Një vajzë është lënduar pasi është goditur nga materialet e rënda që kanë rënë nga kulmi i ndërtesës së Komunës së Prishtinës, në lagjen Arbëria, të enjten.
Pasi ka marrë ndihmës e parë nga një ekip i Qendrës së Mjekësisë Urgjente (QMU), pacientja është dërguar me shenja jete në Klinkën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka thënë drejtori i QMU-së, Avdyl Pacolli, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Flitet për një qytetare, viti i lindjes 2000, e cila ka pësuar një politraumë. Përveç kësaj, e ka pësuar edhe një plagë në kokë. Ekipet tona kanë mbërritur për rreth gjashtë minuta në vendin e ngjarjes, pas thirrjeve nga qytetarët dhe policia, dhe më pas, porsa kanë arritur në vendin e ngjarjes, ekipet tona kanë filluar ta trajtojnë pacienten, realisht kanë arritur të bëjnë pastrimin e plagës, kanë arritur ta trajtojnë, sepse ajo është politraumë dhe mund të ketë fraktura të shumta”, tha Pacolli për REL-in.
“Kjo paciente është trajtuar në vendin e ngjarjes. Më pas, me autoambulancë, duke i dhënë serum, pacientja është përcjellë me shenja vitale të jetës deri në Klinikën Emergjente. Ajo është pranuar në emergjencë dhe në këtë institucion ka filluar me marrë trajtimin”, bëri të ditur Pacolli.
REL-i ende nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Klinika Emergjente në QKUK lidhur me gjendjen aktuale të pacientes.
Incidentin te ndërtesa e komunës në Prishtinë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën ‘Nora e Hotit’, në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha policia në një përgjigje për REL-in.
Policia ka bërë të ditur se tashmë ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.