Fundi tragjik i 16- vjeçarit nga Shtoji i Ri i Shkodrës me 18 janar 2024 në Belgjikë, është kapitulli i radhës i një sage që nuk ka të ndalur nga 1990- a e këtej. Arsid Muça, nga mosha 13 vjeçare, për shkak të kushteve të vështira ekonomike në familjen e tij, u detyrua të emigronte, duke punuar që në moshë të njomë.
Në kapërcyell të 16- viteve të jetës, fatkeqësisht, ai ndërroi jetë. Një zjarr i rënë në një ndërtesë të quajtur “Titanic” në Bastognë, në afërsi të kufirit mes Belgjikës dhe Luksemburgut, e gjeti në gjumë, duke i marrë jetën në mënyrë të tmerrshme. Fatkeqësia pasohet nga një tjetër. Trupi i Arsidit është akoma atje dhe autoritetet po vijojnë hetimet për ngjarjen e rëndë.
Familja, siç është e kuptueshme, nuk ka mundësi financiare ta kthejë trupin e pajetë të 16- vjeçarit në atdhe. Në këto kushte, është hapur një llogari në GoFundMe për të mbuluar shpenzimet e ardhjes së trupit të pajetë në Shkodër por edhe për të ndihmuar ekonomikisht familjen e të ndjerit në një moment jashtëzakonisht të rëndë.
“Arsid Muça 16 vjeç nga Shkodra humbi jetën nga flakët e një zjarri që perfshiu një banesë në Belgjikë. Para 2 muajsh, i ndjeri Arsidi emigroi për të punuar si emigrant, duke qenë se familja Muça përballej me probleme ekonomike por kjo u kthye në një tragjedi… Të kontribuojmë të gjithë së bashku me sa te kemi mundësi për t’ ja plotesuar dëshirën duke plotësuar ëndrrat që kishte Arsidi për të ndihmuar familjen e tij. Faleminderit nga familja Muça…”, shkruhet në llogarinë e hapur në GoFundMe.
Të gjithë ata që kanë dëshirë, mundësi e dhembshuri për të ndihmuar, mund ta bëjnë duke dhuruar me një klikim në linkun më poshtë, me aq mundësi sa kanë:
KLIKONI KËTË LINK: https://www.gofundme.com/f/gjith-sebashku-te-ndihmojm-familjen-e-arsidit