë prosperitet, jo vetëm për brezat e sotëm, por edhe për gjeneratat e ardhshme.