BallinaTe tjera“Nga Spaçi dola me silikozë, por kur u lirova fillova minator në...

“Nga Spaçi dola me silikozë, por kur u lirova fillova minator në Gërdec”- Kujtimet e ish-oficerit të Marinës: Mjeku më shkroi në kartelë se je i aftë për 8 orë punë në nën tokë

spot_img
spot_img

Nga Maksim Rakipaj

Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare.

Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976,  i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti.

Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015),  ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.

             KREU V

                                                   Nga burgu i vogël, në burgun e madh

Dita e parë e lirimit…!

…Më lëshuan prej kampit të Qaf-Barit, më 12 shtator ’84. Mbërrita vonë në Shkodër, treni i fundit për Durrës, qe nisur. Me kokën e qethur zero para pak ditësh, me rrobat e burgut bojë kafe dhe me një trajse të vogël, ku kisha letrat e shtëpisë dhe ca përkthime e poezi në anglisht, në Shkodër bije menjëherë në sy. Në Bahçallëk, po prisja për ndonjë makinë të rastit.

Pas ca kohësh pritjeje të kotë, nga klubi ndanë rrugës, doli një djalë pak a shumë në moshë me mua, m’u afrua dhe më tha: “Nigjo, or mik, jena nji grup shokësh dhe po e pimë nji gotë, por po të kqyrim dhe më çuen mue, me të ftu ta pish nji gotë me ne. Mos prit kot për makinë. Mas orës 17.00, zor se gjen makinë ktu…”!

Pranova dhe hyra me të në kafe. U ngritën të gjithë në këmbë, m’u prezantuan të katërt…!

– “Që vjen prej burgut, kjo merret vesh, por prej cilit burg?! Sa vjet ke ba, ku rrin me shpi, a je i martuem…”?!

– “Vij nga Qaf-Bari, kam qenë i dënuem politik, rri në Durrës, me shpi, origjinën e kam prej Përmeti, beqar…”!

– “Shyqyr që dole shnosh e mirë dhe t’i gjesh të gjithë mirë, nga shpija”.

Takuam gotat, i pimë me fund dhe iu kërkova leje të largohem…!

– “Nuk është mirë t’ju shohin, duke pirë me mua…”!

– “Je në Shkodër këtu dhe spijunat nuk para hyjn n’ kyt klub. E kush pyt për ta…! Po Mark Shkrelin, a e ke njoftë?! E ke njof Nush Topuzin…?! Po Mark Prendin… po…?! Duhej të ishin djem të mirë, derisa më pyetëm vetëm për njerëz të ndershëm, që i pata njohur vetë në burg.

I njihja të gjithë, iu tregova për Nushin e shkretë, ndjesë pastë, si u vra në minierë dhe si, fill mbas vdekjes së tij, më dërguan të punoj, pikërisht në galerinë ku u vra Nushi.

Ishte prekëse, ndihesha si në familje me ta…! Një prej tyre, kishte qenë shok me Nushin…! Dikur u ndamë. Kundërshtova të shkoj në shtëpinë e ndonjërit prej tyre dhe shkova të kërkoja hotel. Fleta e lirimit, më bëri punë; e gjeta një krevat te hotel “Sporti”…! Më kishte marrë uria, shkova në një lulishte – restorant, rreth orës 20…! S’kishte bukë restoranti! Kamarieri, e kuptoi që vija prej burgu. Më tha: “Më len të të sjell, ça të gjej ndonji gja të mirë nga kuzhina, se bukën po shkoj vrap në shpi, nji ktu e kam, as 50 metra…”!

Mbarova së ngrëni dhe desha të paguaj…!

– “S’mundem me t’i marr paret ty, mor vlla. Ma bafsh natën e mirë dhe i gjetsh shnosh e mirë kah shpija…”!

E kam dashur gjithnjë Shkodrën, kulturën e saj, jaret…! Shkodranët që njoha, jo vetëm në burg, ma kanë shtuar dashurinë për ‘të.

Duke kërkuar punë

…Ka shumë thënie për burgjet dhe të burgosurit, nga njerëz të mençur. Tolstoi thotë te “Ringjallja”, pak a shumë kështu: “…Shumë burgje keni dhe shumë njerëz keni futur aty brenda. Pa hë, më thoni… i ndreqët”?!

Dikush ka shkruar që; kush ka qenë një herë në burg, nuk lirohet kurrë prej tij…! Një tjetër thotë që; mosha e të dënuarit, nuk lëviz më, ai mbetet, derisa të lirohet, në të njëjtën moshë, që kishte kur hyri në burg…! Të dënohesh në moshë të re pra, paska një të mirë…!

Në muajin shtator ’84, u lirova prej kampit të Qaf-Barit. Kalova një natë në Shkodër. Të nesërmen erdha me tren në shtëpi. Ishte gjë e bukur, të zgjoheshe në shtratin tënd, i rrethuar nga dashuria e njerëzve të tu, nga motrat, vëllai, prindërit, gjyshja…!

Por realiteti i dhunshëm, nuk do të vononte të shfaqej, madje i pamëshirshëm, brutal, cinik. Më duhej të filloja një punë, për të jetuar. Kishim vetëm pensionin e babait dhe rrogën e mjerë të Dashit, vëllait tim. Te zyra e punës, më thanë se; si ish-kuadër i lartë, duhej të interesohesha, pranë zyrës përkatëse të Komitetit Ekzekutiv, ku kryetar ishte Ligor Çifligu.

– “Jemi me fat”, thanë njerëzit e mi, Qaniu (baxhanaku i tim eti), e ka mik të vjetër Ligorin…”!

Erdhi i miri Qani nga Korça, posaçërisht, e takoi dhe… asgjë! Asnjë ofertë për punë, për mua. Erdhi dhe një mikja ime, që kishte shoqe të ngushtë B. V., bashkëshortja e një funksionari në Tiranë dhe që kishte miqësi të ngushtë familjare, me L. Çifligun…! “Ç’ke ti, mos u mërzit, prit aty te kafja, se ne të dyja po hyjmë te Ligori. Folëm në telefon dhe na pret…”! Dolën të dyja nga zyra, kokulur. B., u nis për në shtëpi në Tiranë, mikja ime, erdhi tek unë në kafe…! “Po ç’ke bërë, mo ditëzi…?! Ligori kishte marrë në telefon Degën dhe Ministrinë e Brendshme për ty. ‘Është te të pakorrigjueshmit’, – ja ç’i thanë”!

Shumë shpejt, do t’i dilte koka muhabetit…! Një ditë, kur si zakonisht, shkoja për të kërkuar punë në Komitet, më del përpara Skënder Gj., një punonjës i Degës së Brendshme me të cilin, kisha njohje qysh kur punoja te anija “Durrësi”, para arrestimit. Tani ishte Punëtor Operativ i Sigurimit, për lagjen time. Ma bëri ofertën: mund të filloja menjëherë punë, si dispeçer në Spedicion, me 9 mijë lekë rrogë…! “Veç atyre që do të marrësh prej meje, veç ryshfeteve nga shoferët”… dhe më shkeli syrin me dashamirësi…! Refuzimi i akullt që i bëra asaj oferte, më kushtoi 9 muaj i papunë…!

Im atë, kishte një mik të mirë në Durrës, të paharruarin Ilmi Hoxha, i cili kishte pasur të vëllanë, inxhinier në minierën e Manzës, rahmet pastë, Idrizin. Ilmiut i thashë, për presionin e Operativit të Sigurimit dhe që kisha vendosur të filloja punë, në minierë. Idrizi foli me drejtorin e minierës, por për të filluar punë, duhej letra e zyrës së punës…!

I bija vërdallë Durrësit ato ditë dhe me zor merrja ndonjë përshëndetje…?! Nuk ishte si dikur, kur nuk mbetesha kurrë vetëm. Më shoqëronte i përhershmi, Din Muço, vëllai im, ose shokët e tij, Mir bullgari, ose Lushi i shkretë, që vdiq më pas refugjat në Itali…! Por do të shkruaj herë tjetër edhe për këtë temë…! Le të vijmë tani, atje ku e kisha fjalën.

I shkrova një letër Hekuran Isait, ku i thoja midis të tjerash, se ajo që kërkoja unë, ishte vetëm të më jepej një punë, ose të më kthenin, përsëri në burg…! Asgjë. Mora një takim me kryetar Ligor Çifligun, kur kisha rreth 8 muaj, pa punë. Juristi i tij B.T., i shpjegoi Ligorit, kush isha unë…!

– “Është e vështirë për punë, tani” – tha ai! – “Po ç’punë mund të bësh ti? Besoj se nuk të gënjen mendja, se mund të fillosh në Fllotë…”?!

– “Unë jam gati, të bëj çfarëdolloj pune, mjaft që të kem një rrogë timen dhe të mos jetoj, në kurriz të familjes”.

– “Ik, tani…! Do ta shohim këtë punë”.

…Ndërkaq më ofruan të punoja punëtor, në Ndërmarrjen Rruga-Ura. Pyeta për rrogën. 4.500 lekë në muaj, ditët e shiut, paguheshin 50 %…! Nuk ia vlente. Kisha parasysh edhe ofertën e Operativit dhe vendosa të filloja, minator në Manzë. Juristi, Bujar T., nuk më lejonte të takoja përsëri kryetarin…! “Para një muaji e takove, ik, mos të të shoh më”!

– “Të lutem shoku B., më duhet vetëm një fletë-pune, për në Manzë, ata të Zyrës së Punës, nuk ma japin…”!?

B., më ktheu shpinën dhe po fuste të tjerët në takim, me Ligorin. Kur po mbyllte derën, e tërhoqa fort nga jaka e xhaketës. Ai bërtiti (ndoshta u tremb). Ligori dëgjoi dhe u dha te dera:

– “Çfarë bëhet këtu”?!

– “Asgjë, shoku kryetar, një sqarim i vogël me B.”, – i thashë gjithë edukatë.

– “Futu brenda, sqarimet i bëj unë” – tha Ligori.

Hyra pa u ndjerë. Kur erdhi radha ime, Ligori u drejtua nga juristi B. T.:

– “Hë, more B., kush është ky?! Si e ka hallin”?!

– “Shoku kryetar, ky është një i dënuar politik. S’ka shumë që është liruar dhe kërkon punë të zgjedhur, ky. Nuk i pëlqen të punojë në Rruga-Ura, ku e rekomanduan shokët e Zyrës së Punës…”?!

– “Jo mo, do e bëjmë drejtor këtë, ne”?! – qesëndisi Ligori.

– “Kam ardhur të kërkoj fletën e punës si minator, për në Manzë, shoku kryetar, nuk më duket se është punë e zgjedhur…”!

– “Ashtu? – dhe u ngrit në këmbë – S’e ka bërë njeri këtë që po bën ti, Maksim. Nuk tallesh?! Se pastaj do tallem mirë me ty…”?!

– “Ju lutem, shoku kryetar, fletën e punës dhe e mbyllim këtë mesele. U thoni atyre të Zyrës së Punës, të ma japin”.

– “Jo. Nuk u them atyre. Do të ta jap me dorën time, që tani. Dhe ta dish, që do ta ndjek vetë punën tënde. Je i sigurt, që e bën dot si minator”?!

– “E kam bërë gjithato vjet me polic… pa polic, them se e bëj më mirë”.

Me letrën e punës të firmosur nga kryetari, u paraqita te drejtori i minierës. Më priti mirë, por më tha se duhet të kaloja më përpara, nga mjeku i ndërmarrjes. Shkova te mjeku, rreth 35-40 vjeç, kosovar, me mbiemër Krasniqi. Më pyeti ku kisha punuar më parë.

– “A ke punuar në minierë, Maks”?

– “Po, doktor, në miniera bakri dhe piriti”.

– “Ke dokumenta për këtë”?

– “Jo, sepse kam qenë i dënuar, doktor. Nuk e vërtetoj dot, që kam punuar në minierë”.

– “Ke punuar në miniera bakri?! Atëherë, dëgjo këtu pra. Sa të jem unë mjek këtu, s’ke për të punuar më minator. Gjej nji mënyrë tjetër, me vra vedin! Unë jam mjek dhe nuk ia lejoj vetes, me të çue drejt vdekjes…! Ti duhet të jesh me silikozë, unë i njoh nga fytyra silikozët, kam qenë mjek në miniera bakri…”!

U ngjita prapë ke drejtori. E mori doktorin në telefon. Nuk dëgjova gjë, sepse isha jashtë.

– “Shko prapë te doktor Krasniqi, Maks”.

Doktori po më priste, sytë i kishte të njomur…! “Merre lejen time dhe më dëgjo: sa herë të duash ndonjë ditë pushim, eja te unë, ose më dërgo kë të duash, mjaft që të ketë një letër prej teje…”!

….Kështu pra, në maj 1985, fillova punë në sektorin e Gërdecit: minator kërkimi. Fillova punë në maj, menjëherë pasi mbaruan ditët e zisë, pas ngordhjes së Hoxhës Enver. Gjeta njerëz të mirë në Gërdec. Shumica ishin punëtorë nga fshatrat përreth dhe nga Vora. Me tre turne, bashkë me rrugën, më shkonte 12 orë dita e punës. Kushtet ishin për faqe të zezë, nuk kishte asnjë ndryshim nga Spaçi. Vetëm shpimi, nuk bëhej me ajër, por me martela, që punonin me korrent. Dy muaj pasi kisha filluar punë në Gërdec, u bë drejtor, kryeinxhinieri i minierës. Unë e prita mirë, sepse më ishte krijuar ideja (e gabuar!), se nuk më kishte me sy të keq.

Në muajin dhjetor, u shtrova në spital në Tiranë, me rekomandim të mjekut të minierës dhe mjekut e njeriut të mrekullueshëm, Agim Drita, të Durrësit. Më shtruan në pavionin e sëmundjeve profesionale. Dola nga spitali dhe pas ndonjë muaji, u paraqita në komisionin mjeko-ligjor në Tiranë…! “Po arrite të fitosh atje, më tha Dr. Agim Drita, shpëtove Maks, sepse pastaj, është në dorën time”.

Në komision, kryetar ishte i njohuri Dr. Sh. N., nga pneumologët më të mirë të vendit. Më vizitoi vetë, pasi pa edhe grafitë e mushkërive. Duke më vizituar, i shqetësuar, i drejtohet doktorit N. Bylyku: “Pa eja dëgjoje edhe ti…! Hë, i pe dhe grafitë? Hëmm…”! Folën me njëri tjetrin, me zë të ulët, me pas Dr. Sh. N., u drejtua te tavolina dhe mori në dorë kartelën time, për ta mbushur. Doktor Bylyku, më shkeli syrin me dashamirësi: “Fitove”, – më tha, pa zë, duke lëvizur vetëm buzët…!

– “Pa prit njëherë ti…! Rakipaj e ke mbiemrin, po”?! – foli Dr. Sh. N.

– “Si urdhëron, doktor”, – u përgjigja.

– “Pa më shpjego, se unë nuk e marr vesh këtë…?! Këtu shkrun; arsimi nalt, shkolla Marinës, profesioni: minator?!! Pse…”!?

– “Po njeriut, i ndodhin shumë gjëra në jetë, doktor…”!

– “Nuk më intereson hiç”! – plotësoi fletën time shpejt e shpejt dhe ma dorëzoi.

– “Na, merre dhe ik tani”!

– “Faleminderit, doktor, ditën e mirë”!

Kur dola jashtë, hapa kartelën dhe pashë të shënuar me germa të mëdha: “I AFTË, PËR TETË ORË PUNË NËNTOKË”. (Tani vonë ky “njeri” mori një dekoratë të lartë nga shteti).

Dr. Agim Drita, megjithatë, nën përgjegjësinë e tij, më lëshoi një raport: “Për punë të lehtë nëntokë”. I jam mirënjohës gjithë jetën për profesionalizmin dhe sidomos për humanizmin e tij. Me atë raport, me ndihmën e mikut tim, Servet Alizoti, që ishte edhe shef i cilësisë së sektorit, si dhe dashamirësisë së përgjegjësit të sektorit të minierës së Gërdecit, punova disa muaj, për cilësinë. Çoja kampionë të qymyrit, në laboratorin e NISh Tullës, në Vorë. Pas një muaji, më hoqën. Shefi i sektorit, më shpjegoi, se kishte urdhër nga lart, për këtë lëvizje.

– “Kush e ka dhënë urdhrin”?

– “Mos më ngatërro mua, Maks. Më vjen keq. Serveti e di, që unë dua që ti të punosh te cilësia…! Nuk ta them dot, kush e dha urdhrin”.

– “A mund të shkoj te drejtori P.B., në Manzë”?

– “Pse jo, qysh tani nisu, po deshe”.

Trokita disa herë te dera e drejtorit. Asnjë përgjigje. Dikush që kaloi në korridor, më tha: – “Aty e ke drejtorin, futu”.

Hapa derën ngadalë:

– “Me leje, shoku drejtor? Më falni…”!

Drejtori Pëllumb B., ngriti pak kokën: – “Hë, ça kishe ti”?!

Ia shpjegova hallin tim: – “Jam me raport, shoku drejtor dhe nuk e di, a dini gjë, që më kanë hequr nga sektori i cilësisë…”?!

– “Po si nuk e ditkam unë!? Unë, jam drejtor këtu, s’jam hu gardhi! Po kot që vjen ke mua. Ti e di veten, jush je”!

– “Sigurisht që e di, por kujtova se…”?!

– “Asigjo mos kujto! Dil tani e, na le rehat”! Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular