BallinaTe tjera“Kishte qenë deri në Kubë, ku ishte takuar me Heminguejn, Kastron e...

“Kishte qenë deri në Kubë, ku ishte takuar me Heminguejn, Kastron e Çe Guevarën, por në Spaç mblidhte bishta cigaresh dhe…”

spot_img
spot_img

Nga Maksim Rakipaj

Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu  tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos.

Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976,  i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991.

Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015),  ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.

4 – Një shqiptar nga Kuba

Kam zënë shumë miq nga të dënuarit, që vijnë nga Tirana këtu në Ballsh. Janë njerëz të shkëlqyer. Është ndër ta edhe Jamarbëri, i biri i shkrimtarit të njohur Petro Marko; Gëzim Peshkëpia, që i kanë pushkatuar të atin në vitin ’51, për bombën e vënë nga Sigurimi te ambasada sovjetike në Tiranë; është Beqir Omari, i nipi i Bahri Omarit (nuk u ngop vampiri Enver, me gjakun e xhaxhait të tij!); Nezir Stërmasi, që vjen nga një prej familjeve më të nderuara tiranase; Shefqet Kau, i madh me trup dhe me shpirt – traineri i njohur i volejbollit të femrave të “Dinamos”; dramaturgu, kritiku dhe shkrimtari Miho Gjini; i madhi ndër më të mëdhenjtë, Luk Kaçaj e shumë të tjerë. Kanë kulturë të gjerë, mëson shumë njeriu nga shoqërimi me ta.

Shkrimtari Petro Marko, vjen rregullisht të takojë të birin. Dallohet që tutje krifa e thinjur kaçurrele e tij. E venë re të gjithë nga larg, para se t’i afrohet kampit. Ka luftuar në Spanjë, Petroja, ka qenë në burg në kohën e fashizmit, në ishullin Ventotene. Ka qenë edhe në burgun e Burrelit. Tani, në pleqëri, i duhet të vuajë edhe burgun e të birit, Jamarbërit, ose Madut, siç i flasin shokët. Sa herë i vjen Petro në takim, është festë për Madun dhe për miqtë e tij. Është festë edhe për ata që ai ndihmon.

E shoh që i jep ndonjë paketë cigare dhe diçka për të ngrënë një të moshuari, ndërsa shkoj të përshëndetem me të dhe largohet pa pritur falenderimet e plakut.

– “Nuk e njeh Dhimitrin, Makso”?! Jo? Ka marrë pjesë në lëvizjen e Fan Nolit, në qershor të vitit ’24. Kur u kthye Zogu në pushtet, iku jashtë vendit. Kaloi disa vjet nëpër Evropë dhe, s’di se si, nga vitet ’30-të, a me pas, përfundoi në Kubë. Ka njohur edhe Heminguejin në Havana, ka folur dhe ka pirë me të. Si është e mundur që ka përfunduar këtu, thua ti?! Prit, se do vij edhe aty…, por eja me mua, të ta prezantoj dhe folë vetë me të”.

Kështu u njoha me Dhimitër K. Nuk i vjen njeri ta takojë në burg. Pi duhan dhe e ka të vështirë të jetojë, vetëm me ushqimin e kazanit të Ballshit. Në fillim, mblidhte bishtat e cigareve për tokë, që i shkërmoqte për t’i futur në llullën e tij, ndërsa nuk i ndahej asnjëherë, ndjenja e urisë.

Gjendja e tij ndryshoi për mirë, që kur zuri shoqëri me njerëz të ndryshëm. Këtu, të gjithë ata që e njohin, i japin diçka: dikush duhan të hapur, një tjetër i jep racionin e vet të kazanit, dikush një copë ëmbëlsirë…! Dhimitri është tip krenar, nuk i lyp kurrë gjë njeriu. Kur dikush prej miqve të tij i thotë:

– “Është turp të mbledhësh bishta cigaresh përtokë. Ty të njohin të gjithë, mjaft të kërkosh dhe të gjithë të japin, o Dhimitër”!

– “Jo, nuk kam turp të mbledh bishta cigaresh… – përgjigjet ai. – Turpi është i atyre që më futën në burg…! Turp është të lypësh dhe t’u biesh të tjerëve në qafë, të vjedhësh. Kështu”?!

Me që u prezantova me Dhimitrin, vendosëm bashkë me Aladinin ta ftojmë për një kafe.

– “Jam shumë i nderuar, të pi një kafe me ju – më tha Dhimitri – që keni qenë oficerë te vapori ‘Durrësi’. E kam vizituar anijen tuaj në vitin ’62, kur erdhi në Havana, për të ngarkuar sheqer…”!

Ndërsa Aladini po bënte kafet, i dhashë një copë kek që ma kishte sjellë nëna ime.

– “Nëna jote, duhet të jetë prej Korçe. Kur kam qenë i vogël edhe nëna ime bënte si këto…! Kam jetuar shumë vjet në Kubë, pranë meje kishte vilën edhe Ernest Heminguej. Kemi qenë miq, fotot që kisha me të, m’i morën në hetuesi. Edhe fotot me Che Guevaren, me Fidelin…! Nuk ka qenë komunist Fidel Kastro…! Madje ishte farefis, me diktatorin Batista.

Ishte thjesht një rebelim kundër tij…! Rusët i mbanin veshët ngrehur. Në një miting spontan, Fideli, ashtu kot pa u menduar gjatë, bëri atë deklaratën e famshme: Amerikanët thonë, që Fidel Kastro është komunist! Në se dikush që mbron interesat e popullit të vet për ata është komunist, unë deklaroj botërisht: Po! Fidel Kastro është komunist’!

E kam dëgjuar me veshët e mi. Aaa, doni të dini si përfundova këtu?! Ishte viti’62 më duket, kisha dalë për një shëtitje nga porti i Havanës, kur pashë një anije me flamurin shqiptar. M’u prenë gjunjët kur e pashë. Punonjësit e portit, më thanë se anija do të qëndronte mbi një javë aty, do të ngarkonte sheqer. Autoritetet më thanë, se mund të ngjitesha në anije, pa problem, që të nesërmen. Ata do të njoftonin kapitenin e anijes, për vizitën time. Të nesërmen, mora nja dy shishe ‘Rum’, për t’ia dhuruar kapitenit dhe me një emocion të pa rrëfyer, u ngjita në anije.

Gati 40 vjet pa folur shqip, kisha. Gjeta edhe ambasadorin e Shqipërisë aty. Nuk e dija që Shqipëria, kishte ambasadë në Havanë. Me pritën shumë mirë, ç’të të them. Unë gjithë kohën i kisha sytë me lot, nga mallëngjimi. Ambasadori më tha, se ambasada i kishte dyert e hapura për mua. Më dha një tok revista shqiptare…! U habita, sa kishte ndryshuar vendi! Malli më përvëlonte gjoksin. Nuk doja të vdisja, pa puthur një herë dheun tim… ehheee.

Fola me gruan…! I keni parë fotot e mia? Ja, këtu kam dalë me gruan, te vila jonë në Havana…! Kjo biondja, është ime shoqe, engleze…! Kjo me flokë të zeza, është nusja e djalit, ky i vogli është nipi….do jetë bërë burrë tani. Gruaja kishte frikë: Jo, i dashur, kam dëgjuar plot tmerre, që tregojnë për vendet komuniste. E ndjej, që po ike, nuk do të të shoh më’! I thashë, të mos besonte propagandën e imperialistëve dhe përrallat për ‘perden e hekurt’.

Unë i pata shkruar një letër Enver Hoxhës, kur ky e nxori Shqipërinë nga kampi socialist. I thashë hapur mendimin tim, si shqiptar, si komunist. I thashë se me këtë veprim aventuresk, i bënte një shërbim me vlerë imperializmit, ato pallavrat për revizionizmin, nuk më bindnin…! Për çështje teorike, duhet ulur në tryezë për të biseduar shtruar.

Një vend i izoluar nga gjithë bota, i shërbente vetëm pushtetit të tij personal, absolut dhe shërbimeve sekrete imperialiste. Nuk pata asnjë përgjigje. I fola edhe shokut ambasador, për këtë. Ai tundte kokën dhe buzëqeshte: ‘Të jesh i sigurt, shoku Dhimitër, se partia dhe shoku Enver, e kanë në konsideratë letrën dhe mendimet tuaja. Tek ne nuk shtypet mendimi ndryshe.

Ti mund të shkosh vetë në Tiranë, kur të duash, dhe të bindesh për këtë. Mund të takosh personalisht cilindo shok të udhëheqjes, madje vetë shokun Enver. Kur të duash, më thuaj. Unë të kam thënë, quaje ambasadën, si shtëpinë tënde’! Më bindi. I kërkova vizën për në Tiranë. Ma dha menjëherë. Sa mbërrita në Rinas, më vunë prangat! Sa jam dënuar? Sa vjet më kanë mbetur? Sa të jetë Enver Hoxha në pushtet, në burg do jem. Kishte të drejtë gruaja ime, që më tha kur më përcolli: Ma ndjen zemra Miti, nuk do të të shoh më…”!

5 – Studentët e Varshavës

Nga ajo valë arrestimesh, që kishte përfshirë të gjithë vendin, nuk kishte si të shpëtonte, edhe një grup ish-studentësh, që kishin mbaruar Universitetin e Varshavës. Shumica ishin inxhinierë mekanikë. Një prej tyre, i ndjeri Vedat Buzi, është vëlla dëshmori…! “Pupupu, shih ku vete e godet armiku… vëllanë e dëshmorit, si guxoi të shkelë mbi gjakun e të vëllait. Dukej dhe njeri i urtë”?!

…Dhe është i urtë Vedati, tip i qetë, i edukuar, familjar. Në burg është i rezervuar, ende i trembur nga hetuesia. Nga ky grup, kam më shumë shoqëri, me Spiro Nikollën. Ka punuar si kryeinxhinier, në Parkun e Autoveturave në Tiranë. Ka qenë edhe në kampin e Spaçit. Pësoi aksident nga shembja e një armature në galeri, që e zuri poshtë, por shokët arritën ta nxirrnin shpejt. Në spital, donin t’i prisnin këmbën e majtë. Nuk pranoi. E operuan shkel e shko, fundja një copë burgaxhi dhe armik ishte.

I hoqën kupën e gjurit dhe këmbën e majtë, e tërheq zvarrë, megjithatë Spiro është i kënaqur, të paktën ka këmbën e tij. Ka kujtime të bukura nga Polonia dhe njerëzit atje. Edhe unë kam qenë në Poloni. Janë njerëz të mrekullueshëm polakët. Kur me anijen “Durrësi” bënim linjën e Polonisë, pata zënë mjaft shokë polakë. Spiro, më tregon për hetuesinë e tij. Hetues kanë patur famëkeqin, Ali Korbi. Hetoheshin për spiunazh. Tregon edhe qyfyre nga hetuesia, ka humor Spiro.

“Njëherë, – tregon Spiro, – pasdreke, më merr polici për në hetuesi. E gjej Korbin në këmbë, të pispillosur, sikur do të shkonte në ndonjë ballo. Kishte një javë që nuk më thërriste në hetuesi. Sapo hyra, gjithë edukatë, Korbi më ofroi cigare dhe ma ndezi. Ishte cigare polake.

– ‘Të kish marrë malli për cigaret polake?! E ke nga shefi yt polak i spiunazhit, nga kolonel Dombrowski. Sapo u ktheva nga Varshava. Njeri i mirë, ky kolonel Dombrowski…m’i rrëfeu të tëra për ju të gjithë… për ty kishte bindjen, se do të ecje, kishte respekt për inteligjencën tënde, mor Spiro…! M’i tha, m’i tha, të gjitha: si të ka njohur, si të rekrutoi…! Hë, ç’ke për të më thënë tani, mor bukurosh?! Ke ndërmend të flasësh, apo jo…’?!

– Po, – i thashë, – por di të më thuash, pse e kanë ulur në gradë Dombrowskin?! Sa kohë isha student në Varshavë, e dija gjeneral. Eh, si janë këto punë’?!

– ‘Shyqyr që t’u mbush mendja të flasësh më në fund. Pa më thuaj, si e njohe?!

– E njoha rastësisht, isha në park me një mikeshën time polake dhe ajo ma prezantoi: I dashuri im Nikolla, të prezantoj me gjeneral Dombrowskin.

– ‘Ëhëëë, po ti çfarë i the, ku shkuat, çfarë detyrash të caktoi, po ai çfarë tha…ë, vazhdo…’!

– E çfarë të thoshte, ai ishte në majë të kalit, si Skënderbeu. Akoma atje e ke, mbi kalë. E kanë hero kombëtar, polakët. Po pse ia kanë ulur gradën, nga gjeneral, e paskan bërë kolonel…’?!

Më rrahu atë ditë Korbi, deri sa më ra të fikët, ama kur erdha në vete, kam qeshur me lot, kur kujtoja si i bëri turinjtë Korbi. Veç ta shihje…! Ia vlente të haje dru, për këtë. Pas disa muajsh hetuesie dhe presione gjithfarësh, më njoftuan zyrtarisht, se akuza për spiunazh, kishte rënë. Thashë se mbaruan hallet me kaq.

– Po tani, more – i thashë Korbit – si do t’u thoni njerëzve, që na ngordhët këto muaj kot së koti. Kujton se ne, do ta lemë këtë punë me kaq?!

U shkreh së qeshuri Korbi, u gajas more, nuk pushonte:

– ‘U ç’më kënaqe, more Spiro. Të dija burrë të mençëm, po paske qenë mender koqe nga trutë…! Ahahaha…! Uh, i shkreti, kujton se do lirohet. Prit, more, se ka dava Janina. Ku do vesh ti, pa marrë e pakta 20 vjet burg, more. Popullit, thua ti, si do t’ì themi?! Një mut, asgjë s’kemi për t’i thënë. Ta them unë, si bëhet: Do vete në shtëpi unë. I vrerët, i ngrysur, me uf e buf. Gruaja më flet: Ali, ta ve kafenë? Hiç unë, hap e mbyll dosje. ‘Ali, ku e ke mendjen, kafenë të them…’?! Unë bëj sikur përmendem dhe i them: ‘E ku ta kem, a derëbardhë, ku ta kem…?! Më doli shpirti me këta agjentët polakë, që kemi arrestuar: Nikolla, Vedati, e me radhë…! Përditë, gjëra të reja zbulojmë. Ika, më duhet të bëj një takim sekret. Dhe dëgjo, gruaaa, mos hap gojë me njeri, se janë gjëra me zarar, këto punët e agjenturave! Dëgjove, dëgjova thuaj…!

Shkoj ia fus dy tre dopjo, me ndonjë shok, ndërsa ime shoqe, ka mbushur mëhallën: Pupu, e zeza, m’u sfilit i ziu Ali, me këta agjentët rumunë, bullgarë, englezë….me Spiro Nikollat me shokë…! Ama, i ka bërë një të zbërthyer Aliu im, që ç’të të them moj Zenepe’! Të nesërmen ka vajtur llafi në Shkodër, Sarandë e ku të duash ti. Budalla. E di veten të mençur, po nuk e njeh Partinë e Punës ti”!

Anglisht, poezi dhe konjak në Qaf-Bar

Pas mbarimit të turnit, jepja edhe kursin e anglishtes. Disa shokë të mi, kishin porositur metodat “Essential” dhe më kishin kërkuar t’i ndihmoja. Nuk e kisha të lehtë me ta. Ishin me arsim të lartë dhe njihnin disa gjuhë të huaja, kështu që më duhej, të përgatitesha mirë, që të isha në gjendje t’u përgjigjesha pyetjeve të tyre. Isha i lumtur kur ata ishin të kënaqur prej meje.

Nga Burreli, ku e patën transferuar pas ri dënimit, erdhi edhe këngëtari i madh, Sherif Merdani. Miqtë e shumtë që kishte, e prisnin me entuziazëm. U bë edhe miku im. E ri takova pas burgut Sherifin, kur dha një koncert live në Pallatin e Sportit në Durrës në vitin ’96. Kur këndoi “Se këndonim let it be”, u afrua te vendi ku isha ulur unë me gruan dhe djemtë, më përqafoi duke vazhduar këngën…u mallëngjyen të gjithë spektatorët.

Në Qaf-Bar, Sherifi solli nga burgu i Burrelit, shumë poezi në anglisht. Ishte shumë i pasionuar pas poezisë anglo-saksone: “Ka shumë muzikë, ritëm, poezia në anglisht, Maks. Mos e harro, kur të përkthesh në shqip. Nuk mjafton të njohësh vetëm gjuhën në përkthim”. E kam patur gjithnjë parasysh porosinë e tij, jo vetëm kur kam përkthyer poezi, prej anglishtes.

Jam në një turn me Nikolla Kalin. Sa herë hyjmë në galerinë e shkretë, recitojmë me zë të lartë “Invictus” dhe ndjehemi më të fortë. Aladini, vazhdon punën në prerjen dhe ndarjen e bukëve. Janë të gjithë të kënaqur me të. Ka siguruar një raport, që vuan nga zemra dhe nuk mund të punojë në minierë. Policëve dhe oficerëve dibranë, ua ka pjerdhur trutë, iu flet mirë për Haxhi Lleshin, me të cilin Kapot, kanë një krushqi dhe këta aq duan. Edhe unë, si shok i tij, kam favor nga kjo gjë. Kjo më bën të kem, edhe dashamirësinë e polic Beqirit, ndaj meje. Megjithëse kohët e fundit më rri pak ftohtë, për shkak se nuk e pranova propozimin e tij, për të punuar në kuzhinë.

Një mbrëmje, kur isha turni III-të dhe po pija një cigare në dhomën e fjetjes (gjë që me rregullore, ishte e ndaluar), hapet dera me tërsëllëm dhe hyn polic Beqiri, që ishte me shërbim në kamp atë mbrëmje. E fsheh cigaren shpejt. Beqiri sheh nga unë dhe me ton të ashpër më drejtohet: “Rakipaj, vrap poshtë e më prit te zyra! Ta kallxoj un, si pihet duhan në dhomë”!

Zyra e policit, është në katin përdhes, shërben si vend për të rrahur ata që thyenin rregullat. Beqiri vjen, hap derën e “zyrës” dhe gjithmonë serioz, më flet me inat: “Futu mren”! Futem dhe qëndroj larg tij, pranë varses, ku kishte varur pallton Beqiri. Ky shkon pas tryezës, heq shkopin e gomës nga brezi dhe e përplas mbi tavolinë. Thashë se kaq e pata. I flas duke u munduar të tregohem i qetë:

– “Dëgjo, Beqir B., dëgjo këtu, jemi tek e tek. Mos të të rrejë mendja se mund të më rrahësh zgjidhur dhe unë do të rri si pulë. Nëse ngre dorë, njëri nga ne të dy, nuk del gjallë prej këtej. Bëj si të them unë, m’i lidh duart mbrapa shpine, në se do të më rrafsh. Veç ruhu nga ndonjë shkelm imi, ruaje fytin, se po t’i ngula dhëmbët aty…”

Beqiri futi shkopin në sirtar dhe u ul pa folur në karrigen e tij. Heshtje. Pas ndonjë çasti më flet me zë të mbytur duke më parë në sy:

– “Maks, ça thu, nuk po të marr vesh. Shko te palltoja ime dhe fute dorën te xhepi, por ma para, veni çelësin derës”.

Mbylla derën me çelës. Futa dorën te xhepi i palltos së tij, preka… shishe. E nxora dhe e lashë prapë në vend. Ishte një shishe konjak. Pashë nga Beqiri. Nuk po kuptoja gjë. Beqiri foli serioz, por jo me inatin e shtirë të fillimit:

– “Merre atë mut shishe dhe bjere shpejt po të them, gotat i kam ktu”.

Me shishen e konjakut në dorë, u afrova dhe ia zgjata. E hapi dhe mbushi dy gota uji plot, njërën ma zgjati mua. E mora pa ditur ç’të bëj.

– “Ulu, Maks, ulu. Gëzuar! Çoke ktu dhe ta uron Beqiri, me gjithë shpirt, për kry të kalamojve! Ishalla nji sahat e ma para, shkon ke shpija jote! E ke hallall”!

– “Falemnderit Beqo, kam kohë pa pi, do vij era konjak. Ça do them pastaj? Fol haptas, pse po e bën këtë”?!

– “Maks, unë me shkoll të mesme jam. Kulturën, gjuhët, që ke ti, unë nuk i kam, por budallë, nuk asht Beqiri. Kur ma refuzove propozimin, ta mora për keq. Drejt po të flas, lene atë muhabet. Më the atëherë, që nuk e njof burgun politik. Drejt e pate, nuk e kisha haberin. Por i kam pa, gjithë letrat që jan për ty, në komandë, gjithë çka ardh prej Spaçit, nga operativi i atjeshëm, si ia ke kalu atje, e tjera, e tjera, që nuk t’i them dot.

Nji gja veç po ta them: kam 18 vjet që merrem me të burgosun, po nuk paskam dit gja deri tani. Ruaje veten, Maks! Sa të jem unë këtu, qimen nuk ta prek kush. Kam respekt për ty, por do të të ruaj nga larg. Nuk mund të shoqnohem me ty, si ma para, ti ma merr vesh. Pije atë gotë, të baft mirë! Na dhe kto karafila futi në goje mrapa, me hek erën e konjakut. Un kshu e baj për vete. Me fund! Ma jep atë dorë, je miku im, Maks. Mos fol me njeri… po ti e din vetë…”!

Ua tregova vetëm Visarit dhe Aladinit, gjithçka, që të nesërmen. Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular