BallinaKultureLajme nga Hadi/Poezi nga Petrit Nika

Lajme nga Hadi/Poezi nga Petrit Nika

spot_img
spot_img

Poezi nga Petrit Nika

Lajme nga Hadi

Çdo ditë bie shi mbi kokat e kalimtarëve këtu në Hades,
ka vite që vetvetja më thotë se kam humbur,
përzihem me turmën bizare pareshtur çdo mëngjes,
dhe kthehem në darkë vonë krejt i mundur.
Në Hades s’ka nxitim, kudo në çdo stacion,
fytyra të ngrysura ta peshojnë zemrën në vagë,
më ndjeni, nuk mund të shpik më asnjë verision,
ta bind këtë hyj të heshtur  për falje apo shpagë.
Dhe tani me ngjan se s’ka më asnjë premtim
të dal si fitimtar mbi humbjen në këtë plojë,
dro kam –  trupi im s’vlen më as për flijim,
veç n’se ndodh që hyu prapë t’ më rikrijojë.
2024

Rutina e një dite

Mbyll derën në mëngjes –
bryma ndriçon në xhamat e makinës
dhe fushat duken sikur mezi presin diellin
të heqin qafe shtresën e bardhë.
Takoj një jetime dyvjeçare në rrugë
e cila po mëson çdo ditë si të luftojë me fatin
dhe nuk ka asnjë armë veç shpresës …
Dita vazhdon me ritmin e vet marramendës –
më duhet të ruaj vazhdimisht qenien;
edhe pse në kapërcyell të pleqërisë,
lufta vazhdon e egër,
mund të bëhet pre aq lehtë për dështakët,
që urrejtjen e pijnë bashkë me qumështin e nënës.
Çapitem kokulur me hapin e rëndë
në po ato rrugë ku dikur rendja kryelartë –
të tjerë njerëz vëshojnë anash,
para e mbrapa, a thua se bota ka ndryshuar krejt.
Kthehem në darkë zhytur në mendime
duke vjedhur me sy makinat
që vibrojnë agresive në rrugë.
Më kujtohet dyvjeçarja jetime
dhe mendoj se si do ia dalë mes këtij rrëmeti.
Kur hap portën e rëndë të oborrit,
mendoj edhe sa ditë më ngelen akoma …
2023

Urtësia
(Motiv nga Persia)

Mbreti i Persisë mbi fronin e artë,
Mes dafinave e temjanit farfuritës
Mblodhi, thonë, gjithë dijetarët
Dhe shpalli urdhërin e ditës.

  • Të dashur prijës të fjalës e mendjes
    Ju jeni drita e syrit të Persisë,
    Një porosi më la kur isha nxënës,
    Mësuesi im në udhë të urtësisë.

Që të bësh drejtësi në popull si zot
Shmang gabimet që bënë sovranët e tjerë,
Mos lër që koha të rrjedhi kot
Si ujërat e borës në pranverë.

Mëso urtësinë e popujve sa janë,
Gjithë sa ka ndodhur mbi dhe,
Dërgo dijetarë të shkojnë anembanë,
Ta mbledhin, ta sjellin tek ne.

Pra mua që tash jam mbreti juaj,
Më duhet të vendos vetë për Persinë,
Ndaj dua ta shkruani me dorën tuaj
Ta lëçis gjithë historinë.

Dhe ikën dijetarët të nesërmen në ag,
Të mblidhnin urtësi për mbretin,
Rëmuan në fushë e në mal,
Tejetej e përshkuan dhe detin.

Kaluan vite rreth botës në kërkim
Si i mbushën dymbëdhjetë deve,
U kthyen në pallat befas një agim,
Gjithë shend e hare.

  • Kjo është historia që doje shkëlqesi,
  • I thotë njëri nga dijetarët,
  • Gjashtë mijë volume dingas urtësi,
    Për të fundmit e të parët.

E brodhëm njëzet vjet botën anembanë,
Kudo i takuam të rinj pamë edhe pleq,
Dhe mbretër pjekëm andej nga vamë,
Shenjtorë dhe përdreq.

  • Me hir hyjnor urtësi e botës
    Vjen sot në këtë pallat,
    Por keq më vjen se punë e kohës
    S’ më lë tashmë rehat.

Tha shkëlqesia dhe psherëtiu,
Me sytë mbi pergamena,
Pastaj nga rruga dorën shtriu
Dhe shtoi me zjarr nga brenda.

  • Nga mua pret gjithë njerëzia,
    Më duhet të kujdesem,
    Nuk pret koha që urtësia
    Të më bëjë të dehem.

Ndaj dua librat t’i shikoni,
Të gjithë një për një,
Dhe historinë ta zvogëloni
Se koha nuk më lë.

Dhe vanë prapë dijetarët,
Ta shkruanin urtësinë,
Që nga fisnikët tek barbarët
Që botës venë e vijnë.

Dita me ditë, punë pas pune
I selitën me durim,
Plot gjashtë mijë volume,
Në njëmijë e pesëqind.

Kishin kaluar njëzet vjet
Dhe prapë u dhanë në derë,
I bënë mbretit selamet,
Dhe i thanë shend e verë.

Të drejtë kishit Shkëlqesi,
Kjo punë nuk kish të sosur,
Por ja ku erdhëm përsëri,
Me kaq e kemi vulosur.

I pa mbreti tre devetë,
Ngarkuar pergamena,
Dhe me fytyrë disi të zbehtë,
I ftoi të hynin brenda.

  • Ju jam mirënjohës për shërbimin
    Dhe fjalët s’di sot t’i zgjedh,
    Por unë u plaka dhe nuk mundem
    në kaq shumë libra mësim të nxjerr.

Prandaj ju lutem ta zvogëloni
Këtë masë të dijes pa mbarim,
Por kësaj radhe mos harroni,
Se fati s’di sa bën durim.

Dhe i përcolli që me natë,
Përtej mureve të pjerrët
Pastaj u kthye në pallat
Me shikim të errët.

Kaluan shpejt edhe dhjetë vite,
Aq shpejt dhe vetë shëndeti,
Një ditë u shfaq tek madhëria,
I fundmi dijetar që mbeti.

I ligur krejt, me sy të thellë
Tek këmbët hiqte zvarrë,
Si një fantazmë u dha në derë
Me një elefant të bardhë.

E priti roja dhe i priu
Brenda në pallat,
Tek mbreti me nxitim e shtiu
Se kohë kish mbetur pak.

  • Selam keni, Shkëlqesi,
    Nga shokët që më vanë,
    Ja unë erdha, përsëri,
    Më dha fati davanë.

Ta solla urtësinë e botës,
E kemi veselitur shumë
Por nuk i kemi besë më kohës
As çastit që e zumë.

Ndaj po ta them me pak fjalë
Gjithë dijen që kanë librat brenda:
Njeriu lind, vuan, vdes
Të tjerat janë veç ëndërra.

2022

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular