Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të martën me Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, në margjina të Forumit Ekonomik që po mbahet në Davos të Zvicës.
Përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter – Kurti ka thënë se O’Brien e ka vlerësuar përparimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, dhe ka diskutuar për përmbajtjen e Kosovës “përballë sulmeve dhe provokimeve”.
“Shtetet e Bashkuara janë aleate dhe mike të çmuara”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Po të martën, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ka zhvilluar takime me O’Brienin, dhe se SHBA-ja me BE-në janë në të njëjtën linjë sa i përket Ballkanit Perëndimor.
Përveç Kurtit, në Davos po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ende nuk dihet nëse do të ketë një takim Kurti – Vuçiq në margjina të forumit.
Një ditë më herët, Lajçak është takuar në Davos me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, me të cilin ka biseduar për tema të dialogut, me theks të veçantë nevojën për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo Marrëveshje është arritur në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel.