Nga Maksim Rakipaj
Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare.
Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti.
Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si:
‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
“Aheng me hu dhe gërrnetë”!
Sigurisht, me ndihmën e ministrisë së Punëve të Brendshme, komanda e kampit famëkeq të Qaf-Barit, që vinte nga drejtimi i një kampi ordiner, ia mori dorën drejtimit të një kampi me të burgosur politikë. Ashtu si ndodhte në Spaç, edhe në Qaf-Bar, në vende pune të rehatshme dhe me përfitime materiale, filluan të vendosin, jo më të dënuar që dinin ta bënin atë lloj pune, apo që gëzonin ndonjë simpati personale me policët e kampit. Njësoj si në Spaç, në këto poste filluam të shohim njerëz, që e patën shitur ndërgjegjen.
Kujtoj me simpati, Latif Sadikun, një çam nga Lushnja, i cili kishte qenë një prej kuzhinierëve më të mirë në Shqipëri; pat qenë edhe shefi i kuzhinës së Shtëpisë Qendrore të Oficerëve, por arrestimi i Beqir Ballukut, e preku (!) edhe Latifin. E dënuan 10 vjet, për agjitacion e propagandë. Gjatë hetuesisë, u përpoqën ta përdorin për të akuzuar disa gjeneralë, që i pat marrë zët “udhëheqja e lavdishme”.
– “Njëherë më kërkoi hetuesi, që të përpiloja menynë e plotë dhe koston e një dasme të ‘ndonjë të madhi’ në Shtëpinë e Oficerëve, për rreth 300 dasmorë. E bëra për 10 minuta. I futa të gjitha: peshk, karkaleca deti, mish qengji, mish viçi, zarzavate, vaj, raki, verë, birra, ëmbëlsira e, ku ta di unë… nja 2-3 milion lekë (të vjetra) më duket dhe ia dorëzova. U kënaq hetuesi im, sidomos kur pa shifrat.”
– “Tani, a t’i vëmë emrin kësaj dasme? Kush urdhëroi të bëhen këto shpenzime? Beqiri? Petrit Dumja? Ti duhet ta dish, se e kujt ka qenë kjo dasmë, ke qenë shefi i madh i kuzhinës…”?!
– “Mirë, zoti hetues, ta them unë emrin që kërkon. Kjo ishte dasma e vajzës së zv/ministrit të Brendshëm, Raqi Iftica (që ishte ende zv/ministër)! U skuq si spec hetuesi dhe ma hodhi makinën e shkrimit, kokës. Më rrahën tre vetë bashkë, pas kësaj, me shkelma, grushta, derisa më ra të fikët”!
Këtu në kamp, me dhjetëra herë i kanë ofruar të punojë në kuzhinë, por Latifi, ka refuzuar me krenari:
– “Jo! Nuk punoj kurrë më në kuzhinë”! – dhe punon në një turn me mua, punëtor në minierë. Visari e pyeti njëherë:
– “Cila është dëshira jote më e madhe, gëzimi më i madh që ëndërron? Hë, Latif”?!
– “Dua të jem para sobës, duke gatuar për ndonjë darkë të madhe dhe në fund, kur të ftuarit të kenë mbaruar darkën, gëzimi më i madh është, kur të thërrasin e të prezantojnë para të gjithëve: Ky është filani, kuzhinieri që na kënaqi sonte”!
Dhe ky njeri, që e ka ëndërr të gatuajë, parapëlqen minierën para kuzhinës. Sepse, nuk pranonte të shitej, Latif Sadiku…!
…Në dhomën ku fle unë, jemi 8 vetë. Para ca ditësh, erdhi për të fjetur këtu edhe përgjegjësi i katit tonë, Nikoll Th., me origjinë nga veriu. Dallohet që në surrat, ç’mall është. I vijnë nja dy si vetja dhe Nikolla fillon e kallëzon trimnitë e veta. Mburret që e ka rekrutuar personalisht Kadri Hazbiu. E filloi duke zëvendësuar babën e vet, të plakur.
– “Me ç’ka merrej baba, Nikoll”? – e pyet miku i vet.
– “Kalonte kufinin, nji ose dy herë në muj. I çonte rrogat agjentave në Kosovë, Mal të Zi, der në Zagreb e në Belgrad, po shkojke me i gjet e me iu dorzu florin atyne”.
– “A me flori u pagujshin, a”?!
– “Besa, me flori e me dollarë, tiiiik n’dorë, posi”!
– “A nuk kijshe fryk, se po u hasje me ushtart n’kufi, o Nikoll”?!
– “Jooo, ça fryke, he burr i dheut! U lajmrojke posta kufitare: prej orës aq, me orën kaq, sektori numur kaq, duhet me kenë i lirë’ dhe kaq. A me dal ushtari jon para befas, a?! Pun e madhe! Plumbin ballit e t’shkojke në pedh të sams, kush p’e çajke bithën, për nji mut ushtari, or ti! Veç u dojke me lajmnu, se ushtarin në sektorin aq e kaq, e kam vra vet dhe e rregullojke Kadriu, at pun. Nji dekuratë familjes, nji letër me llafe të bukra; ‘o vra në përpjekje me armikin n’kufi’ e gishtin myth, eeec”!
– “Po vet, a fitojshe gja, or ti”?!
– “N’at fillim jo, ee. Por kadal-kadal, ia mura dorën. E pash me ça karafilash kisham punë, e mora vesht se dhe ata vidhshin sa mujshin, Kadriu i pari me Feçor Sheh e, tan kallam-kusuri. Ka ca vjet, po m’çon haber Feçor Shehi. Fill e në zyrë të Feçorit, un; Urdhno, shoki Feçor”!
“Mba vesh, – më tha, kena dënu nji tironas me vdekje. Po ka pare t’madhe muti dhe nuk i kallxon. Do t’çojm t’i bajsh shoqni dhe të msosh venin, ku i ka mshef paret. Kur t’marrish vesh se ku, thuj policit, që don me taku hetusin tat…! Hajt suksese, Nikolla’, më tha Feçori. Nji dit, dy, tri, nuk fliste dreqi, as mirmjes as, mirmrama. Edhe un hiç. Kaloi java, ai hiç, un hiç muhabet. Fillova e po boj sikur me qajt vet me vete, t’u ba sikur s’dojsha me m’pa, se po kjaj. – ‘Fol, m’tha, ça halli kie’?!
Shkurt mo, e hongër tironsi…! ‘Paret i kom mçef, mu ke pragu i derës’, – tha, ‘mu ke porta e oborrit, sa hi mren, 1 metër thellë, osht nji kasë metalike, me mja dhan çunit’,- tha. – ‘Po, thash, mos e rruj, se çuni jot, ka për t’i mor’. I çoj fjalë Feçorit, si e patëm lanë, e aty mas mesnate, vetëm un dhe Feçori me ‘Xhip’-sin e Degs Mrenshme, nji lopat e nji kazëm xheniere, shkum ke veni. Un gërmojsha, Feçori runte, kur tik…! Hasi kazma në metal.
Nji ta marr kasën, nji ta fut në thes e shkum ke zyra e Feçorit. Ishte plot me monedha ari, jo ma pak, se 5 kile dhe dollar me pako, si të bankës…! Çëfësht, nji t’hap kasafortën Feçori dhe i rrasi florijt e dollart mren. Un meta si mut. M’pa ky mu. ‘Ehh, tha, – se harrova’! Hapi një raft tjetër, mori 50 mij lek e m’i dha: – ‘T’i hash me zemër t’mir, Nikolla’, – më tha. Kur pa që un vara turijt, mori edhe 25 mij tjera, m’i zgjati e m’tha: – Merri, mut muti dhe po hape gojë, dije se…! Po kasën metalike, këtu ma le?! Na, merre, hidhe andej nga lumi…”!
Pas nja dy ditësh, kur u ktheva nga turni I-rë, dyshemeja e dhomës sonë, ishte gjithë gjak. Ishte gjaku i zi, i Nikoll Th. E pat rrahur për vdekje, Kujtim Prendi, një shok i vjetër imi, qysh në Spaç. Kish dëgjuar se Nikolla, kishte dorë në dënimin e një shoku të tij, të ngushtë. E pat pyetur Nikollën, në qe e vërtetë. “Po”, – ish përgjigjur Nikolla, me kapadaillëk. Dhe Kujtimi i kish thënë:
– “Shife pra, se çfarë i bëjnë spaçjanët, haleve si ty…! Shife se si ja u bojm ahengun, plehrave”.
Nikolla ndejti nja tre muaj në spital, për shkak të hematomave dhe brinjëve të thyera. Kur u kthye, nuk tregonte më histori trimnie.
…Jam i sigurt, se në grushtat e Kujtimit atë ditë, ishte edhe shpirti i atij tiransit, që e patën pushkatuar, tre vjet me parë…!
Lirimi nga burgu
I kam bërë 7 vjet e ca burg dhe më duket, sikur jam lindur këtu, sikur nuk kam jetuar kurrë i lirë. Jetë nuk ka, jashtë këtyre telave me gjemba të Qaf-Barit, nuk është veçse ëndërr, gjithçka përtej këtyre telave! Ëndërr është edhe çka na kujtohet nga jeta e mëparshme, ato që i tregojmë njëri-tjetrit, për atë jetë s’janë gjë tjetër veçse ëndrra. Visarit, i kujtohet një poezi e Nazim Hikmetit, për të burgosurit që lirohen nga një amnisti, ç’ndjen ai, që ka bërë dy vjet burg, ai që ka bërë 15, apo 8 vjet?! Kur të lirohem, ndoshta e gjej këtë poezi, do të përpiqem ta përkthej, këtu nuk e ka askush të shkruar, madje edhe Visarit, i kujtohet ashtu turbull, më shumë si të jetë një krijim i mendjes së tij, se sa të jetë një poezi e Hikmetit!
Qyshkur është liruar Aladini, familja ime, është shumë optimiste për lirimin tim nga burgu. Unë jo, nuk arrij ta besoj, se do të mund të dal ndonjëherë prej këtej. Madje, nuk arrij as ta mendoj veten, jashtë këtyre telave me gjemba. Më vjen një pako me ushqime prej një mikut tim. Kur e hapin pakon për ta kontrolluar isha vetëm me polic Beqir B…! Mbas ngjarjeve të revoltës, i shmangem dhe më shmanget Beqiri, megjithatë tregohet dashamirës, kur jemi vetëm. Në pako janë dhe dy kg fasule Korçe. Beqirit i shkëlqejnë sytë: – “Groshë!? Nuk gjen kurrkund në pazar, asht zhduk grosha fare, ke shpija ime, vdesin për groshë”.
Mora qesen me fasule dhe ia futa te xhepi i palltos:
– “Merri Beqir, neve na gatuajnë groshë për ditë këtu. Merri, çoji në shtëpi”.
Nuk dinte si të më falnderonte. I prekur më tha: – “Falemnderit, Maks, falemnderit. Ta dijsh, se kur të lirohesh prej këtu, natën e parë, do jesh mik në shtëpinë time, për Zotin. Do ta kalojmë bashkë atë natë, me raki dhe muhabet”.
– “Po u lirova ndonjëherë prej këtu, Beqir…”?!
– “Po, do lirohesh. Kanë lyp mendimin e komandës, për sjelljen tande këtu, nga Gjykata e Lartë dhe Prokuroria…! Aladini e ka mbajt fjalën. Komanda e ktheu përgjigjen pozitive, për ty. Të kam thane, se kam motrën e komandantit për grue. I thashë atë dit: – Nise përgjigjen për Maksin që tani, ta shoh vetë me sy dhe ta nisësh të shkëlqyer, ose ta solla motrën në shtëpi’! E shkroi përgjigjen, si ia diktova vetë. Or budall’, – i thash,- ‘a merr vesh, se ata duen me e lirue. Ku ka ba vaki, me lyp mendim ata…?! Ata të lirojn a të vrasin, pa pyet njeri. Shkruej aty, e leni pordhët’! E nisi përgjigjen, ka nja dy javë…”!
– “Falemnderit, Beqir… ashtu qoftë…”!
– “Ruju veç, ti e di ma mir se unë ruje veten, ruju çfarëdolloj sherri. Ke plot që nuk ta duan të mirën. Një sherr i vogël, një dënim, sado i lehtë qoftë, lirimi anullohet…”!
Dimri i vitit ’83 dhe i fillimit të ’84, është mjaft i ashpër. Që mbas Revoltës, na ndaluan të mbajmë kapele dhe për kokat tona të qethura zero, është një tmerr i vërtetë, në këto temperatura siberiane. Policët, nuk kanë mëshirë për asnjë, as për të moshuarit, as për të sëmurët; vijnë, ta rrëmbejnë kapelen nga koka dhe ckërmiten:
– “Provo dhe mbaj kapele prapë, se e merr vesh”!
Megjithatë, pas Revoltës, kanë hequr dorë nga ridërgimi në punë, i atyre që nuk kanë plotësuar normën. Para Revoltës, kishte të burgosur që rrinin edhe 24 orë në punë, derisa të plotësonin normën. Gjendja është gjithmonë e nderë. Janë ndërruar brigadierët e dënuar, kanë vënë të tjerë kudo. Në vend të Dalip Zhabolit, kanë vënë njeriun e tyre, Minella D. Edhe shefat e tjerë, janë të gjithë njerëz të operativit, edhe në depot ku ne mbajmë sendet personale, janë njerëzit e tyre edhe në pastrimin e kapanoneve të fjetjes, edhe në pastrimin e mencës. Si në Spaç.
Ama edhe morali i të burgosurve, është si në Spaç, i lartë. Është më e lehtë tani, të njohësh njerëzit e ndershëm. Janë ata, që nuk bëjnë asnjë kompromis me komandën dhe me ndërgjegjen e tyre. Në vend të rezistencës kryeneçe, agresive të Revoltës, tani është një rezistencë e heshtur, masive. Të gjithë ndihmojnë njëri tjetrin, për të plotësuar normën. Përbuzja ndaj sahanlëpirësve është e hapur, si në Spaç. Miqësia mes nesh, është më e fortë. Ne jemi shumë, jemi shumica, si në Spaç. Jemi më të fortë pas dy Revoltave, më të pathyeshëm. Këtë gjë e dinë mirë “Ata”, e ndjejnë.
Kurse pukjanët e lirë, që punojnë me ne në minierë, janë njerëz të mirë, njerëz të vuajtur. Në turnin tim, është edhe zjarrmëtari Ndue. Ka punuar gjithë jetën nëpër miniera dhe ka një kollitje të tmerrshme, vuan nga silikoza, ka shkallën e tretë të silikozës. Policët e shoqërimit, nuk rrinë më në dhomën e minatorëve, si më parë e kanë të ndaluar, kështu që mund të rri e të bëj muhabet me Nduen, sa të vijë orari, për të bërë birat.
Kur vjen ora të bëj birat, futem bashkë me Nduen në galeri dhe më qe bërë zakon të këndoja për t’u tallur, këngën e Bardhok Bibës; “Kur anmiku kish ba planin / mos m’e lan të zhall’/çon Italja aroplanin /plot me zhakatar…”! dhe Ndueja shpesh më shoqëronte ose vazhdonte strofën tjetër, duke qeshur.
Një natë, kur isha turni III-të, po përgatisja një kakao me qumësht për vete, i hodha dhe pak gjalpë, dëgjova Nduen, që tha duke qeshur:
– “A nuk ke frikë, se të mbyt ajo, or Maks”?!
– “Kjo është për ty, Ndue. Ishalla s’po të mbyt, për vete do bëj tjetër…”!
E mori menjëherë dhe e piu, duke e shijuar me ëndje, ngadalë, dhe kur e mbaroi më tha:
– “T’u rrit ndera, or Maks. Ke menca jonë, kishte vetëm çaj e marmallatë për darkë e çaji ishte krejt pa sheqer. Ça gatuhet për ne, as bagtia s’e han, për Qiell e për Dhé, po t’tham…! Ehhh, dhe s’ke kujt m’ju ankue. Veç; nuk ka, nuk ka, – thojn. Jemi n’rrethim, – thojn, mo zot ma keq…”!
– “Hap syt Ndue, mos fol me të tjerët, se po e shef veten në burg me mue…”!
– “Ka marr fund kjo pun, or ti, ka marr fun. Në koprativ, as 20 lek s’marrin për dit pune, ma zi s’ka ku shkon, or mik…! A e din?! Para se t’vijshit ju politikt ktu në Qaf-Bar, ishin ordinert. Kërciste leva kaptinës njani tjetrit, për hiç gja. Kur na than qi do vishin ktu armiqt, domethan ju, politikt, tham: bobo, po tani si i bahet me kta, qi jan kafsh fare…?! Po he he, tuj kalu ditët e tu ju njoft.
Qekit njerëz, për Zotin, boll njerëz të mir paskit qenë, mos m’u vra, as për gjak, si i thojn knej nga ne…! Kan respekt për ju, tan Puka dhe pukjanët qi njof. Na ka ardh keq për Zotin, edhe për ata djem që pushkatun. I kam njof bre, të dy: Tomën dhe Sokolin. Djem ma të mir nuk ban nana! Edhe aj Dalipi, burrë kishte qenë kur i mbrojti shokt e vet, e tha që; fajin e pat policia. E din t’gjith si shkoj ajo punë. Hej, mjer për ne…”!
11 shtator 1984, i paharruari Hiqmet Mullaj, i sjell përsëri të mitë në takim, me kamionin e vet. Më ka marrë malli shumë. Jam turni I-rë, sa vij nga puna shkoj drejt e në takim. “Së shpejti do të jemi bashkë”, – më thanë..!. Sa herë i kam dëgjuar këto fjalë të thëna me shpirt nga gjyshja, nëna dhe babai, nga Dashi i përmalluar, që mundohet të mos lerë asnjë takim, pa erdhur, nga letrat e tyre, që i ruaj të gjitha.
Më sjellin copa jete me vete në takime dhe në letrat e tyre. Prej tyre kuptoj ndjej që është dhe një jetë tjetër jashtë këtij burgu, që dikur ka qenë edhe jeta ime. Visari, është turni II-të, kthehet mbas orës 23.00, por për kafen e takimit, kam plot miq që e pinë me kënaqësi, sepse Dashi e përzien me konjak, pluhurin e kafes, e bënte qysh në Spaç, këtë gjë.
Në mbrëmje TV jep një film leshi me partizanë, më mirë po shkoj në dhomë, të lexoj ndonjë gjë. Për fat nuk ka njeri dhe mund të ndez edhe një cigare rehat, kur befas, hapet dera dhe hyn rrëmbyeshëm, Ilmi Freskina:
– “Maks! Due me të diftue diçka, por mbaje vedin”!
– “Fol, qorr muti, ç’ka ndodhur”! – i them i shqetësuar Ilmiut, që njërin sy, e kishte prej qelqi.
– “Asgja e keqe nuk ka ndodhë, jo! Por mos me i kallxue kujt, se më hekin prej pastrimit të mencës e mue s’më vjen kush në takim, ma hekin bukën e gojës”.
– “O fol, o dil përjashta e më len rehat”.
– “Isha tuj pastru mencën, veç kryetari i Zyrës Teknike, Minella, ishte tuj hangër buk. Po vjen oficeri kartelist, afrohet te veshi Minells. Un veshët pipëz; Ça dreqin po i thot ky, ktij…?! A din ça i tha?! I tha se ka ardh vendimi, m’u liru, Maks Ragipi dhe aj depoxhija prej Tropoje, me mbiemën Halili, por për ty, vendosën me ta than nesret, se ke miq gjith kampin.
Për atë Halilin, s’e rrun kush, ate e lajmrun fill, ty do ta thojn nesër nadje…! Kam pas rrespekt gjithmon për ty dhe shokt tuj, Maks. Anì se m’shef shtremët, por hallet e mia s’i din kush, anì…?! Ma merr mendja se edhe Minella ka me t’lajmrue, se don me përfitue naj send prej tejet, se ke pas edhe takim sot, por mos më qit mue, baniu i paditun para tij…”!
I dhashë disa ëmbëlsira dhe dy paketa cigare DS:
– “Mirë, merri këto dhe ik, Ilmi. Falemnderit, edhe po s’qe e vërtetë, veç ik tani…”!
– “A ban me m’i qit edhe nja dy kafe…”?!
I hodha nja dy racione kafe në një copë letër dhe mbeta vetëm. A qe e vërtetë kjo që ndodhi, apo ishte ëndërr?! Apo ende jam në ëndërr?! Jooo, qenkam zgjuar, por Ilmiu nuk ka qenë këtu…?! Apo ishte?! Si më tha?! Lirohem nesër?! Paskam qenë në ëndërr pra…! Po ky pluhur kafeje mbi batanije dhe çarçaf?! Është kafja, që i dhashë Ilmiut pra! D.m.th., Ilmiu, paska qenë këtu dhe ato që më tha, nuk m’i paska thënë në ëndërr…?! Në këto përçartje e sipër, më vjen një nga korrierët e Minellës:
– “Të pret Minella në zyrë, tani shpejt! Nuk është për të keq”, kaq më tha.
U bëra i paditur. Minella do shalqinin, që më sollën nga shtëpia si shpërblim për lajmin e mirë, që më jep bashkë me porosinë:
– “Mos fol me njeri, me asnjeri”!
– “Po pres sa të kthehet Visari nga turni II-të. Atij do t’ia them patjetër, prandaj ta dhashë shalqinin. Mos lerë njeri sonte postë kapanoni, te kati im dhe jemi në rregull bashkë”.
Rrimë deri vonë me Visarin këtë natë. Nesër, do të jem përsëri njeri i lirë. Por kjo gjë për çudi, nuk më ngazëllen aspak. Edhe sikur nesër të më thonë se; lirimi im qe anulluar, nuk do të më bëjë fare përshtypje. Më fillojnë ethet e jetës së “lirë” qysh tani. Jam 33 vjeç, sa Krishti kur e vunë në kryq. A më pret ringjallja apo kryqëzimi?! Por a nuk isha i kryqëzuar deri sot?!
Në orën 6 në mëngjes, jam te zyra e Minellës. Depoxhiut i komunikojnë lirimin: “Të rrojë Partia dhe shoku Enver”! – u jargavit dhe i shtrëngon dorën oficerit, që ia jep dorën si me ndot. Më komunikon edhe mua: “Në bazë të vendimit nr. Kaq, të Presidiumit të Kuvendit Popullor… etj.” dhe pret që edhe unë të përsëris ç’tha depoxhiu. Unë fare i qetë i them: “Falemnderit ju për lajmin e mirë që më dhatë. A mund të dal tani”?
– Mblidh rraqet e tua dhe për dy minuta, të jesh përjashta!
Rraqet e mia i kam bërë gati, që mbrëmë. Tesha të tjera, veç këtyre të burgut, nuk kam. Kam vetëm ndonjë fletore me përkthime dhe tufën e letrave të familjes sime. Nuk më duhet gjë tjetër. Ushqimet që pat sjellë familja ime, një ditë më parë, ua lashë shokëve. Si në ëndërr, takoj qindra duar, që më zgjasin miqtë e shumtë.
Mirupafshim miqtë e mi, po dal, por shpirti im është këtu me ju, ai nuk është liruar nga burgu. Polic Beqiri, është i mallëngjyer nuk kontrollon asgjë timen, vetëm më thotë: – “Jam me shërbim 24 orësh. Dola burrë i keq me ty, që s’kam mundsi me të marr në shpi time sonte. Paç fat, Maks”!
Kështu dola nga burgu i Qaf-Barit, më 12 shtator 1984. Dola nga burgu? Memorie.al