Zyra e kryetarit të qytetit jugor rus, Volgograd, njoftoi më 17 janar se pjesa e një rruge të këtij qyteti do të emërohej për nder të Aleksei Naginit, ish i dënuar i cili i ishte bashkuar grupit famëkeq të mercenarëve, Wagner. Ai ishte vrarë afër qytetit Bahmut, në rajonin ukrainas të Donjeckut në shtator të vitit 2022.
Pavarësisht rebelimit që Wagner-i kreu në qershor të vitit 2023 kundër udhëheqjes së lartë ushtarake të Rusisë dhe vdekjes së mistershme të kreut të këtij grupi, Yevgeny Prigozhin, komunat në mbarë Rusinë po vazhdojnë të emërojnë hapësira publike për nder të mercenarëve të vrarë në Ukrainë.
Prigozhin u vra dy muaj pas udhëheqjes së rebelimit, pas rrëzimit të avionit me të cilin ai po udhëtonte.
Megjithatë, duket se autoritetet po zgjedhin heronjtë e tyre në mënyrë më selektive sesa në të kaluarën dhe gjithnjë e më shumë po harrojnë lidhjet e tyre me Wagner-in. Qëllimi, sipas analistëve, është që të rritet motivimi ideologjik për të rekrutuar më shumë vullnetarë dhe që mercenarët aktualë të sigurohen se ata nuk do të harrohen.
“Madhërimi i mercenarëve, qoftë nga Wagner-i apo grupe të tjera, veçmas po mbështetet nga autoritetet dhe propaganda [pro Kremlinit]”, tha analisti politik, Ivan Preobrazhensky. “Kjo ndodh sepse Ushtria ruse në esencë është shndërruar në një formacion mercenar, qoftë përmes kontratave [me Ministrinë e Mbrojtjes] apo formacioneve të ndryshme ‘vullnetare’. Në esencë, ata janë mercenarë”.
“Vlera të duhura të jetës”
Disa muaj pasi nisi pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Wagner-i nisi të rekrutonte për luftë të dënuarit nga burgjet ruse, duke u premtuar falje të dënimeve nëse ata do të shërbenin për gjashtë muaj. Si përfundim, dhjetëra mijëra të burgosur, shumë nga ta që ishin të dënuar me dënime të gjata për shkak të krimeve të tmerrshme, u rekrutuan. Nga ta, mijëra u vranë dhe mijëra të tjerë u kthyen mbrapsht në Rusi si burra të lirë.
Në shumë qytete ruse ka pasur zemërim për shkak të nderimeve zyrtare që u janë bërë të vrarëve, të cilët banorët lokalë i kujtojnë me frikë si huliganë, ngatërrestarë dhe kriminelë. Edhe kthimi i të dënuarve, që u falën pas shërbimit të shkurtër në Ukrainë, në shumë raste është përcjell me tensione shoqërore.
Nagin, për dallim nga të tjerët, kishte një të kaluar më pak të trazuar dhe kishte më shumë kredenciale ushtarake. Më 2014, ai u dënua me shtatë vjet me kusht pasi kishte vjedhur një veturë dhe kishte detyruar pronarin e veturës që të nënshkruante dokumentet e shitjes së makinës nën kërcënim të dhunës. Sipas të dhënave të gjykatës, gjykatësi u tregua i butë në vendimin e tij sepse Nagin veçse kishte shërbyer në detyra ushtarake në Çeçeni, Gjeorgji, Siri dhe Libi dhe ishte nderuar me pesë medalje ushtarake.
Në Ukrainë, ai kishte qenë komandant i një njësie të Wagner-it. Para pushtimit në shkallë të plotë, Nagin kishte shërbyer në konfliktet separatiste, të nxitura nga Moska, në pjesët në lindje të Ukrainës, duke trajnuar luftëtarët e atyre zonave në një bazë në rajonin ukrainas, të Krimesë, që Rusia ka pushtuar.
Ai ishte plagosur rëndë në maj të vitit 2022, por ishte rikthyer në front para se të rikuperohej. Ai raportohet se u vra më 21 shtator 2022, në moshën 41-vjeçare. Atij iu nda urdhri Hero i Rusisë, si dhe nderimi më i lartë ushtarak i administratave të instaluara nga Rusia në pjesët e pushtuara të rajoneve ukrainase të Luhanskut dhe Donjeckut, si dhe ylli i platinit i Grupit Wagner.
Funerali i Naginit, që ishte me prejardhje nga Volgogradi, ishte një ngjarje e madhe në këtë rajon, me një shërbim që u mbajt në muzeun e Betejës së Stalingradit, nën statujën ikonike “Mëmëdheu Thërret”. Prigozhin dhe guvernatori rajonal i Volgogradit, Andrei Bocharov, kishin marrë pjesë në këtë ngjarje, ku u njoftua se presidenti Vladimir Putin, i kishte ndarë atij medaljen pas vdekjes, Heroi i Rusisë.
Edhe një klasë në një shkollë lokale është emëruar për nder të tij dhe një pllakë përkujtimore është vendosur në shkollën ku ai kishte ndjekur mësimet. Deputeti i Dumës nga Volgogradi, Andrei Gimbatov, ka kërkuar që shkolla zyrtarisht të emërohet në nder të Naginit, duke premtuar se vetë do të paguajë për pllakën e re të emrit të shkollës.
“Pa dyshim, kjo do të ndihmojë që të kultivohet te gjenerata e re, duke përdorur shembullin e Alekseit, dashuria për mëmëdheun dhe të rrënjoset te ta vlerat e duhura të jetës”, shkroi Gimbatov në letrën e tij drejtuar Qeverisë komunale.
“Diplomacia qytetare”
Në njoftimin e qytetit për emërimin e rrugës në nder të Naginit, kryetari i qytetit Vladimir Marchenko theksoi se ideja erdhi “nga një grup qytetarësh të Volgogradit”. Denis Eliseyev, ish-zyrtar në administratën e qytetit të Volgogradit, i cili u largua nga Rusia pasi nisi pushtimi i Ukrainës, i tha Radios Evropa e Lirë se ky pohim mund të jetë i vërtetë.
“Është e mundur që një grup i qytetarëve të mençur të Volgogradit vendosën të riemëronin rrugën e tyre, me shpresën se do të përfitonin ndriçim publik, trotuare dhe asfaltim të duhur”, tha ai. “Në fund të fundit, ata nuk do të mund të lënë borën pa e hequr apo të mos mbledhin mbeturinat në një rrugë të emëruar në nder të një Heroi të Rusisë”.
“Pres që brenda muajsh edhe banorë të tjerë lokalë, që jetojnë në rrugë të paasfaltuara, do të kërkojnë që ato të emërohen për nder të heronjve të Rusisë”, shtoi ai. “Le ta quajmë këtë ‘diplomaci qytetare’”.
Maria Khudoyarova, aktiviste në lëvizjen kundër luftës Dozor, tha se praktika e emërimit të hapësirave publike në nder të mercenarëve të vrarë është pjesë e normalizimit dhe legjitimimit të pushtimit të Ukrainës dhe është një aspekt i rëndësishëm “i algoritmit të përgjithshëm të propagandës” së Qeverisë.
“Duke marrë për bazë postimet në kanalet proqeveritare në Telegram… autoritetet parapëlqejnë të injorojnë faktin se ai ka kryer vjedhje”, tha ajo. “Disa prej tyre pretendojnë se ai ‘ka larë mëkatet me shërbimin për mëmëdheun’”.
Ajo theksoi se emri i Naginit është larguar nga të dhënat e gjykatës lokale.
“Mendoj se është e rëndësishme që në vazhdimësi t’ua rikujtojmë njerëzve se këta ‘heronj’ putinist kanë kryer krime, shumë prej tyre edhe krime serioze”, tha Khudoyarova, duke shtuar se qytetarët e ardhshëm të një Rusie demokratike nuk do të ngurronin që të rimëronin sërish këto hapësira publike.
Koloneli në pension i ushtrisë, Vitaly Votanovsky, i cili udhëheq një kanal në Telegram që fokusohet në Krasnodar dhe mban shënime për numrin e mercenarëve të Wagner-it dhe personelit ushtarak rus që janë të varrosur në këtë qytet, u pajtua me Khudoyarovan.
Ai vuri në pah se qëndrimet zyrtare ndaj Wagner-it kanë ndryshuar pasi luftëtarët e grupit, të udhëhequr nga Prigozhini, kryen rebelimin jetëshkurtër në qytetin Rostov-mbi-Don në qershor të vitit 2023.
“Mendoj se kjo do të vazhdojë për aq kohë sa Putini të jetë gjallë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Atëherë, gjithçka do të zhbëhet dhe askush nuk do të ankohet. Më herët, ka pasur pano ku shfaqeshin të dënuarit që vdiqën në Krasnodar, por u hoqën pas rebelimit”.
“Në vitin e parë të luftës, para se Prigozhini të futej në politikë, autoritetet nuk bënin dallimin mes ushtarëve që kanë kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe mercenarëve”, shtoi ai. “Por, kur grupi i tij veproi kundër Qeverisë, ata praktikisht i harruan të gjithë” mercenarët.
“Në luftë për një ide”
Në vjeshtën e vitit 2023, një pllakë përkujtimore e në rajonin e Stavorpolit që nderonte një mercenar të Wagner-it të vrarë në Ukrainë u largua, pasi policia lokale pranoi ankesa se ai kishte qenë i dënuar për “vrasjen e tmerrshme” të një zyrtari policor.
Analisti politik Sergei Zhavoronkov tha se autoritetet ende nuk kanë krijuar një politikë koherente karshi luftëtarëve të Wagner-it.
“Në përgjithësi, autoritetet po tentojnë të ndjekin një qasje dualiste, sikurse qasja e autoriteteve kineze ndaj [diktatorit komunist Mao Zedong] se ai ishte ‘dy të tretat i saktë dhe një e treta i gabuar’”, tha ai. “Vrasësit më skandalozë dhe përdhunuesit që janë falur nga Putini nuk do të nderohen, por mes ‘heronjve’ të sotëm ka njerëz me të kaluar kriminale”.
Analisti Preobrazhensky tha se autoritetet në Volgogradit kanë përzgjedhur Naginin sepse ata duan një shembull patriotik, e kaluara kriminale e të cilit nuk ishte shumë e tmerrshme. Objektivi kryesor është për të motivuar vullnetarët e rinj. “Vullnetarët shkojnë të luftojnë për një ide më shumë sesa për para”, tha ai./REL