PËLLUMB NAKO
Policia bëri bilancin e goditjes apo të operacionit të saj mbarëkombëtar të quajtur “Tempulli 2”, me fokus shpërndarjen e lëndëve narkotike. Gjithsej 273 të arrestuar. Numër ky jo i vogël për një vend si yni, duke pasur parasysh këtu edhe rezultatin e mëparshëm të operacionit “Tempulli”. Nuk mund të kalojë me këtë rast pa u përmendur pozitivisht nisma për një perimetër sigurie rreth shkollave dhe goditja e shpërndarësve të lëndëve narkotike pranë këtyre të fundit.
Në fakt, perimetri i sigurisë së shkollave për momentin mund të shihet si një hap i parë, pasi nëse do të zhvillohej e thellohej si nismë, ai do të duhej të kthehej në një standard, ku rreth e qark shkollave të ndalohej aktiviteti privat i kafeneve, pijetoreve e të tjera si to. Në një kontekst të tillë, pushteti vendor do të luante rol madhor, përfshi këtu edhe aspekte urbanistike. Megjithatë, nga i gjithë ky kontekst del një pyetje: nëse për të luftuar fenomenet negative sociale të një vendi, mjafton e vetme puna e policisë? Përgjigja kësaj pyetjeje do të zbulonte disa të tjera.
Cili do të ishte interesi i një shoqërie? Të mbushë burgjet plot më shpërndarës droge, apo të ketë sa më pak të tillë në qarkullim? Policia nuk është institucioni, i cili në raport me kryerjen e detyrave të saj, të ndjekë politika sociale. Ajo është aty për parandalim policor të fenomeneve kriminale dhe për të çuar para drejtësisë, si në rastin konkret, të të gjithë shpërndarësve të drogës pranë dhe jo pranë shkollave. Por ndërkohë, edhe sikur popullsia e vendit të ishte plotësisht e bindur ndaj policisë, e vetme ajo nuk mund ta luftojë fenomenin. Sepse mbi të gjitha, para parandalimit policor, është i nevojshëm parandalimi social.
Dhe këtë të fundit mund ta kryejnë një seri institucionesh të pushtetit qendror dhe sidomos ai vendor së bashku me shoqërinë civile dhe sigurisht me policinë. Për fat të keq, nuk jemi ende në këtë logjikë. Për luftën kundër drogës në përgjithësi dhe kundër shpërndarësve të saj në veçanti, flet dhe vepron vetëm policia. Kjo bën që mjaft herë ky organ të mbajë mbi supet e tij edhe perceptimet negative lidhur me fenomenin të trafikimit e të përdorimit të tyre. Nëse në disa vende perëndimore, në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës janë të impenjuara me sukses dhe shërbimet doganore, në vendin tonë këto të fundit nuk e kanë të kultivuar në përmasat e duhura ndjeshmërinë ndaj këtij detyrimi ligjor.
Ky institucion ende nuk është i ndërgjegjësuar të kuptojë se është organi i sigurisë dhe jo thjesht grumbullues të ardhurash për arkën e shtetit. Për nënprizmin e aktivitetit doganor, si kontrabanda e cigareve dhe trafikimi i drogës janë mallra. Të dyja janë biznese, një i ndaluar, tjetri i rregulluar me ligj. Ardhja e kokainës me kontejnerë nga kompani të ndryshme biznesi, e vënë shërbimin doganor në pozicion më të favorshëm për të luftuar fenomenin e trafikut ndërkombëtar të drogave. Analizën e riskut apo informacionin, ky institucion e përdor vetëm për kompanitë që tentojnë shmangie doganore.
Ndërkohë ato që trafikojnë droga, natyrshëm janë shumë korrekte me pagesat doganore dhe me këtë lloj analize apo informacioni, shërbimi doganor nuk do të mund të jetë në gjendje të ndalojë kontejnerët e bananeve me kokainë. Mjafton këtu të përmendet rasti kur para disa javëve, dogana spanjolle konfiskoi 4 tonë kokainë vetëm mbi bazën e një analize financiare të kompanisë që po i trafikonte. Në historinë e doganave shqiptare, nuk ka asnjë rast të tillë. Po ashtu, që në një vend tjetër, si Franca, janë shërbimet doganore të vendit ato që konfiskojnë sasi më të madhe drogash të importuara se sa shërbimet e tjera të administratës apo të organeve të sigurisë. Thënë me fjalë të tjera, në luftën e tij kundër trafikut ndërkombëtar të drogave, organi i policisë, mbetet i vetëm e pa dyshim do të marrë mbi veten edhe rrufetë e kritikave e të sharjeve, sigurisht edhe lavdërimet.
Madje, në polici qëndrohet dhe analizohet çdo rast trafikimi drogash, kurse në dogana kjo gjë ndodh pak për të mos thënë aspak. Në këtë mënyrë, doganat e vendit tonë janë jashtë çdo lloj gjykimi mediatik në raport me trafikun e drogave, thjesht sepse publiku i gjerë nuk i percepton si organe që kanë po aq përgjegjësi në luftën kundër trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, sa dhe policia. Përveç trafikut ndërkombëtar, në të njëjtën situatë, policia ndodhet përsëri e vetme, edhe në raport me pengimin apo kapjen e shpërndarësve të drogave në rrugë. Dikush mund të thotë se në realizimin e një detyrimi të tillë, policia nuk mund të jetë veçse e vetme. Jo!
Aktualisht kapja dhe arrestimi i shpërndarësve të drogave, nga ana e policisë, drejt klientëve fundorë, ngjason më shumë me mitin e Sizifit. Të jep pamjen e një misioni që jo vetëm nuk mund të realizohet i plotë, por edhe që vetëm përsëritet e përsëritet pa fund. Kjo, sepse në tregun e brendshëm të përdorimit të drogave ka natyrshëm kërkesë dhe ofertë. Kur mund të reduktohet konsumi në një rast të tillë? Duke futur në burg për ca kohë furnizuesit, apo duke ulur numrin e përdoruesve? Apo të dyja bashkë? Dhënia përgjigje kësaj pyetjeje tregon sesa e vetme është policia në betejën kundër trafikimit dhe konsumit të drogës në shoqërinë shqiptare. Policia bëri një bilanc. Pra, në tregun e konsumit të drogave, i hoqi apo më saktë u reduktoi konsumatorëve ofertën. Pra, ajo ka mundësinë e bërjes së një pjese të bilancit në mbrojtje të shëndetin publik, atë të heqjes nga tregu të furnitorëve, ndërkohë nuk është dhe nuk ka mundësi të masë produktin social të saj.
Në daljen publike, policia foli me statistika konkrete, por produkti social kërkon statistika të tjera, që kanë të bëjnë me uljen apo ngritjen e numrit të përdoruesve. Në vendin tonë zhvillohen sondazhe politike pa fund, nuk ka ndonjë vështirësi të bëhej e njëjta gjë edhe për përdoruesit e drogës. Në fund të fundit, ky është dhe qëllimi final, mbrojtja e shëndetit publik. Madje, një bilanc i përdoruesve do të bënte edhe vlerësimin deri diku të aksionit të saj. Kush duhet të bëjë këtë bilanc? Policia sigurisht që jo. Në këtë rast është Ministria e Shëndetit Publik, ajo që duhet të jetë “pasqyra” e aksionit policor kundër përdoruesve të drogës, duke bërë publik numrin e përdoruesve që mjekohen.
Duhet të jetë pushteti vendor në ngritjen e qendrave të rehabilitimit të përdoruesve, duhet të jetë edhe shoqëria civile. Por mjafton të bësh disa klikime në “Google” dhe nuk do të jetë e vështirë të konstatosh se ka një terr informativ nga ana e organeve kompetente të shtetit për gjithë problematikën e përdoruesve të drogës në vendin tonë. Statistikat e përdoruesve janë të ndryshme, kaotike, të vjetra dhe nuk ka asnjë organ zyrtar për të bërë një vlerësim të fundit. Policia e bëri bilancin e saj. Dhe për këtë edhe kritikohet. Ministria e Shëndetit Publik nuk ka bilanc dhe për këtë nuk kritikohet.