PROF. PJETËR MARKU
Është fakt, që në analizat dhe studimet mbi figurat historike të kombit shqiptar, janë përdorur edhe gojëdhënat. Për Monsionjor Dr. Zef Oroshin, për veprimtarinë, misionin dhe jetën e tij, po paraqesim të dhëna të pacekura apo të padokumentuara më parë, të mbështetur në gojëdhëna të transmetuara brez mbas brezi, deri në ditët e sotme. Këto të dhëna (gojëdhëna), janë ruajtur nga familjarët dhe njerëzit më të afërt të tij, pa deformime dhe ekzagjerime. Ato janë të vërteta të pamohueshme, sepse kanë dalë nga goja e nënës, vëllezërve, motra, halla, nipat, mbesat, miqtë më të afërt dhe bashkëpunëtorët e tij dhe disa prej tyre, bashkëkohës të prelatit tonë katolik.
Pema gjenealogjike e familjes Monsinjor Dr. Zef Oroshit
Oroshi, ka dymbëdhjetë fise. Ndër këto fise, fisi i Çokut, është ndër me të vjetrit. Ata banonin në dy vend-banime, në Lajthizë dhe në Ligjin. Sot, në këto dy vend-banime ka trashëgimtarë të fisit te vjetër. Për faktor që nuk i dimë, nga trungu i këtij fisi, emigruan në fshatin Korthpulë për të banuar, Prend Pjetër Çoku, e quajtur si “Shtëpia e Madhe”.
Sot, ekzistojnë familjarë dhe prona të kësaj shtëpie. Mirëpo sipas Prof. Dr. Mark Tirta, në veprën: “Mirdita e moçme, emigrime të popullsisë së saj”, ai citon: “Çoku i Oroshit, përbëhet nga një degë vendase (Pal Çoku e Çoka-jt e Lajthizes) dhe nga ana tjetër, ka degë të mbështetura, të ardhur nga Korthpula e Dibrit e, nga Pulajt e Selitës (Imigrime brenda Mirditës)”.
Duhet përmendur se Monsinjori, është njohur me dy mbiemra, më mbiemrin Çoku (emri i fisit) dhe me mbiemrin tjetër; Oroshi (fshati Orosh i Mirditës). Fisi i Çokut është nga Oroshi, ndër fiset më të vjetra. Por në të njëjtën kohë, emigrimet në disa raste, nuk kanë qenë të suksesshme dhe ka patur familje që janë kthyer përsëri nga Korthpula e, nga Pulajt, në trojet e vjetra, duke formuar degë të mbështetura.
Paraardhësit dhe pasardhësit e Monsinjor Dr. Zef Oroshit, kanë banuar në Kaftall dhe janë njohur si familja e Gjok Prendit. Sot kjo familje e madhe, është e shpërndarë nëpër Shqipëri dhe emigracion, duke ruajtur mbiemrin Prendi. Sot, në fshatin Kaftall, kanë pronat e tyre, të trashëguara brez pas brezi. Historia e këtij fisi të lavdishëm, është qindra vjeçare.
Prendi, ka trashëguar dy pasardhës: Gjoka (babai i Mons. Dr. Zef Oroshit) dhe Bardhja (halla e Monsinjorit).
Nana e prelatit tonë, Dila, është e motra e Gjon Kol Prendit, nga Dushi i Epërm, Bardhja (halla), ishte martuar në fshatin Gjobardhaj (lagja: Shpaze), burri i saj, Mark Zef Marku, me një trashëgimtar, Zef Mark Zefi. (nipi Mons. Dr. Zef Oroshi.).
Gjoka, ka pasardhës: Prendin, Zefin (Monsinjorin), Ndojin dhe Luken.
Prendi, ka pasardhës: Pjetrin, Gjokën, Gjonin dhe Markun.
Ndoj, ka pasardhës: Marien, Daven, Nikollën dhe Ndojin.
Sot, pasardhësit, janë shtuar më të rinj e të reja dhe të shpërndarë kudo, në Shqipëri dhe emigracion.
Familjarët e persekutuar nga regjimi komunist janë: Prendi, Zefi, Ndoj, Lukja dhe pasardhësit e tyre.
Episode të jetës së Monsinjor Dr. Zef Oroshit në Shqipëri
– Bekimi nga Perëndia –
Nga halla Bardhe dhe motra Luke, kemi dëgjuar disa herë, në bisedat që zhvillonin së bashku, mbi jetën e kësaj familje, duke theksuar se ngjarjet që kanë ndodhur aty, janë; bekim nga Zoti. Vuajtjet, vështirësitë, sakrificat për mbijetesë nga njëra anë, dhe privilegjet e të mirat të arritura, jo të dhuruara, por të fituara me dije, me mundime, të dyja së bashku bashkëjetojnë, duke plotësuar kalvarin e jetës, të kësaj familje fisnikë mirditore.
Gjok Prendi (babai Monsinjorit), vdes në moshë shumë të re, duke lënë fëmijët jetim dhe Dilën e vej. Fëmijët, ishin shumë të vegjël. Por shumë shpejt troket në dere bekimi nga Zoti. Delegati i Shkodrës, Dom Engjëll Serreqi S.J, mori Zefin e vogël në qytetin e Shkodrës, ku e regjistron në Seminarin Pontifikal (Jezuit), që përgatiste rregullisht studentë, për meshtarë të rinj.
Monsinjori, – më thoshte halla Bardhe, – ishte fëmijë shumë i zgjuar dhe më një zhvillim fizik shumë të mirë. Delegati i Shkodrës, i kërkoi nënës Dilë, ta dërgonte në shkollë dhe Nëna Dilë pranoi. Mësimet fillestare, ai i mbaroi në Kaftall.
Studimet e mesme, i nisi në vitin 1927, në Seminarin e njohur “Saverian”, i themeluar në vitin 1859, të “Urdhrit Jezuit” (S.J.) në Shkodër dhe i mbaroi në vitin 1937. Gjatë shkollimit ai shkëlqeu, si nxënës shumë i mirë. Në formimin e personalitetit të tij, kanë ndikuar shumë mësuesit e tij, atdhetarët e shquar, si: poeti i ëmbëlsisë, Dom Ndre Mjeda dhe poeti kombëtar, Padër Gjergj Fishta, O.F.M.
Nëna Dilë, bashkë më fëmijët e tjerë, i dhanë bekimin Zefit, për të vazhduar shkollën e lartë të Jezuitëve në Itali. Në studimet e larta, ai sërish spikatë si një ndër studentët më të mirë. Në vitin 1940, mbaroi studimet e larta në Itali dhe u shugurua meshtarë, si misionar apo bari shpirtëror, i Kishës Katolike. Ky ishte bekimi i dytë i Zotit, për këtë familje fisnike.
Si i shpëtoi rrethimit të Sigurimit të Shtetit, në kishën e Ungrejt?!
Monsionjor Dr. Zef Oroshi, me veprimtarinë e tij fetare, atdhetare dhe antikomuniste, ishte bërë kundërshtari më i madh i pushtetit komunist. Ai kishte lidhje të ngushta me “Komitetin e Maleve”, që asokohe drejtohej nga komandanti Kapidani i Mirditës, Mark Gjomarku dhe me të gjithë antikomunistët, që ishin kundër regjimit të egër komunist.
Monsinjori, mbas vrasjes së dy trimave të maleve, Kapidanët e Mirditës, Mark dhe Llesh Gjomarku, u emërua menjëherë si komandant i “Komitetit të Maleve”. Prelati i shquar mirditor ishte misionar, frymëzues i çetave të rezistencës anti-komuniste me armë në dorë, kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Kështu sipas Zef Mark Zefit (bashkëkohës dhe nipi i tij dhe që i shërbente), Dom Zefi, kishte krijuar rrjetin e tij të njerëzve që i siguronin informacion, për veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit kundër tij. Gjithmonë ai ishte një hap para atyre. Asokohe Dom Zef Oroshi, po jepte meshë para popullit, brenda në kishë.
Pasi filloi mesha u bë rrethimi i kishës, në mënyrë të fshehtë nga Sigurimi i Shtetit dhe ishte vendosur më përpara prej tyre, që arrestimi i tij, të bëhej pas meshës. Gjysëm orë para se të mbaronte mesha, Dom Zefit, dikush i dha një letër, duke i thënë se je i rrethuar nga forca të shumta të Sigurimi të Shtetit. Ky ishte një informacion i saktë nga njerëzit e besueshëm të tij. Dhoma e pasme e kishës, kishte një derë të maskuar. Dom Zefi, kishte aty pranë armë, që ishin vendosur para se më fillue mesha, për çdo rast vetëmbrojtjeje.
Ai ishte në çdo kohë i parapërgatitur, në kishë e kudo. Meshtari i fshatit tonë, ishte gjakftohtë dhe i qetë, gjatë dhënies së meshës. Koha ishte e mjaftueshme, për të dalë nga kisha. Para mbarimit të meshës, kaloi në dhomën e pasme dhe nëpërmjet derës së maskuar, i armatosur me pistoletë dhe granata, është larguar nga kisha, dhe është futur në qelë, ku ka takuar motrën Luke dhe i ka thënë asaj, se është i rrethuar nga Forcat e Ndjekjes dhe ato të Sigurimit të Shtetit.
Më pas, ai ka dal në pyllin pranë të mbuluar me lisa e shkurre. Terreni i pyllëzuar u ba aleat, për të shpëtuar meshtarin e fshatit tonë nga rrethimi. Populli i Ungrejt, një popull atdhetar, fisnik, bujar dhe i besës, i shpëtoi jetën priftit tonë, në momentet më të vështira të tij. Është rast unik në historinë e trevave shqiptare, prandaj mendoj se populli fisnik të Ungrejt, meritojnë lavdi dhe nderim për jetë.
Tre javët e para në arrati, i strehuar në mal në fshatin (Gjobardhaj) lagjja “Shpazë”
Meshtari Dom Zef Oroshi, në këtë fshat ka pas të martuar hallën e tij, Bardhe, në shtëpinë e Mark Zef Markut. Familja kishte vetëm një djalë, Zefin, nipin e tij, i cili i ka shërbyer më besnikëri dhe përkushtim, famullitarit tonë, tek qela në Ungrej. Atje, Zefi, ka mësuar shkrim, lexim dhe aritmetikë.
Duke patur besim dhe siguri është strehuar në pyll, sipër shtëpisë se Mark Zef Markut (dhandrri). Në këtë kohë, regjimi komunist me anë të Sigurimit të Shtetit dhe njerëzve të tij që i kishte kudo, ishte në lëvizje natë dhe ditë. Familja e Mark Zef Markut ishte në vëzhgim, në ruajtje nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Zefi (djali), në këtë periudhë i ka shërbyer me detyrën e ndërlidhësit deri sa është larguar nga ky strehim.
Ai është furnizuar më ushqim dhe veshje për tre javë nga halla Bardhe. Pasi është lidhur më bashkëpunëtorët e tij dhe kanë planifikuar e siguruar lëvizjet, janë nda rrugët përjetësisht me dhandrrin e tij, më hallën Bardhe dhe me nipin Zef. Ndarja e rrugëve, ishte vendim i Dom Zef Oroshit, sepse nipi ishte vëlla i vetëm dhe nuk ka pranuar ta marrë në arrati.
Veprimtaria antikomuniste dhe përgatitja ushtarake e Dom Zef Oroshit
Zefi (nipi) tregonte për Dom Zef Oroshin: “Kohën e lirë, ditën dhe natën, e shfrytëzonte duke studiuar shumë libra të kishës, të artit ushtarak, letërsi, etj. Krahas leximit të tyre, merrte e mbante shënime. Librat historik i studionte shumë, sidomos ato për luftërat, për gjeneralët më të shquar, për strategjitë dhe planin e luftës.
Studionte elementët bazë të luftimit, prita, rrethimi, çarja e rrethimit, marshimet dhe siguria në lëvizje, lëvizjet në fushën e luftimit, sulmi dhe mbrojtja. Njihte shumë mirë luftën guerile. Ai zotëronte artin ushtarak, teorikisht e praktikisht. Merrte masa për tu mbrojtur, për të çarë rrethimin, ruajtjen dhe sigurinë e qelës. Fizikisht ishte i fuqishëm dhe shumë i shpejte. Ishte ideator, organizator i suksesshme dhe udhëheqës. Ishte njeriu i duhur, për të drejtuar “Komitetin e Malëve”, mbas vrasjes së dy vëllezërve, Gjomarkaj.
Zhvillonte takime më njerëzit më të zot të zonës Ungrej dhe Mirditës. Takimet dhe lidhjet ishin me antikomunistët, kundërshtar të regjimit komunist. Mbante lidhje me persona të veçantë të Sigurimit Shtetit. Shfrytëzonte maksimalisht miqësinë, takimet, drekat në të dy krahët, vetëm e vetëm, për të siguruar informacione, në shërbim të misionit të tij. Ndër misionarët e Kishës Katolike, ishte më i veçanti. Ishte prijës, luftëtar i vërtetë, i pamposhtur dhe shumë trim.
Gjatë misionit fetarë, ka zbuluar shume intriga dhe pabesi, por i ka asgjësuar më sukses. Ai mposhti me mjeshtëri rrethimin në kishë kur tentuan për ta arrestuar, dy herë është plagosur dhe i ka shpëtuar pritave. Sipas dëshmitarëve okular në beteja, në fushën e luftimit, në përpjekje te Kalaja Qytet me Sigurimin e Shtetit, ka shfrytëzuar zonat e vdekura të terrenit, shpejtësinë, duke vrapuar e hapur zjarr dhe ka mundur t’u shpëtojë prej rrethimit”.
Dënimet dhe internimet e familjes, në periudhën e diktaturës
Pas tetë muaj në mal, në arrati, Dom Zefi arrin të arratiset në Jugosllavi, bashkë më shokët e tij, në muajin gusht të vitit 1952. Në këtë periudhë kohe, filloi persekutimi i familjes me burgje, internime dhe vdekje nën tortura.
Prend Gjok Prendi; (vëllai i madh), banonte në Sheher të Lezhës me familjen e tij. U ba arrestimi i tij, në shtator 1952. Ka qëndruar në burgun e Lezhës afërsisht një vit dhe e kanë liruar. Shumë shpejt internohen familjarisht, me nënën Dilë, me motrën Luke, me Pjetrin (djali i madh), duke i dërgu në Kampin e Tepelenës. Tre vite kanë, qëndrue në kamp.
Kjo periudhë ishte kalvar vuajtjesh në izolim. Vuajtje për ushqim, për ujë, për veshmbathje, mungesë të kushteve minimale të jetesës, presion psikologjik, të gjitha llojet e presioneve fizikë, në vëzhgim për çdo lëvizje, në pyetje për çdo dyshim. Nga Kampi i Tepelenës, e dërgojnë familjarisht në internim, në fshatin Pluk të Lushnjës, ku ata qëndruan deri në fillimet e demokracisë, kur u larguan prej aty dhe u përqendruan në Tiranë.
Ndue Gjok Prendi (vëllai i vogël). Në të njëjtën kohë me Prendin, arrestohet nga Sigurimi i Shtetit, edhe vëllai i vogël i Dom Zefit, i cili banonte familjarisht në fshatin Kaftall. Arrestimi u realizua në vjeshtën e vitit 1952 dhe ai u dërgua në burgun famëkeq të Shkodrës. Gjatë qëndrimit në atë burg, ndaj tij janë përdorur hetime, provokime, mashtrime dhe presione psikologjike.
Gjatë hetimit, hetuesit i kërkuan të bashkëpunoj me Sigurimin e Shtetit, për të manipuluar të dhënat, ashtu siç kishin qëllimin ata, por kur Ndoj nuk pranoj, në mënyrë kategorike, atëherë ndaj tij, janë shtuar torturat. Janë përdorur tortura nga më çnjerëzore ndaj tij, siç janë: rrahjet më kamxhik, vezët e ziera nën sqetulla, kunjat e pishës në thojza, etj. Ai ka qëndruar pa ushqim dhe ujë, për ditë të tëra.
Në dimrin e vitit 1952-1953, ka qëndruar më shumë në dhomën e izolimit, i zhveshur dhe zbathur, në lagështi dhe pa ngrohje, në pisllëk dhe pa gjumë, me plagë të shumta në shtat dhe më dhimbje të padurueshme, duke e rrahur vazhdimisht me kamxhik. Prej këtyre torturave, ai disa herë në burg, ka kaluar në gjendje kome.
Trupi i Ndojt, me shumë plagë të jashtme dhe të brendshme, me kocka të thyera, me mushkëri të ftohura, nuk i rezistoi vuajtjeve, ku dhe ndërron jetë, në moshën e re 37-vjeçare, në muajin shkurt të vitit 1954.
Ishte një vdekje e dhimbshme e një njeriu të pafajshëm, vetëm pse kishte vëlla Dom Zef Oroshin e arratisur nga Shqipëria komuniste. Në heshtje, miqtë, shokët, njerëzit e gjakut dhe populli, kishin krijuar një urrejtje dhe indinjate të thellë ndaj regjimit komunist. Familja e Ndojit, nana Dilë mbeti e vej, kurse dy vajzat dhe dy djemtë mbetën jetime.
Persekutimi vazhdoi
Familjes së Dom Zef Oroshit, iu mohuan disa të drejta themelore të njeriut nga shteti komunist. Nuk kishin të drejtën e fjalës, të shkollimit në shkollën e mesme dhe në universitet, të drejtën për t’u zgjedh dhe për të zgjedh (gjatë votimeve) dhe as për të punuar, në asnjë lloj pune.
Gjoni (djali i Prendit), për shumë arsye të ndryshme, por në veçanti, nuk lejohej për të vazhduar shkollën e lartë (duke qenë nxënës i shkëlqyer), tentoi të arratiset në Veri të Shqipërisë, por pa sukses. U dënua më dhjetë vjet burg politik. Dënimin e ka kryer në burgun famëkeq të Spaçit. Gjatë persekutimit të kësaj familje, shoqëria në përgjithësi, ka qenë e ndjeshme dhe i ka respektuar.
Shteti komunist në vazhdimësi e ka zhvilluar luftën e klasave. Ata të gjithë ishin në vëzhgim të vazhdueshëm nga forcat e Sigurimit të Shtetit apo spiunët e tyre…, në hetime deri në fillimet e demokracisë.
Përfundime:
Monsinjor Dr. Zef Oroshi dhe trungu familjar i tij, janë vazhdimësi e fisit fisnik “Çoku”. Ai është figurë emblematike, më e shquara, më e ndritura dhe e pa krahasueshme e fisit dhe ndër personalitetet historike, më të spikatura të Mirditës. Gjithë jetën e tij në Shqipëri dhe pas arratisjes në Itali dhe në SHBA-ës, ia kushtoi misionit fetarë dhe luftës kundër regjimit komunist. Marrë nga Memorie.al