BallinaEkonomi“Turizmi ndikoi në rritjen e shitjeve me pakicë gjatë 2023, viti i...

“Turizmi ndikoi në rritjen e shitjeve me pakicë gjatë 2023, viti i ardhshëm pritet më pozitiv”

spot_img
spot_img
Flet Julian Mane – Zëvendëspresident i Grupit BALFIN për tregtinë me pakicë

Julian Mane, i cili drejton shitjet me pakicë të Grupit BALFIN, shprehet se pritet një vit optimist në shitjet me pakicë.

Sipas tij, 2023 ishte viti i kostove të larta të prodhimit, por gjysma e dytë e vitit solli normalizim. Regres për 2023 cilësohet rritja e informalitetit në treg…

Si ka qenë sektori i shitjeve me pakicë në vitin 2023?

Ecuria e vitit që lamë pas është ndikuar nga disa faktorë, të cilët kanë bërë që pjesa e parë e vitit të ndryshonte shumë me të dytën.

Gjatë muajve të parë të vitit, çmimet e produkteve vijuan të ishin të larta, për shkak të kostos së lartë të prodhimit, duke mbajtur shitjet në nivele të ulëta. Nga ana tjetër, për shkak të çmimeve të larta, xhiroja e bizneseve ishte përsëri e qëndrueshme.

Ajo që ndihmoi që çmimet të mos rriteshim më tej, gjatë gjysmës së parë të vitit, ishte rënia e euros. Kjo situatë ka pasur ndikim negativ tek eksportet, por ka qenë faktor që ka ndihmuar shitjet me pakicë në vend për të ruajtur çmimet.

Gjysma e dytë e vitit solli normalizimin e çmimeve, si pasojë e normalizimit të kostove të prodhimit, sidomos të produkteve joushqimore. Çmimet u kthyen në vlerat që kishin para pandemisë.

Gjithashtu, çmimet e produkteve ushqimore pësuan rënie, edhe pse ishte më pak e ndjeshme.

Ulja dhe normalizimi i çmimeve ndikoi në rritjen e konsumit, duke i dhënë një shtysë konsumit dhe stabilitet industrisë së shitjeve me pakicë gjatë pjesës së dytë të vitit 2023.

Cilat kanë qenë sfidat e hasura?

Viti nuk ka qenë i lehtë dhe ndër sfidat kryesore me të cilat është përballur tregtia me pakicë janë rritja e çmimeve të produkteve, informaliteti në nivele të larta dhe burimet njerëzore të kualifikuara.

Për situatën e rritjes së çmimeve nuk po ndalem, pasi e trajtova më sipër. Për sa i përket informalitetit, fatkeqësisht vëmë re regresin e bërë këtë vit në shumë sektorë lidhur me mosdeklarimin, moszhdoganimin e rregullt apo edhe rritjen e hapësirës që po merr ekonomia në të zezë në disa sektorë.

Për ta ilustruar, mund të përmend rastin e telefonave celulare (smartphone) ku 70-75% e tregut është totalisht informal. Është për të ardhur keq, por Shqipëria renditet më keq sesa vendet fqinje si Republika e Maqedonisë së Veriut, ku informaliteti në këtë sektor është mjaft i ulët.

Gjithashtu edhe në sektorin e produkteve ushqimore apo të supermarketeve, vihet re rritje të aktivitetit informal.

Pavarësisht se ka një tentativë të vetë bizneseve që janë rritur dhe stabilizuar për t’ju përgjigjur detyrimeve ligjore duhet një rol më i madh i shtetit. Duhet një rol më i fortë, në mënyrë që të garantohet zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e konsumatorit, sepse produktet ushqimore në tregun e zi dhe informal janë rrezik për shëndetin.

Për sa i përket sfidës së tretë, burimeve njerëzore, duhet të theksoj faktin që rritja e aktivitetit dhe zgjerimi i rrjeteve të Spar, Neptun, Jumbo dhe FGA ka sjellë rritjen e kërkesës për disa pozicione pune.

Rritja e shpejtë na ka sjellë vështirësi për të gjetur staf të kualifikuar. Ne i jemi përgjigjur kësaj sfide, duke përmirësuar vazhdimisht pagat e punonjëse dhe duke ofruar kualifikime të vazhdueshme.

Çfarë hapësire pati e-commerce në tortën e blerjeve në sektor?

Volumi i shitjeve online krahasuar me shitjet në dyqan nuk pati ndonjë rritje për t’u shënuar. Bën përjashtim sektori i veshjeve, ku shitja online ka shënuar rritje këtë vit. Këtu ka ndikuar prania e markave ndërkombëtare, të cilat kanë ndihmuar edhe me përvojën e tyre teknike në organizimin e platformave online.

Vihet re që shitjet online po rriten me ritme të ngadalta në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por nuk ka dyshim që së shpejti do të zënë një përqindje të madhe të shitjeve në tërësi.

Kjo po nxitet edhe nga investimet e mëdha të cilat po bëhen për platformat e shitjeve online dhe rritjes së ndërgjegjësimit të blerësve.

Pavarësisht situatës së sotme, mendoj se shitjet online do të kenë vetëm rritje. Modeli i suksesit për kompanitë besoj se është ai që ne e quajmë OnmniChanel, ose kombinimi i pranisë me dyqane fizike me dyqan online.

Vetë Grupi po punon në këtë drejtim, duke e bërë më të lehtë dhe më të shpejtë blerjen online. Bashkëpunimi dhe sinergjitë brenda kompanive tona të shitjeve me pakicë e bëjnë më të shpejtë ndryshimin.

Cilat janë zhvillimet e pritshme për 2024?

Portofoli i gjerë i investimeve në disa industri na ndihmon të parashikojmë sjellje të tregut dhe të përgjigjemi në kohën e duhur.

Për shitjet me pakicë, viti 2024 pritet të jetë pozitiv, duke i dhënë një shtysë dhe rritje tregtisë me pakicë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kjo edhe për faktin që efektet negative të krizës së krijuar prej pandemisë po shuhen, por edhe vetë bizneset kanë fituar një përvojë të caktuar dhe kanë ndërtuar mekanizma që u përgjigjen më shpejt ndryshimeve.

Vitin tjetër, ne po shikojmë mundësitë për të zgjeruar praninë dhe volumin e aktivitetit tonë në vendet e Ballkanit, sidomos me Neptun.

Ndërkohë po punojmë që Jumbo të hapë dyqanin e parë në Moldavi. Në tregun shqiptar, industria e ndërtimit dhe turizmi po shënojnë performaca të larta dhe kjo i ka dhënë hov rritjes së konsumit në vend.

Turizmi ndikoi në rritjen e shitjeve me pakicë gjatë vitit 2023 dhe sipas parashikimeve do të vijojë të ndikojë pozitivisht edhe për vitet e ardshme. Investimet në turizëm po shoqërohen edhe me përfshirjen e rrjetit të kompanive tona si Spar, Neptun, Jumbo apo FGA në projektet e reja.

Së shpejti do të fillojë implementimin e një projekti ambicioz në qytetin e Vlorës. Pas West Park në qytetin e Korçës, do fillojmë ndërtimin e një Retail Park edhe në Vlorë.

Ky koncept ende i ri për Shqipërinë, do t’u ofrojë mundësi shumë të mira konsumatorëve dhe bizneseve të Vlorës, të cilat nuk arrijnë të shfaqin potencialin e vet, për shkak të mungesës së hapësirave për të bërë biznes.

Kemi vënë re se është rritur kërkesa e markave ndërkombëtare për të qenë të pranishme në qendrat tona.

Tregtia me shumicë nuk është aspak një industri e lehtë, sidomos kur operon në vende të ndryshme dhe ke një portofol të gjerë kompanish.

Në Shqipëri bëhet edhe më e vështirë për shkak të informalitetit. Megjithatë jam optimist, pasi shikoj sfida interesante, ku risitë teknologjike dhe shërbimet digjitale na ofrojnë shumë hapësira për të përmirësuar ofertën tonë karshi konsumatorëve, në të gjitha vendet ku operojmë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular